Qyteti antik ka qenë ndërtuar në një kodër me shpate të pjerrëta në tri anë dhe i lidhur me një qafe me kodrën mbi të cilën ngrihej Bylisi. Muri rrethues me një gjatësi 1850 m e qarkon plotësisht kodrën në një sipërfaqe prej 18 ha, duke ndjekur linjën e terrenit.
Muri, nga më të hershmit e fortifikimeve qytetare ilire, ka trashësi 3 m - 3,5 m. Ka qenë ndërtuar me blloqe të mëdha guri gëlqeror me forma poligonale e trapezoidale në murin e periudhës së parë (gjysma II e shek.V p.Kr.) dhe kuadratike në fazën e dytë (mesi i shek.IV p.Kr.). Qyteti ka vetëm një hyrje kryesore, të vendosur në një kthesë kënddrejtë të murit, në drejtim të qafës që e lidh me zonën përreth. Korridori i hyrjes ka gjerësi 3.60 m dhe gjatësi 4.75 m. Kalimi drejt hyrjes mbrohej nga një bastion me ballë 9.90 m, ndërsa dy bastione të tjera gjenden në anën veriore, më të ekspozuar ndaj sulmeve.
Megjithëse ishte vetëm 1 km larg Bylisit, qyteti antik në Klos bënte një jetë të veçantë politike e shoqërore, gjë që vërehet në ndërtimin e agorasë tij në shek. III p. Kr. Në agora përveç teatrit dhe një stoa të gërmuar, duken edhe gjurmët e një stadiumi, me një vendosje njëkrahëshe, si në Bylis. Gjithashtu, një numër mbishkrimesh me emrat e prytanëve të qytetit janë tregues i prirjes së fortë për autonomi në gjirin e Koinonit Bylin të Bylinëve.
Vendi për ndërtimin e teatrit të Klosit ka qenë hapur në një formacion shkëmbor, ndërsa krahu lindor i shkallares ka qenë vendosur mbi një ledh artificial të mbajtur nga analema. Nga shkallarja ruhet mirë vetëm proedria me frona të gurtë, e veçuar me një korridor nga cavea.
Paraskena dhe skena dallohen nga gjurmët e tyre të gdhendura në shkëmb. Orkestra, me diametër 11,60 m dhe formë gjysmërrethi jo të plotë, po ashtu ka qenë e gdhendur në shkëmb. Teatri kishte gjithsej 15 shkallë, ku mund të zinin vend rreth 800 - 1000 spektatorë. Në murin e analemës lindore janë gdhendur 14 dekretet për dhënien e qytetarisë, që datohen në gjysmën e dytë të shek. III p.Kr. Ndërtimi i teatrit datohet në mesin e shek. III p. Kr.
E ndërtuar në tarracat lindore të qytetit stoa ka qenë një ndërtesë e thjeshtë katërkëndëshe me përmasa 40 x 10 m, me çati dyujshe dhe frontone në pjesët e ngushta. Në anën lindore stoa hapej me një kolonadë dorike, ndërsa hapësira e brëndshme e ndërtesës ndahej në dy pjesë të barabarta nga një rradhë kolonash, të cilat mbanin çatinë. Ka qenë ndërtuar rreth mesit të shek. III p.Kr.
Gërmimet dhe vëzhgimet në terren kanë dëshmuar se vetëm agoraja ka qenë një hapësirë e organizuar në principe gjeometrike. Pjesa rezidenciale e qytetit ka qenë e vendosur në tarraca, të krijuara nga mure tarracimi, për të mundësuar ngritjen e banesave.
Njëra nga banesat e gërmuara në anën jugore përbëhet nga dy njësi të ndara nga një koridor dhe kishte para një oborr të vogël, ku gjendej stera. Në Klos, si dhe në qendrat e tjera qytetare të Gurzezës dhe të Margëlliçit, shtresat arkeologjike mbyllen me një shkatërrim, i cili datohet në vitin 167 p.Kr.
Qendra është e hapur për vizitorët dhe ka pasur një kujdes të vazhdueshëm për ruajtjen dhe konservimin e monumenteve. Është restauruar porta kryesore e qytetit dhe pjesë të trasesë veriore të murit rrethues. Punime restaurimi dhe konsolidimi janë kryer te teatri dhe banesa.