Monumentet
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Monumentet

Një vizitë në Bylis mund të realizohet në ndjekje të një iti- nerari që kalon nëpër monumentet më të rëndësishme të zbuluara në gërmimet arkeologjike. Ai nis nga porta nr.6 e murit antik, që ka qenë edhe hyrja kryesore në të gjithë kohën e ekzistencës së qytetit, për të kaluar drejt agorasë pranë banesës B. Pas vizitës së monumenteve të agorasë rekomandohet ngjitja mbi shkallaren e teatrit, nga hapet një pamje madhështore mbi luginën e Vjosës deri në Adriatik. Prej aty ndiqet muri bizantin, për të dalë te stoa e madhe dhe bazilika A dhe për të parë banesën A në anën lindore të murit. Vazhdohet më tej në krah të murit bizantin për të arritur te bazilika B, me të cilën mbyllet itinerari kryesor. Një itinerar plotësues mund të bëhet me vizitën e bazilikës D dhe E, oborrit të fortifikuar dhe anës lindore të qytetit, ende pak të eksploruar.

Muret rrethuese

Pjesë e murit rrethuese të Byllisit, gjysma e parë e shekullit të 4-të p.e.s.

Muret rrethuese të Bylisit kanë një gjatësi prej 2250 m dhe rrethojnë një sipërfaqe prej 30 ha, në të cilën shtrihej qyteti antik. Planimetria e tyre është e thjeshtë, në formë trekëndëshi, vetëm me pesë kulla, por ka gjashtë porta, që sigu-ronin lëvizjen e shpejtë të banorëve dhe udhëtarëve në qytet.

Në strukturën e tij muri rrethues është një emplekton me gjerësi 3,50 m, ndërtuar prej blloqesh gëlqerore të punuara në forma katërkëndëshe dhe të vendosura në rreshta pothuaj të barabartë me lartësi 0,55-0,65 m. Është llogaritur që lartësia e murit nga jashtë lëvizte nga 8-9 m, ndërsa nga brënda kishte një shteg rojesh në lartësinë 3,50 - 5,30 m. Muri rrethues i Bylisit ka qenë ndërtuar në çerekun e dytë të shek.IV p.Kr. dhe është i ngjajshëm tipo- logjikisht me fortifikimet e së njejtës periudhë në Berat. Amantia, Olympe. etj.

Një periudhë e dytë ndërtimesh u realizua në fortifikimet e Bylisit në kushtet e luftrave. Në këtë periudhë u ndërtua oborri i fortifikuar në anën veriore të qytetit.

Muret rrethuese të Bylisit u ruajtën edhe kur qyteti u shëndërrua në koloni romake dhe u rindërtuan në periudhën byzantine.

Oborri i fortifikuar

Pamje e banesës A me oborr peristile, mesi i shekullit III p.e.s

Ekstremi verior i mureve rrethuese të Bylisit, si pjesa më e ekspozuar ndaj sulmeve të mundshme të armikut ka qenë përforcuar me një bastion katërkëndësh me gjatësi 15,50 m dhe gjerësi 4,95 m. I parashikuar për vendosjen e litobolëve. bastioni mbronte nga afër një portë ballore. Korridori i saj me gjatësi 7.38 m dhe gjerësi 3,70 m mbulohej nga një kullë e ngritur mbi harqe, e ngjashme me atë të qytetit antik të Beratit.

Gjatë luftave romake-maqedone që u zhvilluan edhe në territorin bylin në vitet 219 - 167, para hyrjes ka qenë shtuar një oborr i fortifikuar trekëndësh me një kullë të rrumbullakët me diametër 9,60 m, me parete të trefishta, që siguronin qëndrueshmërinë e saj ndaj goditjeve të litobolëve. Sipas një mbishkrimi kjo pjesë e murit ishte ndërtuar nga tributi i luftës.

 

Rrugët dhe banesat

Ndërtimi i Bylisit, si një inisiativë e Koinonit të Bylinëve, kishte parashikuar jo vetëm krijimin e një fortifikimi të sigurt, por edhe sigurimin e një jete normale të banorëve të tij. Që në planin fillestar të Bylisit kanë qenë përcakluar tri zona kryesore brënda mureve rrethuese: agoraja në pjesën më të lartë dhe piktoreske; euhorion në pjesën juglindore të qytetit, si zonë e rezervuar për strehimin e banorëve të fshatrave dhe të pasurisë së tyre në rast lufte, dhe zona e banuar që përbënte rreth dy të tretat e sipërfaqes së qytetit.

Rreth mesit të shek.III p.Kr. mori formën e plotë sistemi ortogonal urbanistik i Bylisit. Boshtin e këtij rrjeti e përbënin katër plateia me gjerësi 8,30 m, që kalonin në drejtim veri-jug 134 m larg njëra-tjetrës. Ato ndërpriteshin çdo 69 m nga rrugë tërthore me gjerësi 6,60 m, duke krijuar insula, të ndara fillimisht në tetë parcela banimi. Midis dy rreshtave të banesave kalonte një rrugicë e vogël për kalimin e ujrave të shirave.

Agora

Pamje drejt Luginës së Vjosës nga porta e agorës.

Plateia C, që kalonte në kurrizin e kodrës së Bylisit, ndante zonën e banuar prej asaj të agorasë, e cila kishte një sipërfaqe të barabartë me tri insula (rreth 4 ha). Agoraja ka formën e një katërkëndëshi të rregullt, tipike për agoratë e qyteteve të Magna Grecias (Italia e Jugut). Hapësira e agorasë ndahej nga qyteti nëpërmjet një muri dekorativ nga ana e veriut, ku dy hyrje monumentale lejonin futjen e qytetarëve, ndërsa hyrja për banorët e fshatrave bëhej nga pora nr.5 e qytetit.

Ndërtimi i agorasë ka qenë realizuar rreth mesit të shek.III p.Kr. sipas një plani të vetëm, që përfshinte harmonizimin e vendosjes së teatrit, stoave, stadiumit, gimnazit dhe ndërtimeve të tjera publike. Ky ishte vendi ku bëheshin mbledhjet politike dhe ku realizoheshin festat, shfaqjet teatrale, lojrat sportive dhe ceremonitë fetare.

Agoraja e ruajti rolin si qendër publike e qytetit edhe në periudhën e kolonisë, kur u transformua në forum. Gjatë kësaj periudhe u rindërtua teatri dhe u ndërtuan disa monumente, siç e dëshmojnë mbishkrimct latine të kohës së Augustit, Vespasianit, Hadrianit dhe Antonin Piut. U ruajt gjithashtu edhe sistemi urbanistik.

Hyrja për në agora korrespondonte me pla- teian D dhe ka gjërësinë e saj prej 8,30 m. Ajo hapet në një mur dekorativ, prej blloqesh kuadratike të punuara bukur, i cili ndante zonën e banuar nga hapësira publike.

Prytaneioni

Në krahun e djathtë të hyrjes ka një ndërtesë me përmasa 20,10 x 5,80 m, të ngritur mbi murin e agorasë, me dy kthina dhe një hajat me kolonadë druri midis tyre, e cila mendohet të ketë qenë prytaneioni, zyra e funksionarit më të lartë ekzekutiv të koinonit.

Një mbishkrim latin i kohës së Augustit me emrat e duumvirëve dëshmon se ndërtesa i shërbeu edhe administratës së kolonisë romake.

Arsenali

Public building in the agora wall, possibly the arsenal, or the prision, middle of the
3rd century BC.

Në perëndim të prytaneionit, por me një disnivel prej 3 m, gjëndet një ambient pa dritare me përmasa 18,20 m x 6,20 m, i ndërtuar prapa murit të agorasë. Një radhë kolonash tetëkëndëshe shërbenin për të mbajtur dyshemenë e katit të parë, i cili ngrihej mbi rrafshin e agorasë. Izolimi i katit të poshtëm dhe integrimi në agora dëshmon se ndërtesa kishte një karakter publik, ndoshta një arsenal për armët, apo burg. Ndërtesa ka qenë rindërtuar menjëherë pas vendosjes së kolonisë romake, duke përdorur një muraturë të tipit opus reticulatum.

Stadiumi dhe stera

Selitë e stadionit, mesi i shekullit III para Krishtit.

Stadiumi i Bylisit paraqet një zgjidhje të veçantë, sepse ka vetëm një krah, që mbështetet në pjerrësinë e terrenit. Gjithashtu, për shkak të mungesës së hapësirës kjo shkallare ka gjatësinë 134 m dhe gjatësia standarte e stadiumit prej rreth 190 m plotësohej me zgjatjen e pistës përpara teatrit. Ruhen 19 shkallë me lartësi 0,30 m dhe gjerësi 0,40 m. Në përmasa të tilla ato nuk ofronin vend për uljen e spektatorëve, të cilët ishin të detyruar të ndiqnin garat sportive duke qëndruar më këmbë.

Veçoria më tipike e stadiumit të Bylisit është ndërtimi i një stere gjigande uji nën pistën e krahut verior të tij, e cila shërbente për të mbledhur ujrat e shirave nga shkallarja e stadiumit dhe nga çatia e stoas së madhe. Stera ka formë katërkëndëshe 50,90 m x 4,20 m me thellësi mbi 6 m, që mbushej gjatë dimrit dhe shërbente për të furizuar me ujë qytetarët gjatë veprimtarive politike, festave, shfaqjeve teatrale, apo garave sportive. Stera mbulohej me një sistem harqesh prej blloqesh gëlqerorë, mbi të cilët shtroheshin pllaka guri në nivelin e pistës së stadiumit.

Ajo ka qenë pjesërisht e gdhendur në shkëmb, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga mure me blloqe katërkëndëshe. Për izolimin e ujit, por edhe ruajtjen nga infiltrimet e papastërta, stera ka qenë e suvatuar me llaç të përzier me thërmija qeramike. Ndërtimi i stadiumit dhe sterës së tij i takon periudhës së madhe të ndërtimit të agorasë, rreth mesit të shek. III p.Kr.

Gimnazi dhe termet

Në sheshin para teatrit janë zbuluar rrënojat e një godine shoqërore, e cila është identifikuar me gimnazin e qytetit për shkak të planimetrisë së saj katërkëndëshe, me një radhë kthinash që zhvillohen rreth një oborri të brendshëm. Ai ka qenë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek.III p.Kr. me teknikën tipike të kësaj kohe, dhe ka qenë shkatërruar në periudhën e krijimit të kolonisë romake për të ndërtuar termet. Është zbuluar vetëm pjesa perëndimore e tyre, ku dallohen tepidarium, caldarium, frigidarium dhe katër kthina të tjera. Nga një mbishkrim latin i shek.I m.Kr. dëshmohet se një patron i kolonisë së Bylisit nga familja Sallenus, kishte ndërtuar një banjë publike me shpenzimet e veta.

Teatri

Pjesa e rindërtuar e shpellës së teatrit

Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin teatri ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek.III p.Kr. Për ndërtimin e tij ka qenë zgjedhur këndi juglindor i agorasë, ku ngritja e menjëhershme e terrenit jepte mundësi për shfrytëzimin e shpatit për ndërtimin e shkallareve. Ky pozicion ngjitur me portën nr.5 mundësonte komunikimin e drejtpërdrejtë me horën e koinonit, nga vinte një pjesë e madhe e shikuesve.

Teatri ishte konceptuar si një ndërtim madhështor, me godinën e skenës në sfondin e shkallares. Dy mure mbajtëse anësore e theksonin këtë perspektivë, ndërsa kolonada dorike e portikut të godinës së skenës krijonte një monumentalitet të panjohur për teatrot e kohës.

Një hyrje ballore u shërbente aktorëve, për të kaluar në kthinat e prapaskenës, ndërsa spektatorët kalonin në parodoset e zbukuruara me harqe, sipas një modeli të zbatuar edhe në Dodonë. Orkestra gjysëmrrethore pritej nga një proskenë e ulët prej rreth 3 m, e zbukuruar me një kolonadë jonike, që shërbente për të luajtur aktorët. Prapa tyre ngrihej sfondi arkitektonik i skenës, me një kolonadë dorike, nga e cila ruhen, gjithashtu, disa pjesë kolonash dhe të antablementit.

Shkallarja e teatrit ka formën e një gjysmërrethi me diametër 78 m dhe lartësi 16 m. Numri i përgjithshëm i shikuesve që mund të uleshin në të llogaritet në rreth 7500 spektatorë, duke e vendosur teatrin e Bylisit pas atij të Apolonisë (10000 spektatorë) dhe të Foinikes Teatri i Bylisit i takon tipit ilir-epirot, që karakterizohet nga parodoset ballore, analemat e drejta dhe përdorimi i proskenës për lojën teatrale. Ngjajshmëritë më të afërta i ka me teatrin e Dodonës, si dhe me atë të Sirakuzës në Siqeli.

Stoa e teatrit

Për strehimin e spektatorëve në rast shiu, apo për shplodhjen e tyre shërbenin jo vetëm portikët e godinës së teatrit, por edhe një stoa e ndërtuar në krah të tij, përgjatë gjatë murit rrethues. Stoa ishte dykatëshe me përmasa 60 m x 11,40 m (20 x 40 këmbë antike) dhe hapej nga ana e sheshit të agorasë me një kolonadë dorike në katin e poshtëm dhe me kolonadë jonike në katin e sipërm. Hapësira e brëndshme e ndërtesës ndahej në dy pjesë, nga një rradhë kolonash. Prej ndërtesës ruhet vetëm bazamenti dhe muri lindor, që e lidhte me teatrin.

Stoa e madhe, e ndërtuar në të njejtën kohë me murin ndarës të agorasë, kufizonte këndin verilindor të saj duke e mbrojtur nga erërat e ftohta. Për këtë arsye stoa është ndërtuar në formë L-je në një gjatësi të përgjithshme prej 144 m. Ndërtesa i takon tipit Apoloniat-korintas, të zhvilluar në dy kate, me mbivënie të kolonadës jonike mbi atë dorike në fasadë. Ajo ndahet, gjithashtu, në të dy katet në dy rrugë nëpërmjet kolonadave të brendshme. Përdorimi i kolonave dorike tetëkëndëshe shënon një adaptim tjetër nga arkitektura apoloniate.

Pjesa lindore e stoas me përmasa 37 m x 11,40 m, ruhet në gjendje më të mirë, sepse ka qenë gdhendur pjesërisht në shkëmb. Pikërisht në këtë vend ruhen edhe vrimat e trarëve që mbanin dyshemenë e katit të dytë, i cili dilte mbi nivelin e plateias C në krah të stoas. Një hapësirë prej 4 m, që shërbente si hyrje në agora, e ndan këtë krah të stoas nga krahu verior që ka pasur një gjatësi prej 73 m. por një gjerësi të njejtë me pjesën tjetër. Stilobati me gjurmët e kolonave tetëkëndëshe është ruajtur më mirë në pjesën më perëndimore të stoas, ku mbi të ka qenë ndërtuar bazilika A. Në shek.III m.Kr. stoa qe shkatërruar dhe në pjesën lindore ka qenë ngritur një faltore e vogël.

Mbishkrimi i Mark Lolianit

Nga porta nr.5, një rrugë tërthore faqes së kodrës të çon për në fshatin Klos, ku gjenden rrënojat e një qyteti të hershëm bylin, ndoshta Nikajës. Rruga kalon poshtë shkëmbinjve të thiktë, ku ka qenë gdhendur një mbishkrim i madh latin. Faqja e shkëmbit ka qenë rrafshuar në formën e një tabula ansala, me përmasa 2,03 m x 3,05 m.

Mbishkrimi ka qenë skalitur në emër të qytetarit romak të Bylisit, Mark Loliani, i cili me shpenzimet e veta pati ndërtuar një rrugë për karroca nga kolonia e Bylisit për në Astacia, duke kaluar në vende të thyera e të rrezikshme dhe duke kapërcyer në një urë lumin Argias. Ende nuk janë dëshmuar gjurmë të kësaj rruge dhe as të urës që përmend mbishkrimi. Karl Patsch, në komentin e tij për mbishkrimin mendonte se lumi Argias duhet të ketë qenë Gjanica. Ai e ka datuar mbishkrimin rreth vitit 150 m.Kr.

Nekropoli

Bylisi nuk ka një nekropol të vetëm, por parcela të veçanta të vendosura pranë të gjitha hyrjeve të qytetit. Parcela më e hershme ka qenë krijuar pranë portës nr. 3 dhe përmban varre të mesit të shek. IV p. Kr. Ato kanë formë arke të ndërtuar me pllaka të mëdha prej guri gëlqeror të latuar, të ngjashëm me varret e shek. IV në Foinike. Një parcelë nekropoli me varre të ngjajshëm është gërmuar edhe pranë portës 5.

Gjatë shek.III p.Kr. u ndërlua një nekropol monumental pranë portës nr. 4 me varre katërkëndësh të thelluar në shkëmb në drejtimin lindje - perëndim. Varrimi bëhej me trup dhe shoqërohej kryesisht nga enë qeramike të thjeshta të prodhimit vendës. Dy varre i takojnë tipit me një kthinë katërkëndëshe të thelluar në shkëmb dhe të mbuluar me qemer, të njohur edhe në nekropolet e Amantias, Borshit, Selcës së Poshtme, Përsqopit, Petrelës etj. Një parcelë tjetër e nekropolit të shek. III p. Kr. ka qenë vendosur pranë portës nr. 6, ku janë përdorur stela vertikale të tipit apoloniat. Disa prej tyre janë ripërdorur në periudhën romake, me mbishkrime latine si janë fshirë emrat e vjetër.

Bazilika A

Pamje ajrore e Bazilikës A, në plan të parë muri i agorasë në sfond cisterna e stadiumit, banjat e Justinianit dhe bazilika C

Bazilika është ndërtuar brenda agorasë së periudhës helenistike, duke shfrytëzuar pjesërisht mbetjet konstruktive të krahut verior të stoas në formë L në një pozicion zotërues ndaj pjesës veriperëndimore të qytetit. Pjesët përbërëse të këtij monumenti janë ngritur në nivele të ndryshme, duke u ngjitur gradualisht nëpërmjet një shkallareje, portiku, narteksi për të arritur në naos. Nuk kanë qenë kushtet topografike ato që kanë përcaktuar shkallëzimin e ngritjes së nivelit të pjesëve të bazilikës, por kanë qenë vetë ndërtuesit që kanë zgjedhur një terren të tillë të pjerrët, për të rritur monumentalitetin e godinës.

Gjithë sheshi në lindje dhe në jug të bazilikës, është lënë pothuajse pa ndërtime të tjera në një distancë të konsiderueshme, gjë që nuk përsëritet te bazilikat e tjera të qytetit. Bazilika A është trenefshe, me një absidë gjysmërrethore e transept trepjesësh. Hyrja orientohej nga Perëndimi duke u ngjitur në një shkallare dhe duke kaluar nëpër portik e narteks.

Dy kthina në anën jugore, shërbenin për përgatitjen e ceremonive. Kisha kishte përmasa monumentale me gjatësi maksimale 38,22 m dhe gjerësi maksimale 23,42 m. Gjendja e ruajtjes së këtij monumenti lejon të përcaktohen qartë elementet planimetrike dhe vëllimore. Nefet ndahen njëri nga tjetri me harkada të ngritura mbi shtylla të murëzuara dhe këto të fundit mbi një stilobat të lartë. Hapësirat midis shtyllave kanë qenë të mbyllura me parapete. Nefet ndërpriten nga transepti me tri pjesë, ku në mes është sanktuari i përcaktuar qartë nga bazamenti i ruajtur mirë. Kangjella e sanktuarit në fazën e parë ka qenë e ulët, kurse në fazën e dytë u lartësua. Sintroni (synthronon) me tri shkallë ka qenë i pajisur me një podium druri, i rrallë në formën e tij në kishat e kësaj periudhe. Para absidës, poshtë altarit ruhet vetëm depua e relikeve në formë kryqi. Në një fazë të dytë, mbi narteks është shtuar një galeri.

Skulptura e dekoruar arkitektonike dhe ajo e instalimeve liturgjike, që ka arritur deri në ditët tona e plotë apo e fragmentuar, është e punuar në gur gëlqeror të marrë nga guroret e Bylisit. Numrin më të madh e përbëjnë pllakat ndarëse të kangjellës dhe parapetet ndarëse të nefeve, si dhe kornizat e vendosura në ballin e bazilikës. Në numër më të vogël janë kapitelet dhe kapitelimpostet, të dekoruara me motive të pasura dhe të larmishme gjeometrike, floreale dhe zoomorfe.

Sanktuari, nefi qendror e verior, krahu verior i transeptit dhe narteksi e kanë dyshemenë të shtruar me mozaikë shumëngjyrësh. Motivet janë të larmishme dhe ndonjë prej tyre është krijim i kësaj atelieje. Bazilika A është ndërtuar në gjysmën e parë të shek.V dhe djegur gjatë dyndjeve sllave në mesin e shek.VI m. Kr. (547-548).

Bazilika B (Katedralja)

Naosi qendror i Bazilikës B

Katedralja e Bylisit, e përbërë nga bazilika, baptisteri dhe kompleksi peshkopal, është monumenti më i madh i qytetit për Antikitetin e Vonë, duke zënë një sipërfaqe më shumë se një hektar në pjesën më të rëndësishme të tij. Katedralja, një monument i përmasave të mëdha, me një shumëllojshmëri të vlerave të saj arkeologjike, me një arkitekturë e skulpturë dekorative shumë të pasur, me një zgjidhje planimetrike shumë të ndërlikuar, në shumë raste pa shembuj krahasues për kohën, me sipërfaqet e dyshemeve të shtruara me mozaikë, me mbishkrimet, enët e baltës dhe të bakrit, veglat e punës, objektet e zbukurimit e instrumentet muzikore dhe, së fundi, numri i madh i thesareve të monedhave të gjetura, përbën një nga shembujt më të spikatur për monumentet e kultit paleokristian.

Bazilika e katedrales (B) nga pikëpamja planimetrike e vëllimore ka një trajtim shumë më të pasur se bazilikat e tjera të Bylisit. Korridoret e përparme, atriumi, narteksi, nefet, transepti tripjesësh me krahë të spikatur dhe absida gjysmërrethore, të vendosura në nivele të ndryshme, ndjekin njëri-tjetrin, duke arritur një gjatësi të përgjithshme 67 m. Plani i bazilikës në fazën përfundimtare të saj karakterizohet nga një strukturë e ngushtë dhe e gjatë, me nefet anësore, narteksin, ekzornarteksin dhe portiqet e atriumit, të kurorëzuara me galeri, të cilat rrisin shumë lartësinë e saj.

Atriumi ka formë katërkëndëshe, të zgjatur në drejtim L- P, me përmasa 11,15 m x 6,80 m. Ai është i rrethuar nga katër portikë, ku si portik i katërt shërben ekzonarteksi. Një sterë në formë dardhe me thellësi 8,45 m ka qenë ndërtuar në portikun perëndimor, ndryshe nga rastet e tjera të shumta, kur në mesin e oborrit ndërtohej një vaskë e madhe.

Ekzonarteksi dhe tre portikët e tjerë hapeshin ndaj oborrit të atriumit nëpërmjet arkadave të ngritura mbi kolonat e vendosura mbi një stilobat të lartë. Mbi kolona kanë qenë vendosur kapitele të trajtuara sipas ordrit të vjetër dorik. Në arkadën e katit të dytë, që ka ndjekur të njëjtin ritëm, kapitelet janë të ordrit jonik, sipas një kriteri të njohur nga antikiteti. Lartësia e madhe e stilobatit dhe mungesa e shkallëve e ka veçuar plotësisht oborrin nga portiqet.

Në qoshen verilindore të ekzonarteksit është ndërtuar një shkallare që të çonte në katin e sipërm të tij dhe prej andej në të gjitha galeritë e tjera. Narteksi me gjatësi 3,96 m e gjerësi 14,40 m, i ndjekur në veri dhe jug nga anekset, hapet në nefin qendror përmes një tribeloni, ndërsa ndaj nefeve anësore nga dyer të thjeshta.

Naosi me gjerësi 14,40 m dhe gjatësi 24,70 m përbëhet nga tri nefe me gjerësi të ndryshme: qëndrori 7,75 m, veriori 2,30 m dhe jugori 2,90 m. Një antbon, me një zgjidhje të platformës tepër origjinale, është vendosur në jug të aksit gjatësor të nefit qendror, ndërsa në nefin jugor ka një sofat. Nefet ndahen nga njëri-tjetri me harkada të ngritura mbi kolona, dhe këto të fundit, mbi piedestale të vendosura mbi një stilobat të lartë. Me të njëjtin ritëm vazhdon dhe harkada e galerive, e ngritur mbi kolona dhe piedestale të njëjta si dhe kati i parë.

Për katin e parë janë përdorur kapitele jonike me impost, kurse për galeritë kapitele me katër gjethe. Kapitelet jonike me imposte të punuara në gurë gëlqerorë nga i Bylisit, imitojnë tipat prej mermeri të Konstandinopojës, kurse ato me katër gjethe janë trajtuar në mënyrë të veçantë. Kapitelet përveç dekoracionit të gdhendur janë zbukuruar dhe me bojë, një traditë e ndeshur që nga periudha e antikitetit ilir në Bylis. Në galeri, parapetet janë realizuar me pllaka të zbukuruara vetëm nga faqja e nefit qendror, ku kanë qenë vendosur dhe stativë për fiksimin e ndriçuesve të shumtë. Sanktuari ka ndryshuar përmasat nga faza e parë e ndërtimit në të dytën.

Skulpturat dekorative arkitektonike dhe ato të pajisjeve liturgjike, të gjetura në këtë bazilikë, janë më të shumta dhe më me shumë variacione se ato të gjetura në bazilikat e tjera të Bylisit. Skulptura ndahet në dy grupe: grupin e parë e përbëjnë dekoracionet e gdhendura në gur gëlqeror, kurse të dytin ato prej mermeri të importuar. Shumë elemente nga skulptura e Katedrales kanë qenë transportuar në bazilikën e Glavinicës në periudhën mesjetare.

Dyshemeja e ekzonarteksit, nefeve, sanktuarit dhe krahut verior të transeptit është shtruar me mozaikë, dhe përbën sipërfaqen më të madhe me mozaikë të zbuluar deri tani në territorin e Shqipërisë. Motivet dhe skenat janë tepër të larmishme. Aty gjejmë skena nga jeta e përditshme e barinjve, por dhe paraqitje nga jeta e peshkatarëve të Nazaretit, si ajo e vëllezërve Simon dhe Andrea. Një numër i madh i mbishkrimeve në dyshemenë e nefit qendror, në pjesën më të madhe, i përket riparimeve të bëra gjatë periudhës së Justinianit. Të gjitha muret kanë qenë veshur me afreske, por për fat të keq janë ruajtur vetëm ato me motive gjeometrike, të cilat i përkasin paneleve të brezit të parë.

Nga narteksi kalohej nëpërmjet një tribeloni në kompleksin e pagëzimit, të vendosur në anën jugore. Nëpërmjet një parasalle vazhdohej për në sallën e pagëzimit dhe në dy dhoma të tjera të pajisura me sofate dhe lavamane, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen e të rinjve (katekumenus) me mësimet e dogmës së krishterë. Vaska e pagëzimit ka ndryshuar gjatë përdorimit dyshekullor jo vetëm formën por dhe thellësinë e saj në varësi të mënyrës së pagëzimit. Ajo furnizohej me ujë të ngrohtë nga një furrë e ndërtuar në oborrin në lindje të pagëzimores. Shkallët e ndërtuara në njërën nga dhomat kanë shërbyer për t'u ngjitur në katin e sipërm të kompleksit të pagëzimit, prej ku kalohej edhe në kthinat e kompleksit peshkopal, që është i ndërthurur me baptisterin.

Kompleksi peshkopal, me një numër të madh kthinash, kalimesh, oborresh, sterash, është akoma në proces gërmimi. Kati i parë i këtij kompleksi ka qenë përdorur për depo rezervash ushqimore, punishte dhe stalla dhe përfundimi i gërmimeve do të ndihmojë për të kuptuar më mirë rolin që luante kleri në një qytet të antikitetit të vonë. Numri i madh i elementeve arkitektonike të dritareve dëshmon se ndërtimet në Bylis kanë preferuar ndriçimin natyror, duke vazhduar traditën mesdhetare.

Gjatë një periudhe, gati 200 vjeçare, katedralja ka njohur tri faza të rëndësishme ndërtimi: e para, në fundin e shek.IV m.Kr., ose fillimin e shek.V m.Kr.; e dyta në vitet 470 dhe, e fundit Lidhet me periudhën e sundimit të Justinianit, para vitit 547 m.Kr., kur bazilika u dogj gjatë dyndjes sllave. Në fazën e parë kisha ka qenë një bazilikë trenefshe me një narteks dhe portik dhe një baptister të thjeshtë; në fazën e dytë ka qenë shtuar atriumi dhe galeritë në një kompleks; në fazën e fundit u ndërtua kompleksi peshkopal.

Bazilika C

Bazilika C

Bazilika C është një kishë me përmasa mesatare, me gjatësi 33 m dhe gjerësi 22,80 m. Ajo ka tri nefe, narteksin me një galeri mbi të, të paraprirë nga një portik, dhe disa anekse. Nefi qendror, i shtruar me pllaka guri, ka një gjerësi 5,80 m dhe përfundon me një absidë rrethore nga lindja. Nefet anësore kanë gjerësi 2,46 m e 2,26 m dhe janë të pajisura me sofate për t'u ulur besimtarët gjatë ceremonive. Sanktuari (benta) përfundon në lindje me një synthronon të thjeshtë me tri shkallë, për uljen e klerikëve. Para tij qëndron altari, nga i cili ruhet në vend bazamenti dhe poshtë tij depua e relikeve.

Ndarja e nefeve është bërë me harkada të mbështetura mbi kolona monolite prej guri, të vendosura mbi një stilobat të lartë. Mbi kolona qëndrojnë kapitelet jonike me imposte të zbukuruara në të dy faqet. Hapësirat midis kolonave janë mbyllur me parapete të përbëra nga shtylla dhe pllaka guri të zbukuruara me motive të shumta dhe origjinale.

Sanktuari dhe njëri nga anekset janë të shtruar me mozaikë me motive gjeometrike, bimore, zoomorfe dhe figura njerëzore. Në sanktuar ka dhe dy skena jo të zakonshme: në të parën, dy tufa me nga gjashtë qingja, që personifikojnë dymbëdhjetë apostujt, që shkojnë drejt altarit, kurse tek e dyta pjesëtarë të klerit me kandelabër në dorë drejtohen për në kishë. Një mbishkrim i shkruar në mozaik tregon se ai ka qenë realizuar në kohën e peshkopit Praisios. Për fat të keq ai nuk përmendet në listat e peshkopëve të Bylisit, gjë që do të mundësonte një datë për ndërtimin e mozaikut. Megjithatë, çereku i dytë i shek.VI m.Kr. duket se do të ishte më afër të vërtetës për periudhën e ndërtimit të bazilikës C.

Pranë bazilikës është një ndërtesë e shekullit VI m.Kr. Ajo i takon tipit më të përhapur të banesave të shek.V-VI në Bylis, të cilat janë zakonisht me tri dhoma drejtëkëndëshe, paralele me njëra-tjetrën, të pajisura me një verandë. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë me një kat dhe një gjysmëkat, që ka shërbyer për mbajtjen e rezervave ushqimore.

Bazilika D

Bazilika D

Rrënojat e kësaj bazilike gjenden në pjesën veriore të qytetit, jashtë murit të Viktorinit. E ndërtuar në një sipërfaqe pak a shumë të rrafshët, me një pjerrësi të vogël drejt veriut dhe lindjes, në lartësi 478 m mbi nivelin e detit, bazilika është monumenti i parë, me të cilin ndeshesh pasi ke kaluar hyrjen nr.2 të qytetit.

Bazilika D, është trenefshe, me sanktuarin e absidën gjysmërrethore me sintron, të përforcuar nga tre kontrafortë. Hyrja gjendet nga perëndimi me një propilë të thjeshtë, një atrium me katër portiqe dhe narteksin që komunikon me dy kthina në veri dhe në jug të tij. Mbi narteks dhe nefet anësore ka pasur galeri. Bazilika ka gjatësi 45,25 m dhe gjerësi 26,15 m.

Nefet ndahen nga njëri-tjetri me harkada të ulta, të ngritura mbi shtylla të murëzuara dhe këto të fundit mbi një stilobat të lartë. Harkadat e ruajtura përcaktojnë dhe lartësinë e katit të parë deri në nivelin e dyshemesë së galerive në 3,80 m - 4 m.

Hapësirat midis shtyllave janë të mbyllura me parapete të ndërtuara me mur të hollë, ndryshe nga kishat e tjera, duke krijuar edhe sofate për t'u ulur. Kalimi nga narteksi në nefe bëhet me anë të hyrjeve me hark. Një shkallare, e ndërtuar në një periudhë më të vonë në qoshen jugperëndimore të narteksit dhe në portikun jugor, të çonte në galeri.

Kangjella e sanktuarit që në fillimet e saj ka qenë e lartë. Sintroni me dy shkallë të drejta ka qenë i pajisur me një podium druri. Para absidës, poshtë altarit, ruhet vetëm depua e relikeve në formë kryqi. Në nefin verior, poshtë dyshemesë, është një varr me qemer cilindrik.

Bazilika D me formën e saj planimetrike tepër klasike shquhet edhe për cilësinë e mirë të mozaikëve të dyshemesë. Me mozaikë janë të shtruara narteksi, nefi qendror, aneksi verior dhe një pjesë e nefit verior, kurse dyshemetë e tjera kanë qenë të shtruara me pllaka të mëdha mermeri dhe tulla. Figurat e kafshëve, shpendëve dhe panelet me mbishkrime përbëjnë repertorin kryesor të këtyre mozaikëve .

Ndër skenat me më përmbajtje është ajo e Lumenjve të Parajsës, ku ndryshe nga rastet e tjera të paraqitura në Bylis, janë shkruar edhe emrat e tyre: Fison, Gjeon, Tigër dhe Eufrat. Bazilika D u ndërtua në fillim të shek.VI m.Kr. Pas shkatërrimeve të mesit të po atij shekulli dhe lënies jashtë rrethimit të ri, portiqet e saj u përdorën, ashtu si dhe në katedrale, për banim.

Gjendja e monumenteve

Bylisi është park arkeologjik kombëtar dhe është i hapur për vizitorët. Është punuar periodikisht për restaurimin e të gjitha portave dhe të mureve rrethuese. Është restauruar një pjesë e harqeve të sterës së stadiumit, si dhe një pjesë e shkallares së teatrit.

info@balkancultureheritage.com