Muri rrethues e qarkon plotësisht rrafshin, në linja të drejta me thyerje të rralla në kënd të drejtë, ose të gjerë, dhe me pak bastione. Janë përcaktuar vetëm pesë hyrje, katër prej të cilave lidhen me pjesën qëndrore të rrafshit, ku gjendej edhe agoraja.
Në gjatësinë prej 2200 m dallohen dy periudha ndërtimi. E para karakterizohet nga përdorimi i blloqeve gëlqerore me forma trapezoidale e poligonale me faqe të sheshtë dhe shkallëzimi i vazhdueshëm i rreshtave në fasadë. Ajo ngjan me murin e hershëm të Klosit dhe datohet në mesin e shek. V p.e.sonë Periudha e dytë është realizuar me muraturë katërkëndëshe izodomike, me rreshta me lartësi 0.60 m (dy këmbë antike), njëlloj si muri i periudhës së parë të Bylisit, që datohet në gjysmën I të shek. IV p.e.sonë.
Periudhës së parë i takojnë të gjitha bastionet, si dhe një hyrje e harkuar në anën jugperëndimore. Gjatë periudhës së dytë kanë qenë rindërtuar pjesa më e madhe e hyrjeve të qytetit dhe janë shtuar hyrje të reja. Hyrja nr. 6 ka qenë futur në një kthesë të murit të periudhës së parë dhe ka një korridor me gjerësi 2.70 m dhe gjatësi 8.55 m, i cili mbulohej nga një kullë mbi harqe, njëlloj si në hyrjet e Bylisit. Amantia ka qenë rifortifikuar gjatë periudhës së sundimit të Justinianit I (527-565).