Një vizitë në Bylis mund të realizohet në ndjekje të një iti- nerari që kalon nëpër monumentet më të rëndësishme të zbuluara në gërmimet arkeologjike. Ai nis nga porta nr.6 e murit antik, që ka qenë edhe hyrja kryesore në të gjithë kohën e ekzistencës së qytetit, për të kaluar drejt agorasë pranë banesës B. Pas vizitës së monumenteve të agorasë rekomandohet ngjitja mbi shkallaren e teatrit, nga hapet një pamje madhështore mbi luginën e Vjosës deri në Adriatik. Prej aty ndiqet muri bizantin, për të dalë te stoa e madhe dhe bazilika A dhe për të parë banesën A në anën lindore të murit. Vazhdohet më tej në krah të murit bizantin për të arritur te bazilika B, me të cilën mbyllet itinerari kryesor.
Një itinerar plotësues mund të bëhet me vizitën e bazilikës D dhe E, oborrit të fortifikuar dhe anës lindore të qytetit, ende pak të eksploruar.
Kjo portë mund të quhet e Apollonisë, sepse shënonte fillimin e rrugës që të çonte nga Bylisi për në Apolloni, duke kaluar nëpër kurrizet e kodrave dhe qytetin antik të Gurzezës (fig.25). Ngjitja drejt saj kontrollohej nga një kthesë e murit dhe nga kulla F. Korridori i hyrjes me përmasa 7,60 x 2,40 m formohet midis dy krahëve paralelë të murit rrethues të qytetit. Ai ka pasur dy por- ta: njëra në fillim të hyrjes dhe e dyta në thellësi 4,20 m nga balli.
Hyrja mbulohej nga një kullë me përmasa 9 x 7,60 m, e ngritur mbi harqe mbi korridor. Në pragun e portës ka dy thellime, për kalimin e qerreve dhe të ujrave. Në një periudhë të dytë ndërtimi, në shek.III-II p.Kr., kjo kullë ka qenë prishur dhe u zëvendësua me një kullë katërkëndëshe 6,10 x 4 m në krahun e djathtë të hyrjes.
Porta ka qenë riparuar gjatë periudhës bizantine, në shek.V, duke ripërdorur blloqet e murit ilir, por edhe një mbishkrim latin në krahun e majtë të hyrjes. Viktorini ka bërë riparime të pjesshme vetëm në lartësi. Një riparim me blloqe të ripërdorura, të lidhura me baltë, mund të lidhet me ngjarjet e shekujve XIII-XIV, kur rrënojat e Bylisit kanë shërbyer si kampinge ushtarake.
Para hyrjes, në të dy anët e rrugës, ka qenë zhvilluar një pjesë e nekropolit të qytetit nga vijnë disa stele varresh të shek.III-I p.Kr.
Pasi kalohet teqja bektashiane dhe ngjitemi drejt agorasë, ndeshim në krahun e djathtë një banesë antike me peristil. Kjo banesë me përmasa 29,5 x 24,8 m, zinte dikur një të gjashtën e një insule, në kryqëzimin midis plateias C dhe asaj IV. Ajo ishte e vendosur në një terracë të krijuar nga mure të fuqishme prej blloqesh të punuara trashë, duke niveluar pjesërisht terrenin e pjerrët. Qendrën e banesës e formonte oborri katërkëndësh me brinjë 9,6 m, i cili rrethohej nga një kolonadë e ordrit dorik. Korridori i peristilit me gjerësi 3,6 m lidhte kthinat e vendosura në anët lindore e veriore. Ana jugore, ku gjendej edhe hyrja, si dhe ajo perëndimore, e ngritur mbi murin e terracimit, përbënin një hajat të gjatë, që përdorej për veprimtarinë ekonomike.
Dhoma kryesore, andron, gjendej në krahun lindor dhe ka përmasa 6,4 x 7,7 m. Ajo e ka ruajtur këtë funksion edhe në rindërtimet e mëvonshme të banesës, deri në shek.III m.Kr., kur muret e saj kanë qenë suvatuar dhe lyer me një kombinim kuadratesh.
Oborri ka qenë shtruar me pllaka gëlqerore, për ta mbajtur pastër. Në këndin juglindor gjendet stera, ku mblidhej uji i shirave nga çatia, si rezervë për sezonet e thata. Uji i tepërt përcillej nëpërmjet një kanali në këndin veriperëndimor, për në rrugicën që e ndante këtë banesë nga ato fqinje.
Banesa B ka qenë ndërtuar në shek.III p.Kr., nga një familje e pasur dhe ka qenë përdour pa ndërprerje deri në shek.IV m.Kr. Në shek.V, në rrënojat e saj u ngritën dy banesa dykthinëshe, kurse në fundin e shekullit VI m.Kr., ajo është shndërruar në një vendvarrim ndoshta për të ardhurit.
Banesa fqinje e anës veriore përfaqëson periudha të ndryshme ndërtimi dhe nuk paraqet vlera të veçanta arkitektonike. Gjatë gërmimit të saj u gjet një kokë mermeri e perandorit Hadrian, që sigurisht është sjellë në këtë banesë, pas thyerjes nga shtati.
Hyrja për në agora korrespondonte me plateian D dhe ka gjerësinë e saj prej 8,30 m. Ajo hapet në një mur dekorativ, prej blloqesh kuadratike të punuara bukur, i cili ndante zonën e banuar nga hapësira publike. Vizitori gjendej para perspektivës së shkallareve të stadiumit në krahun e majtë, ndërsa në krahun e djathtë kishte një ndërtim me përmasa 20,10 x 5,80 m, të ngritur mbi murin e agorasë (fig.28). Ndërtesa ka pasur dy kthina dhe një hajat me kolonadë druri midis tyre. Mund të mendohet se ka qenë prytaneioni, zyra e funksionarit më të lartë ekzekutiv të koinonit.
Gjatë gërmimit të monumentit, përpara tij u gjet bazamenti i një shtatoreje me një mbishkrim latin të kohës së Augustit, sipas të cilit skulptura ishte ngritur me vendim të dekurionëve dhe nën kujdesin e duumvirëve. Prej tyre ruhet vetëm emri i T. Petronius, ndërsa tjetri ka qenë fshirë si damnatio memoriae, pra si dënim i emrit për shkak të ndëshkimit politik të tij. Aty pranë u gjet edhe një mbishkrim i shek.III p.Kr, që i kushtohej Artemisit në kohën e prytanit me emrin ilir Triteutas.
Në perëndim të prytaneionit, por me një disnivel prej 3 m, gjendet një ambient i mbyllur me përmasa 18,20 m x 6,20 m, i ndërtuar prapa murit të agorasë. Një derë e hapur në këtë mur të fuste në këtë ambient pa dritare. Një radhë kolonash tetëkëndëshe shërbenin për të mbajtur dyshemenë e katit të parë, i cili duhet të ngrihej mbi rrafshin e agorasë.
Rindërtimet e mëvonshme nuk lejojnë të përcaktohet funksioni i saktë i këtij ambienti, por integrimi në agora dëshmon se kishte një karakter publik, ndoshta një arsenal për armët. Ambienti ka qenë rindërtuar në fillim të shek.I m.Kr., duke përdorur një muraturë të tipit opus reticulatum. Në një rindërtim të tretë është ripërdorur në pragun e hyrjes një mbishkrim latin i vitit 137 m.Kr., kushtuar me dekret të dekurionëve birit të adoptuar të Hadrianit, L.Elius Cesarit. Një mbishkrim tjetër latin i gjetur në këtë ambient i kushtohej po me dekret të dekurionëve perandorit Antonin Pius dhe datohet në vitin 140 m.Kr.
Pothuaj në mes të sheshit që shtrihet në të djathtë të hyrjes ruhen gjurmët e një monumenti të periudhës së Augustit.Bazamenti i tij në formë katërkëndëshe me përmasa 5,88 m x 7 m përbëhej nga një bërthamë prej çakulli e llaçi dhe një veshje blloqesh kuadratike të lidhura me shufra hekuri e plumb. Ka mundësi që të ketë qenë një altar kushtuar perandorit, ndoshta Augustit.
Një numër kolonash dorike e jonike, të grumbulluara në këtë shesh, vijnë nga një monument i ndërtuar në pjesën perëndimore, ku është zbuluar pjesërisht vetëm muri lindor i tij. Nga ky monument vjen edhe një arkitra me mbishkrimin CAESAR shkruar me shkronja metalike. Disa stele varresh janë transportuar aty që nga nekropoli para hyrjes nr.6. Disa prej tyre kanë qenë stele të shek.III p.Kr., të ripërdorura në shek.I m.Kr, duke i rrafshuar mbishkrimet e vjetra dhe duke skalitur të reja. Mbishkrimet e tyre përkthehen:
Stadiumi i Bylisit paraqet një zgjidhje të veçantë në krahasim me stadiumet në formë patkoi të qyteteve antike. Për shkak të përshtatjes ndaj terrenit ai ka vetëm një krah, që mbështetet në pjerrësinë e terrenit. Gjithashtu, për shkak të mungesës së vendit kjo shkallare ka gjatësinë 134 m dhe gjatësia standarde e stadiumit prej rreth 190 m plotësohej me zgjatjen e pistës përpara teatrit.
Veçoria më tipike e stadiumit të Bylisit, që përbën një nga krijimet origjinale të arkitektëve vendës, është ndërtimi i një stere gjigande uji nën pistën e krahut verior të tij. Kjo është edhe pjesa ku ruhet më mirë shkallarja e stadiumit e ndërtuar me blloqe katërkëndëshe gëlqerore.
Ruhen 19 shkallë me lartësi 0,30 m dhe gjerësi 0,40 m. Në përmasa të tilla ato nuk ofronin vend për uljen e spektatorëve, të cilët ishin të detyruar të ndiqnin garat sportive duke qëndruar më këmbë.
Stera, e cila shërbente për të mbledhur ujrat e shirave nga shkallarja e stadiumit dhe, me sa duket, nga çatia e stoas së madhe, ka formë katërkëndëshe 50,90 m x 4,20 m. Ajo nuk është gërmuar ende deri në fund, por provat tregojnë një thellësi mbi 6 m. Në këtë mënyrë ajo përbënte një rezervuar të madh uji, që mbushej gjatë dimrit dhe shërbente për të furnizuar me ujë qytetarët e shumtë, që mblidheshin në agora gjatë veprimtarive politike, festave, shfaqjeve teatrale, apo garave sportive.
Stera mbulohej me një sistem harqesh prej blloqesh gëlqerore, mbi të cilat shtroheshin pllaka guri në nivelin e pistës së stadiumit. Ajo ka qenë pjesërisht e gdhendur në shkëmb, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga mure me blloqe katërkëndëshe. Për izolimin e ujit, por edhe për ruajtjen nga infiltrimet e papastërta, stera ka qenë e suvatuar me llaç të përzier me thërmija qeramike.
Pjesa jugore e stadiumit ruhet vetëm në pak rradhë, por dallohen shkallinat më të ngushta që shërbenin për lëvizjen e spektatorëve. Në një bllok të radhës së parë të shkallares ka qenë skalitur një mbishkrim në gjuhën greke, që përkthehet: "Kur ishte prytan Aleksomas, Botihu, biri i Lykiskut, ngriti mbishkrimet (për lirimin e tij nga skllavëria), sipas ligjit". Në këtë pjesë të stadiumit, gjatë gërmimeve, janë gjetur disa tesera të rrumbullakëta prej bronzi, me mbishkrimin Byllis, dhe me një vrimë në mes, për t'u mbajtur të lidhura (fig.32). Këto s'janë gjë tjetër veçse biletat për t'u futur në stadium apo teatër, të cilat spektatorët bylinë i mbanin të lidhura në brez, ngaqë veshjet e asaj kohe nuk kishin xhepa.
Në bazë të teknikës së ndërtimit dhe gjetjeve arkeologjike, ndërtimi i stadiumit dhe sterës së tij i takon periudhës së madhe të ndërtimit të agorasë, rreth mesit të shek.III p.Kr.