Ora më e mirë e Ciceros
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Ora më e mirë e Ciceros

SPQR: Viti 63 p.e.s.

Historia jonë e Romës së lashtë fillon në mes të shekullit të parë p.e.s., mbi 600 vjet pas themelimit të qytetit. Ajo fillon me premtimet për revolucion, me një komplot terrorist për të shkatërruar qytetin, me operacione të fshehta dhe deklarata të ashpra publike, me një betejë të luftuar mes romakëve dhe romakëve, në të cilën, shtetasit (të pafajshëm apo jo) u arrestuan dhe u ekzekutuan në masë për llogari të sigurisë së brendshme. Ky është viti 63 p.e.s. Në njërën anë është Lucius Sergius Katilina, një aristokrat i pakënaqur, i falimentuar dhe arkitekti i planit për të vrarë zyrtarët e zgjedhur të Romës dhe për të djegur qytetin - me synim fshirjen e të gjitha borxheve, të të pasurve dhe të të varfërve. Në anën tjetër është Markus Tulius Cicero (thjesht Cicero tani e tutje), orator i famshëm, filozof prift, poet, politikan, njeri plot me batuta dhe shaka, i cili ishte një nga ata të shënjuarit për t’u vrarë - dhe ai që nuk pushoi kurrë së përdoruri talentin e tij si orator për t’u mburrur me atë se si e zbuloi planin e tmerrshëm të Katilinës dhe shpëtoi shtetin. Kjo ishte ora e tij më e mirë.

Në vitin 63 p.e.s., qyteti i Romës ishte një metropol i stërmadh me më shumë se një milion banorë, më i madh se çdo qytet tjetër në Europë deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë; dhe, megjithëse Roma nuk kishte ende perandor, ajo sundonte mbi një perandori që shtrihej nga Spanja deri në Siri, nga Jugu i Francës deri në Sahara.

Qyteti ishte një përzierje e luksit dhe pisllëkut, lirisë dhe shfrytëzimit, krenarisë qytetare dhe luftës civile vrastare. Në kapitujt vijues ne do të shikojmë shumë më pas, te fillesat e kohës romake dhe te zgjerimet e para, luftarake ose jo, të popullit romak. Ne duhet të mendojmë se çfarë gjendet pas disa prej atyre rrëfenjave mbi Romën e hershme, të cilat godasin edhe sot, nga ‘Romuli dhe Remi’ te ‘Përdhunimi i Lukrecias’ dhe do të shtrojmë pyetjet që historianët kanë ngritur që nga vetë lashtësia. Si dhe pse një qytezë e vogël dhe e zakonshme në Italinë Qendrore u rrit kaq shumë, më shumë se çdo qytet tjetër në Mesdheun e lashtë dhe mori nën kontroll një perandori të tillë të stërmadhe? Çfarë të veçante kishin romakët? Por në historinë e Romës ka shumë pak kuptim të niset historia që në fillesat e saj.

Vetëm në shekullin e parë p.e.s. ne mund të fillojmë të eksplorojmë Romën përmes syve të kohës, nga afër dhe me detaje të gjalla. Pasuri e jashtëzakonshme fjalësh ka mbijetuar prej kësaj periudhe: letra private dhe fjalime publike, filozofi dhe poezi - epike dhe erotike, fjalë njerëzish të ditur dhe njerëzish të zakonshëm rruge. Falë të gjithë kësaj, ne kemi mundësi edhe sot të gjurmojmë pazaret dhe marrëveshjet e të mëdhenjve të politikës së Romës. Ne mund të përgjojmë kompromiset e pazaret, si dhe të dallojmë thikat në kurriz, ato metaforiket dhe ato realet. Madje, mund të shijojmë edhe jetët e tyre private: zënkat martesore, problemet me paranë, trishtimin nga vdekja e fëmijëve të dashur ose me raste, të skllevërve të dashur. Ne nuk kemi mundësi të njohim kaq mirë ose në mënyrë kaq intime asnjë periudhë tjetër të mëhershme në historinë e Perëndimit (nuk kemi të dhëna kaq të pasura dhe të larmishme nga Athina klasike). Dhe në një mijë vitet pasuese, deri në botën e Firences së Rilindjes, nuk kemi asnjë vend tjetër që mund ta njohim në detaje të tilla të imta. Gjatë shekullit të parë p.e.s., vetë shkrimtarët romakë filluan për herë të parë të studionin shekujt e mëparshëm të qytetit dhe perandorisë së tyre në mënyrë sistematike. Kurioziteti mbi të shkuarën e Romës natyrisht që shkon shumë më pas se kjo periudhë: ne ende mund të lexojmë, për shembull, një analizë të ngritjes së qytetit në pushtet që u shkrua nga një banor grek në mes të shekullit të dytë p.e.s. Por vetëm nga shekulli i parë p.e.s. studiuesit dhe kritikët romakë filluan të shtrojnë shumë nga pyetjet historike që ne vijojmë t’i shtrojmë edhe në kohën tonë. Përmes një procesi që kombinonte kërkimin studioz dhe një dozë të konsiderueshme sajese konstruktive, ata mblodhën së bashku një version të historisë së Romës së hershme mbi të cilin ne ende mbështetemi. Ne vijojmë ta shohim historinë e Romës, së paku pjesërisht, përmes syve të shekullit të parë p.e.s. Ose, që ta themi në një mënyrë tjetër, historia e Romës, siç e dimë ne, filloi këtu.

Viti gjashtëdhjetë e tre p.e.s. është i rëndësishëm në atë shekull vendimtar. Ishte një kohë thuajse katastrofë për qytetin. Përgjatë një mijë viteve që ne do të eksplorojmë në këtë libër, Roma u përball me rrezik dhe disfata shumë herë. Për shembull, rreth vitit 390 p.e.s., një grup plaçkitësish galezë pushtuan qytetin. Ne vitin 218 p.e.s. komandanti kartagjenas, Hanibali, kapërceu me bujë Alpet me tridhjetë e shtatë elefantët e tij dhe u shkaktoi humbje të tmerrshme romakëve para se ata të arrinin ta mposhtnin. Vlerësimet romake për humbjet në Betejën e Kanës, deri në 70 mijë të vdekur brenda një pasdrekeje të vetme, e bënë atë gjakderdhje po aq të madhe sa Getisburgu apo dita e parë e Somës, e ndoshta edhe më të madhe. Dhe, pothuajse po aq frikësuese në imagjinatën e Romës, në vitin 70 p.e.s., një forcë e sajuar ish-gladiatorësh dhe të arratisurish të tjerë, nën komandën e Spartakut, rezultuan më se të aftë për t’u përballur me disa legjione të keqstërvitura. Romakët nuk qenë kurrë aq të pamposhtur në betejë nga sa ne kemi prirjen të supozojmë apo nga sa ata pëlqenin ta tregonin veten. Në vitin 63 p.e.s., gjithsesi, ata u përballën me armikun e brendshëm, një komplot terrorist në zemër të establishmentit romak.

Historia e kësaj krize ende mund të ndiqet deri në detajet më të vogla, nga dita në ditë e me raste nga ora në orë. Ne dimë ekzaktësisht se ku ndodhi shumica e ngjarjeve dhe në disa prej këtyre vendeve ende mund të shohim diçka nga të njëjtat monumente që dominonin skenën në vitin 63 p.e.s. Mund të ndjekim serinë e operacioneve që i dhanë Ciceros informacionin mbi komplotin dhe të shohim se si Katilina u detyrua të largohej nga qyteti për tek ushtria e tij e sajuar në veri të Romës, ku hyri në betejë me legjionet zyrtare të Romës, betejë që i kushtoi jetën. Gjithashtu mund të dallojmë edhe disa nga argumentet, polemikat dhe pyetjet më të mëdha që ngriti kjo krizë dhe që vijon të ngrejë edhe sot.

  1. Harqet e rënda dhe kolonat e “Tabularium”, mbi të cilin është ndërtuar Palazzo i Mikelanxhelos sipër, është ende një pikë referimi në njërën anë të Forumit të Romës. Ndërtuar vetëm disa dekada para se Cicero të ishte konsull në vitin 63 p.e.s., ajo duhet të ketë qenë një nga zhvillimet arkitekturore më të shkëlqyera të kohës. Funksioni i saj është më pak i qartë. Dukshëm ajo ishte një ndërtesë publike, por jo domosdoshmërish’Arkiva” (tabularium) siç supozohet zakonisht.

Përgjigjja e ashpër e Ciceros - përfshirë ekzekutimet në masë -përfaqësonin në mënyrë të zymtë çështjet që na shqetësojnë ne edhe sot e kësaj dite. A është e ligjshme të eliminosh ‘terroristët’ jashtë procesit të rregullt ligjor? Deri në çfarë pike duhet të sakrifikohen të drejtat civile në interes të sigurisë së brendshme? Romakët nuk pushuan kurrë së debatuari ‘Komplotin e Katilinës’ siç u njoh ai më vonë. A ishte Katilina tërësisht i keq apo ka diçka që mund të thuhet në mbrojtje të asaj që ai bëri? Me çfarë çmimi u shmang revolucioni? Ngjarjet e vitit 63 p.e.s. dhe shprehjet frazeologjike të krijuara në atë kohë, vijuan të përdoren përgjatë të gjithë historisë së Perëndimit. Disa nga fjalët që u thanë në debatet e tensionuara që pasuan zbulimin e komplotit vijojnë të gjejnë një vend, ekzaktësisht siç u thanë, në retorikën tonë politike dhe vijojnë, siç do ta shohim, të shfaqen nëpër pankarta dhe banderola e madje edhe në “tweet-et”e protestave politike moderne.

  1. SPQR gjendet sot nëpër të gjithë qytetin e Romës, mbi çdo gjë, nga kapakët e pusetave dhe kazanët e plehrave. Ai mund të gjurmohet pas në kohën e Ciceros, duke u bërë një nga akronimet më jetëgjata në histori. Është e kuptueshme që ky akronim ka shkaktuar edhe parodi. 'Sono Pazzi Questi Romani' është parodia e parapëlqyer italiane: ‘Këta romanët janë të çmendur’.

Cilado qofshin të mirat dhe të këqijat e tij, ‘Komploti’ na dërgon ne në qendër të jetës politike të Romës në shekullin e parë p.e.s., te konventat, polemikat dhe konfliktet. Në këtë mënyrë, ai na lejon ne të dallojmë veprimet në ‘Senat’ dhe në ‘Popullin e Romës’ - dy institucionet, emrat e të cilave janë të mishëruara në titullin tim, SPQR (Senatus Populus Que Romanus). Individualisht dhe në disa raste në kundërshti të hidhura, këto qenë dy burimet kryesore të autoritetit politik në Romën e shekullit të parë p.e.s.. Së bashku ato formonin sloganin e thjeshtëzuar të pushtetit legjitim në shtetin e Romës, një slogan që jetoi përgjatë të gjithë historisë së Romës dhe vijon të përdoret në Italinë e shekullit të XXI të e.s. Akoma më gjerësisht, senati (minus Populus Que Romanus) u ka dhënë emrin e vet asambleve ligjvënëse moderne në të gjithë botën, nga SHBA-ja deri në Ruanda.

Trupa e personazheve në këtë krizë përfshin disa nga figurat më të famshme të historisë së Romës. Gaius Julius Cezari, në atë kohë në të tridhjetat, bëri një kontribut radikal në debat mbi atë se si duhet të ndëshkohen komplotistët. Markus Licinius Krasi, plutokrati Romak, i cili në mënyrë famëkeqe komentoi se askush nuk mund të konsiderohet i pasur në rast se nuk i ka paratë për të pasur një ushtri të vetën private, luajti një rol misterioz pas kuintave. Por në qendër të skenës, si kundërshtari kryesor i Katilinës, ne gjejmë një person, të cilin është e mundshme ta njohësh më mirë se çdokënd tjetër në të gjithë botën e lashtë. Fjalimet, esetë, letrat, barsoletat dhe poezitë e Ciceros ende vijojnë të mbushin dhjetëra volume në tekste të shtypura të kohës sonë. Nuk ekziston askush tjetër në antikitet deri në kohën e Agustinit - shenjtorit kristian, teologut profilik dhe vetëkontrollues entuziast - 450 vjet më vonë, jeta e të cilit është dokumentuar në publik dhe në privat mjaftueshëm sa të jesh në gjendje të rindërtosh një biografi të vlefshme në kuptimin modern të fjalës. Dhe në përgjithësi ne arrijmë ta shohim botën e Romës së shekullit të parë p.e.s. dhe shumicën e historisë së qytetit deri më sot përmes shkrimeve, syve dhe paragjykimeve të tij. Viti 63 p.e.s. ishte një pikë kthese në karrierën e tij: punët nuk qenë kurrë kaq mirë për Ciceron që nga ajo ditë e më pas. Karriera e tij përfundoi në dështim njëzet vjet më vonë. Sërish me vetëbesim mbi rëndësinë e tij, me raste një emër i rëndësishëm, por kurrë më një figurë e klasit të parë, ai u vra gjatë luftërave civile që pasuan vrasjen e Jul Cezarit në vitin 44 p.e.s., ku koka dhe dora e tij e djathtë u ngulën në qendër të Romës që ta shihnin të gjithë dhe ta gjymtonin e sakatonin atë.

Vdekja e lemerishme e Ciceros paralajmëroi një revolucion edhe më të madh në shekullin e parë p.e.s., i cili filloi me një formë të pushtetit politik popullor, ndonëse jo ekzaktësisht një ‘demokraci’ dhe përfundoi me një autokrat të vënë në fron dhe me një Perandori Romake nën sundimin e një njeriu. Megjithëse Cicero mund ta kishte ‘shpëtuar shtetin’ në vitin 63 p.e.s., e vërteta është që shteti në formën që ai e njihte, nuk do të mbijetonte edhe për shumë kohë. Një revolucion tjetër shihej në horizont, i cili rezultoi më i suksesshëm sesa ai i Katilinës. ‘Senatit dhe Popullit të Romës’ iu shtua shpesh figura mbizotëruese e ‘perandorit’, mishëruar në një seri autokratësh, të cilët qenë pjesë e historisë së Perëndimit, të lavdëruar dhe të sharë, të respektuar e të injoruar për shekuj. Por kjo do të trajtohet më vonë në SPQR. Tani për tani ne duhet të ulemi në një nga momentet më mbresëlënëse më me mish dhe më zbuluese në të gjithë historinë e Romës.

info@balkancultureheritage.com