Muret rrethuese
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Muret rrethuese

Muret rrethuese të Bylisit janë nga më të ruajturat e më madhështoret ndër fortifikimet antike ilire. Në një gjatësi prej 2250 m ato rrethojnë një sipërfaqe prej 30 ha, në të cilën shtrihej qyteti antik (fig.16). Planimetria e tyre është e thjeshtë, në formën e një trekëndëshi, i cili mbetet i hapur vetëm për rreth 200 m, mbi shkëmbinjtë e pakalueshëm të anës jugore.

Planimetria e mureve dhe monumentet e zbuluara në Bylis

Deri tani janë zbuluar gjashtë porta, që siguronin lëvizjen e shpejtë të banorëve dhe udhëtarëve në qytet. Kalimi përmes tyre kontrollohej nga roje të vendosura në kullat, që ngriheshin mbi harqe në korridoret e hyrjeve. Porta nr.4 në anën lindore ka pasur pamjen e një ndërtese të vërtetë me përmasa 10,85 x 8,45 m dhe kishte një lartësi rreth 9 m.

Në kthesat e murit rrethues kanë qenë vendosur pesë kulla të tjera, të cilat shërbenin për vendosjen e rojeve, por edhe forconin qëndrueshmërinë e mureve.

Muret kanë një gjerësi prej 3,50 m dhe ishin punuar prej blloqesh gëlqerore të punuara në forma katërkëndëshe dhe të vendosura në rreshta pothuaj të barabartë me lartësi 0,55-0,65 m (fig.18). Për të kursyer punën vetëm dy faqet e jashtme të murit përbëhen prej blloqesh, ndërsa brenda tyre ka një mbushje prej gurësh të vegjël, që lidhet nga blloqe tërthore me faqet (emplekton). Lartësia e murit nga jashtë lëvizte nga 8-9 m, ndërsa nga brenda kishte një shteg rojesh në lartësinë 3,50-5,30 m, pas të cilit ngrihej faqja e jashtme e murit edhe përafërsisht 2 m. Muri rrethues i Bylisit ka qenë ndërtuar në përafërsisht 2 m. Muri rrethues i Bylisit ka qenë ndërtuar në çerekun e dytë të shek.IV p.Kr, që përbën një periudhë fortifikimesh në Ilirinë e Jugut, si në Amantia, Olympe (Mavrovë), Parthë (Berat), Përsqop pranë Petrelës, Zgërdhesh pranë Krujës, etj.

Një periudhë e dytë ndërtimesh u realizuan në fortifikimet e Bylisit në kushtet e luftrave që u zhvilluan në territorin bylin ndërmjet viteve 230-167 p.Kr. Në këtë periudhë u ndërtua oborri i fortifikuar në anën veriore të qytetit, për t'i bërë ballë goditjeve me mjete luftarake. Për këtë qëllim u ndërtua edhe një kullë e rrumbullakët me diametër 9,60 m, me parete të trefishta, që siguronin qëndrueshmërinë e saj ndaj goditjeve të litobolëve, por që edhe mund të mbanin peshën e makinave gurhedhëse të instaluara mbi kullë.

Muret rrethuese të Bylisit u ruajtën edhe kur qyteti u shndërrua në koloni romake. Madje ato ishin në këmbë por jo në përdorim edhe në fillim të shek.V m.Kr., kur Bylisi u rifortifikua pas shkatërrimeve që pësoi qyteti nga dyndjet e gotëve. Dallohen qartë pjesët e riparuara, ku ishin ripërdorur blloqet e rrëzuara nga koha, që lidheshin me një llaç të dobët. Disa nga hyrjet e vjetra të qytetit u ngushtuan dhe vetëm një hyrje e re është hapur në anën perëndimore të qytetit. Fortifikimi i fillimit të shek.V ndjek jo vetëm trasenë e fortifikimit, por respekton teknikën dhe modelet e vjetra arkitektonike të ndërtimit të fazës së parë.

Pas shkatërrimeve të viteve 547-551, Justiniani urdhëroi ndërtimin e mureve rrethuese, por jo në shtrirjen e tyre të mëparshme. Megjithatë, fortifikimi është përsëri i fuqishëm dhe ka një zgjidhje të re dhe të studiuar planimetrike. Për ndërtimin dhe rindërtimin e mureve të Bylisit, sikurse thonë tekstet e mbishkrimeve, u përkujdes Viktorini. Vepra e tij u krye në dy drejtime: në rindërtimin e mureve rrethuese, por edhe në ndërtimin ex novo të tyre. Viktorini shfrytëzoi muret e dy fazave të mëparshme në të gjithë anën perëndimore dhe jugore të qytetit, kurse në anën veriore dhe lindore ai ndërtoi një mur të ri me trashësi 2,20 m (fig.19), të pajisur me kulla trekatëshe me  lartësi 12 m. Si portë kryesore e qytetit mbeti porta antike nr.6, duke riparuar pjesët e rrënuara të saj.

Muri rrethues pranë portës 5
Pamje e murit të Justinianit, ndërtuar nga Viktorini.

Në raport me Gurzezën, Margëlliçin, Cfirin dhe Rabijen, Bylisi vazhdoi të luajë sërish rolin e tij të vjetër si qendër administrative e krahinës. Me një pozicion qendror në këtë zonë Bylisi mbeti një qytet i rëndësishëm për provincën e Epirit të Ri. Kështjellat e tjera ishin në funksion administrativ dhe ushtarak të Bylisit, duke ruajtur rrugët e kalimit drejt tij.

info@balkancultureheritage.com