Ngritja e një perandorie (1298-1396)
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit

Ngritja e një perandorie (1298-1396)

Mënjanimi i rivalëve: shteti papnor Kërcënimi në Itali Një përpjekje vendimtare: revolta e Zarës Pushtimi i Friulit Raguza dhe Adriatiku qendror

Joshja e Hungarisë për nga Adriatiku shfaqet fuqishëm në periudhën e mbretit Ladislav I, vdekur më 1095, i cili e pushton Kroacinë bregdetare pas vdekjes së të kunatit Demeter Zvonimir. Më pas, mbreti Stefan V (1240-1272), i vetëdijshëm për mundësitë që kishte një hapje drejt jugut, përuron një politikë ambicioze martesore mefëmijët e vet: Katerina martohet me Stefan Dragutinin, të birin e Uroshit I, mbretit të Serbisë, Ana niset për në Konstandinopojë në pallatin e perandorit Andronik II, Maria lidhet më 1270 me Karlin II të Anzhuve, mbretin e Napolit, ndërsa i vëllai, mbreti i ardhshëm i Hungarisë, Ladislavi IV është martuar me Isabelën, një nga vajzat e mbretit Karli I i Napolit. Kështu që pretendimet hungareze që kanë të bëjnë me rifitimin e zotërimeve të dikurshme në Adriatik afirmohen rishtaz në mënyrë të drejtpërdrejtë e agresive kundrejt Venedikut, i cili ia ka frikën rrethimit edhe më shumë tani që Manfredi i Hohenstaufenit, i cili ka mbetur në Itali të jugut, përgatit pushtimin e bregdetit shqiptar mbasi është martuar me vajzën e despotit grek të Epirit, duke dërguar trupa në Durrës dhe në Vlorë. Në ato kohë padyshim fjala është për një përmbysje të qëndrueshme të asaj situate e cila, përtej vullnetit politik të shprehur qartaz të sovranëve hungarezë, ka të bëjë me një debat të papritur institucional në Venedik. Në fakt tradita diplomatike, deri në fund të shekullit XIII, kërkon që edhe dogjët ta vendosin theksin mbi aleancat martesore për të përforcuar përparimin territorial që është arritur mbas suksesit të kryqëzatës së katërt. Dogja Lorenzo Tiepolo (1268-1275), martohet nga ana e tij me Bergnacian, të bijën e Stefanit Uroshit I Nemanja të Serbisë, rrëzuar nga froni më 1276, e cila sjell si prikë një numër të madh feudesh e zotërimesh, nga të cilat përfitojnë disa fise të caktuara të fisnikërisë venedikase që janë vendosur në këtë rajon brez pa brezi e që mbulojnë këtu funksione administrative. Pikërisht këtë gjë e hedh tani poshtë Këshilli i Madh i fisnikëve të Venedikut, për të shmangur krijimin e feudeve të trashëgueshme të përfshira në zotërimet koloniale të përtej detit. Më 1275, me qëllim që të ndërpritet kjo traditë e dëmshme për interesin publik, teksti i betimit që shqipton dogja i zgjedhur Jacopo Contarini, i cili vetë vjen prej një familjeje që nuk preket shumë nga ky debat, ka ndryshuar: tanimë dogja nuk mund të martohet me një princeshë të huaj pa miratimin e Këshillit të Madh; në qoftë se ndodh diçka e tillë për arsye shtetërore, të gjitha zotërimet territoriale që përftoheshin në këtë rast si prikë do të kalonin nën zotërim publik.

Ky zhvillim ka një rëndësi të dorës së parë, sepse tani është e largët ajo kohë kur Tekomeloja i ofronte një konti venedikas të Raguzës, Giovanni Dandolos, ishullin e Lagosës, dhuratë kjo e shoqëruar nga privilegje tregtie mjaft fitimprurëse. Kërcënimi ishte më se real pasi një grup me shumë ndikim që ushtronte presion, i drejtuar nga Dandolot, Tiepolot dhe Morsinët, kërkonte të grumbullonte rreth vetes përfitimet e një politike të përpunuar martesore. Le të kujtojmë për shembull Michele Morosinin që ishte lidhur me aristokracinë hungareze të Dalmacisë, duke ia dhënë dorën e së bijës Tomasina princit Stefan Arpad, dukës së Sllavonisë, djalit që i lindi pas vdekjes mbretit hungarez Andrea II. Më pas ajo do të bëhej nëna mbretëreshë e mbretit Andrea III e do të kthehej në Venedik, pasi mbeti vejushë, më 1311, çka i bije jo pak kambanës së ambicjeve që kishte familja e saj. Vetëm Alberto Morosini, i cili qëndroi në Zarë për të administruar dukatin në emër të së motrës, bëri një lëvizje jo të keqe tek i ofroi dorën e së bijës Ladislavit II, djalit të Stefan Dragutinit, mbretit të Serbisë. Dy anëtarë të tjerë të familjes, Ruggiero dhe Teofilo Morosini u zgjodhën disa herë kontë të Zarës, duke lidhur me dëshirë marrëveshje me Subiçët, të parët e Kroacisë e të Bosnjës hungareze nën titujt e kontëve të Bribirit dhe të Trogirit. Nisma të tilla nuk pëlqeheshin aspak nga qeveria venedikase.

Shpirti i unitetit që kishte kasta bujare dh-* ndjenja e kohezionit e bashkësisë kombëtare dolën fatale për Jacopo Tiepolon: djali i dogjës Lorenzo, që ishte martuar me Mara Subiçin, u mënjanua përfundimisht nga gara për magjistraturën supreme. 41 zgjedhësit parapëlqyen të zgjedhin Pietro Gradenigon, anëtar i një klani rival, një burrë i ri 38- vjeçar, një përjashtim i madh për gerontokracia fisnike që ndodhej në pushtet. Tani kjo traditë u ndërpre brutalisht, edhe pse shumë kohë më pas babai i mbretit të fundmë të Italisë, Viktor Emanuelit III, u martua me Helena Petroviçin, trashëgimtare e një fisi me emër malazez.

Ky risim institucional që shoqëronte mbylljen e dyerve të Këshillit të Madh për ata që nuk e dëshmonin dot prejardhjen aristokrate “si nga ana e atit ashtu dhe nga ajo e nënës”, u dyfishua me vetëdijësimin për vlerat e veçanta që kishte një elitë venedikase e kthyer në minoritet brendapërbrenda një perandorie të madhe koloniale. Atëherëlufta për ndikim kulturor e fetar ravijohet më saktësisht: kështu p.sh. qeveria i kërkon Begnacia Nemanjës që ta ndryshojë emrin në Agnese, emër tipik venedikas, “pasi emrat e huaj nuk mund të mbahen më në fisnikërinë e Venedikut”. Në vitet 1210, një ngjarje e shënuar e kishte tronditur Senatin: atëherë kur në shenjë falenderimi për një bashkëpunim mjaft efikas kundër Bizantit por edhe kundër hungarezëve, venedikasit i propozojnë papës Honorius III që t’i vendosë kurorën mbretërore Stefanit II të Serbisë më 1217. I mrekulluar nga ky fat i papritur, papa gjen në Ballkan një mbrojtës të katolicizmit, mirëpo i vëllai i këtij mbreti, kryepeshkopi Sabbas, e refuzon këtë kundërgoditje. Ai arrin ta bindë mbretin Stefani II i Kurorëzuari i Parë (prouencani) që të shenjtërohet në tokë serbe në manastirin e Zicës, i cili do të bëhet mazoleu i mbretërve të shenjtë të Serbisë. Kështu Stefani, mbreti themelues i dinastisë së Nemanjës, dhe i vëllai Sabbas, organizatori i kishës autoqefale të Serbisë më 1219, e futin mbretërinë e vogël të Serbisë në rrugë të reja.

Tërë vendet e lagura nga Adriatiku pësojnë në fund të shekullit XIII përmbysje të mëdha.

Tirania që ushtronin Subiçët, kontë të Bribirit dhe zotërinj të Dalmacisë kontinentale përreth luginës së Cercës pranë Bribirit dhe Ostrovicës, i shtyu fqinjët e trembur që të hynin në një luftë feudale për të ruajtur trashëgiminë e tyre. Më 1272 kjo familje shtie nën kontroll Shebenikun pastaj Traun, Spalaton dhe Nonën, ndërsa përfaqësuesit e saj i detyrojnë banorët që të zgjedhin si kont dhe mbrojtës të tyre atë që i ka dhënë vetes titullin e banit trashëgimtar të Kroacisë dhe Dalmacisë. Duke ia pasur frikën fuqisë së komunave qytetare të mbështetura nga Republika e Venedikut, Subiçëve në radhë të parë, bani Mladen II e pastaj Gjorgji II ngritën një principatë autonome që u bënte hije fqinjëve të fuqishëm.

Familjet e mëdha feudale të kësaj treve i kundërviheshin pushtetit të komunave borgjeze qytetare të mbështetura nga Venediku dhe kërkonin përkrahjen vendimtare të aristokracisë latifondiste të afërt me banin përfaqësues të mbretit Andrea të Hungarisë. Kundërshtarët më të rreptë të dogjës janë Subiçët, sundimtarë të një territori të madh që përfshinte Shebenikun, Zarën, Spalaton, Traun. Guvernatori (bani) i Kroacisë, Paolo Subiç (1273-1312) kishte zgjuarsinë politike që të kërkonte marrjen e qytetarisë venedikase mbasi ishte martuar me një Tiepolo, çka i mundësoi të përbetuarit arratiak Baiamonte Tiepolo që të strehohej në tokat e tij.

Qysh nga vdekja e mbretit të Hungarisë Andrea III, të mbramit të Arpadëve, Anzhuinët e Napolit rivendikuan fronin e Hungarisë, kurse Subiçët shtinë në dorë Zarën më 1311. Bani Paolo Subiç u bë, përkrah të birit Mladen, guvernator, “kont i Zarës, princ i Dalmacisë dhe zëvendës-ban i Bosnjës”. Në Venedik kjo u prit me shushatje; nuk do të kalonin shumë muaj e reagimi do të vinte. Duke përfituar nga turbullirat që ndoqën vdekjen e Paolo Subiçit më 1213, i cili e la Mladenin II të ngatërruar në një luftë dinastie, Venediku kaloi në sulm dhe pushtoi Zarën më 1313. Përmbajtja e marrëveshjes që u nënshkrua më 23 shtator 1313 nxjerr në pah një mënyrë të sjelluri mjaft të pazakontë të venedikasve. Pikësëpari ata nuk kërkojnë marrje pengjesh nga kampi i të mundurve. Më pas pranojnë që përfaqësues vendas tëmarrin funksione, në kurriz të administratorëve që i delegon Këshilli i Madh. Së fundi autoriteti i kontit venedikas është i kufizuar, pasi ai duhet të mbajë parasysh statutet e qytetit të cilat u hartuan nga një markezan më 1312; sidoqoftë vetëm dogja dhe komuna e Venedikut kishin të drejtë të mbanin titullin e kontit të Zarës.

Duke dashur të japë një provë të shkathtësisë politike me pranimin e një kompromisi, qeveria venedikase tregon njëkohësisht dobësinë e saj e pasojat kanë për t’u ndjerë më pas. Konti që përfaqëson komunën e Venedikut luan një rol të ndjeshëm në lokalitetet fqinje. Në krye venedikasit e vënë popullin të zgjedhë një kont të përzgjedhur midis katër anëtarëve të fisnikërisë lokale besnikë ndaj Venedikut.

Kjo zgjedhje miratohet pastaj nga Senati, mbasi që konti është betuar për besnikërinë e tij ndaj fuqisë mbrojtëse; kështu ishte rasti dhe në Arbo më 1118. Konti është personalisht përgjegjës për miradministrimin e mandatit të vet të përkohshëm. Shpesh zgjedhja e autoriteteve bie mbi venedikas pjesëtarë të fisnikërisë të ngulitur në vendin përkatës: Domenico Morosini u zgjodh kont i Arbos e pastaj i Zarës më 1150, i vëllai në Ossero më 1160, i biri Ruggero më 1205. Lidhjet me elitat lokale përforcohen: më 1268 Leonardo Michiel kont i Osseros martohet me Desën, të bijën eZhupanit të Serbisë, ndërso Nicolo Michiel konti i Arbos martohet me një vajzë të mbretit të Hungarisë Ladislav II.

Mbas vitit 1278, Këshilli i Madh i Venedikut vendos që tanimë kontët e Dalmacisë të zgjidhen ndër anëtarët e Këshillit të Madh të fisnikëve të Venedikut, e pastaj, vitin në vijim, flitet për zgjedhje me votë të fshehtë e për mandat të përkohshëm, në mënyrë që të mënjanohet përçimi i trashëgueshëm i funksionit.

Konti duhet të banojë në lokalitetin dalmat që administron, ai shoqërohet prej një oborri të përbërë nga një kapiten, një kancelar, një noter dhe një kapelan, që bëjnë pjesë në curza-n ekzekutive e cila përfshin gjykatësit e qytetit dhe anëtarët e këshillave të mëdhenj e të vegjël. Shpesh titulli i kontit.bashkohet me titullin e titullarit të funksionit mbikëqyrjen policore të përgjithshme në lokalitet, por edhe në det. Për këtë qëllim ekziston një flotilje e vogël me disa pak lundra, që i shërben si mbrojtjes së lundrimit ashtu dhe tregtisë së veçantë që ushtron konti. Këta administratorë kanë punë plot në këto rajone, për arsye se autoriteti i Venedikut shpesh kundërshtohet nga fisnikëritë vendase që nuk e pranojnë aq lehtë tkurrjen e privilegjeve të tyre.

Më 1322 shpërthen lufta dhe Venediku e mposht Mladenin që vritet në betejë e pastaj dy vjet më vonë, edhe Gjorgjin. Një aleancë e papritur midis mbretit të Hungarisë, Venedikut dhe komunave dalmate ngadhënjen mbi këtë dinasti; ata që mbijetojnë prej saj vendosen në Clissa deri në mes të shekullit XV.

Ai shekull do të bëhej për Venedikun një epokë shkëlqimi që ngjalli xhelozinë e shteteve mesdhetare. Gjenovezët, të poshtëruar pas disfatës që pësuan në Shën Joan i Akrit (1258) lidhën me bizantinët një aleancë që do të çonte në rimarrjen e Konstandinopojës më 1261. Kështu do të vijë një periudhë tensionesh që çel luftën kundër bizantinëve, aqsa Venediku mendon të marrë pjesë në një ripushtim ushtarak që e propozon Karl Anzhuja më 1281.

Mbrëmësoret Siqeliane, në vitin në vijim e detyrojnë Republikën që t’i hyjë një faze negociatash që përmbyllen me sukses. Kjo e vë në pikëpyetje pozicionin e volitshëm të gjenovezëve që reagojnë fuqishëm: atëherë fillon një konflikt tepër i gjatë, aq sa disa historianë flasin për një luftë njëqindvjeçare, e cila i vë përballë gjenovezë e venedikas nga Krimeja në ishujt dalmatë.

Adriatiku, një fushë e mbyllur ku zhvillohen dyluftimet mesjetare, është një teatër i paracaktuar për gjithëfarësoj luftërash. Ngushtica e hapësirës duket sikur lehtëson përplasjen e flotave kundërshtare: kujtojmë që bregdeti lindor përthyhet mrekullisht, është i mbushur me një sërë limanesh dhe ishujsh që i bëjnë mjaft të mbara pusitë, kurse bregdeti perëndimor përballë është i zhveshur nga strehët mbrojtëse pothuajse në gjithë gjatësinë e vet dhe i braktisur nga erërat shtytëse në lundrim. Sido të jetë, kalimi i Adriatikut përbën një veprim të kuturisur e Venediku nuk mund të mos përfitojë nga ajo vendndodhje e admirueshme që kanë ishujt e atij bregdeti aq të lakmueshëm për bazat e tij cilësore, siç është ajo i Curzolës.

Të gjitha përçapjet nxjerrin në pah vullnetin për arritjen e hegjemonisë mbi transportet detare në drejtim të Levantit. Në Gjenovë ngadhënjimi mbi konkurrentët e afert ose të largët, pizanët dhe venedikasit, zgjon gjithëfarëlloj shpresash, mirëpo ndërkohë që disfata e Pizës është e plotë mbas vitit 1284, ajo e Venedikut është vetëm kalimtare. Në të vërtetë, gjenovezët as që do t’i shijojnë frytet e fitores së tyre, pasi paqja e Milanos, që u lidh falë ndërmjetësimit të Matteo Viscontit, nuk është se i favorizon shumë në Mesdheun lindor dhe në Adriatik: venedikasit përfitojnë prej saj, diçka e pashpresuar, të drejtën e hyrjes në Detin e Zi e njëkohësisht mbrojnë pozicionet në gjirin e tyre.

Skuadrilja e këtij gjiri, e parashikuar në paqen e Milanos (1299) të nënshkruar midis Gjenovës dhe Venedikut, është në ato kohë një mjet konkret për ruajtjen e interesave politike dhe tregtare në Adriatik kundrejt vendeve bregdetase. Komandanti i parë i kësaj skuadriljeje merr urdhra të qarta: “Të sulmohen ata që fusin armë në gjiun e Venedikut deri sa të asgjësohen krejt”. Kjo është si një pasojë e ligjit kundër piraterisë, të miratuar më 1303, i cili i jep përparësi të plotë sigurisë në det. Mirëpo sulmet ndaj anijeve tregtare që cilësohen si kusare nga autoritetet venedikase, kanë të bëjnë më fort me një politikë shantazhi sesa me shërbimin e policisë detare që u është akorduar bujarisht të gjitha vendeve bregdetase.

Ankesat e tregtarëve të vendosur në Ravenë, Ankonë ose Zarë dëshmojnë se veprimi i kapitenit të gjirit nuk arrin t’i fshehë mirë ca synime politike më ambicioze, të cilat kërkojnë të pengohet dinamizmi ekonomik i qyteteve-port në të dy krahët e Adriatikut. E gjitha është në fund të fundit rezultat i marrëveshjeve të shkuara me Fanon prej vitit 1141, pastaj me Ankonën dhe qytetet e Puljes, duke përcaktuar një vijë përjashtuese brenda së cilës mund të zhvillohet vetëm tregtia detare e kontrolluar nga venedikasit. Krejt gjiri mund të mbikëqyret veç me vështirësi, por zonat e ujërave territoriale janë nën një vëmendje të veçantë. Lufta për arritjen e hegjemonisë në Adriatik nuk do të mbyllet me luftën e dytë venediko-gjenoveze (1293-1299). Paqja e Milanos parashikon, ndër klauzolat e përgjithshme, asnjanësinë e Gjenovës në rast konflikti midis Venedikut dhe një fuqie ballkanike.

E ardhmja do të provojë dykuptimshmërinë e këtij pozicioni. Nga ana e vet, Venediku nuk dëshiron të konkretizojë ndonjë ambicje territoriale në Adriatik, porse politika e rafinuar e afrimit ndaj partnerëve vasalë në të dy krahët e gjirit i mundëson metropolit që, në mënyrë metodike e të përkorë të arrijë në autonominë ekonomike dhesigurimin e rrugëve detare. Nganjëherë, sovraniteti venedikas shfaqet me forcën e armëve. Gjatë luftës së shkurtër që kundërvuri Venedikun me patriarkatin e Akuileas gjatë pranverës së vitit 1355, janë kontët venedikas të Arbos dhe të Veglias që nisen nëkrye trupash të rekrutuara në Kroaci dhe në Istrie për të sulmuar Friulin.

Pak më shumë se 10 vjet më vonë, Andrea Michiel, që vazhdon të jetë me detyrë në Arbo, pajis atje dy galera për të luftuar kundër piratëve triestinë. Dështimi i kësaj shpedite e shtyn qeverinë venedikase të nisë trupa në sulm kundër Triestes. Dogja Andrea Contarini kërkon atëherë, në emër të komunës së Venedikut, mobilizim të përgjithshëm në Istrie gjatë dy viteve, më 1368 dhe 1369. Podestatit të Kapodistrias i duhet të radhitet në krah të kapitenit të ushtrisë për të përgatitur një bllokadë detare. Është e qartë që, atëherë kur diplomacia arrin në kufijtë e saj, vihen në veprim administratorët e zotërimeve të përtej detit; të njëjtën situatë e ndeshim edhe në bregun tjetër të Adriatikut.

Mënjanimi i rivalëve: shteti papnor

Si kishin bërë qëndresë për më shumë se dy shekuj, ankonasit më në fund u nënshtruan dhe hoqën dorë nga ushtrimi i tregtisë në Adriatik; prej kësaj kohe mund të flitet vërtet për Dominio venedikas në këtë gji. Për më tepër, është arritur të sigurohet asnjanësia e qytetit në rast konflikti me interesat e Dominantes, sidomos heqja dorë nga ndihma për piratët dalmatë. Traktati i vitit 1264 është një fitore e vërtetë diplomatike që ka për synim të riorganizojë tërësinë e mjeteve venedikase mbas ripushtimit bizantino-gjenovez të Konstandinopojës më 1261. Venediku nuk humbet kohë por përfiton nga njohja e shkëlqyer e problemeve politike në këtë rajon për të përcaktuar një politikë frytdhënëse.

Prej gati një gjysmë shekulli, administratorë venedikas (podestatë) të mandatuar nga qeveria e tyre dalin prej lagunës për të ushtruar magjistratura publike në qytete të shumta të Italisë komunale, të cilat kishin rënë pre e grindjeve klanore e të luftrave feudale. Elita drejtuese e Venedikut gjente në këtë mënyrë mjetin për të siguruar një dominim të kujdesshëm politik dhe lidhje ekonomike me përfitim. Falë kësaj mënyre te vepruari, Venediku lidh mes viteve 1275 dhe 1300 marrëdhënie të privilegjuara me qytetet e Markeve dhe të Pentapolit, në krye të via Emilia-s, fare pranë grykëderdhjes së Posë e në një zonë veprimtarie të dendur detare.

Ndikimi i këtyre podestateve në Istrie dhe në Dalmaci riprodhon procesin që drejtohet me mjaft efikasitet në gadishull: duhen dobësuar aristokratët që i qëndrojnë besnikë mbretit të Hungarisë dhe perandorit, duke favorizuar ngjalljen e ndjenjës bashkësinore të qyteteve të bregut lindor të Adriatikut, që dëshirojnë të shkëputen nga zinxhiri fatal i dhunës. Si është vendosur paqja shoqërore, shkëmbimet e ringjallura ekonomike bëhen në voli të venedikasve, këtyre paqëtuesëve të qyteteve në dy brigjet e detit të “shtëpisë”.

Kontët venedikas të Raguzës, të Zarës ose të Brazës punojnë në bashkëpunim me këshillat autoktone duke përforcuar varësinë ekonomike të këtyre rajoneve. Më anën tjetër, ka dobi mbështetja e revoltës së qyteteve të Markeve kundër hegjemonisë së Ankonës, në përgatitje të marrëveshjes që nënshkruhet në 1269. Podestatët, kontë ose kapitenë, paralajmërojnë, me qasjen e tyre të arsyeshme, një epokë më shtypëse, gjatë së cilës Venediku do të diktojë politikën e vet pa kufizime. Qyteti i bukur i Shën Qiijakut do ta paguajë i pari haraçin e revoltës: venedikasit kanë dërguar podestatë në jug, shumë më tej Ankonës, për t’ia marrë edhe më frymën. Në Porto San Giorgio, dalja në Adriatik e qytetit të Fermos, podestati Renier Zeno, dogja i ardhmë më 1253> bashkë me një nga pasuesit e tij, Lorenzo Tiepolon, edhe ky dogjë më 1268, vënë të ndërtohet një kështjellë e bukur që do të ruajë rrugët tokësore. Deri dhe sot e kësaj dite banorët e këtyre anëve të Markeve, organizojnë në Ascoli Piceno festën e dogjës më 11 korrik. Duke u përpjekur që të kontrollojnë të dy civitates maiores, Fermon, kryeqendrën e marca firmana, dhe Ascoli Picenon, gjithmonë rivale, venedikasit synojnë metropolin e vërtetë të bregdetit Adriatik.

Qeveria venedikase kërkon ndërmjetësimin e podestatëve të vet për të rritur ndikimin politik dhe ekonomik në këtë rajon me vendndodhje mjaft të volitshme. Në fund të shekullit XIII e fillim të shekullit XIV, numri i përfaqësuesve venedikas rritet në mënyrë të ndjeshme në Marke, duke arritur gati 15 për qind të numrit të ofiqarëve përgjithësisht në Itali dhe 35 për qind të numrit të zyrtarëve përtej Terra Fermas të lakmuar nga Venediku rreth e rrotull lagunës. Marrëdhëniet e përzemërta natyrisht që u hapin rrugën shkëmbimeve të frytshme tregtare.

Panairet që janë ngritur në qytetet në jug të Ankonës kontrollohen drejtpërdrejt nga venedikasit. Familje aristokrate lëshojnë rrënjë - gjejmë kështu Venierë dhe Condulmerë - të cilët marrin qytetarinë që u ofrohet miqësisht nga komuna si Recanati dhe Fermo. Pas vitit 1268, ky qytet do të bëhet një aleat besnik i Venedikut i cili i akordon atij mbrojtjen e vet. Në këtë bregdet markezian do të ndërtohen porte të vogla për ta shmangur trafikun që vjen nga Abruzzet nëpër luginat lumore të Musones dhe të Potenzës e për të përgatitur shpeditat drejt Venedikut ose Dalmacisë. Fare pranë qytetit të shenjtë të Lorettos, ku ndodhet shtëpia e Virgjëreshës, një legjende e ardhur prej Orientit që ka kapërcyer Adriatikun, panairi i Recanatit zgjat gati 1 muaj përreth kremtimit të të Ngjiturit të Zonjës në qiell.

Regjistri i doganës së portit përshkruan shkëmbimet tregtare të tranzitit drejt hinterlandit: Ascolit, Fabrianos, Fermos, Osimos dhe Maceratës. Toskanët sjellin pëlhura të Gubbios, verë të Montepulcianos dhe letër të destinuar për tregun ballkanik. Nëkëmbim, ata blejnë lëndë drusore që vjen prej pyjeve të Serbisë, minerale boshnjake dhe djathëra dhe lëkura të Dalmacisë. Shpesh, njësitë matëse janë venedikase dhe ky port i krijuar më 1240 nga ipeshkvi i qytetit në marrëveshje me Venedikun, i bën konkurrencë të drejtpërdrejtë qarkullimit ankonas.

Liga e vitit 1228 që lidh Fanon, pastaj Osimon e Recanatin me Venedikun, shënon qartë vullnetin e këtyre komunave për të shkundur zgjedhën e rivalit të tyre të afërm e luftarak, duke u ofruar venedikasve përjashtimin nga tatimi i ankorimit në portet e tyre dhe përparësi fiskale për transaksione me prodhimet bujqësore në këmbim të mbrojtjes së armatosur, të cilën Serenissima ua fal në mënyrë bujare. Tanimë, transportuesit dhe tregtarët e kësaj treve mund t’i ushtrojnë veprimtaritë e tyre, falë kësaj marrëveshjeje reciprociteti, në pellgun verior të Adriatikut. Mbas traktatit të vitit 1284 i cili konkretizon disfatën e Ankonës, tregtia përtej grykëderedhjes së Trontës e deri në lagunë do të hapet për anijet nga Market.

Duhet pranuar: qeveria venedikase ia arriti ta kontrollojë rrugën detare të lundrimit nga porti në port përgjatë bregdetit perëndimor. Të gjitha masat shtrënguese ndaj Ankonës kishin të bënin me eksportimin e produkteve bujqësore tëMarkeve në drejtim të Lombardisë përmes via Emilia-s në të mirë të lagunarëve. Vera, drithi dhe vaji, të prodhuara në sasi e me emër për cilësinë e tyre, viheshin shpejt në rrugë drejt Dogados ku derdheshin tepricat e një tregu në zgjerim të plotë. Instalimet e thjeshta portore të Fermos nuk e mundësonin akostimin e anijeve me tonazh të madh, kështu që varkat i sillnin mallrat në kuvertë të anijeve venedikase të ankoruara afër bregut për kënaqësinë e veçantë të Këshillit të Madh. Për më tepër, Venediku mori dhe garantimin e ndihmës ushtarake dhe lehtësirave të furnizimit nga portet e Riminit, Osimos dhe Recanatit. Dara rreth Ankonës sa vinte e shtrëngohej më shumë.

Qyteti i Ankonës është mushkëria ekonomike e shteteve papnore, me instalime të mbara portore, me një liman ku vijnë e mblidhen rrugët tokësore nga Toskana, Pulja dhe Umbria, krejt i hapur përkundruall bregut ballkanik mbas marrëveshjeve të paqes e të tregtisë të nënshkruara me Traun më 1236, Zarën më 1288 dhe Raguzën më 1292. Venediku e kupton mirë rëndësinë e këtyre qarkullimeve mbas zisë së tmerrshme të bukës të vitit 1268 që qe një paralajmërim i rreptë i cili tërhoqi edhe një herë vëmendjen e qeverisë kah domosdoshmëria e sigurimit të furnizimit për qytetin, pasi në rast konflikti brendatoka do të ndodhej e kërcënuar.

Kontrolli i Adriatikut u fuqizua pas luftës së Bolonjës dhe paqes që u nënshkrua më 1270 sepse gjatë koncilit të Lionit, papa Gregori X (1271-1276) priti një dërgatë ankonase që kishte ardhur të ankohej kundër masave shtrënguese të diktuara nga venedikasit. Dogja i qortuar nga papa u përgjigj, siç ishte zakoni, se kontrollet qenë vendosur me qëllim që të siguronin mbrojtjen e anijeve dhe mbikëqyrjen e detit në përputhje me delegimin e pushtetit që kishte akorduar papa Aleksandri III dhe perandori Frederik I Barbarosa më 1177, simbolizuar këto me ceremoni martesash në det dhe shpedita kundër piratëve të vendosur në grykëderdhjen e Neretvës.

Pa dyshim, vetëm mbas traktatit favorizues të lidhur me Ankonën i cili sanksiononte mbizotërimin e Venedikut, Dominantja - ky cilësor fillon e shfaqet për herë të parë në aktet zyrtare të vitit 1262 - nisi të organizonte mbikëqyrjen doganore të ujrave territoriale për të garantuar sigurinë e anijeve, por gjithaq edhe për të përballuar trafikun e kontrabandistëve. Dogan