832 a,Thonë se tek ilirët e quajtur taulantë, bëjnë verë nga mjalti, pasi i shtrydhin hojet /mjaltit/ i hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan gjersa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin ndër enë prej balte, dhe e lënë gjersa të mbetet gjysma, pastaj lëngun e shtien ndër enë prej druri. Këtu thonë se e lënë të fermentojë për një kohë të gjatë dhe bëhet si verë, dhe bile një verë e ëmbël dhe e fortë. Kurse tani thonë se kjo bëhet edhe në disa vende të Helladës dhe e tillë që nuk ndryshon aspak prej verës së vjetër aq sa ishte e pamundur për kërkuesit që ta dallonin...
833 a,36 Thonë se në Atintani, pranë kufijve të tokave të Apollonisë, ndodhet një shkëmb, nga i cili nuk duket se del zjarr i vërtetë, por ndizet duke i hedhur vaj.
833 b,45 Për Paioninë thonë se kur bien shira të vazhdueshme, në tokën e zbutur gjendet i ashtuquajturi ar i padjegshëm.
Flitet se toka në Paioni është aq e pasur me ar, sa shumë vetë kanë gjetur copa ari më të rënda se një mna. Thonë se janë gjetur edhe i janë dërguar mbretit të atjeshëm dy copë, njëra e rëndë 3 mna dhe tjetra 5 mna.
835 b,75 Thonë se në Epir ka drerë, të cilët duke gërmuar tokën me bririn e djathtë bëjnë gropa; ky bri është i dobishëm për shumë sende.
836 a,79 Në ishullin Diomedea, në detin Adriatik, thonë se gjendet një tempull i Diomedit, i admirueshëm dhe i shenjtë; rrotull tij fluturojnë shpendë të mëdha me sqep shumë të gjatë, të gjerë dhe të fortë; kur vijnë këtu helenët ato rrinë të qeta, ndërsa kur vijnë barbarë, që banojnë aty afër, u fluturojnë rreth e rrotull, ua shqyejnë kokët e tyre me kthetra e sqepa dhe mbasi u shkaktojnë shumë plagë i vdesin. Thonë se dikur këta kanë qenë shokët e Diomedit, që e humbën prijësin e tyre mbas mbytjes së anijes, prijës ky që u vra me dredhi nga Aineu, mbreti i atyre fiseve...
836 b,81 ... Atje /në ishujt Elektride/ gjenden me shumicë plepa, prej të cilëve nxirret ai që ne e quajmë qelibar, në fillim si dyllë, pastaj forcohet si gur. Ky mblidhet prej banorëve dhe dërgohet në Helladë. Prandaj thonë se në këta ishuj erdhi Dedali, i pushtoi dhe në njërën bëri fytyrën e vet, kurse në tjetrën të djalit, Ikarit. Pastaj mbasi e dëbuan pellazgët, të cilët shkatërruan Argon, Dedali iku dhe erdhi në ishullin Ikar.
839 a,104 Përveç kësaj pranë Epirit, burojnë ujëra të nxehta, prandaj ky vend quhet Pyriflegeton. Më kot thonë se mbi këtë vend nuk fluturon asnjë shpend, mbasi dihet se atje ka mjellma me shumicë.
839 b,104 Ndërmjet Mentorisë dhe Istrisë thuhet se gjendet një mal me një majë shumë të lartë, që e quajnë Delfion. Kur memtorët, që banojnë pranë Adriatikut, i ngjiten këtij mali, shikojnë së andejmi anijet që lundrojnë në Detin e Zi. Përveç këtij është edhe një vend tjetër ndërmjet [të dy fisevej, në tregun e të cilit tregtarë të ardhur nga Deti i Zi shesin verëra nga ishujt Lesbo, Ko dhe Thaso, gjithashtu sillet verë edhe prej atyre të Adriatikut me amfora të Korkyrës.
842 b,127 Në Apolloni, që ndodhet pranë krahinës së taulantëve, thonë se del asfalt dhe pisë si curila që shpërthejnë nga toka; këtu ai del më i zi dhe më i dendur se i Maqedonisë; dhe banorët thonë se jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht dhe zë një sipërfaqe fare të ngushtë, aq sa përfshin një pentakline0. Këndej del një erë squfuri dhe nishadri; përreth rritet një bar shumë i lartë dhe ç'është më e çuditshme, jo më larg se katër kut prej andej rriten drurë të lartë...
128 Thuhet se tek ilirët gjëja e gjallë pjell dy herë në vit, dhe më të shumtat bëjnë binjakë, bile shumë tre ose katër keca, disa pesë e më tepër. Përveç kësaj thonë se japin me lehtësi nga tri hemikoe qumësht. Thonë se edhe pulat nuk bëjnë një ve në ditë si në vende të tjera, po pjellin dy ose tri herë në ditë. Thuhet edhe se në Paioni qetë e egër bëhen shumë më të mëdhenj nga të gjithë ata që ndodhen ndër popullsi të tjera, edhe se brirët e tyre nxënë katër koe, bile brirët e disave edhe më shumë.
844 b,138 Thonë se në Iliri, tek fiset e quajtura ardiane, pranë kufirit me autariatët, ndodhet një mal i lartë dhe afër tij një gurrë, nga e cila shpërthen ujë me sasi të madhe, jo në çdo stinë, po vetëm në pranverë. Këtë ujë e marrin dhe ditën e ruajnë në një vend të mbuluar, ndërsa natën e nxjerrin përjashta. Kjo punë bëhet pesë a gjashtë ditë me radhë dhe pastaj uji ngrin e bëhet një kripë shumë e mirë; këtë kripë e mbajnë sidomos për bagëtitë. Së jashtmi nuk sjellin kripë në këto vise, për arsye se janë larg detit dhe nuk përzihen me të tjerët. Kripa u duhet shumë për kafshët, të cilave ua japin dy herë në vit. Në rast se s'ua japin, shumica e bagëtisë ngordh.