Në jugperëndim, jashtë mureve rrethues ndodhej nekropoli. Prej tij njihet një varr monumental dhe 13 varre të thjeshta, tip arke. Varri monumental ka planimetri drejtkëndëshe dhe një mjedis të vetëm (9,4 x 6 m). Përjashtuar anën jugore, në drejtim të rënies së terrenit, varri ndodhet pjesërisht nën tokë. Dhoma sepulkrale (2,85 x 2,85 x 2,93 m) mbulohet me qemer. Në dhomë të çonte korridori (3,6 x 1,2 m) me 7 këmbë shkallë, në fundin e të cilit ndodhej porta kullsë e gurtë e cila imitonte dyert e drunjta të shtëpive. Në tri anët përkundrejt hyrjes gjendeshin sofatet sepulkralë.
Muret e dhomës (0, 50 m), të ndërtuar me blloqe të latuar, janë suvatuar me llaç hidroizolues gëlqereje me pluhur tjegullash dhe lyer bojëkafe dhe bojëqielli. Dyshemeja mbulohet me një mozaik polikrom me zaje lumi dhe copa tjegullash pa motive.
Muratura është izodomike (0,50 m), me blloqe me faqe të rrafshëta, e pajisur në skajet me vijë peshimi. Në anën e lirë nga jugu muratura shkallëzohet nga 1,4 në 0,5 m. Në tre anët e tjera dhoma sepulkrale qarkohet nga një kanal i mbyllur (1,9 x 0,6 m) për drenazhimin e ujërave nga shpati. Me këtë kanal lidhet dhe një dritare (0,4 x 0,4 m) për ventilimin e dhomës.