Nekropolet
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Nekropolet

Përpara shtriijes së qytetit drejt veriperëndimit, Vangjel Toçi ka bërë disa gërmime në kodrat e Kokomanes që nga viti 1958, të cilat bënë të mundur që ai të gjejë një numër të madh varresh antike, të mbuluara shpesh vetëm me tjegulla dhe të dëmtuara nga punimet bujqësore, nga gërryerjet e tokës nga shirat dhe nga plaçkitjet. Më vonë, në vitet 1973-1980, Hava Hidri bëri gërmime në kodrat e Dautes ku zbuloi 44 varre. Korpusi i mbishkrimeve greke të Ilirisë së jugut dhe të Epirit, përfshin më shumë se 500 epitafe, nga të cilat afër 400 janë të gdhendura në shtyllëza guri, shumica shumë të thjeshta. Këto shtyllëza datohen përgjithësisht në shekujt III-II para Krishtit. Ka edhe stela të punuara me më shumë kujdes që ngriheshin mbi varret më të pasura, si dhe disa pllaka dhe buste femërore që përcaktonin identitetin e të varrosurit. Një numër shtyllëzash nuk kanë qenë gjetur në vend, por të grumbulluara në një pus (afër 80 në një pus të vetëm), kështu që në këtë rast kuptohet që ato janë të shkëputura nga varri të cilit i përkisnin si dhe nga objektet që shoqëronin trupat apo eshtrat e të vdekurit. Këto varre përmbanin ndonjëherë një material të rëndësishëm, veçanërisht vazo prej qeramike, që për disa janë të tipit korintik ose korkyras, ndërsa për të tjerë të ndikuara nga arti i Greqisë së Madhe (Magna Grecia), pa qenë e mundur megjithë atë të thuhet në se këto vazo janë prodhime lokale apo importe.

Onomastika e pranishme në stelat, pllakat, bustet dhe shtyllëzat mortore ka tërhequr vëmendjen e specialistëve që duan të përcaktojnë vendin e onomastikës ilire në materialin mbishkrimor të gjetur në Epidamn-Dyrrah. Meqenë se është fjala për një gjuhë jo të shkruar dhe, për pasojë, shumë pak të njohur, trajtimi i emrave që figurojnë në këtë Korpus bëhet me përzgjedhje njëra pas tjetrës, duke filluar me heqjen mënjanë të emrave që duken se janë shumë të njohur në greqisht. Me emrat e mbetur që janë më pak të njohur, bëhet një përzgjedhje tjetër, pas së cilës mbetet një grup emrash të njohur si ilirë. Duhet theksuar se një pjesë e emrave të njohur si grekë mund të jetë me origjinë vendase, por me formë dhe etimologji që duket greke, sikurse emri Tritos i përdorur shpesh në Epidamn, ndonjëherë madje edhe me patronim të qartë vendas si Trauzos ose si patronimi i Bersas.

Disa emra të pranishëm në Dyrrah mund të cilësohen si ilirë: Bersas, Bersantos, Breukos, Brugos, Gentheas, Gentheis, Genthios, Dazaios, Dazios, Epikados, Madena, Platoura, Plator, Skurthanas, Temiteuta, Teutaia, Trauzina, Trauzos.

I duhet kushtuar vëmëndje gjithashtu grupeve të përziera, domethënë të atyre mbishkrimeve në të cilat emri mund të jetë ilir ndërsa patronimi grek ose latin, ose anasjelltas; shembujt nuk mungojnë: Annika e bija e Preuratos, Stratonika e bija e Platorit, Temiteuta Seilia (gentilic), Trauzina e bija e Gaios, Trazos i biri i Epigenes.

Përballë këtij dokumentacioni që jep onomastika, historiani kërkon të nxjerrë disa përfundime mbi bashkëjetesën e popullsive të ndryshme brenda qytetit të Epidamn-Dyrrahut, por kjo duhet bërë me shumë maturi. Në të vërtetë, mbajtja e një emri nuk përcakton automatikisht edhe origjinën etnike të atij që e mban atë; janë të shumtë shembujt e përshtatjes së emrit në rrethanat politike dhe ushtarake që kalon një krahinë. Eshtë e sigurtë se, në qytetin antik të Epidamn-Dyrrahut, janë vendasit ata që duhet të kenë marrë emra grekë, për t’u hequr si grekë, domethënë për t’u përpjekur të përvetësojnë qytetërimin më të përparuar ose të paktën përfitimet e jashtëme që sillte ai, dhe nuk është kurrësesi e kundërta. Kjo do të thotë se, në shembujt e grupeve të përziera, në të cilat njeri nga emrat është vendas dhe tjetri grek ose latin, duhet besuar se është fjala për pjestarë familjesh vendase. Suetoni, Augusti, 19, 1, duke folur për komplotet e shtypura nga Augusti, përmend edhe atë të Asinius Epikadus : « item Asini Epicadi ex gente Parthina ibridae ». Emri i tij është një shembull i qartë i emrave të përzier: parthinët kanë qenë mundur në vitin 39 para Krishtit nga Asinius Pollion (sipas Dion Kassit, XLVIII 41) dhe autori i komplotit kundër Augustit e ka marrë pra emrin e tij të parë nga ky gjeneral, ndoshta pas lirimit të të atit të burgosur në mbarim të kësaj lufte, por ai mban edhe emrin Epikados, emër vendas, gjë që e shtyn Suetonin ta quajë atë një hibrid, me gjak të përzier. Ky shembull bashkon plotësisht shembujt e tjerë që ndeshen në mbishkrimet e Epidamn-Dyrrahut. Hyrja e vendasve në qytet duhet të ketë qenë bërë pak e nga pak dhe, në të vërtetë, që nga brezi i parë, për të bërë të mundur që kolonët korkyras dhe korintas, që kishin ardhur pa gra, të martoheshin dhe të lindnin fëmijë. Por për një kohë të gjatë ky element vendas mbetet shumë i varfër, aq sa s’kishte mundësi për të pasur një varr me një monument qoftë edhe të thjeshtë, i cili të mbante emrin e të vdekurit; nga ana tjetër, vendasit e futur në qytet përdorin emrat e popullsisë me origjinë greke për t’u shkrirë më mirë brenda saj. Duke filluar nga shekulli i lll para Krishtit, bëhet më pak e nevojshme për përkujdesje të tilla: një vendas mund ta tregojë sheshit emrin e vet, ndërkohë që edhe pasardhësit e vendasve të parë të vendosur në qytet arrijnë të ngjisin disa shkallë të hierarkisë shoqërore në këtë emporion ku pasuria dhe mbarëvajtja janë më të rëndësishme sesa lindja apo origjina etnike.

info@balkancultureheritage.com