Monumentet
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Monumentet

Është e diskutueshme origjina e abantëve ose e amantëve, që kanë qenë vendosur në prapatokën e gjirit të Vlorës, në bregun e djathtë të lumit Aoos, që kufizohet në perëndim nga lugina e degës së Shushicës. Në jug, amantët janë fqinjë me kaonët. Në këtë drejtim mbrojtjen më të fundit të amantëve e shënon kalaja e Matohasanajt. Sipas Pausanias V, 22, 2-4), abantët ose amantët e kanë marrë emrin nga popullsi të Eubesë; së bashku me disa lokridë nga Thronioni, këta eubeas që ktheheshin nga lufta e Trojës të hipur mbi tetë anije u drejtuan drejt maleve Akrokeraune dhe u vendosën në prapatokë. Më pas, eubeas të tjerë janë vendosur me shumë gjasë në Korkyrë, sipas Plutarkut (Quaest. Gr., 11, 293), por ata kanë qenë përzënë nga korintasit e Karikratit (që Straboni, VI, 269, 2-3, e quan Kersikrates) rreth vitit 733. Këta eubeas, sipas një skolie të Apolonit të Rodit (VI, 1175), kanë banuar gjithashtu në territorin kontinental përballë ishullit të Korkyrës, në Tesproti dhe, padyshim, deri në gadishullin e Butrintit që është shumë afër me bregun verior të ishullit (kanali detar është 2,5 km i gjerë). Së fundi, eubeas të tjerë kanë marrë pjesë në themelimin e qytetit të Orikut (sipas Pseudo-Skymnit, 442-443), në brendësi të gjirit të Vlorës. Duhet thënë se prania eubease është e rëndësishme në këtë krahinë, qofshin këta abantë që ktheheshin nga lufta e Trojës ose kolonë eretrias të ardhur në shekullin e VIII për të themeluar kolonitë e para në perëndim të Greqisë. Kjo traditë është ruajtur në vend, sikurse e tregon monumenti i ngritur nga Apoloniatët në Olimpie për të përkujtuar fitoren që ata arritën, rreth vitit 450, duke marrë Thronin : ata cilësohen si “zotërues të kufijve të Abantidës” (shih mbishkrimin në CIGIME i 2, n° 303). Throni mund të vendoset në qendrën e Treportit, në veri-perëndim të Vlorës, më shumë se në një nga dy qendrat e tjera arkeologjike të kësaj zone: Mavrovës që është Olympja e lashtë dhe Ploçës që përkon me Amantien antike.

Amantët kanë qenë të vendosur përreth Amanties (emri është i njohur nga Pseudo-Skylaksi, 26 si dhe nga Stefan Bizantini, s.v. Abantisdhe. Amantia), në një territor në pjesën më të madhe malor, tokat e të cilit të përshtatëshme për bujqësinë ndodhen në luginat e lumenjve Aoos dhe Shushica, me një dalje detare në jug të Vlorës, e dominuar nga kalaja e Kaninës. Nuk mund të thuhet me siguri nëse kemi të bëjmë me një organizim në formën e koinonit, sikurse është rasti i bylinëve, apo të një polisi, një qyteti-shtet sipas modelit të qyteteve bregdetare si Apolonia apo Dyrrahu. Monedhat janë prerë në emër të amantëve ( me gjinoren Amanten) ; mbishkrimet nuk na lejojnë të bëjmë një dallim të qartë midis këtyre dy formave të shtetit. Ato na bëjnë të njohur magistratin eponim, që është prytani si te bylinët fqinjë dhe në Apoloni; ekziston gjithashtu një Këshill i njohur nga përmendja e bouleutëve dhe e sekretarit të Këshillit, që bëjnë një kushtim për Zeus Boule Një mbishkrim tashmë i humbur përmendte agonotetin e Zeusit dhe, përsëri, Këshillin (Boulenë). Në të njëjtën kohë me bylinët, amantët kanë qenë përfshirë në mbretërinë e Pirros (279-272) që mundi të shtrihej deri në lumin Shkumbin; ata e fitojnë përsëri pavarësinë dhe presin monedha duke filluar nga vitet 230 ; fqinjësia me Kaoninë sqaron pse monedhat e koinonit të epirotëve janë kaq shumë të pranishme në qytetin e Amanties. Sikurse bylinët, edhe amantët janë ftuar nga teorët e Delfit për të marrë pjesë në garat pitike, sikurse e tregon lista e madhe e tearodokëve të Delfit e botuar nga A. Plassart (BCH, 45 (1921), f. 1-85, kolona IV, rreshti 56): edhe këtu, shprehja e përdorur nuk lejon që të përcaktohet statuti i këtij shteti, sepse gdhëndësi ka përdorur një term gjeografik: teorët vijnë në Abanti dhe tearodoku quhej Teaglenes ...]. Ky pranim i amantëve në bashkësinë e madhe të helenëve, në fund të shekullit të IV para Krishtit, tregon për adoptimin e kulturës mbizotëruese të ardhur nga jugu nëpërmjet Epirit dhe ndoshta edhe nga kolonitë bregdetare dhe ndërtimi i një stadiumi në Amantie, jashtë mureve, e pohon këtë zhvillim që karakterizon këto krahina në kufi me helenizmin.

Sikurse bylinët, edhe amantët u përfshinë në provincën romake të Maqedonisë, duke filluar ngu viti 148 p.e.sonë. Amantia pati njëfarë mbrothësie në shekullin e Antoninëve, sikurse e tregon mbishkrimi dygjuhësh i vendosur sipër çezmës fshatit Ploçë: ai bën fjalë për ndërtimin e një depoje gruri. Qyteti ka qenë administruar atëherë te dekurionët dhe përfshin sigurisht një enklavë latine, e cila shpjegon përdorimin njëra pas tjetrës të gjuhëve greke dhe latine në të njëjtin mbishkrim.

Muri rrethues

Muri rrethues

Muri rrethues e qarkon plotësisht rrafshin, në linja të drejta me thyerje të rralla në kënd të drejtë, ose të gjerë, dhe me pak bastione. Janë përcaktuar vetëm pesë hyrje, katër prej të cilave lidhen me pjesën qëndrore të rrafshit, ku gjendej edhe agoraja.

Në gjatësinë prej 2200 m dallohen dy periudha ndërtimi. E para karakterizohet nga përdorimi i blloqeve gëlqerore me forma trapezoidale e poligonale me faqe të sheshtë dhe shkallëzimi i vazhdueshëm i rreshtave në fasadë. Ajo ngjan me murin e hershëm të Klosit dhe datohet në mesin e shek. V p.e.sonë Periudha e dytë është realizuar me muraturë katërkëndëshe izodomike, me rreshta me lartësi 0.60 m (dy këmbë antike), njëlloj si muri i periudhës së parë të Bylisit, që datohet në gjysmën I të shek. IV p.e.sonë.

Periudhës së parë i takojnë të gjitha bastionet, si dhe një hyrje e harkuar në anën jugperëndimore. Gjatë periudhës së dytë kanë qenë rindërtuar pjesa më e madhe e hyrjeve të qytetit dhe janë shtuar hyrje të reja. Hyrja nr. 6 ka qenë futur në një kthesë të murit të periudhës së parë dhe ka një korridor me gjerësi 2.70 m dhe gjatësi 8.55 m, i cili mbulohej nga një kullë mbi harqe, njëlloj si në hyrjet e Bylisit. Amantia ka qenë rifortifikuar gjatë periudhës së sundimit të Justinianit I (527-565).

Stadiumi

Pamje e akropolit të Amantia. Në plan të parë stadiumi.
Stadiumi i Amantia. Gjysma e parë e shekullit III para Krishtit

Monumenti më i ruajtur është stadiumi i ndërtuar rreth 150 m jashtë mureve rrethuese, në një tarracë natyrore në lindje të qytetit.

Shkallët e gurta, të vendosura në formë potkoi të zgjatur, ndiqnin një pistë 12,50 m të gjerë, të ruajtur për rreth 55 m. Në njërin krah, të mbështetur në faqen e kodrës, kishte 17 shkallë, kurse në krahun tjetër, të ngritur mbi një mbushje dheu, kishte vetëm 8 shkallë. Shkallët, me gjerësi 0.60 m dhe lartësi 0.30 m, shërbenin për uljen e spektatorëve. Në faqet vertikale të ndenjëseve kanë qenë gdhendur emra funksionarësh si Iparhos, apo personash: Sokrates, Apollonos. Ndërtimi i stadiumit i takon mesit të shek. III p.e.sonë.

Tempulli

Tempulli i Afërditës dhe bazilika paleokristiane. Pamje nga akropoli Amantia.

Në anën jugore të qytetit, rreth 200 m jashtë mureve rrethuese, në një tarracë të ndërtuar me mure mbajtës të përforcuar me kontraforte, është zbuluar bazamenti i një tempulli antik. Ai ka qenë një peripter i rendit dorik, me përmasa 12,5 m dhe 6,75 m. Nga frontoni i tij vjen një skulpturë mermeri, që paraqet një grua të shtrirë, ndoshta simbolin e një lumi.

Një mbishkrim që i kushtohet rindërtimit të tempullit të Afërditës, duket se lidhen pikërisht me këtë tempull. Tempulli, i ndërtuar në shek.III p.e.sonë., ka vazhduar të përdoret edhe në shekujt e parë të e.sonë. Gjatë Antikitetit të Vonë, pranë rrënojave të tempullit, ka qenë ngritur me materialet e tij një bazilikë paleokristiane.

Nekropoli

Varreza e qytetit ka qenë shtrirë kryesisht në anën perëndimore, në anë të rrugës kryesore që vinte nga gjiri i Vlorës. Grupe varresh monumentale gjenden edhe në anët e rrugës që vinte nga territori bylin. Varret më të hershme kanë formën e një arke të krijuar me pllaka të mëdha guri të latuar, të ngjashme me ato të Bylisit. Më të hershmit e tyre datohen në çerekun I të shek. IV p.e.sonë. nga enët me figura të kuqe të prodhimit të Magna Grecias, Shekullit IV-III i takojnë një numur i madh varresh monumentale nëntokësore me dy dhoma, të mbuluara me qemer.

info@balkancultureheritage.com