Oriku
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Oriku

Oriku ndodhet në skajin jugperëndimor të gjirit të Vlorës, rrëzë Maleve të Karaburunit (Akrokerauneve). Qyteti është mëse i përshtatshëm si bazë detare, çka kuptohet nga luftimet e Cezarit me Pompeun, më tej nga kthimi në kantier anijesh dhe kryeurë prej Sulltan Sulejmanit në tentativën për të zbarkuar në Pulje dhe së fundi nga dislokimi në të i flotës nëndetëse sovjetike të Mesdheut në vitet 50 të shekullit të shkuar.

Trualli ku ndodhet kodra që mbart qytetin është një gadishull i lidhur me tokën me një rrip të ngushtë e të gjatë ranor, 2,2 km të gjatë. Në veri të tij ndodhet deti dhe në jug ujërat e lagunës së Dukatit e cila bashkohet me detin me dy kanale.

Historia

Themelimi i tij duket se shkon në gjysmën e dytë të shekullit të VIII p.e.sonë dhe duhet të ketë qenë vepër e eritreasve të ardhur nga Eubea: sipas Stefan Bizantinit, s. v. Amantia dhe Pseudo-Skymnit (rreshtat 441-443) këta eubeas duhet të kenë qenë vendosur këtu pas kthimit nga lufta e Trojës. Krahas kësaj ardhjeje legjendare para fundit të mijëvjeçarit të II p.e.sonë, duhet pranuar se ka patur edhe një vendosje të dytë në momentin kur fillon kolonizimi eubeas në Perëndim (Pitekusi duke filluar nga viti 770, pastaj Korkyra dhe Oriku pas vitit 750). Për një kohë të gjatë, Oriku mbetet një qendër tregtare e thjeshtë, një port (limen, thonë Hekateu i Miletit, sipas Stefan Bizantinit, dhe Herodoti, IX, 93), ndërsa Apollodori (i cituar nga Stefan Bizantini, s. v.Amantia) e quan atë polis. Në shekullin e IV, Oriku duket se ka patur lidhje të ngushta me Korkyrën : në një pllakëz orakullore të Dodonës (SEG 23 (1968), 474, rimarrë nga E. Lhote, Les lamelles oraculaires de Dodone, n° 2) e datuar në gjysmën e dytë të shekullit të IV p.e.sonë, «korkyrasit dhe orikasit pyesin Zeusin Naios dhe Dionen se cilës hyjnie apo heroi duhet t’i bëjnë flijime dhe t’i drejtojnë lutje për të qeverisur në mënyrën më të mirë dhe në siguri të plotë shtetin e tyre» ; a duhet menduar për një sympoliti të vërtetë midis Korkyrës dhe Orikut dhe se ata kanë qenë një polis i vetëm? Kjo gjendje duket se ka vazhduar gjatë: në dekretin e korkyrasve për të njohur garat dhe azilinë e sanktuarit të Leukofrienesë në Magnezinë e Meandrës (O. Kem, Inschr. Von Magnesia, n° 32), orikasit dalin (rreshtat 45-46) në fund të dekretit të korkyrasve për të miratuar këtë vendim. Kjo do të thotë se Oriku nuk është përthithur tërësisht nga qyteti i Korkyrës, ai miraton nga ana e vet vendimin, por në të vërtetë si një aleat i afërt i Korkyrës.

Duke filluar nga shekulli i II para Krishtit, Oriku është në qendër të konflikteve midis Maqedonisë dhe Romës. Në vitin 214, Filipi i V e pushton qytetin, por dështimi i tij në Apoloni e detyron që të kthehet në Maqedoni nëpër male dhe Oriku shërben si liman dimërimi për flotën romake (Tit-Livi, XXIV 40). Në vitin 211, mbreti maqedon ndërmerr një ekspeditë të re në territorin e Apolonisë dhe të Orikut (Tit-Livi, XXVI, 25, 1-3). Më 194, pas fitores së Flamininit ndaj Filipit V në Kinocefale dhe vendimit për tërheqjen e legjioneve romake nga Greqia, konsulli i urdhëron ato që nëpërmjet Thesalisë dhe Epirit të mblidheshin në portin e Orikut (Tit-Livi XXXIV, 50, 10-11 dhe 52,1). Porti shërben me shumë gjasë përsëri gjatë luftës kundër Antiokut të III dhe gjatë luftës së lll të Maqedonisë.

Oriku figuron në listën e madhe të Tearodokëve të Delfit (në IV, 43) midis shtesave të bëra pa dyshim në fillim të shekullit të II para Krishtit.

Porti rikthehet në skenën politike gjatë luftës civile midis Cezarit dhe Pompeut, në dimrin e viteve 49-48. Pas zbarkimit jo në kohë të përshtatshme të trupave të Cezarit në Paleste, në jug të qafës së Llogarasë që legjionet duhet ta kalonin, Oriku pushtohet prej tyre, por disa javë më vonë Pompeu e rimerr atë dhe i djeg anijet e Cezarit që ishin aty. Pas betejës së Farsalës, Oriku përjeton një periudhë të gjatë paqeje, e vendosur nga romakët; porti është aktiv, falë pozicionit të tij të shkëlqyer në brendësi të një gjiri të mbrojtur mirë nga erërat e perëndimit dhe të veriut nëpërmjet maleve Akrokeraune.

Fortifikimi

Muri mbrojtës (rreth 950 m) rrethonte kodrën në rrëzë, ku shpatet e saj takonin truallin e sheshtë, duke arritur një sipërfaqe 5 ha. Sipas Cezarit muret të përforcuar prej kullash përçaheshin nga një sërë portash (B Civ.III 11. 3.4). Muret 3,50 m të gjerë janë punuar me blloqe gëlqerore të latuara në formë drejtkëndëshi (0,6 - 1,1 x 0,45 m) të vendosura në rreshta horizontale. Nga rrjeti urbanistik ruhen disa rrugë (2,40 m) të gdhendura në shkëmb.

Porti i brendshëm (portus introitus) i Cezarit (B. Civ.III, 7, 8, 11-16, 23, 34, 39,40. 78. 90) lokalizohet në lagunën 2,2 km të gjatë dhe 1,2 km të gjerë, e cila ka formën e një trekëndëshi me bazën nga deti, prej të cilit ajo ndahet prej rripit ranor. Në brendi të lagunës, nën pasqyrën e ujit, shihen gjurmët e një muri 1,80 m të gjerë, gjasisht bankinës për akostimin e anijeve.

Teatri

Teatri i Orikum; e ndërtuar në mes të shekullit III p.e.sonë, dhe e rindërtuar
Në shekullin I e.sonë

Teatri ndodhet në anën lindore të qytetit, me skenën e orientuar nga lindja. Prej teatrit është zbuluar vetëm orkestra dhe pjesërisht cavea. Orkestra gjysmërrethore (diametri 9,40 m) dhe e mbuluar me pllaka guri qarkohej nga kanali i largimit të ujërave. Anash saj vijonin dy korridoret e hapura për kalimin në teatër.

Orkestra ndahet prej cavea-s nga një xokol 1,57 m i lartë. Cavea ndahet në dy meniana, e para e gdhendur në shkëmb dhe tjetra e mbështetur mbi një konstruksion mbajtës muresh perimetrale dhe rrezore të cilat krijonin seksione të mbushur me dhe. Cavea përbëhet prej shkallëzimeve (0,16 x 0,8- 1 m) për vendosjen e ndenjësve prej guri me profil të lakuar (0,40 x 0,50 m) dhe cyma reversa. Ndenjëset janë punuar një cope me mbështetësen e pjerrët të shpinës.

Për kalimin e spektatorëve shërbenin dy korridore, në fillim të cavea-s dhe në ndaijen e menianave dhe 3 shkallë (1 m). Fillimet e tyre dhe mbështetëset e dorës së ndenjësve të radhës së parë janë zbukuruar me putra sfinksi. Bazuar në gjurmët e sotme, teatri ka pasur kapacitet rreth 600 spektatorë, çka e bën rolin e tij real të paqartë. Gjetjet dhe arkitektura e datojnë atë në shek. I.

Gjetjet arkeologjike

Fragmente të pakta enësh me figura të zeza (shek V/IV p.e.sonë), qeramikë ndërtimi, amfora dhe terrakota të shek. IV/III- p.e.sonë, qeramikë ndërtimi, amfora, klikë të shek I-IV. Në nekropolin në jugperëndim të qytetit janë gjetur varre me inventar të shek. III-II p.e.sonë.

Identifikimi

Laguna, për ku kalohej lehtë nëpërmjet kanalit, u siguronte anijeve mbrojtjen e plotë si nga tallazet e detit, ashtu dhe nga sulmet. Kjo pozitë, pishat e larta të Akrokerauneve dhe sera e Selenicës kanë përkrahur industrinë e ndërtimit të anijeve, që krahas shftytëzimit të kavove të gurit përbënin burimin ekonomik për këtë qytet pa hinterland bujqësor.

Oriku përmendet prej Hekateut (IX 93) në shek. e IV p.e.sonë, sipas të cilit këtë qytet në shek. V p.e.sonë, e përshkruante Herodoti. (Step .s.v.Orikos, Eustath Dion .Per.321).

Sipas Kalimahu-t (Steph. s.v. Abantis) dhe Pseudoskylaksi-t, të bazuar në autorë më të vjetër, Oriku banohej nga Amantët (Scyl 26). Në të kundërt me Apoloninë e Dyrrahun, autorët e vjetër nuk e përmendin Orikun si ngulim helen. Nga autorët e mëvonshëm Orikum e përmend si koloni Apoloni i Rodit (shek.III p.e.sonë F.H.G.IV 1216) dhe si koloni eubease historianët romakë (Lukan III187, Pseudo Skymn 441). Rrjedhimisht mendimi tradicional se Oriku ka qenë qytet koloni do parë me mjaft rezervë.

Vendosja e Orikut në jug të gjirit të Vlorës, në një zonë në shikim të parë të papërshtatshme nuk është e rastit. Orikasve të lidhur me tregtinë e hinterlandit, u duhej të largoheshin nga rivaliteti i rrezikshëm apoloniat që do të vinte si pasojë e vendosjes në veri të gjirit, në një zonë më të përshtatshme ekonomike, duke rrezikuar fatin e Thronionit. Rrjedhimisht ata u ngulitën në jug larg Apolonisë në një zonë të mbrojtur nga male të kalueshme me vështirësi, ndonëse të papërshtatshme për bujqësi. Tregtia me hinterlandin amantin u sigurohej atyre nga rruga nëpërmjet qafës së Shëngjergjit, e cila të nxirrte në Shushicë.

Pushtimi i Ilirisë nga Roma nuk solli si pasojë shkatërrimin e Orikut: Në shek. I p.e.sonë. Oriku luan një rol të dorës së parë si kryeurë për zbarkimin e ushtrive të Cezant dhe si bazë kryesore për operacionet drejt veriut (Bell Civ. III 7, 11- 13, 16, 40, 74; App Bell Civ II 54,56). Përmendja në Gjirin e Vlorës vetëm e Orikut nga Mela dhe Plini (Mela II, 3,5,6 Plin NH III, 22) tregon se në shek. I Oriku luante rolin kryesor në gjirin e Vlorës edhe në drejtimin ekonomik. Forcën e tij jetësore e dëshmon veprimtaria rindërtuese pas tërmetit të rëndë të shek. II (Phylost. Vit. Soph. II 1,5,12). Në shek. IV dhe VI qyteti duket rifortifikohet.

info@balkancultureheritage.com