Mbretërit e Romës
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Mbretërit e Romës

Mbishkrimi i zbuluar në vitin 1899 nën gurin e zi në Forum përfshin fjalën ‘mbret’ ose latinisht rex: RECEI, siç shfaqet në formën e hershme të gjuhës së përdorur këtu. Kjo fjalë e vetme përbën arsyen për famë të mbishkrimit dhe zbulimi i tij ka ndryshuar mënyrën se si është kuptuar historia e hershme e Romës.

14. Mbishkrimi i hershëm në shtyllën e gërmuar poshtë gurit të zi mund të gabohet lehtë si mbishkrim në greqisht dhe me të vërtetë u ngatërrua nga disa vëzhgues të mëvonë të lashtësisë. Në fakt, ajo është e shkruar në latinishten arkaike, në germa shumë të ngjashme me greqishten dhe është organizuar në të ashtuquajturin stili bustofedon: që do të thotë, rreshtat lexohen në mënyrë të alternuar majtas - djathtas dhe djathtas-majtas.

Teksti në shumë kuptime është jashtëzakonisht irritues. Ai është i paplotë dhe një e treta e sipërme e shtyllës nukka mbijetuar. Është pothuajse i pakuptueshëm. Latinishtja është e vështirë në të gjitha rastet; por seksioni i humbur e bën gati të pamundur të rrokësh kuptimin e saj në tërësi. Edhe pse ne mund të jemi të sigurt se ky gur nuk shënjon varrin e Romulit-apo të ndokujt tjetër - shumica e interpretimeve janë thjeshtë pak më shumë se sa përpjekje të guximshme për të bashkuar disa kuptime të mjegullta të ca fjalëve individuale që janë të dallueshme në të. Një teori e njohur moderne është se aty shkruhet një paralajmërim që të mos lejohen kafshët e lidhura të hedhin bajga mbi kult - e cila në dukje mund të ketë qenë një shenjë e keqe. Gjithashtu është shumë e vështirë të dihet se sa i vjetër është guri. Mënyra e vetme për të datuar tekstin është përmes krahasimit të gjuhës dhe skriptit me një grusht shkrimesh të tjera të mbijetuara nga latinishtja e hershme, shumica e të cilave janë gjithashtu të padatuara me siguri. Sugjerimet dallojnë me mbi 300 vjet, nga datimi rreth vitit 700 p.e.s. deri në vitin 400 p.e.s. Konsensusi i dobët aktual është se ai është gdhendur në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtë p.e.s.

15. Në këtë pikturë, ‘Betimi i Horatëve’ (1784), Jacques-Louis David përshkruan një legjendë nga koha e sundimit të Tulus Hostilius, kur Roma ishte në luftë me Alba Longën fqinje. Dy çifte trinjakësh, një për secilën palë, ranë dakord të luftojnë me njëri-tjetrin për të përfaqësuar bashkësitë e tyre. Këtu David imagjinon Horatët romakë duke marrë shpatat nga babai i tyre. Njëri prej tyre kthehet fitimtar, vetëm për të vrarë motrën e tij (e parë këtu duke qarë), e cila ishte fejuar me një prej armiqve. Kjo ishte një histori e vlefshme për romakët dhe jo më pak për francezët e shekullit të tetëmbëdhjetë, të cilët që të dy lavdëronin patriotizmin dhe nuk vinin në diskutim kostot

Nga Tarkuinët te Shipio Mjekërgjati

Si filloi me të vërtetë Republika? Historianët e lashtë të Romës qenë ekspertë në kthimin e kaosit historik në një narrativë të rregullt dhe gjithmonë ishin të etur për të imagjinuar se institucionet e tyre shkojnë pas shumë më tepër nga sa ishte e vërtetë. Për ta tranzicioni nga monarkia te Republika ishte aq i rregullt sa mund të jetë një revolucion: Tarkuinët ikën; një formë e re e qeverisjes u shfaq tërësisht e formuar; posti i konsujve u themelua menjëherë, duke ofruar një rend të ri me kronologjinë e vet nga viti një. Në realitet, i gjithë procesi duhet të ketë qenë shumë më tepër gradual nga sa sugjerohet prej rrëfenjave, si dhe me më shumë telashe. ‘Republika’ lindi ngadalë, përgjatë një periudhe dekadash, nëse jo shekujsh. Ajo u rikrijua shumë herë.

Edhe konsujt nuk fillonin menjëherë me fillesat e regjimit të ri. Livi sugjeron se posti më i lartë zyrtar i shtetit, puna e të cilit ishte të ngulte një gozhdë në Tempullin e Jupiterit çdo vit, në origjinë quhej kryepretor, megjithëse fjala praetor’ u përdor më vonë për zyrtarët më të ulët poshtë konsujve. Ka tituj të tjerë më të hershëm të regjistruar për ata në majë të hierarkisë politike, të cilat thjesht e komplikojnë panoramën. Këta tituj përfshijnë ‘diktatorin, zakonisht i përshkruar si një pozicion i përkohshëm me detyrën për t’u përballur me një emergjencë ushtarake dhe pa konotacionin veçanërisht negativ modern të kësaj fjale; dhe ‘tribunët ushtarakë me fuqi konsullore’, një grusht fjalësh të përkthyer përshtatshëm nga një prej historianëve modernë si ‘kolonelët’.

Një pikëpyetje e madhe ngrihet sërish mbi atë se kur saktësisht u shpik posti përcaktues i Republikës ose kur dhe pse një zyrë tjetër u riemërua ‘konsull’ apo edhe se kur parimi themelor Republikan që pushteti duhet të jetë gjithmonë i përbashkët u përcaktua për herë të parë. ‘Kryepretor’ tingëllon hierarkik, jo i barabartë. Dhe cilado qoftë data kyçe apo datat, lista e konsujve në të cilën bazohej kronologjia e Republikës, e cila shkonte pas në një seri të pandërprerë deri te Lucius Junius Brutus dhe Lucius Tarkuinius Kolatinus në vitin 509 p.e.s. - ishte në pjesën e vet më të hershme produkt i përshtatjeve të konsiderueshme, referencave imagjinare dhe hamendësimeve inteligjente, me gjasa edhe i shpikjes së drejtpërdrejtë. Duke parë pas nga fundi i shekullit të parë p.e.s., Livi pranon se ishte pothuajse e pamundur të rendisësh me besim kronologjinë e mbajtësve të posteve të periudhës së hershme. Ajo ishte, shkroi ai, thjesht shumë kohë më parë.

Pati gjithashtu një pikëpyetje mbi atë se sa e dhunshme ishte rënia e monarkisë. Romakët imagjinonin një ndryshim regjimi pak a shumë pa gjak. Lukrecia ishte viktima më e njohur tragjike, por përgjatë luftës që pasoi, Tarkuini u lejua të arratisej i padëmtuar. Provat arkeologjike sugjerojnë se procesi i ndryshimit brenda qytetit nuk ishte kaq paqësor. Së paku, shtresa mbetjesh të djegura janë gërmuar në Forum dhe gjithkund tjetër, të cilat janë datuar pak a shumë rreth vitit 500 p.e.s. Ato mund të jenë asgjë më shumë sesa gjurmë të një serie zjarresh aksidentale, por janë mjaftueshëm për të sugjeruar se përmbysja e Tarkuinëve mund të ketë qenë e përgjakshme dhe jo pa gjakderdhje dhe se shumica e dhunës së brendshme u la mënjanë në mënyrë patriotike nga narrativa standarde.

Përdorimi më i hershëm i njohur i fjalës ‘konsull’, daton dyqind vjet më vonë. Ajo gjendet në shembullin e parë të mbijetuar mes atyre mijëra e mijëra epitafeve romake fjalëshumë, gdhendur me kujdes në varret e të gjithë perandorisë, si në varre ekstravagante ashtu edhe në varre të thjeshta, të cilat na tregojnë ne shumë mbi jetët e të vdekurve: postet që ata mbanin, punët që bënin, qëllimet, aspiratat dhe ankthet. Kjo për të cilën po flasim përkujton një burrë të quajtur Lucius Kornelius Shipio Barbatus (emri i fiindit do të thotë ‘me mjekër, mjekër e gjatë’ ose ndoshta mjekrosh’) dhe ishte ekspozuar përpara një sarkofagu të stërmadh, i cili dikur gjendej në varrin e familjes Shipio pak jashtë Romës, për shkak se varrimet zakonisht nuk lejoheshin brenda vetë qytetit. Barbatusi ishte konsull në vitin 298 p.e.s. dhe vdiq rreth vitit 290 p.e.s. Pothuajse me siguri themeloi këtë mazoleum pompoz, një promovim pa turp i pushtetit dhe prestigjit të familjes së tij, një nga më të famshmet e Republikës. Ai duket se ka qenë i pari nga më shumë se tridhjetë të varrosur aty dhe qefini i tij në formë memoriali ishte vendosur në pozicionin më qendror, përballë derës.

25. Sarkofagu imponues i Barbatusit dominonte varrin e Shipiove. Gur i ashpër i zonës (apo tufa) dhe i thjeshtë, me pamje paksa fshatareske, bën shumë kontrast me mermerin e gdhendur me shije të sarkofagëve të të pasurve të shekujve të mëvonë të Romës. Megjithatë, në shekullin e tretë p.e.s., ky ishte më i miri dhe më i sofistikuari që mund të blihej me para.

Epitafi ishte hartuar pak pas vdekjes së tij. Ai është katër rreshta i gjatë dhe mund të llogaritet si narrativa e parë historike dhe biografike që ka mbijetuar nga Roma e lashtë. I shkurtër siç është, ai përbën një pikë madhore kthese në të kuptuarit e historisë së Romës, sepse ofron informacion të fortë, pak a shumë të asaj kohe mbi karrierën e Barbatusit - shumë ndryshe nga rikonstruksionet imagjinare, gjurmëve të zbehta të gjetura në tokë apo deduktimet moderne mbi atë që ‘duhet të ketë ndodhur’ rikonstruksione që rrethojnë periudhën e rënies së monarkisë. Ai është shprehës mbi ideologjinë dhe mendimin që elita romake e kësaj periudhe kishte mbi botën: ‘Komelius Lucius Shipio Barbatus, pasardhës i babait të tij Gnaeus, një burrë trim dhe i mençur, pamja e të cilit pajtohej me virtus të tij. Ai ishte konsull, censor dhe aedil mes jush. Pushtoi Taurasian dhe Cisaunan nga Samniumi. Ai nënshtroi të gjithë Lukanian dhe mori pengje.

Kushdo që e shkroi atë, ndoshta një nga pasardhësit e tij, ekstraktoi atë që duket se ka qenë maja e karrierës së Barbatusit. Në shtëpi (‘mes jush’) ai ishte zgjedhur konsull dhe censor, një nga dy zyrtarët përgjegjës për rekrutimin e shtetasve dhe vlerësimin e pasurisë së tyre; dhe ai mbajti postin më të ulët të aedilit, i cili në shekullin e parë p.e.s., e ndoshta më herët, lidhej në përgjithësi me mirëmbajtjen dhe furnizimin e qytetit dhe me organizimin e shfaqjeve publike e lojërave. Më tutje, mburrja me sukseset e tij ushtarake në Italinë e Jugut, disa qindra kilometra larg Romës: ai pati pushtuar dy qyteza nga samnitët, një popull me të cilin romakët kishin vazhdimisht konflikte gjatë jetës së Barbatusit, si dhe pati nënshtruar rajonin e Lukanias, duke marrë pengje nga armiku, një metodë standarde romake për garantimin e ‘sjelljes së mirë’.

Këto akte heroike nënvijëzojnë rëndësinë e luftës në imazhin publik të udhëheqësve romakë, por ato vënë në dukje edhe zgjerimin ushtarak të Romës në fillim të shekullit të tretë p.e.s., tashmë e shtrirë goxha përtej dyerve të qytetit. Në një betejë në vitin 295 p.e.s., në të cilën Barbatusi shërbeu tre vjet pasi ishte konsull, forcat romake mposhtën një ushtri italianësh në Sentinum, jo larg Ankonës së sotme. Kjo ishte beteja më e madhe dhe më e përgjakshme e luftuar në gadishull deri në atë ditë dhe ishte shumë më e madhe sesa thjesht një përplasje vendore, sa lajmi për të udhëtoi shpejt e gjerësisht, pavarësisht metodave rudimentare të komunikimit të lashtë (korrierë, fjalë goje e në raste të rralla, një sistem sinjalizimesh). Ulur në studion e tij në ishullin grek të Samosit, qindra kilometra më larg, historiani i shekullit të tretë p.e.s. vendosi se kjo ishte një ngjarje që ia vlente të regjistrohej; një copë e shkurtër e kronikës së tij mbijeton edhe sot.

Po kaq informuese janë edhe karakteristikat e tjera që epitafi i tregon për lavdërim: trimëria dhe dituria e Barbatusit, si dhe fakti që pamja e tij e jashtme ishte e barabartë me virtus-in e tij. Kjo mund të kuptohet si ‘virtyt’ në kuptimin modern, por ajo përdorej më shpesh fjalë për fjalë, për t’iu referuar cilësive kryesore që përkufizonin një burrë (vir), virtyt në kuptimin e romakëve ishte ekuivalent me ‘pamjen burrërore’. Sido që të ishte, Barbatusi ishte një burrë që shfaqte cilësitë e tij në fytyrë. Megjithëse imazhi popullor i burrit romak qe ai i një njeriu të shkujdesur për pamjen e jashtme, në realitet, në këtë shoqëri të hapur dhe konkurruese figura publike pritej që të ishte e kuruar. Ndërsa ai ecte përmes Forumit apo ngrihej për të folur para popullit, cilësitë e tij të brendshme zbuloheshin qartë nga ajo se si ai dukej nga jashtë. Në rastin e Barbatusit, nëse heqim mënjanë mundësinë që emri i tij të qe i trashëguar dhe jo nofkë për pamjen e jashtme, duhet të imagjinojmë një person me një mjekër të bukur, në një kohë kur mbajtja e mjekrës po bëhej më e pazakontë. Një rrëfenjë thotë se berberët fillimisht filluan të punojnë në Romë në vitin 300 p.e.s. dhe se për shumë shekuj pas kësaj shumica e romakëve nuk mbanin mjekër.

Roma e Barbatusit ishte shumë e ndryshme nga Roma e fillesave të Republikës, dyqind vjet më herët dhe ajo kishte pushuar së qenë e zakonshme. Në krahasim me të zakonshmen e asaj kohe, qyteti hamendësohet se kishte diku mes 60 mijë dhe 90 mijë njerëzve.

Kjo e vë atë afërsisht në të njëjtën situatë me një grusht të vogël qendrash të mëdha urbane të Mesdheut të asaj kohe; Athina në këtë pikë kishte një popullsi sa gjysma e këtij numri dhe kurrë në historinë e saj nuk pati më shumë se 40 mijë. Për më tepër, Roma kontrollonte drejtpërsëdrejti territore të mëdha që shtriheshin nga një breg në tjetrin, me popullsi totale më shumë se gjysmë milioni dhe në mënyrë indirekte, përmes një serie marrëveshjesh dhe aleancash, shumë më tepër se kaq - duke i paraprirë perandorisë së mëvonë. Ky është një vend me një organizim të tillë që Cicero dhe bashkëkohësit e tij, dy shekuj më pas, do ta kishin njohur. Përveç dy konsujve çdo vit, kishte një seri pozicionesh më të ulëta, përfshirë pretorët dhe kuestorët (romakët zakonisht i cilësonin këta zyrtarë ‘magjistratë’, por funksioni i tyre nuk ishte kryesisht ligjor). Senati, i përbërë përgjithësisht nga ata që më parë kishin mbajtur post publik, vepronte si një këshill i përhershëm dhe organizimi hierarkik i shtetasve dhe Asambleja e Centurieve, që në mënyrë të falsifikuar i ishte atribuuar Mbretit Servius Tulius dhe shumë e pëlqyer nga Cicero, rregullonte funksionimin e politikës së Romës.

Por kishte edhe aspekte të tjera të njohura. Këto përfshinin një ushtri të organizuar në legjione, fillesat e sistemit zyrtar të prodhimit të monedhave dhe shenjat e një infrastrukture të përshtatshme për përmasat dhe fuqinë e qytetit. Ujësjellësi i parë për të sjellë ujë në qendrën urbane në rritje, u ndërtua në vitin 312 p.e.s., një rrjedhë uji që gjendej në pjesën më të madhe nën tokë për rreth pesëmbëdhjetë kilometra nga kodrat aty pranë, jo një nga ato ndërtimet e jashtëzakonshme mbi tokë që ne shpesh tashmë nënkupto j më me fjalën ‘ujësjellës’. Kjo ishte vepër e një bashkëkohësi të Barbatusit, energjikut Apius Klaudius Kaekus, i cili në të njëjtin vit nisi punën edhe për rrugën e parë romake, Via Appia (Rruga Apia, që mban emrin e tij), e cila të çonte drejtpërsëdrejti në jug nga Roma në Kapua. Në fillim, në pjesën më të madhe, sipërfaqja e rrugës qe në rastin më të mirë e mbushur me zhavorr dhe jo me kalldrëmin mbresëlënës i cili vijon të ekzistojë me fragmente edhe sot. Por ajo ishte një rrugë e vlefshme për ushtritë romake, një mjet komod për komunikimin më paqësor dhe në terma simbolikë një vulë e pushtetit dhe kontrollit të Romës mbi panoramën italiane. Nuk ishte rastësi se për varrin e tij madhështor familjar Barbatusi zgjodhi një pozicion kyç fare pranë saj, në kufijtë e qytetit, në mënyrë që udhëtarët ta admironin kur të hynin e dilnin nga qyteti.

Pikërisht rreth kësaj periudhe kyçe mes viteve 500 dhe 300 p.e.s., mes fundit të Tarkuinëve dhe jetës së Shipio ‘Mjekërgjatit’, morën formë shumë nga institucionet karakteristike të Romës. Romakët jo vetëm që përkufizuan parimet bazë të politikës dhe lirive republikane, por filluan gjithashtu të zhvillojnë strukturat, kapardisjet dhe (që ta themi në mënyrë më impresionuese) një mënyrë të të bërit të gjërave’, e cila mbështeti ekspansionin perandorak të mëvonë. Kjo përfshiu një formulim revolucionar të asaj që ishte të qenët romak, e cila përkufizoi idetë e tyre mbi shtetësinë për shekuj, e vuri Romën mënjanë nga çdo qytet-shtet tjetër klasik dhe në fund formoi shumë nga mendimet moderne mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e shtetasve. Kjo shpjegon se pse Lordi Palmerson dhe John F. Kennedy me krenari përdorën frazën latine Civis Romanus Sum (‘Unë jam shtetas romak’) si një slogan për kohën e tyre. Shkurt, Roma për herë të parë filloi të duket si ‘romake’, siç e kuptojmë ne atë dhe siç e kuptonin ata veten. Pyetja e madhe është, si ndodhi kjo, kur dhe pse? Dhe çfarë provash mbijetojnë për të ndihmuar shpjegimin apo qoftë edhe përshkrimin e ‘hopit të madh përpara’ të Romës? Kronologjia vijon të mbetet e turbullt dhe është absolutisht e pamundur të ndërtosh një narrativë të besueshme historike. Por është e mundur të dallojmë disa ndryshime themelore, si brenda Romës ashtu edhe në marrëdhëniet e saj me botën.

Shkrimtarët e mëvonë romakë prezantuan një histori të qartë dhe dramatike të shekujve të pestë dhe të katërt p.e.s. Në njërën anë, ata treguan për një seri konfliktesh shoqërore të dhunshme brenda vetë Romës: mes një grupi familjesh trashëguese ‘patrice’, të cilat monopolizuan të gjithë pushtetin politik dhe fetar në qytet dhe masës së shtetasve apo ‘plebenjve’, të cilët qenë tërësisht të përjashtuar. Gradualisht, përmes një rrëfenje të larmishme që përfshin grevat, kryengritjet dhe një tjetër (tentativë) përdhunim, plebenjtë fituan të drejtën ose, siç e thanë ata, lirinë për të ndarë pushtetin në terma pak a shumë të barabartë me patricët. Në anën tjetër, shkrimtarët theksuan një seri fitoresh madhore në luftëra që vunë shumicën e gadishulht Italian nën kontrollin e Romës. Këto filluan më 396 p.e.s., kur rivali i madh vendor i Romës, qyteza etruske e Veiit, u mposht pas dekadash të tëra lufte dhe përfundon afërsisht njëqind vite më vonë, kur fitorja kundër samnitëve e bëri Romën bazën më të madhe të pushtetit në Itali aq sa tërhoqi vëmendjen e Duris në Samos. Kjo nuk ishte historia e një ekspansioni të pasfiduar. Shpejt pas disfatës së Veiit, në vitin 390 p.e.s., një grup grabitësish ‘galë’ plaçkitën Romën. Saktësisht se cilët qenë këta njerëz tashmë është e pamundur të dihet; shkrimtarët romakë nuk qenë shumë të aftë për të dalluar mes atyre që për lehtësi i mblidhnin bashkë dhe i quanin ‘fise barbare’ nga veriu dhe nuk qenë shumë të interesuar për të analizuar motivet e tyre. Por sipas Livit, pasojat qenë kaq shkatërrimtare sa u desh që qyteti të rithemelohej (edhe një herë), nën udhëheqësinë e Markus Furius Kamilus - udhëheqës lufte, diktator, ‘kolonel’, një herë i përzënë dhe një herë tjetër, ‘Romul i dytë’.

Kjo narrativë bazohet në themele më të forta historike se çdo gjë tjetër që kemi parë deri tani. Por edhe në vitin 300 p.e.s., literatura më e hershme romake ishte ende shumë dekada larg dhe kronikat e mëvona, të cilat shkojnë pas te kjo periudhë, mbartin shumë mite, zbukurime dhe fantazi. Kamilusi ka gjasa që të mos jetë më pak pjellë e fantazisë sesa Romuli i parë dhe ne sakaq kemi parë se si fjalët e Katilinës përdoreshin për të ngjyrosur fjalimet e një revolucionari të hershëm republikan, nga i cili mund të mos ketë mbijetuar asnjë fjalë. Megjithatë, fundi i kësaj periudhe qëndron në buzë të historisë dhe shkrimeve historike siç i njohim ne, shumë më tepër sesa epitafi i thjeshtë me katër rreshta. Kjo do të thotë se kur senatori me lidhje të shumta Fabius Piktor, i cili pati lindur rreth vitit 270, u ul për të hartuar kronikën e parë të zgjeruar të së shkuarës së Romës, ai mund të ketë mbajtur mend diskutimet që mund të ketë bërë në rininë e tij me dëshmitarë të dorës së parë në ngjarjet e fundit të shekullit të katërt p.e.s. ose me dëshmitarë që kanë folur me burrat e gjeneratës së Barbatusit. Historia e Piktor nuk ka mbijetuar përveçse në disa citime të shkrimtarëve të mëvonë, por ai ishte i famshëm në botën e lashtë. Madje emri dhe një sinops i shkurtër i veprës së tij janë gjetur të pikturuara edhe në muret e njërës prej pak bibliotekave të lashta që janë zbuluar, në Taormina, në Sicili, ku piktura është një kombinim i reklamës për bibliotekën dhe i katalogut të saj. Dy mijë vjet më vonë, ne mund të lexojmë Livin, i cili pati lexuar Piktorin, i cili pati folur me njerëzit që mbanin mend botën siç ishte ajo rreth vitit 300 p.e.s., një zinxhir i dobët lidhjeje me thellësinë e lashtësisë.

Nga kjo periudhë ka gjithashtu fragmente të provave të kohës që kanë mbijetuar, për t’i vendosur përballë kronikave të mëvona historike të Romës dhe për të dhënë një alternativë. Përmbledhja e karrierës në epitafin e Barbatusit është njëra prej tyre. Kur Livi flet për këto vite në Historia, ai shkruan për një aleancë mes romakëve dhe jo për pushtim të Lukanias, dhe e përshkruan Barbatusin duke luftuar në një zonë shumë të ndryshme, në Italinë e veriut në një luftë që nuk ishte shumë e suksesshme. E vërtetë, epitafi i Barbatusit mund t’i ketë zmadhuar arritjet e tij, ndërsa fjala ‘nënshtroi’ mund të ketë qenë mënyra se si elita romake parapëlqente të fliste për një aleancë’; por mbishkrimi ka gjasa të ketë ndihmuar për të korrektuar kronikën e mëvonë dhe lehtësisht të ngatërruar të Livit. Ka disa fakte të tilla, përfshirë piktura shumë domethënëse mbi këtë kohë, piktura që paraqesin skena nga luftërat në të cilat Barbatusi luftoi. Mes më mbresëlënëseve dhe domethënëseve, janë rreth 80 tetëdhjetë klauzola të shkurtra nga koleksioni i parë i shkruar i rregullave dhe rregulloreve të Romës (ose ‘ligjet’, për të përdorur termin e zmadhuar të tyre që u përdor nga shumica e shkrimtarëve të lashtësisë), të mbledhura bashkë në mes të shekullit të pestë p.e.s. dhe të riorganizuara me shumë punë të mundimshme përgjatë shumë shekujve pune prej detektivësh të shkollarëve modernë. Kjo përmbledhje njihet si Dymbëdhjetë Tabelat, nga dymbëdhjetë tabela bronzi, në të cilat ato qenë gdhendur dhe ekspozuar në kohën e vet. Ajo ofron një dritare në disa nga shqetësimet e këtyre romakëve të hershëm republikanë, nga shqetësimet mbi sulmet magjike te çështje të tilla të vështira nëse lejohej apo jo të varrosej një trup me një dhëmb floriri në vend - një informacion rastësor mbi aftësinë e dentistëve të lashtësisë, të cilën arkeologjia e konfirmon.

Është kjo botë e Dymbëdhjetë Tabelave ajo që ne do të shohim tani, para se të fillojmë të eksplorojmë ndryshimet radikale që pasuan, si të brendshme ashtu edhe të jashtme. Rindërtimi i historisë së kësaj periudhe është një proces intrigues dhe me raste torturues, ndërsa një pjesë e qejfit qëndron te të menduarit se si përputhen bashkë disa nga këto copa mozaiku të paplota, për të na treguar dallimin mes faktit dhe fantazisë. Por ka mjaftueshëm copa në dispozicion për të qenë të bindur në një shkallë të konsiderueshme se një ndryshim vendimtar ndodhi në Romë në shekullin e katërt p.e.s., në gjeneratën e Barbatusit e Apius Klaudius Kaekus dhe atë të paraardhësve të tyre, si dhe çfarë ndodhi më pas, sido që është e vështirë të flasësh me detaje mbi tiparet kryesore të politikës së Romës brenda dhe jashtë vendit, tipare të cilat vijuan për shekuj.

info@balkancultureheritage.com