Kreshta e kodrës ndërmjet dy majave dhe shpati jugperëndimor, së bashku me tarracën në fund të tij, kanë qenë përfshirë brenda një fortifikimi antik me perimetër 2100 m dhe sipërfaqe 23 ha. Planimetria e tij ka formën e një katërkëndëshi të çrregullt, të mbështetur plotësisht në shpatin jug-perëndimor të kodrës. Në të dallohen tri periudha kryesore ndërtimi. E para, lidhet me një fortifikim protoqytetar me sipërfaqe rreth 0,7 m dhe zinte vetëm majën e kodrës.
Periudha e dytë, që përfaqësohet nga fortifikimi qytetar, përbën një ndërtim nga fillimi, me trasë të thjeshta, apo në formë dhëmbësharre, pa ndarje, kulla, apo bastione dhe me vendosje në shpatin e kodrës, sipas modelit të Foinikes. Periudha e tretë e fortifikimit i takon Antikitetit të Vonë, dhe ka ndjekur afërsisht trasenë e mureve protoqytetare. Muret e fazës së parë janë ndërtuar me blloqe të mëdha gëlqerore, të punuara vetëm në faqen horizontale. Ato të fazës së dytë, me blloqe poligonale me madhësi mesatare vetëm për krepisin, kurse mbi të me qerpiçe, sipas modelit apoloniat; ndeshen edhe blloqe kuadratike prej konglomerati ku nuk mungojnë dhe monogramet, si në Apoloni. Muret e Antikitetit të Vonë janë ndërtuar me gurë e copa tullash të ripërdorura dhe të lidhur me llaç gëlqereje.
Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se qyteti ka pasur një jetë intensive, veçanërisht në shek. III p.e.sonë, por ka qenë shkatërruar gjatë fushatës së Pal Emilit më 167, pa u rindërtuar më. Një thesar prej rreth 2000 monedhash bronzi, i gjetur rastësisht më 1980, lidhet me pasojat e asaj fushate.
Sipërfaqja brenda mureve rrethuese është e mbushur me banesa antike, të vendosura në tarraca. Një vulë mbi tjegull dëshmon se ka pasur një tempull të Zeusit. Në pjesën veriore, jashtë mureve të qytetit, shtrihet një nekropol i pasur. Pranë tij, në vendin e quajtur Kamina, duken në sipërfaqe furra për pjekjen e tjegullave.