Materiali që më duket me vlerë më të madhe për të përcaktuar datimin, është ai që mban një kryq. Këtë shenjë e kemi ndeshur në fillim të një mbishkrimi mbi syprinën e një unaze (pajisjet e Komanit, me numër mbi kësulën e një numri të madh vathësh; në objektet e vogla zbukuruese; më në fund, në një ishte gjetur gjithashtu kryqthi i shqyrtuar në nënkapitullin e pajisjeve rastësore dhe fig. 43; dhe një torques i paraqitur në Ekspozitën Misionare të Vatikanit kishte si varëse një kryqth (shih pajisjet e Ekspozitës). A duhet të besojmë se këto kryqe janë për motive të thjeshta zbukurimi, të vëna atje siç do të mund të ishte vënë një zbukurim tjetër çfarëdo? Unë, me thënë të vërtetën, nuk e besoj këtë. Nuk mund të sjellim si argument se kryqin, si motiv thjesht zbukurimi, e ndeshim qysh në epokën paramikenase (për shembull, në qeramikën e shtresave të para të Filakopisë), pasi në këto raste motivi në trajtë kryqi ka një rol tjetër, një vendosje të ndryshme dhe për më tepër kryqi është pothuaj përherë i kulmuar. Më duket se nuk mund t’i drejtohemi as një tjetër shpjegimi, siç do të mund të ishte ai se nekropoli i Komanit i përket ilirëve (ose së paku gjendet në territorin ilir), të cilët i parapëlqenin zbukurimet në trajtë kryqi dhe, si rrjedhim, prania e kryqit mes pajisjeve mortore të Komanit do të motivohej nga parapëlqimi stërgjyshor që njerëzit e atij vendi kishin për një lloj të tillë stolie. Mendoj, në të kundërt, se një qëllim mjaft i dashur për blerësin e objektit e shtynte prodhuesin apo dekoruesin e saj të gdhendte (apo të shtonte, ose të pasuronte) shenjën në trajtë kryqi. Në të vërtetë ne e gjejmë këtë shenjë jo vetëm si motiv zbukurimi, por edhe si objekt më vete në rastin e varëses që mbante një kryq. Veç kësaj kemi parë se një kryq është vënë përpara mbishkrimit të një unaze, për të treguar karakterin që ka ai, siç ndodhte, deri jo shumë kohë më parë, në unazat e vjetra bizantine. Më në fund kemi, gjithashtu, një kryqth të njëmendtë dhe jo me krahë të barabartë, por në formë latine.
Duke arritur në këtë pikë, më duket se nuk duhet vonuar më përtej, për të shprehur atë që unë mendoj rreth kësaj shenje që ndeshet kaq shpesh dhe që qe vënë në objektet me qëllim të dukshëm. Ajo është shenja e krishterë e kryqit dhe është për të treguar religjionin e shpallur nga ata njerëz. Ose prej zellit fetar, ose për t’u dalluar nga fiset e afërta ende paganë, banorët e territorit të Komanit zbukuronin stolitë e tyre, krijonin objekte të posaçme me simbolin më karakteristik të besimit të tyre dhe u paraprinin formulave të veçanta me një shenjë të tillë, për të treguar se ata nuk dëshironin të mbaheshin si paganë. Nëse pranohet si i drejtë apo i mundshëm ky interpretim i shenjës së kryqit, objektet që e mbajnë atë i përshtaten një epoke që pason ardhjen e krishterimit. Nëse pranohet si e vërtetë se Shën Pali ka kaluar nëpër Durrës dhe qysh atëherë shqiptarët e lashtë ndjenë zërin e parë himnizues të religjionit të ri, nuk do të thotë se përhapja e krishterimit do të ketë ndodhur menjëherë. Materiali i varreve të Komanit mund ë dëshmojë se ky religjon do të ketë qenë vonuar të përhapet dhe të rrënjoset në mënyrë kaq të ndjeshme. Rajoni i Dukagjinit, në të cilin gjendet nekropoli ynë, ishte më i veçuar nga qendrat e mëdha të atëhershme dhe prandaj përhapja në ato vende do të ketë ndodhur më vonë. Format e reja fetare do të kenë gjetur popullsinë tepër të rezervuar për të mirëpritur idetë e reja, siç ngjet përgjithësisht pranë njerëzve konservatorë të trashëgimisë kulturore dhe fetare, mes të cilëve sigurisht duhen renditur dhe shqiptarët e çdo kohe.