Nekropoli antik i Foinikes shtrihej në anën perëndimore të kodrës, në pjesën ku shpati i saj kalonte drejt fushës. Nga gërmimet janë zbuluar tre rrugë me gjerësi 3.50- 4 m, të cilat përshkonin nekropolin nga lindja në perëndim.
Varret më të hershme që i takojnë gjysmës II të shek. IV p.e.sonë janë me uma, amfora, të vendosura në një arkëz tjegullash. Në gjysmën I të shek. III p.e.sonë, zotërojnë varret në formën e arkave të ndërtuara me pllaka. Varrimet janë me trap, me kokë nga juglindja dhe i vdekuri mban në gojë obolen e Karontit. Në gjysmën e dytë të shek. III arkat janë përgjithësisht prej tjegullash të plota. Shfaqen edhe varret me dhomëz prej tullash, të mbuluara me qemer prej tullash sektoriale, të njohura nga trevat amante dhe byline. Për periudhën romake mbizotërojnë varret me vendosje trapi dhe mbulesë tjegullash në formë çatie, si dhe varrimet me uma. Tipike për këtë kohë janë oborret e rrethuara funerare, që shërbenin për varrimet familjare dhe zhvillimin e ceremonive.