Mozaiku parietal mesjetar në paraklisin e amfiteatrit të Durrësit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Mozaiku parietal mesjetar në paraklisin e amfiteatrit të Durrësit

Me rastin e zbulimit të Amfiteatrit të Durrësit nga Vangjel Toçi, që bëri jehonë në botën shkencore, aty u zbulua dhe një paraklis i vjetër mesjetar, i cili gjendet i ndërtuar mbi murin e korridoreve të Amfiteatrit, me planimetri katërkëndësh kënddrejtë, me një apsidë gjysmëcilindrike, me dy dritare të harkuara nga sipër, të mëdha, në përpjesëtim me përmasat e kishës. Në këtë paraklis ruhen dy skena mozaikore parietale, njëra në faqen e murit jugor me përmasa 2,25 x 1,06 m dhe tjetra në faqen e murit perëndimor, gati me të njëjtat përmasa, por në gjendje shumë të fragmentuar.

Rreth këtij paraklisi dhe mozaikut të tij, për herë të parë ka shkruar zbuluesi i tij, V. Toçi, i cili ka komentuar skenën e murit jugor, duke e cilësuar figurën qendrore të saj si të perandorit Aleksandër të Kostandinopojës (912-913), birit të tretë të Vasil Maqedonasit, dhe dy figurat në miniaturë, pranë figures qendrore që i përulen asaj, si oborrtarë të perandorit, për mbishkrimin në të djathtë të kreut të figurës qendrore, që i referohet perandor Aleksandrit.

Më vonë, rreth këtij mozaiku kanë shkruar edhe Skënder Anamali e Stilian Adhami, të cilët, rreth pikturës perandorake të mozaikut në fjalë, mbrojnë pikëpamjen e dy autorëve të parë, d.m.th., që skena mozaikore përfytyron perandorin e Kostandinopojës, Aleksandrin, dhe se mbishkrimi pranë figurës i referohet këtij perandori.

Pas këtyre autorëve, rreth mozaikut të paraklisit të Durrësit ka shkruar edhe Hasan Nallbani, i cili, në një artikull të tij, duke i konsideruar pikëpamjet e katër autorëve të mëparshëm si të padrejta, është përpjekur të argumentojë të tijat si të drejta.

Konkluzionet e studimit tonë rreth interpretimit të figurave të kompozuara në skenën e mozaikut, po i rreshtojmë këtu më poshtë për krahasim e ballafaqim me ato të autorëve të tjerë, që janë marrë me studimin e këtij monumenti. Gjithashtu, po ekspozojmë edhe stilin artistik që karakterizon trajtimin e këtyre figurave si edhe kompozimin e tyre në skenë.

Nga trajtimi i hollësishëm që i kemi bërë skenës mozaikore, bie në sy menjëherë se, nga pesë figurat e kompozuara, më kryesorja paraqitet figura qendrore, e cila shoqërohet anash me dy engjëj, dhe pranë këmbëve me dy figura të tjera laike në miniaturë. Këto janë dhënë të përkulura ndaj figurës qendrore. Figura qendrore paraqitet e veshur me një dollamë të gjatë deri në fund të këmbëve, në kraharor me lorosin e gjësë së kryqëzuar, i cili del nga sqetulla e krahut të djathtë dhe është hedhur mbi supin e majtë. Si lorosi, edhe faqja e përparme e dollamës stolisen me gurë të çmuar. Mbi kokë kjo figurë mban një kurorë mbretërore, të stolisur prej gurësh të çmuar dhe perlash, që i varen si vargje anash faqeve. Në dorën e majtë figura mban një glob të madh dhe, në të djathtën, një kryq të gjatë, që, sipër, përfundon si skeptër, ndërsa edhe dy engjëjt mbajnë skeptra. Nga ana e djathtë e kreut të figurës qendrore është një mbishkrim në gjuhën greke, me shkronja kapitale, në ngjyrë të errët, mbi sfond të bardhë, me fjalë të pandara dhe me gabime gramatikore, që e përkthyer do të thotë: "0 Zot, ndihmo shërbëtorin tënd, Aleksandrin".

Figura e burrit dhe e gruas, përkulur ndaj figurës qendrore, nga veshja dallohen se u përkasin klasës aristokrate dhe jepen në miniaturë për t'u diferencuar nga ajo e perandorit, sepse, derisa perandori, sipas pikëpamjes bizantine, vendosej dhe mbrohej nga Perëndia, nuk konsiderohej si figurë e zakonshme. Prandaj dhe në skenë shoqërohet prej engjëjsh dhe paraqitet me brerore ari më të madhe nga ato të engjëjve, si edhe me globin në dorë, simbolin e pushtetit mbi tokë.

Nga ky lexim, që i bëmë skenës së murit jugor të paraklisit, rezulton se figura qendrore e kësaj skene duhet të përfytyrojë patjetër një figurë perandorake, dhe nga mbishkrimi që qëndron pranë saj, në të cilin kërkohet të ndihmohet shërbëtori i Perëndisë, Aleksandri, na lejon të pranojmë që kjo figurë perandorake duhet të përfytyrojë figurën e perandorit të Kostandinopojës, Aleksandrit (912-913), të vetmit perandor me këtë emër në listën e perandorëve të asaj perandorie gati njëmijëvjeçare dhe të njohur në histori si biri i tretë i perandor Vasil Maqedonasit.

Duke i lexuar dhe duke i interpretuar në këtë mënyrë figurat e skenës së mozaikut në fjalë, na duket e drejtë pikëpamja e Vangjel Toçit rreth interpretimit të figurës qendrore të perandor Aleksandrit dhe të figurave në miniaturë si oborrtarë të këtij perandori.

Në kundërshtim me këto interpretime të figurave të mozaikut në fjalë, Hasan Nallbani në artikullin e tij, duke mos e njohur figurën qendrore si të perandor Aleksandrit, shfaq pikëpamjen e tij: "Këto dy skena (të mozaikut të Amfiteatrit) kanë lidhje me persona të varrosur në këtë ambient" dhe se ato i "kushtohen figurave me rëndësi nga paria e Durrësit, të varrosur në ambientin e kishës". Për të përforcuar këtë pikëpamje të vetën, Nallbani përmend dy figura të ruajtura në Karie Xhami të Kostandinopojës, të cilat janë në miniaturë dhe gjenden pranë varreve që u përkasin Isak Komnenit dhe Maria Paleologut. Gjithashtu, H. Nallbani pretendon: "mbishkrimi, sipër, në të djathtë të skenës së faqes jugore, nuk ka lidhje me figurën qendrore, por me atë në miniaturë, që gjendet në të djathtë të saj". Në këtë konkluzion arrin Nallbani për arsye se mbishkrimi nuk e cilëson Aleksandrin si perandor.

Kjo hipotezë e Nallbanit rreth figurave të skenës së mozaikut në fjalë, sipas mendimit tonë, duke mos pasur një argumentim të drejtë, nuk qëndron sepse: Vetë mënyra e ekspozimit të figurave në skenë dëshmon se këto figura nuk u përkasin personave të vdekur, por të gjallëve, për faktin se figura qendrore paraqitet me globin në dorë. Kjo tregon se personi i pikturuar mban pushtet, sepse s'kish përse t'i vihej në dorë simboli i pushtetit një personi të vdekur. Gjithashtu, cilës figurë nga paria e Durrësit, sado e rëndësishme të ketë qenë ajo, I përkiste të stolisej me globin në dorë dhe me brerore drite rreth kokës? Veç kësaj, po të përfytyroheshin në skenë figura personash të vdekur, s'kishte përse figurat në miniaturë të paraqiteshin duke iu përulur figurës qendrore. Edhe një argument tjetër i rëndësishëm, që e rrëzon si të gabuar pikëpamjen e Nallbanit nga teksti i mbishkrimit, është se lutja që përmban mbishkrimi nuk bëhet për të vdekurit, po për të gjallët, sepse aty është përdorur folja që do të thotë "ndihmo", e cila përdoret për të gjallët, siç është përdorur edhe te figura e Aleksandrit në Shën Sofi të Kostandinopojës, kurse për të vdekurit përdoret folja bizantine që do të thotë "prehe".

Duke qenë se mbishkrimi në skenë gjendet lart, pranë figurës qendrore, nuk ka si t'i përkasë figurës së djathtë në miniaturë, pranë këmbëve të figurës qendrore, siç pretendon Nallbani. Si zakonisht, ky mbishkrim vendoset mbi kryet e figurës së cilës i përket, siç ndodh edhe në mbishkrimet e figurave të familjes së perandor Mihail Paleologut, në ekzonarteks të Shën Mërisë së Apollonisë, të cilat i shohim mbi krerët e figurave. Por, me qenë se në skenën e Durrësit mbi kryet e figurës qendrore nuk kishte vend, mozaicisti e vendosi aty prenë, në të djathtë të kreut të saj. Po për këtë arsye edhe tri shkronjat e fundit të emrit Aleksandër janë zbritur në rreshtin e dytë. Që të mungojë në mbishkrim titulli i Aleksandrit si perandor, shkaku duhet të ketë qenë për mungesën e vendit.

Në Shën Sofi të Kostandinopojës, siç dihet, gjendet një figurë tjetër e perandor Aleksandrit, e cila me mbishkrimin e saj cilësohet si figurë e këtij perandori dhe paraqitet, gjithashtu, me globin në dorën e majtë, por me mjekër e me mustaqe. H. Nallbani e përdor për argument këtë diferencim për të treguar se figura qendrore e mozaikut të Durrësit nuk përfytyron perandor Aleksandrin.

Por, pa marrë parasysh faktin historik që perandor Aleksandri, pas vdekjes së t'et, kur ishte mjaft i ri, prej vitit 886, ka bashkësunduar me të vëllanë e tij Leonin e Urtë, i cili duke e eliminuar Aleksandrin sundoi vetëm, pikturimi i një figure qendrore për qëllime politike, madje në periferi të perandorisë, nuk është e domosdoshme të paraqitet me individualitet origjinal.

Për të argumentuar se figura qendrore është e perandor Aleksandrit, si arsyetim Nallbani përdor një rrethanë interesante. Ai shkruan: "Nuk kish arsye përse kjo skenë kaq me rëndësi (d.m.th. perandorake) të ndërtohej në një vend gati të padukshëm të kishës, në proporcione aq të reduktuara", ndonëse pak më poshtë autori arrin në përfundimin se aty është përfytyruar figura e njërës nga perandoreshat që kanë sunduar në Bizant.

Që kur kemi parë për herë të parë skenën e mozaikut në fjalë të Amfiteatrit të Durrësit, vendi i ngushtë ku ajo është vendosur na ka bërë të mendojmë: "Përse, vallë, këtë skenë perandorake ta ketë ndërtuar në këtë paraklis aq të vogël e të ngushtë?" Por, siç dihet, Durrësi është një nga qytetet më të lashta bregdetare, që ka një histori të madhërishme për zhvillimin dhe shkëlqimin por edhe të trishtueshme për rrënimet e tmerrshme nga luftërat e shumta. Pra, duke mos pasur të dhëna për atë kohë kur është ndërtuar mozaiku në fjalë, nuk mund të dimë se në çfarë gjendje dhe rrethanash të vështira do të ketë qenë atëherë ky qytet. Ndoshta vetë fakti i ndërtimit të kësaj skene në atë paraliks të ngushtë mund të jetë një e dhënë, që mund të tregojë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej në atë kohë ky qytet shumë i dëgjuar.

Përveç hipotezës së Nallbanit, sipas së cilës personat e përfytyruar në skenën e mozaikut në fjalë i kushtohen figurave me rëndësi nga parla e Durrësit, të varrosur në mjedisin e kishës, ky studiues arrin, sikurse e pamë, në përfundimin tjetër, sipas së cilit, figura qendrore e kësaj skene nuk përfytyron  "figurën e Aleksandrit, por figurën e njërës nga perandoreshat që kanë sunduar në Bizant".

Mendojmë se edhe kjo hipotezë e Nallbanit nuk qëndron për arsye se në figurën qendrore, po të përfytyrohej një perandoreshë, mbishkrimi pranë saj duhej patjetër të mbante emrin e perandoreshës. Por, ndodh e kundërta, në mbishkrim qëndron emri i Aleksandrit.

Në veshjet e figurës qendrore Nallbani sheh veshje gruaje dhe i duken këto, të njëjta me ato të perandoreshës Teodora në mozaikun e Shën Vitalit të Ravenës, që është ndërtuar katërqind vjet para skenës së Durrësit, e cila, sipas stilit, duhet t'i atribuohet shek.X. Nallbani mbështetet, gjithashtu, dhe në një vath, që i duket figurës në fjalë në veshin e majtë, për të cilin thotë se: "vathë, si element zbukurimi, në figurat e perandorëve nuk gjenden". Këto janë përdorur si argumente për të vërtetuar se figura qendrore në atë skenë duhet të përfytyrojë një grua, njërën nga perandoreshat bizantine.

Këto argumente nuk na duken bindëse për arsye se, ndërsa veshjet e figurës qendrore nuk duken dhe aq shumë të qarta, në to duket i qartë lorosi që del nga sqetulla e djathtë dhe është hedhur, jo si zakonisht mbi dorën e majtë, por mbi supin e majtë të figurës. Me lorosin, me gurë të çmuar, dihet që stoliseshin perandorët kur paraqiteshin në raste ceremoniale dhe jo perandoreshat. Sa për kurorat e perandorëve, dihet që ato nuk kanë qenë të gjitha uniforme, prandaj kurora nuk mund të përdoret si argument, sidomos kur mozaicisti vendas mund të mos ketë pasur ndonjë model për ta ndihmuar. Kurse për vathin që ka figura qendrore nuk mund të pretendohet, në përgjithësi, se perandorët nuk kanë mbajtur vathë, kur dihet që perandor Anastasi i Durrësit ka pasur vath, sipas bestytnisë së atëhershme, të ruajtur deri në ditët tona, që fëmijëve meshkuj u varin vath për të qenë jetëgjatë.

Që skena e mozaikut të Durrësit ka shumë të ngjarë të jetë vepër e një artisti vendas, për këtë dëshmon jo vetëm mënyra e trajtimit të figurave, që ndryshon nga stili dhe nga niveli artistik prej atyre të qendrave më të mëdha, por edhe nga mbishkrimi i saj, që paraqitet me gabime gjuhësore gramatikore.

Përsa i përket vërejtjes së Nallbanit se në dy figurat në miniaturë, që i përulen figurës qendrore, nuk mund të përfytyrohen oborrtarë "për faktin se paraqitje të kësaj natyre ku figurat e oborrtarëve vihen ne një shkallë të tillë mvarësie e diferencim format nuk gjenden ne asnje rast të pikturës monumentate bizantine", mendojme se nuk eshte një argument i drejtë

Në gjithë pikturën monumentale bizantine, të botuar dhe të pabotuar nuk gjendet asnjë rast kur oborrtarët të paraqiten në Sniaturë duke iu perulur figures se perandorit. Vërejtja e Nallbanit pra, nuk i pergjigjet frymes dhe rregullave që ekzistonin në mjedisin oborrtar bizantin.

Në literaturën speciale, që merret me jetën e perandorëve dhe të pallateve Perandorake te Kostandinopojës të bizantinologëve të shquar, si Sharl DH, Gabriel Mije dhe të tjerëve më të rinj, mund të njihemi mire me figuren dhe me rregullat që zotëronin në oborret perandorake te Bizantit. Ne kete literaturë mund të lexonim se si në paraqitjen zyrtare të perandorëve, elita oborrtare si edhe gjithë të tjerët e kishin për detyrë t i përuleshin thellë perandorit. Madje në raste të veçanta, kur perandori paraqitej i kurorëzuar, të gjithë i binin në gjunjë e me ballë në pluhur. Në rastet kur perandori martohej, ditën e kurorezimit i gjithë pallati, një për një gjunjëzohej para bashkeshorteve perandorakë dhe përqafonin gjunjët e perandorit e të perandoreshës, të cilët rrinin ulur në frone.

Derisa në perandori e mbante pushtetin, paraqitja e tij shoqërohej me reveranca të mëdha nga të gjithë oborrtarët. Por në rast të kundërt, kur perandori e humbte pushtetin, po ata oborrtarë që i përuleshin, edhe mund ta vritnin atë.

Perandor Aleksandri i skenës së Durrësit, sado i dobët të ketë qenë si perandor, përderisa qëndronte në fron, distanca mes tij dhe oborrtarëve duhej të ekzistonte e të respektohej, sipas rregullave të pallatit perandorak bizantin. Prandaj dhe paraqitja e oborrtarëve në miniaturë duke iu përulur perandorit është paraqitje brenda frymës oborrtare dhe rregullave administrative të pallateve perandorake bizantine.

Përndryshe, cilat figura do të paraqiteshin në miniaturë, me një veprim përkuljeje ndaj figurës qendrore, që stoliset me brerore drite prej ari të ndritshëm rreth kokës dhe me globin në të majtë, shenja e simbole këto që tregojnë perandorin, përveçse njerëzit nga elita e tij, oborrtarët e tij?

Duke pasur parasysh sa thamë më sipër, del qartë se pikëpamjet e V. Toçit, e Th. Popës, e S. Anamalit dhe e S. Adhamit rreth figurës qendrore të skenës në fjalë dhe se mbishkrimi që figura ka pranë kokës me emrin e Aleksandrit, përfytyron perandor Aleksandrin, të vetmin perandor në listën e perandorëve të Kostandinopojës me këtë emër. Gjithashtu, dy figurat me paraqitje në miniaturë, duke iu përulur perandorit, ka shumë të ngjarë që të jenë oborrtarë, njerëz të afërm të tij dhe ky është, sipas Th. Popës, një interpretim i drejtë i skenës.

Duke e vështruar skenën perandorake në fjalë nga ana artistike, mund të themi që trajtimi i figurave të saj është kryer prej linjash të shumta, të drejta e të thyera dhe të theksuara. Veshjet japin përshtypjen se janë shumë të gjera e me pala të shumta. Këto figura paraqiten pa plastikë, të rrafshta, gati plloçake, ndonëse mozaicisti është përpjekur të arrijë njëfarë plastike me anë të linjave, gjë që deri diku mund të vërehet në kraharorin e në shpatullat e figurës së perandorit, ku krijohet përshtypja se ajo figurë është e bëshme.

Duke qenë shekuj me radhë nën tokë, skena ka humbur shumë nga ngjyrat, por prap në të dallohet e kuqja e çelët, kafeja, e gjelbra e errët, duke e ruajtur gamën e përgjithshme të ngrohtë në këtë ansambël.

Në këtë skenë interesant është sfondi që, ndonëse me ngjyra lisho, nuk është monokrom, por prej ngjyrash të ndryshme pa ndonjë rregull. Një lloj sfondi të tillë nuk e kemi parë dhe as që e kuptojmë, sepse në pikturën tonë të shek. X e XI, sfondin e gjejmë monokrom prej grije të lehtë, si edhe prej dy ngjyrash, si, p.sh. në pikturën e naosit në Shpellën e Dhivrit dhe në pikturën e Shpellës së Letmit.

Ndonëse figurat e kësaj skene janë të stilit të thjeshtë linear dhe me ngjyra relativisht të çelta, portretet janë trajtuar me sy të mëdhenj dhe me vështrim të gjallë, që skenën e gjallërojnë dhe i’a rrisin vlerat artistike.

Të pesta figurat në skenë i shohlm të sistemuara në mënyrë simetrike, perandori në mes dy engjëjve dhe figurat e oborrtarëve në miniaturë vendosen pranë këmbëve të tlj, duke iu përulur. Kjo përulje sikur e thyen monotoninë e figurave, që janë të pakta në lëvizje, gati si të ngrira dhe e bën më të ndjeshme paraqitjen madhështore të këtij ansambli në mozaik. Këtë paraqitje e bën qëndrimi vertikal frontal i figurave, si edhe veshjet e tyre të rënda, duke qenë edhe të ngarkuara prej gurësi të çmtrar ose perlash, bashkë me figurat e engjëjve që e shoqërojnë atë, me veshje strategësh, sidomos llambadhat e gjera e të gjata, ngjyrë të gjelbër të errët që u varen nga pas. Kjo veshje e engjëjve duket thuajse identike me ato të Shën Gjergjit e të Shën Mitrit në naos të paraklisit të Shpellës së Dhivrit (shek. X).

Skena e dytë e këtij paraklisi në faqet e murit perëndimor ka pasur pesë figura, nga të cilat ruhen tri fragmente portretesh, ku dy identifikohen nga nënshkrimet e tyre, ajo e Shën Sofisë dhe ajo e Shën Irinit, kurse shenjti i tretë është pa nënshkrim. Por, portreti i tij, i ruajtur mjaft mirë, dallohet si figurë burri. Nga dy figurat e tjera, njëra ka qenë engjëlli, siç e tregon një fletë e ruajtur prej tij, kurse tjetra, një fragment i rrobës, prej gjunjëve e poshtë, kuptohet se është figurë gruaje. Nga stolisja e fragmentit të rrobës së saj dhe nga që gjendet në qendër të skenës, me nga dy persona anash, ajo do të ketë qenë figura kryesore kompozicionale e skenës, së cilës duhet t'i jetë kushtuar. Cila duhet të ketë qenë kjo figurë, është vështirë ta themi.

Nga këto fragmente figurash të ruajtura mund të thuhet se ato kanë pasur thuajse të njëjtin kompozim si dhe skena e perandor Aleksandrit, ku figurat kanë qenë kompozuar me qëndrime frontale dhe, si trajtim, afërsisht të së njëjtës kohë me skenën e parë.

Në sipërfaqen e brendshme në anën jugore të apsidës të suvatuar të këtij paraklisi ruhet figura e përgjysmuar e një gruaje nga mesi e poshtë, ku duken këmbët e një foshnjeje, duke u mbajtur në duart e saj, e cila na bën të kuptojmë se ajo përfytyron Shën Mërinë, e veshur me mafor blu-saks dhe hiton vishnje të zbehtë, që vjen pak në të kuqërremtë. Fragmenti i ruajtur e tregon Shën Mërinë në këmbë duke mbajtur foshnjën e saj në duar, siç mund të haset në apsidat e tempujve paleokristianë e bizantinë të hershëm.

Kjo figurë e fragmentuar e Shën Mërisë, duke qenë pikturuar jo në mes, por në anën jugore të apsidës, e vogël në përpjesëtim me apsidën, na jep të kuptojmë se ajo nuk i përket pikturës me të cilën duhet të ketë qenë stolisur paraklisi para mozaikut. Megjithatë, kjo figurë duhet të jetë realizuar në një kohë të afërt pas ndërtimit të mozaikut, d.m.th. rreth shekujve X e XI.

Skena perandorake e paraklisit të Durrësit karakterizohet nga një paraqitje solemne, element ky që është futur në artin bizantin që në kohë të Justinianit. Ndonëse nuk e arrin nivelin artistik të skenave të famshme perandorake të kohës së këtij perandori, që ruhen në kishën e Shën Vitalit të Ravenës (547) ose nivelin artistik të figurës së perandor Aleksandrit në mozaikun e Shën Sofisë së Kostandinopojës (912), ajo prap e ka bukurinë e vet origjinale, duke përfaqësuar te ne në mozaik artin figurativ parietal të fillimit të shek. X, që deri më sot njihet si i vetmi mozaik parietal i zbuluar në Shqipëri.

Nga mbishkrimi në mozaikun e paraklisit të Durrësit mund të merret me mend se skena e perandor Aleksandrit të jetë porositur nga vetë ky perandor, por edhe nga paria drejtuese e Durrësit. Ndoshta, kjo bëhej në kohën kur Mbretëria Bullgare kishte pushtuar viset shqiptare ndërmjet Vjosës dhe Shkumbinit, krahinë e quajtur prej tyre "Kutmiçevica", dhe perandori mund të kishte për qëllim të theksonte në këtë skenë sovranitetin bizantin për qytetin e rrezikuar të Durrësit.

info@balkancultureheritage.com