Ndërtimet e kultit të krishterë në shek: VII - XV
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Ndërtimet e kultit të krishterë në shek: VII - XV

~Aleksandër Meksi

Me sulmet sllave të fundit shek. VI fillimit shek. VII përfundon një etapë në zhvillimin ekonomikoshoqëror të Ilirisë, me pasoja dhe në fushën e ndërtimeve dhe arkitekturës. Gjurmët e shkatërrimeve dhe djegieve janë gjetur në mjaft ndërtime të kësaj kohe. Iliria, pra dhe territori i vendit tonë erdhi në këtë periudhë mbas një lulëzimi që me sa kuptohet filloi prej kohës së Anastasit të I e vijon me Justinianin e I e të tjerët, të gjithë këta perandorë me origjinë Ilire. Shekujt që vijojnë janë shekuj në mjaft drejtime akoma të errët, janë shekuj në të cilët në Ballkan ndodhin transformime të mëdha etnike, gjatë të cilëve formohet kombësia arbëreshe, shqiptarët e sotëm, që siç dëshmojnë studimet arkeologjike e gjuhësore janë vijuesit e Ilirëve. Për këto shekuj mungojnë edhe të dhënat burimore, çka e vështirëson akoma më tepër krijimin e një kuadri të plotë mbi ndërtimet e kësaj periudhe. Të dhënat e zbulimeve arkeologjike të shumta, sidomos me zbulimet e reja të dhjetëvjeçarit të fundit, për kulturën mesjetare të hershme tregojnë qartë vijueshmërinë e banimit në mjaft qendra të lashtësisë të cilat vazhdojnë të jetojnë edhe në këto shekuj, pavarësisht nga madhësia e roli i tyre në jetën ekonomike e shoqërore. Për ndërtimet e kësaj periudhe në gjendjen e sotme të zbulimeve flasin monumente të shumta, që hedhin dritë në problemet përkatëse. Këto ndryshime të mëdha u pasqyruan dhe në organizimin kishtar të territoreve të banuara nga shqiptarët. Të dhënat janë të pakta për shekujt e errët të mesjetës së hershme dhe i kemi nga pjesëmarrjet në Koncilet kishtare. Me rrënimin e jetës ekonomike e shoqërore dhe varfërimin e vendit me sa duket ndërtimet e reja të kultit janë të pakta dhe me materiale të tilla që nuk i kanë qëndruar kohës. Kështu njihet një kapele mbi rrënojat e bazilikës së varrezës së Skampinit, e ndërtuar me material të vjetër të lidhur me llaç balte. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë monumente që u përdorën gjatë gjithë Mesjetës. Ka ndër to ndërtime që gjenden deri vonë në këmbë për shkak të përdorimit të pandërprerë të tyre. Të tilla janë bazilika e madhe e Butrintit me rindërtime të gjysmës së dytë të shek. IX, kisha e 40 shenjtorëve në Sarandë me rindërtime të shek. XIV, bazilika rrënojë në breg të Drinit dhe kisha e Shën Kollit në Lezhë, si dhe bazilika në qendër të Durrësit. Ndër këto kisha, vijueshmërinë e të cilave e njohim nga rezultatet e gërmimeve arkeologjike, janë edhe bazilika e Ballshit me rindërtime të vazhdueshme, bazilika e Shën Mëhillit në Arapaj që rindërtohet e që përdoret së paku deri në shek. XV. Nga burimet historike të fundit të shek. XI njohim edhe dy monumente të tjera, për të cilat, gjetjet arkeologjike të rastit flasin qartë se janë ndërtime të periudhës paleokristiane, të cilat funksionuan edhe gjatë Mesjetës. Këto përmenden nga Ana Komnena në historinë e saj kur flitet për luftërat normano - bizantine të viteve 1081-1088. Kisha e Shën Theodhorit mendohet të jetë në afërsi të fshatit Qerret të Kavajës, në të cilin, krahas objekteve të shek. V-VI janë gjetur monedha të shek XI-XIV, ndërsa kisha e Shën Kollit duhet të ketë qenë te Shkëmbi i Kavajës (Petra e burimeve historike), ku gjithashtu janë gjetur fragmente arkitektonike të shek. VI.

Për ndjekjen e ndërtimeve të kultit gjatë shek. IX-XI një ndihmesë të mirë jep edhe studimi i skulpturës arkitektonike, që, pavarësisht se vjen nga gjetje të rastit dhe të pakta, paraqet dëshmi me mjaft vlerë. Ato vijnë nga një territor, i cili që nga gjysma e parë e shek. IX i takon Temës së Dyrrahut e që shtrihet deri në Shqipëri të Jugut. Për një periudhë kohe deri në “aneksimin” e kishave të perëndimit bizantin në mesin e shek. VIII-të, Durrësi e jo vetëm ai, por gjithë territoret jo sllave të Ballkanit perëndimor vareshin nga Roma. Me këtë aneksim që pasohet me një “rivendosje” të sundimit bizantin dhe në territoret prapa qyteteve të bregdetit, me krijimin Temës së Durrësit (fillimi i shek. IX) dhe asaj të Naupaktit-Nikopojës (mesi i shek. IX), pra nda bregdeti i Dalmacisë deri në gjirin e Artës, ndodh dhe riorganizimi i kishës ndër shqiptarët. Kështu, në shekullin e X-të Dyrrahu ka në vartësi peshkopatat e Stefaniakës, Krujës, Kunavisë dhe Lezhës, ndërsa Naupakti ka Butrintin dhe Adianopojën. Më vonë, fundi i shek. X-të, Dyrrahu ka Antivarin, Ulqinin, Shkodrën, Drivastin, Polatin, Elisonin, Stefaniakën, Kunavinë, Aulonën, Gllavinicën, Cernikun, Pulheropolisin dhe Gradicion, duke përfshirë në këtë mënyrë dhe peshkopatat në territore të pushtuara deri në atë kohë nga bullgarët. Një riorganizim tjetër bëhet në fillim të shek. XI-të kur disa prej tyre, në Shqipërinë e Jugut, i rikthehen Kryepeshkopatë së Ohrit. Gjatë fundit të shekullit të XI-të peshkopatat e Shqipërisë së Veriut kalojnë në vartësi të Raguzës e më vonë Antivarit e të lidhura me Romën.

Këto struktura, sipas vartësisë së tyre nga dy qendrat e krishterimit patën dhe ndikimet e veta në lidhjet arkitekturore që vërehen qartë në kisha të ndryshme të vendit. Numri jo i vogël i kishave mesjetare që ruhen në Shqipëri, që u shqyrtuan në këtë punim dhe që shtrihen në të gjithë territorin e vendit, flet qartë për larminë tipologjike dhe të formave. Studimi i tyre ka bërë të mundur njohjen jo vetëm të monumentit të veçantë, por edhe të tërësisë. Në përputhje me rrethanat historike, nëpër të cilat ka ecur vendi ynë, dhe zhvillimi i përgjithshëm ekonomik e shoqëror i tij, në arkitekturën mesjetare të Shqipërisë dalluam dy periudha: e para që fillon në Mesjetë deri në fund të shek. XII, dhe e dyta që përfshin shekujt XIII-XV deri në pushtimin e plotë të vendit nga turqit osmanë. 

Në periudhën e parë, në të cilën ndodh procesi i formimit të kombësisë shqiptaro-arbëreshe, dëshmitë arkitekturore janë më të pakta për arsye të kuptueshme. Siç e pamë, sidomos për shekujt e parë (VII-VIII), të dhënat janë fare të pakta dhe ky “hiatus fiktiv” shpjegohet si nga rrethanat e veçanta të krizës së rëndë që përfshiu gadishullin ballkanik në shekujt e dyndjeve të mëdha të popujve dhe të krizës ekonomikosociale të perandorisë bizantine, edhe nga të dhënat deri më tani të pakta të arkeologjisë. Duke e vështruar në tërësi këtë periudhë edhe nëpërmjet monumenteve, vërejmë ngritje në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror të vendit që arrin në fundin e saj nivele mjaft të mira dhe përbën bazën mbi të cilën, pa prapambetje kohore në krahasim me atë të qendrave kryesore të Ballkanit, zhvillohet arkitektura shqiptare e shekujve XI-XV. Tipat arkitekturorë të përhapur në këtë periudhë të parë janë kryesisht dy: kishat njënefëshe dhe bazilikat. Të parat, si rezultat i përmasave të tyre dhe lehtësisë së ndërtimit, takohen gjatë gjithë kohës duke dëshmuar në mjaft aspekte për nivelin ekonomik të shoqërisë dhe zhvillimin e ndërtimeve në këta shekuj. Të dytat, bazilikat, përbëjnë dokumente arkitekturore me vlerë të madhe historike për vazhdimësinë e traditave ndërtimore të së njëjtës popullsi, si dhe të qendrave të banuara kryesore, për nivelin e ndërtimeve dhe për kërkesat arkitekturore, për lidhjet e pakta të vendit me qendrat e Perandorisë. Në fund të kësaj periudhe, në shek. XI-XII, fillon të futet në forma primitive dhe ende pa u shkëputur nga traditat bazilikale, tipi i kishave në formë kryqi i brendashkruar me kupolë. Kjo ndodh në Shqipërinë e Jugut, në Peshkëpi të Sipërme, në Kosinë e Zervat, ndërkohë që në Shqipërinë e Veriut (Rubik) dhe në Durrës shihen ndikimet e para të arkitekturës romanike. Në periudhën e dytë (shek. XIII-XV), në të cilën realizohet uniteti i popullsisë shqiptare dhe shtrirja e saj përkon përgjithësisht me trojet e banuara sot prej tyre, kemi dallime në ndërtimet e Shqipërisë Jugore nga ajo Veriore dhe Shqipëria e Mesme. Siç rezulton nga studimi i monumenteve të veçantë, kjo ndodhi për shkak të ndikimeve më të forta të arkitekturës perëndimore, nga ndërhyrja e shteteve perëndimore dhe nga kisha katolike. Krahas bazilikave, më të pakta në numër, të cilat i hasim njëlloj në të dyja zonat, ruajmë sot një numër relativisht të madh kishash njënefëshe. Me elementë të arkitekturës romaniko-gotike janë kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Në Shqipërinë e Jugut, në këtë periudhë gjejnë përdorimin e gjerë me tipologji të qartë provinciale kishat e tipit kryq i brendashkruar me kupolë mbi tambur, që kanë një fizionomi të qartë karakteristike për vendin tonë.

Tipologjikisht kishat klasifikohen sipas skemave tradicionale, duke pasur parasysh brenda çdo grupi renditjen kronologjike:

Kishat njënefëshe

Bazilikat

Tipat në formë kryqi me kupolë

Tipa të veçantë me kupolë

duke futur në grupin e fundit disa monumente, në mjaft raste të rëndësishëm, që nuk mund të përfshihen në grupet e tjera për shkak të veçantive që paraqesin dhe që në ndonjë rast arrijnë deri në unikale.

Kishat Njënefëshe

Këto monumente ku bëjnë pjesë numri më i madh i ndërtimeve, paraqesin formën më të lehtë për ndërtim, një drejtkëndësh në absidën nga ana lindore, dhe për këtë i takojmë kudo dhe në gjithë kohët. Dallohen për përmasat e vogla, për trajtimin e thjeshtë arkitektural dhe gjenden në tërë territorin e vendit tonë. Për nga ndërtimi vëllimor e struktural dhe mbulesa e çatisë mund të veçojmë tre nëngrupe, me mbulesë me çati druri, me mbulesë me qemer dhe salla me kupolë.

Bazilikat

Për sa i përket ndërtimit planimetrikovëllimor, vendosjen në kohë dhe shtrirjen territoriale, bazilikat përbëjnë një tip me rëndësi për studimin e arkitekturës mesjetare. Ato ruajnë traditën e ndërtimeve, duke pasur si shembuj monumentet akoma në këmbë në këto shekuj siç e dokumentojnë bazilika e madhe e Butrintit dhe ajo e Ballshit të shek. V-VI.

Kishat me planimetri në formë kryqi me kupolë

Si në tërë botën mesdhetare nën influencën e arkitekturës bizantine edhe në vendin tonë, gjatë shekujve X-XV gjen përhapje tipi arkitektural me planimetrinë në formë kryqi me kupolë. Karakteristikë e kishave të këtij tipi është planimetria me formën simbolike të kryqit, si në trajtën e plotë kryq i lirë, ku konturet e jashtme të ndërtesës i përmbahen formës së kryqit dhe pjesa qendrore mbulohet me kupolë, ashtu edhe në formën që studiuesit e kanë quajtur “kryq i brendashkruar” ku planimetrisë drejtkëndëshe i korrespondon një ndërtim struktural e vëllimor që në pjesën e sipërme bën të dalë në dukje forma e kryqit, duke pasur pjesën qendrore mbuluar me kupolë. Në vendin tonë takohen tërë variantet që ndërtohen në kryeqytet dhe provinca. Shtrirja territoriale, niveli teknik i ekzekutimit dhe ai arkitektural, përmasat dhe dekori, të shpien në përfundimin se edhe tek ne ky tip ka qenë dominues sidomos gjatë shek. XIII-XIV. Kishat e këtij tipi ndërtoheshin jo vetëm në qytete por edhe në manastire e fshatra, duke ju përshtatur kështu një shije arkitekturale sunduese, edhe në të njëjtën kohë mbeten një dëshmi e shkallës së lartë të zhvillimit ekonomikoshoqëror e kulturor të trevave shqiptare. Për nga tipologjia do të klasifikojmë monumentet tona në dy nëngrupe kryesore: me planimetri në formë kryqi të lirë dhe me planimetri në formë kryqi të brendashkruar. Në vendin tonë ruhen dy monumente me planimetri në formë kryqi, i cili vizohet qartë me konturet e jashtme të ndërtesës dhe në ndërtimin e brendshëm.

info@balkancultureheritage.com