Orosi

Orosi

Paul Orosi ishte nga qyteti Tarrakona i Spanjës, ku ai lindi aty nga fundi i shek. IV të e. sonë. Ai mori këtu një arsim fetar dhe u bë prift. Si i tillë u shqua në luftën kundër heretikëve, sidomos sektit të priscilianistëve, që e kishte qendrën në Spanjë.

Orosi është autor i një vepre historike prej shtatë librash, që mban titullin "Adversus paganos" (Kundër paganëve). Kjo histori, që përshkruan ngjarjet deri në vitin 417, në të cilën përfundoi vepra, i është kushtuar të mirënjohurit mbrojtës të krishterimit Augustinit, dhe kishte për qëllim të çfuqizonte thëniet e paganëve se të gjitha të këqiat, që kishin pllakosur njerëzimin në atë kohë, sidomos sulmet e barbarëve dhe plaçkitjet e rrënimet e tyre, vinin nga mohimi që i bëhej perëndive të vjetra.

Në veprën e Orosit, që është një burim origjinal për ngjarjet e dhjetë vjetëve të fundit të shek. IV dhe vitet e para të shek. V, jepen të dhëna të vlefshme për dyndjet barbare në Ballkan në përgjithësi dhe Ilirik në veçanti.

Për periudhën para tij Orosi është mbështetur në kronikat e Eusebit, Eutropit, Aurel Viktorit, etj.

Historia kundër paganëve

Tani do të tregoj se cilat krahina ndan Danubi nga toka barbare e deri në detin tonë. Myzia kufizohet në lindje me grykën e lumit Danub, në juglindje me Thrakinë, në jug me Maqedoninë, në jugperëndim me Dalmatinë, në perëndim me Histrinë, në veriperëndim me Panoninë, në veri me Danubin. Maqedonia kufizohet në lindje me detin Egje, në verilindje me Thrakinë, në juglindje me Eubenë dhe me gjirin Maqedonas, në jug me Ahenë, në perëndim me malet Akrokeraune, në ngushticat e gjirit Adriatik, male të cilat gjenden kundrejt Apuljes dhe Brundizit, në perëndim me Dalmatinë, në veriperëndim me Dardaninë, në veri me Myzinë.

Dalmatia kufizohet në lindje me Maqedoninë, në veri me Dardaninë dhe Myzinë, në perëndim me Histrinë, gjirin liburnik dhe ishujt Liburnike, në jug me detin Adriatik.

info@balkancultureheritage.com