Pompon Mela, gjeograf romak nga Tingenterea e Spanjës. Nuk njihet data e lindjes dhe e vdekjes së tij. Dihet vetëm se ai punoi në gjysmën e parë të shek. I të e. sonë. Nga veprat e tij me karakter gjeografik është ruajtur vetëm "Chorographia" e shkruar në vitet 43-44 në tre libra, ku jepet një përshkrim i përgjithshëm gjeografik dhe etnografik i botës antike. Korografia e Melës është vepra më e vjetër gjeografike e ruajtur në gjuhën latine. Për punimin e kësaj vepre ai grumbulloi një sasi të madhe të dhënash nga burime të mira dhe i dha ato në formë të qartë dhe të shkurtër. Ai kishte në mend, siç na thotë vetë në fillim të veprës së tij, që më vonë t'i jepte këto materiale në një formë më të plotë dhe të përpunuar, por një vepër të tillë me sa duket nuk arriti ta shkruajë.
Në Korografinë e tij Mela jep dhe një përshkrim të shkurtër të Ilirisë dhe të Epirit.