Mjeshtëritë kishin në Arbëri të veriut dhe të mesme një zhvillim modest. Në statutet e Budvës ato as nuk përmenden fare. Në Shkodër lista e mjeshtërive të mirëfillta, që nuk kanë të bëjnë me bujqësinë, është tejet e shkurtër. Në kapituj të veçantë trajtohen vetëm zdrukthtarët, farkëtarët dhe mjeshtërit e çative. Në periudhën venedike u dërguan në Durrës e në Shkodër zdrukthtarë dhe muratorë nga qyteti lagunor për të kryer punime fortifikuese Me sa duket profesionistët e vendit nuk mjaftonin. Por kjo nuk do të thotë se nuk kanë ekzistuar fare mjeshtëritë. Në kadastrën e Shkodrës përmenden këpucarë, zdrukthtarë, bojaxhinjtë dhe furrëtarët. Argjendarët dhe një murator në vitin 1416 bënin pjesë në qytetarët më të kamur të Shkodrës me prona të shumta në krahinë, ishin nganjëherë madje edhe funksionarë e pronarë (“pronarë rrogash ushtrie”). Në Lezhë ndeshet në vitin 1472 një argjendar. Në Raguzë dhe në Venedik jetonin mjeshtër arbër. Veç në atdheun e tyre është vështirë t’i dëshmosh. Ndoshta komunat arbëre ishin shumë të dobëta ekonomikisht për të arritur zhvillimin e një esnafeve të specializuara. Nuk se mungonin talentet, siç e dëshmojnë arbërit e diasporës, por mungonte trualli ushqyes ekonomik.