Pas ndërprerjeve të gërmimeve nga Ugolini më 1928 dhe rifillimit të tyre në vitet 80’ ka pasur dëmtime, kryesisht në zonën e agorasë, duke përfshirë edhe mure të thesaurosit. Dëmtime ka pësuar edhe zona e qytetit të poshtëm dhe e nekropolit si rrjedhim i zgjerimit të fshatit Finiq. Gërmimet e ekspeditës italo-shqiptare janë shoqëruar me konservimin e strukturave të zbuluara. Foinike është park arkeologjik kombëtar.
Fortifikimet e qytetit antik përfaqësojnë monumentin më të majtur dhe më mbresëlënës . Ato kanë një gjatësi prej 4.700 m dhe përfshinin një sipërfaqe prej rreth 66 ha, që shtrihej në rrafshin e kurrizit të kodrës dhe zbriste deri në mesin e shpatit-perëndimor të saj.
Në periudhën e parë, e cila datohet në fillim të shek. IV p. Kr, fortifikimi ka planimetrinë tipike katërkëndëshe, të vendosur në shpatin e kodrës, me zgjërimin e krahëve të murit në kurrizin e kodrës. Kjo formë e planimetrisë, e dëshmuar edhe në qytetin antik të Gurzezës, i krijoi Ugolinit përshtypjen e një akropoli, të cilin ai e pat plotësuar me muret e tarracimit të banesave. Në një periudhë të dytë, rreth mesit të shek. IV p. Kr., ka qenë shtuar edhe euhorion-i, në formën e një trekëndëshi, i cili i bashkëngjitej brinjës perëndimore të mureve rrethuese të qytetit. Nuk ka një dallim të dukshëm midis dy periudhave, që karakterizohen nga linjat e gjata, me kthesa të shumta të mureve të përforcuara nga bastione, ku ende mungojnë kullat. Ugolini kishte përcaktuar tetë porta, nga të cilat ajo nr. 5 rezultoi të ishte hyrja në tarracën e banesës me peristil. Porta nr. 7, e vendosur në mesin e murit jugor të qytetit, i përket tipit me korridor tërthor me gjerësi 2.70 m. Ruhet më mirë porta nr. 8, rreth 200 më në lindje përgjatë të të njejtit mur. Korridori i saj, me gjatësi 8 m dhe gjerësi 3.50 m, përforcohej nga dy bastione me përmasa të barabarta 7.10 x 8 m. Dera e drunjtë ka qenë vendosur 5 m në thellësi të korridorit dhe mbulohej me harqe, të cilat mbanin një kullë, njëlloj si në Bylis.
Teknika e ndërtimit është e njëllojtë për të gjithë fortifikimin dhe është përcaktuar nga nxjenja e blloqeve në vend, nga shtresat shkëmbore gëlqerore. Si rrjedhim zotëron muratura katërkëndëshe me rreshta me lartësi të ndryshme, disa herë me blloqe me përmasa gjigande.
Në murin lindor, që zbret në faqen e kodrës, muratura është poligonale.
Nga kërkimet e deritanishme është përcaktuar shtrirja e agorasë në rrafshin e kurrizit të kodrës, ku monumentet e karakterit publik kanë qenë vendosur në mënyrë të lirë. Prej tyre është zbuluar vetëm një sanktuar, i quajtur nga Ugolini thesauros, si dhe ka filluar gërmimi i teatrit.
Monumenti i zbuluar nga Ugolini, gjendej në pjesën lindore të agorasë dhe ishte shkatërruar pjesërisht nga ndërtimi mbi të i një kishe paleokristiane, që kishte përdorur ambientin kryesor si baptister.
Si rrjedhim ishte e vështirë të përcaktohej forma dhe funksioni fillestar i tij. Ugolini propozoi një ambient pa çati, i cili lidhej në krahun lindor me një shkallare me tre rradhë ndenjësesh dhe kishte përpara një shesh të kufizuar, të shtruar me pllaka. Sipas tij monumenti ishte një thesauros i ngritur në shek. IV p.e.sonë. si dhuratë nga një qytet tjetër. S. De Maria ka propozuar rikonstruksionin hipotetik si një tempull dorik prostil me përmasa 6 x 6.80 m, të ngjashëm me tempullin e Afërditës në Dodonë. Vendosja brenda një oborri katërkëndësh të qarkuar me mure, krijon një lidhje tjetër me Dodonën, pikërisht me sanktuarin e Zeusit.
Monumenti ka qenë vendosur në një nga lugjet karakteristike të shpatit të kodrës, menjëherë nën sheshin e ngushtë të agorasë, duke shfrytëzuar hapësirën e gatshme për vendosjen e një shkallareje të përafërt me atë të teatrit të Dodonës (129 m).
Kjo ka kërkuar edhe krijimin e një tarrace solide me përmasa 32.50 x 7.10 m, e cila ka shërbyer për vendosjen e ndërtesës së skenës. Një proskenë me gjerësi 3.50 m e ndërpriste orkestrën dhe shërbente për lojën e aktorëve, njëlloj si në teatrin e Bylisit. Disa elementë arkitektonikë të ruajtur në skenën e rindërtuar romake (fig.9) dëshmojnë se ajo kishte pasur një fasadë të ordrit jonik me vendosje orthostatesh midis pilastrave, gjithashtu të ngjajshme me Bylisin. Nga gërmimet është zbuluar një pjesë e analemës perëndimore, si dhe parodosi me gjerësi rreth 3 m.
Teatri ka qenë ndërtuar në dhjetvjeçarët e fundit të shek. III p.e.sonë., kur Foinike u bë kryeqytet i Epirit. Në fund të shek. lll e.sonë., teatri ka pësuar një rindërtim rrënjësor. Duke ruajtur në përgjithësi pjesën e shkallareve me analemat dhe parodoset, si dhe tarracën masive të skenës, ka qenë ndërtuar një frons scenae i ri me muraturë tullash. Ai ka një gjatësi prej 31 m dhe përshkohej nga tre dyer të inkuadruara nga nishe dekorative. Para saj shtrihej proskena me një pulpitum me gjerësi 4.30 m, e ndërtuar gjithashtu me një muraturë tullash.
Ugolini pati gërmuar dy stera në pjesën lindore të agorasë. Stera A kishte planimetri katërkëndëshe të çrregullt, me dy brinjë të barabarta (18.92 m) pranë këndit të drejtë dhe dy të tjerat me gjatësi të ndryshme (17.60 dhe 18.20 m). Muret e sterës ruheshin në lartësi deri 5 m dhe ishin ndërtuar me teknikën opus incertum, me breza prej pesë rreshta tullash(31 x 16 x 0.4 cm), të cilët ndërpresin çdo 92 cm muraturën prej guri. Stera ishte veshur nga brenda me llaç hidroizolues dhe mbulohej me harqe, të cilët mbaheshin nga nëntë pilastra të mbështetura në dyshemenë e sterës. Stera ka qenë ndërtuar në anë të sheshit të agorasë dhe brinja jugperëndimore e saj, duke qenë e zbuluar, ka qenë përforcuar me katër pilastra, për t’i qëndruar presionit të ujit nga brenda. Kjo mënyrë ndërtimi dhe moslidhja me ambiente të tjera dëshmojnë se stera kishte karakter publik dhe u shërbente qytetarëve të mbledhur në agora. Sasia e madhe e ujit që mund të mblidhej në sterë, sigurisht nga çatitë e ndërtesave, dëshmonte për prezencën në këtë zonë të monumenteve të tjerë të karakterit publik, përveç thesaurosit.
Duke u mbështetur në teknikën e ndërtimit, Ugolini e ka datuar këtë monument në shek. II e.sonë Ugolini ka konsideruar si stera edhe dy ndërtime të tjera. I pari (cisterna C) u zbulua në anën perëndimore të sterës A dhe ka qenë ndërtuar me një teknikë të ngjajshme me atë të mureve rrethuese. Prezenca e një shkalle në një anë të tij flet më tepër për një banesë. Ndërtimi tjetër (cisterna B) shtrihet për rreth 200 m2 në lindje të cisternës A dhe duket të ketë qenë një banjë e periudhës romake.
Rindërtimi i skenës së teatrit dhe ndërtimet e tjera me opus incertum në anën lindore të agorasë dëshmojnë për ruajtjen dhe riformulimin e hapësirës publike në periudhën e Antoninëve, megjithë zhvillimin e qytetit të poshtëm.
Foinike nuk pati zbatuar asnjëherë një sistem ortogonal në vendosjen e lagjeve të banuara dhe banesat kanë qenë vendosur në mënyrë të lirë në pjerrësinë e shpatit të kodrës. Kjo vendosje kishte bërë të domosdoshëm zbatimin e një sistemi tarracash, të vëna në dukje nga Ugolini, por edhe të lidhura gabimisht në një ndarje të akropolit dhe në një zgjerim të tij, të cilët nuk ekzistojnë realisht.
Banesa e dy peristileve
Është zbuluar plotësisht nga gërmimet arkeo-logjike. Gjendet në një tarracë të vendosur menjëherë nën rrafshin e agorasë, rreth 100 m në perëndim të teatrit. Banesa shtrihet në një sipërfaqe 31 x 25 m, midis dy mureve tarracimi të ndërtuara enkas për ngritjen e saj. Muret janë ndërtuar me blloqe të mëdhenj e mesatarë të punuar në forma trapezoidale, ndryshe nga muret e dhomave, të integruar me ta, por me përdorim blloqesh të përmasave të vogla.
Qendrën e banesës e përbënte oborri me përmasa 7.70 x 7.50 m, i rrethuar me një peristil prej 16 kolonash jonike.
Mbi të ngrihej edhe një kat i dytë, që dilte në oborr me një peristil prej pilastrash jonike.
Sipërfaqja e brendëshme e oborrit ka qenë shtruar me një dysheme prej llaçi hidroizolues të veshur me një lloj mozaiku prej zajesh dhe copash tjegulle, por pa motive të caktuara. Ambientet kryesore (A- D) kanë qenë vendosur në anën veriore të oborrit dhe lidheshin me korridorin e peristilit, por edhe midis tyre. Funksionin e andron duket se e kishte ambienti më i madh (L), me përmasa 6.20 x 5.45 m, i vendosur në krah të korridorit të hyrjes. Ky korridor, i cili dilte në një nga migët e lagjes, ka një gjatësi 4.80 x 1.73 m. Ai ishte i shkallëzuar deri në nivelin e derës së vendosur pothuaj në mesin e tij, për shkak të disnivelit midis rrugës dhe rrafshit të oborrit të banesës. Një pjesë të dytë të banesës përfaqësonte një oborr i dytë peristil në lindje të të parit, me përmasa 6.70 x 3.40 m, i qarkuar nga një kolonadë prej 12 kolonash tetëkëndëshe. Vetëm një ambient me dy ndarje dhe me një pilastër në qendër për mbajtjen e katit të dytë komunikonte me këtë oborr. Një pjesë të tretë funksionale të banesës përfaqësojnë katër ambiente të krijuara pas murit mbajtës jugperëndimor të banesës, të cilat komunikojnë me rrugën dhe midis tyre, por jo me vetë banesën. Kjo përcakton funksionin e tyre si dyqane, gjë që përforcohet edhe nga gjetja e pitosave në dy prej atyre ambienteve.
Nga lindja banesa kufizohej nga një rrugicë me një banesë tjetër, të transformuar rrënjësisht gjatë periudhës romake (C11). Për shkak të ndryshimeve të periudhës romake është e vështirë që të përcaktohet forma e banesës fqinjë, e cila shtrihej në një sipërfaqe pothuaj të barabartë. Prej saj ruhet vetëm muri i poshtëm i terracimit, i cili përmban gjashtë ambiente me hyrje nga oborri. Në mesin e oborrit ruhet një sterë e madhe, e cila ka shërbyer për mbledhjen e ujrave të shirave. Stera me diametër 3 m ka qenë gërmuar pjesërisht në shkëmb dhe ka qenë e veshur në paretet e saj me llaç hidroizolues. Më tej, në drejtim të lindjes, ka pasur një hapësirë tjetër, të krijuar nga nje kompleks i fuqishëm muresh tarracimi në formë dhëmbësharre, funksioni i së cilës ka mbetur i paqartë.
Mbi bazën e gjetjeve, kryesisht fragmente qeramike, faza e parë e banesës së dy peristileve mund të vendoset në fund të shek. IV dhe në fillim të shek. III p.e.sonë.
Një grup i dytë gjetjesh, që datohen në shek. I- II e.sonë., lidhen me fazën e dytë të kësaj banese, që shënon një vazhdimësi me ndryshime të pakta në pjesën e dy peristileve, por përfaqësohet me ngritjen e një banese të re në pjesën lindore të saj.
Banesa C11
Hapësira në anën lindore të banesës së dy peristileve(tarraca S) ka qenë përfshirë në kompleksin e një banese të ndërtuar në shek. I e.sonë., duke shkatërruar dhe mbuluar ndërtimet më të hershme.
Ajo shtrihej në një sipërfaqe 41 x 28 m, pjesën më të madhe të së cilës e zinte oborri, ku u ruajt edhe stera së bashku me kthinat e integruara në murin e poshtëm të tarracimit. Qendra e banesës me përmasa 17 x 7 m përbëhej nga katër kthina të integruara në murin e sipërm të tarracimit dhe të vendosura në një rrjesht me pamje nga jugu. Në krahun veriperëndimor të saj zhvillohej një galeri e mbuluar, me gjerësi 10.30 m, ndërsa ana jug-perëndimore e oborrit ka qenë e hapur. Krahu jug-lindor i oborrit kufizohej nga një ndërtesë me përmasa 35 x 5.50 m, ku shtatë ambiente me përmasa pothuaj të barabarta komunikonin me një tarracë të gjatë, me dalje nga rruga kryesore. Megjithëse e lidhur organikisht me banesën, kjo ndërtesë nuk komunikonte me oborrin dhe shërbente si vend pune për artizanë të ndryshëm.
Ugolini pati përcaktuar edhe shtriijen në rreth 6 ha të një lagjeje të poshtme të Foinikes, nëpërmjet identifikimit të disa ndërtesave të vendosura me orientim sipas pikave të horizontit. Ato ishin punuar të gjitha me muratura të tipit opus incertum me breza prej tre, katër dhe pesë rradhë tullash, disa herë mjaft të afërta me opus reticulatum. Ugolini propozoi një datim të tyre në periudhën pas Hadrianit, pra rreth mesit të shek. II e.sonë. Nuk janë kryer gërmime sistematike dhe një pjesë e atyre ndërtimeve u prishën dhe u mbuluan gjatë zgjerimit të fshatit të sotëm të Finiqit.
Pas ndërprerjeve të gërmimeve nga Ugolini më 1928 dhe rifillimit të tyre në vitet 80’ ka pasur dëmtime, kryesisht në zonën e agorasë, duke përfshirë edhe mure të thesaurosit. Dëmtime ka pësuar edhe zona e qytetit të poshtëm dhe e nekropolit si rrjedhim i zgjerimit të fshatit Finiq. Gërmimet e ekspeditës italo-shqiptare janë shoqëruar me konservimin e strukturave të zbuluara. Foinike është park arkeologjik kombëtar.