Neritan Ceka - Vështrim arkeologjik mbi rrethin e Elbasanit
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Neritan Ceka - Vështrim arkeologjik mbi rrethin e Elbasanit

Pasi kemi përcaktuar që në titull kuadrin gjeografik të vështrimit tonë në kufijt administrativë të rrethit të Elbasanit, shtojmë se kufiri kronologjik do të shtrihet që nga prehistoria deri në fund të kohës antike. I ndihmuar nga një konfrontim i të dhënave të pakta historike, ky vështrim do të përbënte edhe provën e parë për historinë e lashtë të kësaj zone.

Burimin kryesor për temën tonë e përbëjnë të dhënat e gërmimeve arkeologjike të cilat filluan në rrethin e Elbasanit në vitin 1960 me hapjen e tre tumave të periudhës së bronxit në fushën e Pozhokut. Vitet e fundit u vendos një lidhje e pandërprerë e materialit arkeologjik gjatë gjithë periudhës që trajtojmë në saje të gërmimeve e sondazheve në Gradishtën e Belshit, Shkambin e Shënlliut, Bradashesh, Kalanë e Elbasanit dhe Kodrën e Tepes. Gjithashtu vrojtimet kalimtare të Prashnikerit, Sestierit, Betzit, Vidmanit u pasuan nga një punë sistematike për një hartë arkeologjike të rrethit të Elbasanit.

Ka një rregullsi në shpërndarjen e vëndbanimeve të epokave të ndryshme në zonat e veçanta që përfshihen në rrethin e Elbasanit (Tab. I). Për epokën e bronxit, nga e cila kemi të dhënat e para të sigurta arkeologjike, vëmë re një grumbullim të tumave, pra dhe të vendbanimeve, në brrylin e Devollit, fushën e Cërrikut dhe në pjesën qendrore të krahinës së Dumresë. Kjo është zona e fushës më pjellore dhe e kodrinave të buta që favorizonin jetën sedentare për shkak të mundësive të një bujqësie të kufizuar drithrash të mbështetur në zhvillimin e njëkohshëm të blegtorisë.

Në periudhën e parë të hekurit vendbanimet kryesore qenë të shpërndara në zona të larta kodrinore si Shpati e Krraba, zakonisht pranë qafave ku kalonin rrugët ndërkrahinore. Duket se për këtë vendosje, përveç faktorëve të mësipërm ekonomikë, luajti një rol edhe nevoja për t'u mbrojtur në kushtet e reja shoqërore-politike të krijuara nga çthurja e komunës primitive. Nuk duhet përjashtuar edhe fakti se këto zona paraqesin kondita më të mira për zhvillimin e frutikulturës dhe të bujqësisë me vaditje me vija të vogla uji, që mund të bëhet edhe nga një grup i kufizuar njerëzish.

Periudha qytetare ka po këto veçori në shpërndarjen e vendbanimeve, me një shtim të kështjellave pranë rrugës kryesore që kalonte nëpër luginën e Shkumbinit (Kalaja e Saragut, Kodra e Malit, Shkambi i Shënlliut, Shkambi Mbret, kalatë e Bixëllenjës. Zona e banuar më dendur mbetet Dumreja, por ka një zhvillim edhe Shpati, Gryka e Shkumbinit, e Zaranikës dhe zona e Peqinit që janë tepër malore dhe me pak ujra mbeten më pak të populluara.

Në shekujt e parë të erës sonë të dy brigjet e Shkumbinit me fushën dhe kodrat buzë saj si dhe Dumreja, popullohen dendur me vendbanime fshatare që kishin si qendër Skampinin. Vendbanirnet në zonat e larta kodrinore dhe ato malore, humbin rëndësinë dhe rallohen mjaft. Së fundi, periudha e vonë antike nga pikëpamja urbane karakterizohet nga një ringjallje e tabllosë së periudhës qytetare ilire, por e frymëzuar kësaj here nga motive jo ekonomike.

EPOKA E BRONXIT

Tumat e Pazhokut, me numurin e madh të tyre të përqëndruar në bregun e djathtë të Devollit, dëshmojnë për praninë e një vendbanimi të afërt të kësaj periudhe, ende të pazbuluar. Të vendosura në grupe, ku në çdo tumë dallohen varret qendrore dhe diferencime në inventarin e varreve, ato përfaqësojnë karakterin patriarkal të shoqërisë në periudhën e bronxit të hershëm dhe të mesëm. Armët që gjënden që në fazën më të hershme (1800-1700 p.e.r), janë shënja më e qartë e fillimit të çthurjes së komunës primitive. Një rëndësi të veçantë merr fakti, se armët metalike janë të tipeve mikene dhe se vijnë që nga Mesdheu, ku po zhvillohej një shoqëri skllavopronare. Tërheqja e krahinave ilire në këtë sferë bëhet sigurisht në saje të shkëmbimeve që, në fazën e dytë, bëhen më të dëndura. Kjo provohet nga zgjerimi i tipeve të armëve mikene dhe nga një enë balte e importuar. Një kohë më të vonë (L H III), i takojnë edhe dy shpata bronxi të tipit miken, të gjetura njëra në Cërrik (Tab. II, 4) dhe tjetra pranë Gradishtës së Belshit. Këto i takojnë një grupi të afërt vendbanimesh të shtrira në pjesën veri-lindore të krahinës së Dumresë. Si gjetje të veçuara përmëndim edhe dy sopata të tipit shkodran të gjetura rastësisht në Shelcan të Shpatit dhe Tërbaç të Krrabës , (Tab. II, 1), që shënojnë shtrirjen më jugore të këtij tipi në vëndin tonë.

Nga pikëpamja e arkitekturës dhe e riteve të varrimit tumat e Pazhokut përmbajnë elementet kryesore që përcaktojnë fizionominë e varreve tumulare ilire të Shqipërisë së Jugut dhe të Veriut që nga fundi i epokës së bronxit dhe gjatë gjithë periudhës së hekurit. Të tilla janë ngritja e një tume të vogël mbi varrin qendror, të qarkuar nga një rreth gurësh, varrimi me trup dhe vendosja e armëve dhe e enëve të pijes me dy vegje të zhvilluar mbi buzë.

Zë fill këtu problemi se ç’rol ka luajtur zona e Elbasanit në proçesin dialektik të formimit të kulturës ilire. Materialet e tumava të Pazhokut, përderisa mungojnë të dhëna sinkrone të të njejtit karakter nga krahinat e tjera të vëndit tonë, na shërbejnë në këtë kuadër si terminus post quem për të përcaktuar kristalizimin e mënyrës dhe riteve të varrimit si një element i përbashkët në fondin e kulturës së ilirëve në vëndin tonë. Për fundin e epokës së bronxit këtë vështrim kemi mundësi ta zgjerojmë duke u mbështetur në materialet e shtresës së parë kulturale të Belshit. Sondazhet e vitit 1969 në rrafshet në perëndim të Gradishtës ranë në shtresat kulturale të një vendbanimi të hapur, fillimet e të cilit kapen që në periudhën e fundit të bronxit. Materiali i shtresës së parë kulturale përbëhet nga keramika, (Tab. III, 1-4), format e së cilës janë mjaft të ngjashme me ato të shtresës sinkrone të Gajtanit I ndërsa elementet (vegje dhe zbukurime) afrohen më tepër me ato të Maliqit. Ka edhe forma e elemente që janë të përbashkëta për të tri qëndrat. Në këtë mënyrë roli i zonës së Elbasanit del jo vetëm në lidhjet veri-jugë, por edhe në integrimin e qëndrave kulturale të rendësishme të lindjes ndërmjet luginës së Devollit.

Periudha e parë e hekurit

Në periudhën e parë të hekurit vendbanimi i hapur i Belshit zhvillohet duke dhënë një shtresë kulturale me dy faza, ndërsa një pjesë e kufizuar e vëndbanimit ngjitet në shkëmbin e Gradishtës. Materialet e fazës së parë (Tab. III, 5, 6, 7, 9) ruajnë lidhjen me zonat lindore nëpermjet ngjashmërisë së formave me keramikën e Trenit III.

Me Gajtanin II  vihet re një afërsi e madhe e formave, fakturës dhe elementëve sa mund të themi që kemi të bëjmë me të njejtin grup kultural. Duket se ka në këtë kohë një stabilizim të lëvizjeve të popullsisë dhe vendosje të lidhjeve të rregullta ndërkrahinore, ku zotërojnë ato jugë veri. Këtë e mbështet edhe fakti i zhvillimit të vëndbanimit të hapur në Belsh. Gjetja me shumicë aty e keramikës mikenase (L H III C) dhe protogjeometrike dhe imitacioneve të saj (Tab. IV, 9, 10) tregojnë se këto lidhje shtriheshin drejt Mesdheut. Një krahasim me gjetjet e Pazhokut ku kemi vetëm një enë të heladikut të mesëm flet për çthurjen progresive të komunës primitive. Shoqërimi i këtyre objekteve me keramikën e pikturuar të tipit devollit jep një bazë për kronologjinë e kësaj keramike, por kjo do të jetë objekt i një artikulli të veçantë.

Faza e dytë paraqet një forcim të traditave në keramikën e Belshit, (fab. IV, 1-4) dhe një largim nga format e keramikës lindore, gjë që shpjegohet edhe me shkëputjen kronologjike prej saj. Bëhet një fenomen i zakonshëm në keramikën e Belshit pikturimi me ngjyrë kafe në të kuqe mbi sipërfaqen e lustruar ngjyre okër të enës. Vihen re ngjashmëri në teknikën e pikturimit me keramikën e Trenit, por motivet janë krejt të ndryshme. Mospërputhja e formave dhe e motiveve provon se kemi të bëjmë me një trashëgim të teknikës së Trenit në një fazë më të vonë të zhvillimit të keramikës së pikturuar. Lidhjet me veriun dalin nëpërmjet ngjashmërisë së formave me Gajtanin III;  por këto janë mjaft më të dobëta se në shtresën paraardhëse. Keramika e pikturuar e të njejtit tip është vënë re sot për sot në Selcën e Poshtëme (Mokër), Shkambin e Shënlliut dhe në kalanë e Tërvolit në Gramsh. Në këtë mënyrë forcimi i një fondi krycsor në keramikën e Belshit, fizionomia e të cilit përcaktohet nga format e veçanta dhe përdorimi i pikturimit, është pjesë e një fenomeni që zhvillohet në luginën e Shkumbinit dhe luginën e mesme të Devollit me krahinat që shtrihen në mes të tyre. Kemi, me sa duket, formimin e një grupi kultural, që qëndron midis veriut, me të cilin afron për format, dhe jugut, ku takojmë të përdoret në mënyrë sporadike pikturimi i enëve. Vemë re gjithashtu një ngjashmëri të motiveve dhe të ndonjë forme (oinohe) me keramikën greke. Lidhjet e dobëta me krahinat lindore dëshmojnë se këto elemente kanë arritur këtu vetëm nëpër rrugën detare.

Gjetjet e tjera të kësaj periudhe vijnë nga Shkambi i Shënlliut në Krrabë (Tab. III, 8), ku kishte një vëndbanim të vogël të vendosur mbi njo kodër shkëmbore mjaft të mbrojtur nga natyra, por të parrethuar me mure. Keramika e pikturuar dhe e thjeshtë ka të njejtat forma dhe motive me ato të Belshit. Të njejtin karakter ka edhe vëndbanimi në Lleshan, i vendosur në brigjet e një shkëmbi, maja e të cilit rrethohet me një mur prej gurësh të papunuar (fab. V, 2). Të tre këto vëndbanime: Gradishta e Belshit, Shkambi i Shenlliut dhe Lleshani përfaqësojnë tipin e vëndbanimit të mbrojtur që është një hap për në vëndbanimin e fortifikuar. Këtë të fundit e kemi të përfaqësuar në kalanë e Bodinit në Krrabë, në qafën që lidh luginën e përroit të Paprit (degë e Shkumbinit) me luginën e Zhullimës (degë e Erzenit). Qyteza ka një sipërfaqe prej 10 ha të përfshirë midis dy rënieve të thikta të kodrës dhe harkut të një muri prej gurësh të mëdhenj të palatuar, të vendosur në dy parete me mbushje në mes. Linja e tyre është e thjeshtë, pa kthesa e kulla. Gjetjet janë shumë të rralla e të fragmentuara, shënjë e mungesës së një jete intensive. Nga këto tipare qyteza të kujton fazën e hershme të kalasë së Trajanit, pranë vëndbanimit të hapur të Trenit. Ka shumë të ngjarë që kemi të bëjmë me një tip fortifikimi që shërbente për strehimin e banorëve dhe të pasurisë së tyre në rast rreziku.

Mënyra e varrimit në këtë periudhë duket se mbetet ajo me tuma të cilat sot na ruhen vetëm në krahinën e Dumresë. Nga një nekropol tumular i fillimit të periudhës së parë të hekurit në Seferan vjen një shpatë hekuri, që përsërit formën tradicionale të shpatavc të tipit miken të epokës së bronxit dhe një maje heshte bronxi (Tab. II, 2, 8).

Në një vështrim të përgjithshëm periudha e parë e hekurit karakterizohet nga zhvillimi i vendbanimeve të hapura dhe lindja e vëndbanimeve të mbrojtura dhe fortifikimeve-strehime. Në kulturën materiale vemë re ruajtjen e traditave të kohës së bronxit dhe zhvillimin e veçorive lokale në kuadrin e një grupi kultural në luginat e mesme të Shkumbinit dhe të Devollit. Duket gjithashtu një zhvillim i mëtejshëm i lidhjeve ndërkrahinore dhe një rivendosje kontakti me Mesdheun, që duhet shpjeguar me zgjerimin e lidhjeve ekonomike si rrjedhim i çthurjes progresive të komunës primitive.

PERIUDHA QYTETARE ILIRE

Në shekujt Vl-V krijohet në vëndbanimin e hapur të Belshit një shtresë kulturale që përfaqëson një nga fazat më intensive të zhvillimit të jetës në këtë vendbanim. Keramika tradicionale e formuar mirë, (Tab. IV, 5, 6), shoqërohet aty me një numur të konsiderueshëm fragmentesh të enëve të importuara nga Dyrtahi e Apollonia, të cilat i takojnë shek. VI-IV p.e. sonë. Janë kryesisht enë tryeze për pije. (Tab. IV, 89). Në keramikën vendase vulën e jep ajo e pikturuar, në të cilën vemë re fillimin e përdorimit të çarkut dhe huazimin e ndonjë motivi nga keramika e importuar. Është e para herë që e kapim në mënyrë më të plotë këtë fazë kalimtare nga periudha e parë e hekurit në atë qytetare ilire gjë që në planin ekonomiko-shoqëror përfaqëson kalimin nga rendi i komunës primitive në atë skllavopronar. Në këtë fazë del në dukje edhe veprimtaria ekonomike e kolonive helene e cila luajti në këtë proçes një rol katalizalor. Nëqoftëse mbajmë parasysh zhvillimin e brendshëm ekonomik që shprehej në shpeshtimin e lidhjeve ndërkrahinore dhe me Greqinë arkaike, themelimi i kolonive në bregdet dhe vendosja e marrëdhënieve më të afërta me ilirët është një fenomen i përcaktuar në radhë të parë nga ky zhvillim. Depërtimi i prodhimeve të kolonive në Belsh, i shoqëruar me përdorimin e çarkut dhe futjen e elementëve të reja në keramikë janë gjurmët materiale të zhvillimit të shkëmbimit për nevoja luksi dhe të kthimit të poçerisë në një zejtari. Nga pikëpamja kulturale keramika e Belshit dhe e Gajtanit janë larguar mjaft nga njëra tjetra. Si duket shkëmbimi zhvillohet në këtë kohë kryesisht në tregun e brendshëm dhe me kolonitë. Ky theksim i ndryshimeve është i përkohshëm dhe pregatit kalimin në një unitet më të gjerë e më të thellë.

Fenomenet që trajtuam më lart janë njëkohësisht edhe preludi i një proçcsi urbanizues, që karakterizon kalimin në periudhën qytetare ilire, esenca e të cilit është vendosja e marrëdhënieve skllavo-pronare në prodhim.

Nga pikpamja arkitektonike ky proçes realizohet me lindjen e një sërë qëndrash të fortifikuara të cilat zënë pikat kryesore në rrjetin e qarkullimit të rrugëve në rrethin e Elbasanit. Saragu, Kodra e Malit, Shkambi i Shënlliut kontrollojnë drejtpërdrejtë rrugën në luginën e Shkumbinit. Kulla e Grocenit, kalatë e Bixellenjës, Valshi zotërojnë krahinat rreth saj dhe rrugët që i përshkojnë ato. Në tërë qytezat e para takojmë zbatimin e planeve arkitektonike në ndërtimin e mureve rrethuese, që karakterizohen ende nga linja të thjeshta të planimetrisë, me kulla dhe hyrje të pakta. Muret në Shkambin e Shënlliut (Tab. V, 2) dallohen për një trajtim të kujdesshëm të gurëve në forma trapezoidale me faqe të sheshta, që në një teren shkëmbor kalojnë në forma poligonale të rreshtuar, me trajtim të fryrë të faqes (Tab. V, 1). Në rastin e parë muri të kujton muret e periudhës së dytë të Zgërdheshit 23 24), ndërsa në rastin e dytë ato të Lisit llla, pra tipologjikisht renditet në fundin e shek. IV p.e, sonë. Ky datim përforcohet edhe nga intensifikimi i jetës në qytezë, pikërisht në këtë periudhë.

Në kodrën e Saragut pranë Dervenit të Bishqemit (Tab. VI, 1) vëmë re të njejtën pamje të planimetrisë me kulla katërkëndëshe me dalje të cekët dhe hyrje në koridor të krijuar nga mbivënia e krahëve të murit. Stili i ndërtimit ësntë -përcaktuar këtu edhe nga materiali, që është shtuf. Format e gurëve janë katërkëndëshe me punim të rrafshtë të faqes (Tab. V, 3). Gjetjet më të hershme të Saragut të mbledhura në sipërfaqe i takojnë gjithashtu fundit të shek. IV, p.e.sonë. I njejti stil në punimin e mureve duket edhe në kodrën e Malit, pranë Xherijes, e cila ngrihet përballë Saragut në anën tjetër të Shkumbinit si dhe në kullën e Kamunahut, buzë Devollit (Tab. V, 4).

Ky interesim i menjëhershëm për rrugën në luginën e Shkumbinit lidhet sigurisht me shfrytëzimin e saj në dobi të nevojave ekonomike të zonës dhe të lidhjeve ndërkrahinore. Duket se kemi në këtë lindje të menjëhershme kështjellash edhe një veprimtari të organizuar që ka të bëjë me marrjen e masave nga ana e shtetit ilir kundër invazionit të shtetit maqedon të kohës së diadokëve.

Krahas këtij tipi kështjellash zhvillohen edhe vendbanime të fortifikuara të rrethuara me mure prej gurësh të papunuar që ruajnë të gjitha tiparet e mureve të periudhës së parë të hekurit. Vihet re vetëm një përpjekje drejt formash katërkëndëshe dhe rrjeshtimit të gurëve. Të tillë qenë vendbanimet: Kulla e Gracenit mbi shpatin perëndimor të Krrabës, Maja e Shën-Mërisë në zonën e pasur me kullota të Zaranikës dhe Kalaja e Valshit në qendër të krahinës së Shpatit.

Gradishta e Belshit, kalaja e Lleshanit dhe Shkambi Mbret përbëjnë tipin e vendbanimeve lë mbrojtura të parrethuara me mure gurësh.

Së fundi kemi një përhapje vendbanimesh të tipit fshatar, sidomos në zonën e Dumresë (Qaf-shkallë, Deshiran, Dragot), që provohen nga materialet e nekropoleve që në shek. IV p.e.sonë. Vendbanimet e hapura i gjejmë edhe në lagje e bloqe banesash të ndërtuara jashtë mureve rrethuese në Shkambin e Shënlliut ose të vendosura pranë vendeve të mbrojtura me pak sipërfaqe banimi si në Shkambin Mbret dhe Belsh. Në këtë rast ato mbeten pjesë të qendrave qytetare.

Nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik vemë re një diferencim të qendrave të lartpërmendura. Gradishta e Belshit dhe kulla e Kamunahut kanë një karakter më të theksuar qytetar, d.m.th. një prodhim zejtar shumëdegësh. Në këtë grup mund të futet edhe kalaja e Lleshanit për një tregëti të brëndëshme të zhvilluar. Kalaja e Saragut, Shkambi i Shënlliut, Kodra e Malit mbeten gjatë shek. Ill-ll qendra me rëndësi strategjike dhe me ekonomi konsumuese. Vetëm në shek. I. p.e.sonë vemë re tek to një zhvillim të zejtarisë, kryesisht të poçerisë. Një sërë qendrash të thella si Kulla e Gracenit, kalatë e Bixëllenjës, kalaja e Vaishit kanë një karakter të përzier qytetaro-fshatar, me të cilin duhet të kuptojmë lidhjen e funksionit të prodhimit bujqësor me atë të shkëmbimit me qendrat e tjera.

Më së fundi, kemi qendra fshatare, kryesisht si vendbanime të hapura, fizionomia arkitektonike dhe ekonomike e të cilëve është ende vështirë të kapet për mungesë të gërmimeve arkeologjike.

Zhvillimin e zejtarisë në vendbanimet e shek. IV p.e.sonë mund ta ndjekim në vija të përgjithshme nga materialet e gërmimeve të Belshit dhe nga gjetjet e rastit të qendrave të tjera. Prodhimi i keramikës në Belsh, që ka marrë karakter zejtar që në shek. V me përdorimin e çarkut, humbet në shek. IV tiparet tradicionale dhe fillon të përpunohet sipas shijeve të një jete qytetare. Kjo shprehet sidomos në huazimin e formave dhe të motiveve zbukuruese nga keramika helene. Kemi në fund të shek. IV një zgjerim të importit të enëve të stilit apul të prodhimit dyrrahas dhe apoloniat (Tab. VII, 1, 2). Këto zënë një vend të gjerë në sasinë e keramikës së Belshit dhe të varreve të zbuluara në Dragot, Deshiran dhe në Shkambin e Shënlliut. Shkëmbimi tregëtar bazohet edhe në përdorimin e monedhës prej argjendi të Dyrrahit, Apolonisë, Athinës dhe Maqedonisë. Nga fundi i shek. IV pranohen si ekuivalente edhe monedhat e bronxit të Dyrrahit dhe Maqedonisë, gjë që dëshmon krijimin e një tregu të garantuar për shkëmbimin e mallrave. Në këtë mënyrë proçesi i lindjes së qendrave me arkitekturë qytetare në shek. IV kondicionohet nga kalimi në prodhimin e mallrave, dhe të dyja këto formojnë gradualisht thelbin e jetës qytetare në rrethin e Elbasanit.

Jeta qytetare njeh një lulëzim progresiv më shek. lll-I p.e.sonë. Prodhimi orientohet nga plotësimi i nevojave të kësaj jete me një zhvillim të poçerisë, të punimit të metaleve, të punimit të gurit dhe zejtarisë artistike.

Poçeria është dega që kalon më shpejt dhe më me gjerësi mbi bazat e prodhimit zejtar. (Prania e punishteve të keramikës provohet në Belsh dhe Sarag). Megjithatë gjatë shek. III ndeshim edhe një prodhim te kufizuar shtëpijak që ruan format e keramikës tradicionale (Tab. VIII, 1, 2) por që dallohet për një repertor të kufizuar dhe teknikë të dobët punimi. Kjo gjëndet kryesisht në qendrat me karakter fshatar si Shkambi Mbret, Qafshkallë etj. por nuk mungon edhe në Belsh. Prodhimi zejtar i keramikës u përshtatet nevojave qytetare. Në sasinë e keramikës zotërojnë materialet e ndërtimit (kryesisnt tjegulla) si dhe enët e përdorimit shtëpijak. Teknika e punimit dhe format, janë mjaft të ngjashme me keramikën helenistike të Dyrrahit dhe Apolonisë (Tab. VIII, 4-7). Dallimi vihet re në zgjedhjen e baltës, mungesën e vernikut në shek. III dhe futjen e një verniku të dobët në shek. Il-I si dhe në preferimin e disa formave në keramikën e përdorimit. Në shek. III preferohen skifosat me fund të ngushtë (Tab. VIII, 7) dhe amforat me buzë të hapura; në shek. ll-I tasat me buzë të kthyera brënda (Tab. VIII, 3, 8, 9) dhe qypat me trup të zgjatur dhe vegje brinore (Tab. IX, 1). Këto prodhime zëvëndësojnë pothuaj plotësisht keramikën tradicionale edhe në qendrat fshatare, qoftë edhe të zonave të thella si Zavalina.

Zhvillimin e metalurgjisë e ndjekin kryesisht në prodhimin e armëve: shpata që vazhdojnë të ruajnë formën e armëve të periudhës së parë të hekurit (Tab. XI, 2), përkrenaret, (fab. XI, 1), heshtat ((Tab. XI, 3, 4), kamat, thikat (Tab. XI, 5) dhe hanxharët të tipit sica, që vazhdojnë të përdoren nga shek. III, në shek. I p.e.sonë.

Zejtaria artistike përfaqësohet nga prodhimi i zbukurimeve, ndër të cilat ndjekin më mirë fibulat e tipit palmetë për shek. III, të tipit heshtë për shek. ll-I p.e.sonë, dhe të tipit auçiza (Tab. XI, 8).

Zhvillimi i bujqësisë mund të provohet nga dëndësimi i vëndbanimeve në zonat kodrinore (Dumreja) dhe maleve (Shpati, Gryka e Zaranikës, Krraba dhe Peqini) dhe numuri i madh i enëve të rezervave ushqimore në këto vëndbanime. Kultivimi i grurit dhe i leguminozeve provohet nga mbeturinat e gjetura në sondazhet e Shkambit të Shënlliut.

Përveç prodhimit zejtar, fizionomia e jetës qytetare plotësohet edhe nga zhvillimi i artit dhe kulturës, pikërisht në ato zona ku ky prodhim ishte në shkallë më të lartë. Dumreja na ka dhënë deri më sot një numur të madh skulpturash të shek. lll-I p.e.sonë. (fab XII, 1-3). Sigurisht kemi tek ato një përvetësim të teknikës dhe formave greke, por nga ana tjetër një konceptim praktik të artit që shprehet në zgjedhjen e modelit nga jeta, një përgjithësim formash, dallimin etnogratik të modelit, etj. Vemë re edhe një evolucion nga imitimet standarte helenistike në një trajtim të lirë shpesh herë psikologjik, të portreteve. Gjithashtu nga Dumreja vijnë edhe mbishkrime të shek. lll-I p.e.sonë, ku përveç formulave të shkurtëra të varrimit gjejmë edhe formula disa rreshtash që kërkonin një njohuri te mirë të gjuhës greke. Lexojmë në to një sërë emrash ilire si: rsvtkoç, BaOouva, Apoukiç, Miva, Xaitztoç (dy të fundit për herë të parë) ndërsa emrat helen mungojnë plotësisht.

Zhvillimi i ekonomisë u shoqërua në shek. lll-I me zgjerimin e shkëmbimit në bazë të monedhave. Qarkullimi i një numuri të madh monedhash bronxi të tipeve të ndryshme lidhet me zhvillimin e tregut të brëndshëm. Ky proçes prek edhe zonat malore si Shpati, nga na vjen pjesa më e madhe e monedhave të bronxit, gjë që dëshmon për kalimin e ekonomisë fshatare në prodhimin e mallrave.

Përsa i përket lidhjeve ndërkrahinore, rrethi i Elbasanit gjëndet në sferën ekonomike të Dyrrahit që e furnizon me keramikë me vernik të zi, prodhime artistike dhe monedha argjendi e bronxi. Këto të fundit qarkullojnë deri në mesin e shek. I. p.e. sonë siç del nga thesari i Gjonmit.

Në radhë të dytë qëndron Apolonia, tregëtia me të cilën provohet nga numuri i madh i drahmeve dhe monedhave të bronxit. Nëpërmjet Apolonisë vijnë me sa duket monedhat e Republikës Epirote; Ambrakisë dhe Orikut. Monedhat e Maqedonisë që zinin një vënd me rëndësi në shek. IV p.e. sonë pothuaj zhduken krejt, ndërkohë që ato të Dyrrahit depërtojnë në zonën e Pogradecit. Të gjitha këto dëshmojnë për krijimin e një tregu të gjallë me Ilirinë e Jugut. Rrethi i Elbasanit gjendet në këtë rast në qendren e kryqëzimit të rrugëve tregëtare.

Në mesin e shek. I p.e, sonë kemi një moment ndryshimi në fizionominë e jetës në rrethin e Elbasanit. Në pikëpamjen urbanistike, kjo duket në ndërprerjen e jetës në qendrat qytetare të Shkambit të Shënlliut, Saragut, Lleshanit, kalatë e Bixellenjës. Me shkatërrimin e fortifikimeve të tyre merr fund periudha e ndërtimit të mureve rrethuese me gurë të gdhendur. Kemi një ruralizim të jetës që duket në lindjen e një numuri të madh vendbanimesh të hapura, të vendosura pranë fushave dhe rrugëve kryesore. Në elementët e kulturës materiale, keramika pëson vetëm ndryshime të pakta me futjen e tjegullave të tipit «romak» në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë dhe të vernikut të kuq për lyerjen e enëve. Skulptura pëson një rënie, ndërsa shkrimi latin fiton gjithmonë e më tepër vend në mbishkrime duke ngushtuar atë grek, i cili pothuaj zhduket në shekujt e parë të erës sonë.

Historikisht fillimi i këtij proçesi lidhet me kryengritjen e Parthinëve kundër Romës në vitin 39 p.e. sonë, e cila, siç del nga burimet historike, qe një luftë e vërtetë. Shkaku i kësaj lufte duhet kërkuar në kalimin e romakëve në një politikë unifikuese në trajtimin e vendeve të pushtuara. Parthinët, të cilët kishin ruajtur një farë autonomie që nga koha e pushtimit të llirisë së Jugut, u përpoqën t’i qëndronin kësaj mase duke përdorur potencialin e tyre të fuqishëm ekonomik dhe kështjellat e tyre të forta. Romakët, që dërguan një ushtri konsullore, arritën ta shtypin kryengritjen vetëm pas përpjekjesh të mëdha dhe një terrori të egër që i dha Asin Polioni të drejtën të festonte triumfin në Romë.

PERIUDHA E SUNDIMIT ROMAK

Pasojat e sundimit romak u ndjenë në të gjitha drejtimet e jetës në rrethin e Elbasanit në kapërcyellin e erës së re dhe përcaktuan një fizionomi të re të vëndbanimeve dhe arkitekturës, një raport tjetër në degët e ekonomisë dhe fenomene të reja në art dhe kulturë.

Këto proçese u zhvilluan në një periudhë të gjatë kohe, gjatë së cilës rendi skllavopronar njohu lulëzimin e fundit dhe kaloi në çthurjen e vet. Në bazë të këtij kriteri dallojnë dy faza, kufiri ndarës kronologjik i të cilave qëndron në mesin e shek. të IV.

Shekujt l-IV.

Sundimi romak shënon një ndërprerje të proçesit normal të zhvillimit të jetës ekonomike, duke e orientuar atë sipas kërkesave të ekonomisë së Perandorisë Romake. Për rrethin e Elbasanit, kjo u shpreh në përqëndrimin e jetës ekonomike në pak qendra të mëdha dhe në zvogëlimin e numurit të qëndrave qytetare. Pra, kemi një ruralizëm të jetës. Nga qëndrat e vjetra qytetare e ruan rëndësinë vetëm Gradishta e Belshit. Një karakter të tillë fiton edhe Skampini, me sa duket rreth shek. II të e.sonë, siç e tregon zgjerimi i nekropolit në këtë kohë. Zhvillimi i tij është i lidhur me funksionimin e rregulltë të rrugës Egnatia që nga shek. I i e.sonë.29). Pranë kësaj rruge lindin një numur i madh vëndbanimesh të hapura me karakter fshatar si Karina, Fatisha, Papri, Bradasheshi, Mansi, Krasta, etj. Shtimit të vëndbanimeve në zonat e ulta kodrinore, sidomos në Dumre, i përgjigjet një rrallim i tyre në-zonat malore të Shpatit dhe Krrabës. Një tip i ri banimi janë «villae rusticae*, që takohen në Krye-zjarth dhe Qafshkallë dhe stacionet rrugore të tipit mutatio si Bradasheshi dhe Papri.

Qëndrat e fortifikuara zhduken krejtësisht, dhe kjo lidhet me largësinë e kufijve të Perandorisë Romake dhe me synimin e pushtuesve për të mos lënë në dorë të vendësve pikëmbështetje për kryengritje të mundëshme.

Ndër degët e ekonomisë ka prioritet bujqësia. Kjo kuptohet nga dendësia e vendbanimeve fshatare në zonat kodrinore e fushore dhe numuri F madh e i shumëllojshëm i veglave bujqësore të zbuluara në rrethin e Elbasanit ose të paraqitura në reliev. Midis tyre nuk mungon asnjëherë kosorja (Tab. XII, 7), e cila lidhet me hapjen e vazhdueshme të tokave të reja.

Prodhimi i keramikës vazhdon të përfaqësojë degën më të zhvilluar të zejtarisë. Dy qëndrat kryesore të punishteve të keramikës së përdorimit shtëpijak ishin Skampini dhe Belshi. Në shek. I-II prodhohen aty enë që ruajnë format e keramikës qytetare ilire (Tab. IX, 2, 3) dhe karakterizohet me një fakturë me lustër ngjyrë okër në të kuqe. Enët me vernik të kuq (Tab. IX, 4, 6) përbëjnë një grup të dytë, i cili nuk mbizotëron në masën e prodhimit të keramikës. Në shek. III-IV keramika e Skampinit dallohet për përdorimin e një verniku ngjyrë kafe në të kuqe, që shpërndahet në mënyrë të çrregullt mbi sipërfaqen e enës (Tab. VII, 4, 7), ose lihet të derdhet në rrypa vertikale (Tab. IX, 8). Në keramikën e Belshit fillon të zotërojë në këtë kohë prodhimi i tipeve të thjeshtë të enëve të guzhinës, ndërsa importi nga Skampini e Dyrrahi zëvëndëson prodhimin e enëve të tryezës (Tab. VII, 5). Qendrat fshatare, nga ana tjetër, plotësojnë nevojat e tyre me keramikën e ndërtimit me furra të thjeshta si në Jagodinë e Fatishë.

Zejtaria artistike karakterizohet nga një standartizim i formave, Fibula e tipit kryq (Tab. XI, 9) është zbukurimi më i zakonshëm; por në zonat fshatare gjen të ruajtur ende ndonjë zbukurim të trashëguar nga fondi etnografik ilir.

Prodhimet e hekurpunuesve i përgjigjen kryesisht nevojave të bujqësisë me një shumëllojshmëri veglash, ndër të cilat thikat ruajnë ende pamjen e sicave të periudhës qytetare.

Ndërtimi ka një zhvillim më të gjerë në saje të punimeve në rrugën Egnatia dhe në qëndrat qytetare e fshatare. Shëmbulli më i mirë është nymfeu dhe termet e Bradasheshit të ndërtuar në një kompleks sipas një plani arkitektonik. Ndërtime të një cilësie të mirë, karakteristike për shek. ll-lll, gjejmë edhe në vilat e Kryezjarthit dhe Qafshkallës si dhe në Gradishtën e Belshit. Në ndërtimet e tjera fshatare vihet re ruajtja e traditave të ndërtimit nga periudha e mëparëshme dhe një përdorim i kufizuar i tullës në banesa.

Në një vështrim të përgjithshëm të të dhënave ekonomike periudha e shek. I-IV karakterizohet nga një zhvillim intensiv i jetës, sidomos në dy shekujt e parë të saj. Kriza e rendit skllavopronar, në ndryshim nga Italia, u ndje këtu më vonë, gjë që konstatohet edhe në Dyrrah e Apoloni.

Gjatë kësaj kohe arti humbi tiparet origjinale të periudhës qytetare ilire dhe karakterizohet nga prakticizmi dhe formalizmi. Dumreja mbetet përsëri qëndra e punimit të skulpturës, që përfaqësohet kryesisht nga relieve sepulkrale me skena e figura të standartizuara sipas tipeve të relievit provincial romak. Megjithatë, ndeshen edhe punime të mira, sidomos në shek. I-III (Tab. XII, 4), të cilat, në vazhdim të periudhës paraardhëse, ruajnë freskinë e formës dhe karakteristikat etnografike të ambientit.

Prejardhje jo të sigurtë kanë disa figurina bronxi që paraqesin Merkurin, si perëndi të udhëtarëve (Tab. XIII, 4), lidhur me rrugën Egnatia. Sidoqoftë vihet re tek to një trajtim helenistik i lëvizjeve dhe formave. Si punë e qartë romake dallohet një kalorës plumbi i gjetur rastësisht pranë Elbasanit (Tab. XIII, 3), që trajton një temë dhe tip të huaj për repertorin e deriatëhershëm të bronxeve të vendit tonë.

Ndërsa për shek. I të erës sonë kemi raste të rralla mbishkrimesh në gjuhën greke, të cilat përvetësojnë deridiku mënyrën e formulimit të mbishkrimeve romake, në shek. ll-IV përdoret vetëm gjuha latine.

I ndikuar drejtpërsëdrejti nga Dyrrahi nga i cili varej administrativisht dhe nga roli i rrugës Egnatia, rrethi i Elbasanit hyri në sferën e përdorimit të gjuhës latine, ku përbën për përdorimin unik krahinën më jugore ilire.

Shekujt IV-VI

Në gjysmën e dytë të shek. IV kriza e sistemit skllavopronar ndjehet me tërë fuqinë e vet edhe në rrethin e Elbasanit. Pasojat i vërejmë në një varfërim dhe kufizim të vendbanimeve fshatare dhe në militarizimin e vendbanimeve kryesore. Skampini rrethohet në një kuadrat muresh  duke u bërë qendra e një sistemi fortifikimesh që mbrojnë rrugën Egnatia dho degët e saj. Të tilla janë kalaja e Menglit dhe Shkambi Mbret në drejtim të rrjedhjes së sipërme të lumit. Në zonën e Shpatit kemi kalanë e Valshit dhe të Llixhës në degët e rrugës drejt Devollit, në Krrabë, Kullën e Gracenit dhe kalanë e Bodinit në rrugët që e lidhnin me luginën e Erzenit. Krahina e Dumresë që përshkohet nga rrugët për në Shqipërinë e Jugut zotërohet nga një kështjellë në Gradishtën e Belshit. Dy shekuj më vonë ndërtohet një kështjellë tjetër e fortë, kalaja e Qafës mbi vendin e daljes së Devollit në zonat bregdetare, e cila mbronte rrugën nëpër luginën e këtij lumi.

Arkitektura në këto qëndra është një pasqyrë e rëndësisë së tyre ushtarake dhe ekonomike. Skampini, i cili luan rolin e qendrës ekonomike e ushtarake të krahinës dhe e një qyteti nyje rrugore, ka një sistem të rregullt fortifikimi me një plan të studiuar dhe të realizuar me teknikë të lartë ndërtimi. Një kishë e konstatuar në qytet dhe bazilika e Tepes pranë tij paraqesin në fazat e para të ndërtimit vepra me vlerë arkitektonike. Mozaiket dhe elementet arkitektonike ruajnë në formë dhe cilësi traditat e periudhës paraardhëse, duke ju përshtatur në përmbajtje ideologjisë kristiane. Fazat e mëvonshme të bazilikës, me mënyrat e varfëra të ndërtimit, shoqërojnë rënien ekonomike të qytetit të shek. VI të erës sonë. Mengli, Llixha, Valshi dhe Belshi në shek. IV-VI dhe kalaja e Qafës në shek. VI janë tipi i kështjellave me karakter ushtarak, në të cilat veprimtaria ekonomike ka vendin e vet. Katër të parat karakterizohen nga një sistem shumë i thjeshtë rrethimi, me pak kulla e hyrje, me mure të trashësisë së vogël, të ndërtuar me shpejtësi me llaç të dobët. Sipërfaqja brenda mureve ka shërbyer për vendosjen e banesave të cilat mbështeten kryesisht në anën e brendshme të murit rrethues. Kalaja e Qafës ka një plan më të qartë të murit rrethues me dy kulla trapezoidale dhe një katërkandëshe (Tab. VI, 3). Ndërtimi është realizuar më me kujdes dhe paraqitet më i qëndrueshëm. Banesat në pjesën më të madhe janë vendosur larg mureve rrethuese.

Tipi i dytë i fortifikimeve përbëhet nga kështjella me karakter thjesht ushtarak, me sipërfaqe të vogël dhe jetë të kufizuar. Të tilla janë Shkambi Mbret, Kulla e Gracenit dhe kalaja e Bodinit.

Nga shpërndarja e këtyre fortifikimeve duken qartë se ato janë të lidhura me kontrollin ushtarak mbi rrugën Egnatia dhe degët e saj si dhe me vrojtimin e krahinave të brendshme. Situata që krijoi këtë tabllo është padyshim kriza e rendit skllavopronar, me të cilin duhet të kuptojmë, për rastin tonë, rrezikun e kryengritjeve të brendshme dhe mundësinë e depërtimit të barbarëve në rrugën Egnatia. Në drejtimin e fundit, rrethi i Elbasanit kishte një rëndësi të veçantë strategjike në mbrojtjen e njërës prej rrugëve kryesore të perandorisë.

Jetën ekonomike në vendbanimet e shek. IV-VI mund ta ndjekim në vija të përgjithshme në mbështetje të materialit arkeologjik të zbuluar në Gradishtën e Belshit. Prodhimi zejtar përfaqësohet aty nga veprimtaria e një punishteje tjegullash e vendosur brenda mureve rrethuese; ambientet e punishteve janë të thjeshta, përveç një stere uji të ndërtuar me llaç-shamot. Banesat e zbuluara janë në përgjithësi njëdhomëshe me kërkesa minimale ndaj kushteve të banimit, gjë që, në krahasim me banesat me hypokaust të periudhës pasardhëse, s’mund të shpjegohet ndryshe veçse me humbjen e karakterit qytetar të vendbanimit. Kjo përforcohet edhe nga gjetjet e pakta të keramikës që përfaqësohet në masën më te madhe nqa enët e ujit dhe të guzhinës të punuara dobët dhe me forma të kufizuara. (Tab. X, 1, 51 Sendet metalike të zbuluara lidhur gjithashtu me bujqësinë dhe punimin e drurit (Tab. XIV, 1, 4, 5, 6). Monedhat u takojnë dy periudhave të kufizuara kohe: Valentinianit II apo Theodosit dhe Jus-X, 1, 5). Sendet metalike të zbuluara lidhur gjithashtu me bujqësinë dhe punimin e drurit (Tab. XIV, 1, 4, 5, 6). Monedhat u takojnë dy periudhave të kufizuara kohe: Valentinianit II apo Theodosit dhe Justinianit. Me sa duket pati në këto dy periudha një përpjekje për të gjallëruar edhe jetën ekonomike. Së fundi, gjetja e farërave të grurit dhe qiqrës ishte një gjë krejt e rëndomtë gjatë gërmimeve, Edhe në gjetjet në kalanë e Qafës (Tab. XIV 1, 2) pjesa më e madhe e sendeve metalike kanë të bëjnë me" bujqësinë. Duket qartë se në kushtet e çthurjes së rendit skllavopronar ruralizimi i ekonomisë, karakteristik për periudhën pasardhëse, hapi rrugën për kalimin gradual në një ekonomi natyrale autarqike.

Përhapja e krishterimit në këto kushte ndiqet nga prania e kishave paleokristiane, kryesisht të tipit bazilikal, në Skampin; Belsh, kalanë e Qafës; Shkambin Mbret. Ato i takojmë edhe pranë vëndbanimeve të hapura si në Bixellenjë, Bale të Belshit e Kaziaj. Këto kisha janë të vetmet vende ku kemi konstatuar gjer tani ruajtjen e traditave në punimin e gurit. Gdhëndja e kapiteleve me reliev gjethesh akanthi e kryqe mjaft skematikë përfaqëson të vetmet përpjekje për të mbajtur të gjallë artin. Megjithatë, Skampini duket se ruan ende rolin e një qendre kulturale e artistike, po të gjykohet nga numuri i madh i punimeve artistike në gur dhe nga mbishkrimet latine të kishës së Tepes.

Shekulli i VI shënon fundin e jetës në shumicën e vëndbanimeve kryesore të rrethit të Elbasanit si Skampini, Kalaja e Qafës, Gradishta e Belshit etj. si dhe në kështjellat e vogla të zonave malore.

Shtresat e fundit kulturole në Belsh, kalanë e Qafës dhe Skampin i takojnë periudhës së Justinianit. Ato mbulohen nga një shtresë djegie dhe rrënojash, që dëshmojnë për një fund të dhunshëm, i cili s’është gjë tjetër veçsë një pasojë e dyndjeve sllave. Ndonjëri prej vendbanimeve vazhdon të jetojë, siç është rasti i kalasë së Valshit, por me një kufizim të thëksuar të sipërfaqes së banuar dhe të intensitetit të jetës.

Për zonën e Elbasanit është karakteristikë mungesa pothuajse e plotë e fortifikimeve mesjetare gjatë luginës së Shkumbinit. Duket se pas humbjes së rolit të rrugës Egnatia, lidhja me krahinat e brendshme bëhej nëpërmjet luginës së Devollit dhe Osumit, ku takojmë një numur të mirë kështjellash mesjetare dhe një metropol si Beratin. Sidoqoftë ky është një problem që del jashtë temës sonë, dha ne u mjaftuam me një vërejtje që mund të shërbejë si pikënisje studimi për specialistët e periudhës së mesjetës.

info@balkancultureheritage.com