Përshkrimi i Greqisë
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Atika

Ushtria e tyre marshoi në tokat gjatë detit Jon dhe shkatërroi popullin ilir dhe gjithë të tjerët që banojnë deri në Maqedoni, me gjithë vetë maqedonasit, dhe përshkoi të gjithë Thesalinë...

Ptolemeu, pas vdekjes së Antigonit ripushtoi Sirinë, Qipron dhe çoi Pirron në Thesprotinë e Epirit...

Lysimahu filloi luftën me Pirro Aiakidin. Duke ruajtur atë kur largohej nga Epiri, me që zakonisht dilte jashtë shpesh, shkatërroi krahinat e tjera dhe arriti deri te varret e mbretërve. Unë i besoj shumë pak asaj që shkruan Hieronymi nga Kardia se prishi varret e të vdekurve dhe nxori jashtë eshtrat. Pra ky Hieronymi njihet edhe në vende të tjera që ka shkruar në mënyrë armiqësore kundër gjithë mbretërve, me përjashtim të Antigonit, edhe se nuk ka qenë aq i drejtë edhe kundrejt tij; është pra e qartë që në lidhje me varret e epirotëve kemi një shpifje të trilluar, që një maqedonas të ketë prishur varret e të vdekurve. Edhe sikur Lysimahu të mos e dinte se të parët e Pirros ishin edhe të parët e Aleksandrit - Aleksandri pra ishte epirot dhe nga ana e nënës prej aiakidëve - lidhja midis Pirros e Lysimahut tregon se megjithëse kishin luftuar njëri kundër tjetrit, asgjë nuk i pengoi që midis tyre të kishte një pajtim...

Për këto arësye /Lysimahu/ duke u ndeshur me Demetrin afer Amfipolit për pak e humbi Thrakinë, por e mbajti i mbrojtur nga Pinua; pastaj futi nën zotënmin e tij nestët e maqedonasit. Vetë Pirrua, pasi ishte nisur nga Epiri dhe kishte ndihmuar Lysimahun, mori një pjesë të Maqedonisë. Demetri kaloi pastaj në Azi për të luftuar kundër Seleukut dhe përderisa qe në gjendje të qëndronte u mbajt edhe lidhja nudis Pirros e Lysimahut; por kur u mund, lidhja u prish dhe u bënë armiq; Lysimahu sulmoi Antigonin e Demetrit dhe vetë Pirron. Duke pasur për një kohë të gjatë epërsi, Lysimahu pushtoi të gjithë Maqedoninë dhe detyroi Pirron të tërhiqej në Epir...

Në Athinë gjendet portreti i Pirros. Ky nuk i ngjante fare Aleksandrit me të cilin ishte fis. Në të vërtetë Pirrua ishte i biri i Aiakidit, të birit të Arrybës, dhe Aleksandri ishte djali i Olympisë, së bijës së Neoptolemit Neptolemi dhe Arryba kishin baba Alketën, të birin e Tarypës. Prej Tarypës deri te Pirrua i Akilit janë pesëmbëdhjetë breza. I pari, si ra Ilioni, nuk u kthye në Thesali, por u ndal në Epir ku u vendos atje simbas profetisë së Helenit. Me Hermionën ai nuk pati fëmijë; me Andromakën lindi Molosin, Pielin dhe të fundit Pergamin.

Helenit i lindi Kestrini, i cili u martua me Andromakën, pas vdekjes së Pirros në Delfi. Meqenëse Heleni pas vdekjes ia la fronin Molosit të Pirros, Kestrini me disa vullnetarë epirotë pushtoi tokat përtej lumit Tyamis. Pergami u hodh në Azi ku në një dyluftim për pushtetin vrau Areun, sunduesin e Teutramsit dhe qytetit i dha emrin e tij, të cilin e ka edhe sot e kësaj dite. Në qytet ndodhet një tempull i Andromakës e cila e shoqëroi atë deri atje. Pieli qëndroi në Epir dhe këtë /Pielin/ patën si të parë dhe stërgjysh Pirrua e Aiakidit dhe etërit e tij, e jo Molosin. Epirotët deri në kohën e Alketës, të birit të Tarypës, kishin një mbret. Djemtë e Alketës pas një grindjeje vendosën të sundonin së bashku, duke pasur harmoni njëri me tjetrin, por më vonë Aleksandri i Neoptolemit vdiq në Lukani dhe Olympia u kthye në Epir nga frika e Antipatrit; Aiakidi, i biri i Arrybës, i cili i kishte mbetur besnik, u bashkua me të në luftë me Arideun e maqedonasit, megjithëse epirotët nuk deshën t'i shkojnë pas. Olympia fitoi dhe përgatiti vdekjen e Arideut, bëri krime edhe më të mëdha ndër maqedonasit, për të cilat askush nuk u çudit më vonë kur u vra nga Kasandri. Epirotët nuk deshën ta pranonin Aiakidin për shkak të urrejtjes që kishin për Olympinë dhe kur më vonë epirotët ia falën, ai gjeti kundërshtim nga Kasandri, që nuk donte kthimin e tij në Epir. Në një luftë që u bë midis Filipit, të vëllait të Kasandrit dhe Aiakidit pranë Oniniadës, Aiakidi u plagos dhe pak kohë më vonë vdiq. Atëherë epirotët zgjodhën mbret Alketën, të birin e Arrybës dhe vëllanë e madh të Aiakidit, që ishte i papërmbajtur e nervoz dhe për këtë arsye ishte dëbuar nga i ati; ai me t'u kthyer zuri të sillej si i tërbuar kundër epirotëve derisa një natë ata ngritën krye dhe e vranë bashkë me fëmijët. Pasi e vranë sollën Pirron e Aiakidit. Kundër tij që nuk ishte forcuar mirë në fron, marshoi Kasandri. Pirrua për shkak të sulmit të maqedonasve iku në Egjipt te Ptolemeu i Lagut. Ptolemeu i dha për grua thjeshtrën dhe me një ushtri të Egjiptit e solli përsëri në vend. Me t'u bërë mbret Pirrua, helenët e parë që sulmoi qenë korkyrasit, ishulli i të cilëve gjendej përballë tokave të tij, pasi nuk donte që ai t'u shërbente të tjerëve si bazë kundër tij. Atë që pësoi Pirrua në luftë kundër Lysimahut, pas pushtimit të Korkyrës, dhe pasi dëboi Demetrin, kur sundoi në Maqedoni, derisa e përzunë, të gjitha këto ngjaije shumë të rëndësishme të jetës së Pirros i kam treguar kur fola për Lysimahun. Nuk dimë ndonjë Helen tjetër të ketë bërë luftë me romakët para Pirros. As Diomedi, as argasit që ishin me të nuk patën luftuar ndonjë herë me Eneun. Sa për athinasit, që midis tjerash kishin shpresë të pushtonin Italinë, dështimi që pësuan në Syrakuzë nuk u dha rast të provojnë romakët. Aleksandri i Neoptolemit, i të njëjtit fis me Pirron, më i madh në moshë, vdiq në Lukani, pa luftuar fare me romakët.

Kështu Pirrua qe i pari që u hodh nga Hellada përtej detit Jon kundër romakëve, dhe këtë e bëri i ftuar nga tarantasit, të cilët në fakt qysh më parë ishin në luftë me romakët. Të pafuqishëm për të qëndruar me forcat e tyre, duke pas dhënë shembullin e një mirësie me anije në luftën kundër Korkyrës, të dërguarit e Tarantit ia mbushën më tepër mendjen duke i treguar për begatinë e Italisë, që ishte më e madhe se ajo e gjithë Helladës dhe se nuk ishte e drejtë t'i kthente bosh këta miq të vjetër të tij, që kishin ardhur tani për t'i kërkuar ndihmë.

Fjalët e të dërguarve i kujtuan Pirros pushtimin e Ilionit dhe i dhanë shpresë se do të luftonte si pasardhës i Akilit kunër një kolonie të trojanëve. Pasi i pëlqeu ky mendim, duke mos e pasur zakon të zgjatej rreth vendimeve të marra, përgatiti me shpejtësi anije të gjata si edhe anije të rrumbullakta për të ngarkuar kalorës dhe këmbësorë hoplitë. Ka libra autorësh jo aq të njohur me tituj, kujtime e vepra të përmendura, të cilat duke i lexuar u çudita për guximin e Pirros në luftë e sipër dhe për zotësinë për të parashikuar çdo nevojë për luftërat e ardhshme. Ai erdhi aq fshehurazi në Itali sa që romakët s'e morën vesh dhe e panë vetëm atëherë kur gjatë betejës midis tyre dhe tarantasve u vërsul kundër romakëve papritmas dhe sikurse është e natyrshme i turbulloi. Dhe meqenëse e dinte mirë që nuk mund të matej me ta mendoi tu lëshonte elefantët. I pari nga Evropa që përdori elefantë ka qenë Aleksandri, pasi mundi Porin dhe ushtrinë indiane. Pas vdekjes së Aleksandrit i përdorën edhe mbretër të tjerë dhe numrin më të madh e pati Antigoni. Pirrua i mori pas fitores mbi Demetrin. Kur i panë romakët u trembën shumë se i morën jo për kafshë, por për diçka tjetër. Është e vërtetë se njerëzit e njihnin dhëmbin e elefantit dhe dinin sa i madh ishte, se çfuqi kishte, por vetë kafshët asnjëri nuk i kishte parë para kalimit të maqedonasve në Azi, përveç indianëve, libiasve dhe fqinjëve të tyre.

Këtë e tregon edhe Homeri, i cili thotë se mbretërit më të pasur kishin stolisur shtretërit e pallatet me dhëmbë elefanti, por elefantin vetë asgjëkundi nuk e zë në gojë. Se po ta kishte parë ose ta kishte dëgjuar më duket se do t'i kishte përmendur më parë ata se sa pygmejt ose betejën e kurilave. Pirron e thirri në Siqeli një delegacion nga Syrakuza, pasi ajo ishte rrethuar nga kartagasit, të cilët kishin prishur qytetet helene. Pasi dëgjoi të dërguarit, Pirrua la Tarantin dhe qytetet e tjera të bregdetit të Italisë, kaloi në Siqeli dhe shtrëngoi kartagasit të hiqnin rrethimin e Syrakuzës. Vendosi të luftojë në det me kartagasit, që rridhnin nga tyrët dhe fenikasit dhe që ishin midis barbarëve detarët më të sprovuar, duke përdorur kundër tyre epirotët, të cilët pas rënies së Ilionit nuk dinin ç'ishte deti dhe as kripën s'dinin ta përdomin. Këtë dëshmon edhe Homeri në eposin e Odisesë kur thotë:

"Njerëz që s'dinë ç'është deti dhe ushqimet i gatuajnë me kripë"

Pirrua si u mund në det, u kthye në Tarant me anijet që i mbetën. Atje e gjeti edhe më keq dhe duke e ditur se romakët nuk do ta linin të ikte pa luftë, gjeti një mënyrë ikjeje të tillë. Me t u kthyer i mundur nga Siqelia dërgoi letra në Azi dhe Antigonit, duke i kërkuar njërit mbret ushtarë, tjetrit të holla, kurse Antigonit edhe njërën edhe tjetrën. Si u kthyen lajmëtarët dhe sollën letra, mblodhi parinë e epirotëve dhe të tarantasve dhe pa u treguar përmbajtjen e letrave u tha se aleatët do t'i dërgojnë ndihmë. Me të shpejtë shkoi lajmi tek romakët se maqedonas e popuj të tjerë aziatikë po i vinin në ndihmë Pirros. Romakët pasi dëgjuan të gjitha këto ndenjën të qetë, kurse Pirrua natën tjetër kaloi detin deri te malet e quajtura Keraune.

Pas dështimit në Itali dhe pasi shlodhi ushtrinë i shpalli luftë Antigonit, duke e akuzuar se nuk i kishte dërguar ndihmë në Itali. Në betejat që u bënë e theu Antigonin dhe e shtyri bashkë me tropat mercenare galate të tij deri te qytetet bregdetare dhe pushtoi Maqedoninë e sipërme dhe Thesalinë. Rëndësinë e kësaj beteje dhe fitores së Pirros e dëshmojnë armët e marra keltëve, të kushtuara faltores së Athinasë Itone, midis Ferës e Larisës, në këtë mbishkrim:

Pirro Molosi ia dhuron Athinasë Itone

këto mburoja që ua hoqi galatëve të fortë

pasi shkatërroi gjithë ushtrinë e Antigonit:

dhe nuk është kjo një pudi e madhe

sepse aiakidës janë edhe tani luftëtarë, siç kanë qenë edhe në të kaluarën

Edhe Zeusit të Dodonës i kushtoi mburojat e marra maqedonasve ku qe shkruar:

Këta dikur plaçkitën Azinë plot ar

Këta dhe Helladën deshën ta robërojnë:

tani pranë shtyllave të tempullit të Zeusit si jetime varet

plaçka e Maqedonisë mburracake”

Që Pirrua nuk pushtoi krejt Maqedoninë, mgjithëse i gatshëm ta bënte posa ta kishte në dorë, ka qenë shkaktar Kleonymi ia mbushi mendjen që ta linte Maqedoninë dhe të niste fushatën kundër Peleponezit. Këtë e bëri se ishte vetë lakedemon dhe deshi të çonte ushtrinë në Laedemoni, për arësyet që do të them më poshtë, pasi të tregojë nga rrjedh Kleonymi. Pausania, që udhëhoqi helenët në betejën Platesë, pati një djalë të quajtur Preistonah dhe ky pari bir Kleombrotin i cili u vra Leuktra, duke luftuar me Epaminondën e me tebanët. Kleombroti la Kleomenin dhe Agesipolin dhe me që ky i fundit vdiq pa fëmijë, fronin e mori Kleomeni, Kleomeni kishte dy djem: Akrotatin, të madhin dhe Kleonymin të voglin. Pas vdekjes së Akrotatit dhe Kleomenit, i cili vidq pas të birit, Areu, i biri i Akrotatit, kishte kërkuar fronin. Prandaj Kleonymi duke dashur të siguronte për vete fronin në çdo mënyrë e bindi Pirron të shkojë në vend të tij. Lakedomenët deri në betejën e Leuktras nuk kishin pësuar asnjë humbje, kështu deri më sot s’kishin pranuar se ishin mundur ndonjëherë në luftë tokësore. Sipas tyre Leonidha doli fitues kundër medëve megjithëse nuk arriti ti shkatërronte plotësisht. Sa për çështjen me athinasit e Demostenin në ishullin e Sfakterisë, për këtë thoshin se ka qenë një vjedhje e luftës dhe jo e fitores. Humbjen e parë e pësuan prej beotëve; më vonë e pësuan edhe më tepër nga Antipatri dhe maqedonasit.

Në luftën panë ushtrinë e Pirros që e shkretoi tokën e tyre, i dolën përballë së bashku me ushtrinë e ardhur të aleatëve argas e mesenas. Në betejën që u bë, Pirrua fitoi dhe për pak e pushtoi qytetin në sulmin e parë, por preferoi më parë të prishë fushat rreth e rrotull, të plaçkisë e të çlodhet pak. Lakedemonët menjëherë nisën të bëhen gati për një rrethim meqënse Sparta dhe më parë gjatë luftës me lakonët, antigoni si ripushtoi qytetet e Maqedonisë vrapoi në Peleponez, se e dinte mirë që Pirrua pas pushtimit të kësaj nuk do kthehej në Epir, por do të turrej kundër Maqedonisë, ku do të ndizte  luftën përsëri, Në betejën midis dy ushtrive ai e theu armikun dhe e ndoqi deri në qytet ku hyri i dërrmuar dhe i çrregullt. Këtu vazhdoi lufta pranë faltoreve, shtëpive, nëpër rrugët e në çdo vend tjetër të qytetit. Në mes të zjarrit të betejës Pirrua u nda nga shokët dhe mori një rrugicë për të ndjekur qrmiqtë, mirëpo kur po shkonte kaluar thonë se një grua i ra Pirros me një tjegull në kokë dhe i rrëzoi të vdekur nga kali. Banorët e Argos thonë se nuk e vrau një grua, por perëndesha Demetra e shëndrruar në grua. Kështu thonë rreth vdekjes së Pirros argasit dhe  shkruesi i ngjarjeve te vendit, Lykeu. Ne vendin ku ra Pirrua ndodhet një faltore e Demetrës qe e ndërtuan qytetarët pas nje orakulli hyjnor, po aty u varros edhe Pirrua.

Une çuditem se si aiakidet te gjithë kanë vdekur ne ie njëjtën mënyrë sipas një vendimi hyjnor. Në fakt Homeri shkruan se Akih u vra prej Aleksandrit të birit të Priamit dhe prej Apollonit; Pirrua i biri i Akilit u vra në Delfi me urdhër të Pythias dhe Aiakidi tjetër u vra ashtu si tregojnë argasit dhe shkroi Lykeu. Ndryshe shkruan Heronymi nga Kardia, pasi një njeri që jeton me mbretin duhet të shkruajë gjithmonë në favor të tij. Në se Filistit iu dha e drejta të fshehë veprat kriminale të Dionisit vetëm se shpresonte të kthehej përsëri në Sirakuzë, pa dyshim duhet të falet edhe Hieronymi, që shkruan për t'i bërë qejfin Antigonit. Ja ku mbaroi apogjeu i epirotëve.

Mesenia

Gjendja në Thesproti të Epirit u turbullua për shkak të anarkisë.

Meqenëse Deidamea, gruaja e Pirros, nuk pati fëmijë, kur i erdhi koha e vdekjes, drejtimin e punëve ia besoi popullit. Kjo ishte e bija e Pirros, të birit të Ptolemeut, birit të Aleksandrit të Pirros. Ngjarjet e Pirro Aiakidit i tregova në librin mbi Atikën. Prokli kartagas i dha epërsi Aleksandrit të Filipit për shkak të fatit të madh dhe qartësisë së veprave të tij, por përsa i përket radhitjes së kalorësve dhe taktikës strategjike kundër armikut quajti më të aftë Pirron. Pasi epirotët s'patën më mbretër, populli edhe në gjërat e tjera sillej me përbuzje, dhe zuri të mos u bindej autoriteteve të vendit. Atëherë ilirët që banonin sipër Epirit nga ana e Jonit, i nënshtruan me sulm. Sepse gjer më sot, nuk dimë të kenë përparuar të tjerë me anë të demokracisë përveç athinasve; këta përparuan shumë me anë të kësaj, mbasi me urtinë e tyre i kaluan helenët e tjerë dhe ligjeve në fuqi u bindeshin fort. Ilirët, mbasi e shijuan sundimin dhe gjithmonë dëshironin gjëra më të shumta, ndërtuan anije dhe plaçkisnin të tjerë si të qëllonte; ata hynë në limanin e Molonit si miq, dhe pasi dërguan lajmëtarë në qytet, kërkuan t'u sillnin verë në anijet. Pasi erdhën disa burra të pakët, duke sjellë verë, edhe verën e blenë ilirët me çmimin që caktonin motonasit, edhe atyre u shitën nga ato që kishin me vete. Kur të nesërmen erdhën nga qyteti më shumë njerëz, u dhanë mundësi që edhe këta të fitojnë. Më në fund, gra edhe burra u derdhën në anijet për të shitur verë dhe për të blerë sende nga barbarët. Atëherë ilirët, duke marrë guxim, rrëmbyen edhe burra shumë, edhe gra ca më shumë dhe si i vunë në anijet, u drejtuan për në Jon, duke shkretuar qytetin e motanasve...

Elida

Pranë të ashtuquajturit Hipodam është vendosur një bazament tjetër prej mermeri në trajtë gjysmërrethi, në të cilin gjenden Zeusi dhe Tetis e Himera që i luten atij për të bijtë. Të gjitha këto janë në mes të bazamentit. Në njërin dhe në tjetrin skaj janë përfytyruar me paraqitje luftarake Akili e Memnoni. Aty gjenden po ashtu përballë njëri-tjetrit barbarë e helenë, Odiseu me Helenin, pasi të dy fituan famë në ushtritë e tyre për dituri; Menelau me Aleksandrin për armiqësinë që kishte njëri kundër tjetrit, Aiasi i Telamonit me Deifobin. Të gjitha këto janë punuar nga Lyki, i biri i Myronit ia kushtuan apolloniatët e Jonit. Në këmbët e Zeusit me shkronja të vjetra është shkruar:

"Këtu gjendemi si dhuratë e ApoIIonisë

të ndërtuar pranë Jonit nga Foibi flokëgjatë;

fituesit kundër abantëve Zeusit ia kushtojnë

një të dhjetën e plaçkës të marrë në Tronion"

Krahina e Abantisë dhe qyteti që gjendet atje, Troni, ndodhen në Thesprotinë e Epirit, pranë maleve Keraune. Duke u kthyer nga Ilioni anijet e helenëve u shpërndanë; lokridasit e Tronit në breg të lumit Boagr dhe abantët e Eubesë me tetë anije erdhën te malet Keraune. Atje zunë vend dhe ndërtuan një qytet me emër Troni dhe në marrëveshje të përbashkët e quajtën Abantidë gjithë krahinën që banonin, por luftuan dhe u dëbuan nga fqinjët e tyre apolloniatë. Apollonia ishte një koloni e Korkyrës dhe korintasit morën një pjesë nga plaçka...

Një tjetër shtatore e Zeusit është vendosur pranë karrocës së Kleostenit. Për këtë do të flas më poshtë...

Elida (II)

Sipër Pantarkut është një karrocë e Kleostenit, një burrë nga Epidamni. Është punuar nga Ageladi dhe gjendet prapa Zeusit, të cilin helenët e ngritën pas betejës së Platesë. Kleosteni i përmendur më lart fitoi në olimpiadën e 66-të dhe /me këtë rast/ i kushtoi /Zeusit/ edhe portretin e tij dhe karrocierin. Janë shkruar edhe emrat e kuajve, Foiniks dhe Koraks, kurse nga të dy anët, afër zgjedhës /emrat/ Knakias, nga e djathta, dhe Samo nga e majta. Mbi karrocën lexohet:

"Detari Kleosten nga Epidamni më vuri këtu, pasi fitoi me kuaj garën fisnike të Zeusit".

Kleosteni qe nga ata helenë që mbanin kuaj dhe i pari që dhuroi portretin e tij në Olympia...

Epidamnasit, në kohën tonë, banojnë në tokën ku banonin që në fillim, por jo edhe në qytetin e vjetër, po në një qytet që është pak larg të parit; qyteti i sotshëm quhet Dyrrah nga emri i themeluesit...

Mbas vdekjes së Agathoklit, që kishte qenë më parë tiran i Syrakuzës, doli një tiran tjetër. Ky qe Hieroni, që sundoi në vitin e dytë të olimpiadës 120, në të cilën fitoi garën Idai nga Kirena. Ky Hieroni kishte ardhur mik te Pirro Aiakidi dhe së bashku celebroi martesën e të birit Gelonit me Nereidën, të bijën e Pirros.

Pirro Aiakidit, mbretit të Thesprotisë epirote, i cili tregoi shumë trimëri, që do të kujtohen përherë, dhe që unë i kam shpjeguar në tregimet athinase, ia kushtoi në Altis Thrasibuli nga Eleioni...

Gjenden po ashtu fituesit e vrapimit të fëmijëve, Meneptolemi, nga Apollonia e bregut të Jonit dhe Filoni korkyras...

Thesarurët e tretë e të katërt janë dhuruar nga epidamnasit dhe byzantasit; ai i të parëve ka botën e mbajtur nga Atlasi dhe Herakliu dhe pemën e Hesperideve, mollën me gjarpërin të përdredhur rreth saj. Të gjitha këto janë punuar rej kedri, nga Teokleu, i biri i Hegylit. Që botën e bëri bashkë me të birin e tregon jetëshkrimi që gjendet aty. Hesperidet, të bartura më pas nga banorët e Elidës, janë po ato që në kohën time ishin në Heraion. Thesaurin e epidamnasve e bënë Pirrua dhe djemtë e tij Lakrati e Hermoni...

Arkadia

Unë e di mirë gjithashtu se si argasit vepruan me Kreugun prej Epidamnit; megjithëse Kreugu vdiq, argasit ia dhanë atij kurorën e Nemejve, për arsye se Damokseni prej Srakuze, i cili u ndesh me të shkeli marrëveshjet e pranuara prej tyre..-

... Ata fitoren iadhanë Kreugut të vdekur të cilit i ngritën një monument në Argo, që gjendet në tempullin e Apollon Lykeut.

Boetia

Kadmi emigroi tek ilirët, tek ata ilirë që quhen enhelej, atë e pasoi i biri Polidori...

Kur tebanët u mundën në luftë nga argasit, afër Glisës, shumë prej tyre shkuan me Laodamin, të birin e Eteoklit, një pjesë e tyre ikën nëpër tokë tek ilirët...

Pashë në Romë edhe që nga Paionia. Ata kanë qime të dendura në të gjithë trupin, por më tepër në gjoks dhe në mjekër.

Fokea

Udhëheqësit e ndanë ushtrinë në tri pjesë dhe vendosën që secili prej tyre të shkonte në drejtime të ndryshme. Kundër thrakëve dhe tribalëve u përgatit t'i udhëhiqte Kerethri, kurse ata që u drejtuan kundër Paionisë i udhëhiqte Breni dhe Akihori. Bolgi u nis kundër maqedonasve dhe ilirëve. Ai u përlesh me Ptolemeun, i cili sundonte atëherë mbi maqedonasit. Ptolemeu ishte ai që vrau me tradhëti Seleukun, të birin e Antiohut, megjithëse ai shkoi tek Seleuki si lutës. Mori emrin Keraunos për shkak të guximit të tij të madh. Po ky Ptoleme u vra në betejë dhe maqedonasit pësuan një humbje të tmershme. Por keltët nuk guxuan të shtyhen deri në Helladë dhe luftëtarët u kthyen pas kësaj fushate të dytë në tokat e tyre...

info@balkancultureheritage.com