Përdhunimi
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Përdhunimi

Remi vdiq. Qyteti që ai ndihmoi të themelohej përbëhej thjesht nga një grusht shokësh dhe miqsh të Romulit. Ai kishte nevojë për më shumë shtetas. Kështu Romuli e deklaroi Romën ‘strehë’ dhe nxiti keqbërësit, e të dëbuarit nga pjesa tjetër e Italisë të bashkoheshin me të: skllevër të arratisur, kriminelë të dënuar, të dëbuar dhe refugjatë. Dhe kështu qyteti u mbush me burra. Në mënyrë që të gjente gra, vijon historia e Livit, Romulit iu desh të përdorte një hile dhe të përdhunonte. Ai ftoi popujt përreth, sabinët dhe latinëft nga zona përreth Romës e njohur si Latium, të vinin dhe të shijonin një festival fetar me shfaqje, për të gjitha familjet. Në mes të festës, ai dha një sinjal për burrat e tij që të rrëmbenin gratë e reja nga vizitorët dhe t’i merrnin si gra.

Nicolas Poussin, i famshëm për rikrijimin e Romës së lashtë, e pikturoi këtë skenë në shekullin e shtatëmbëdhjetë: Romuli qëndron në podiumin e tij duke mbikëqyrur qetësisht dhunën që po kryhet poshtë, ndërsa sfondi përbëhet nga objekte me arkitekturë monumentale ende në ndërtim. Ky është një imazh i qytetit të hershëm, të cilin romakët e shekullit të parë p.e.s. do ta kishin njohur. Megjithëse ata në disa raste e imagjinuan Romën e Romulit si një vendbanim me dele, kasolle balte e këneta, shpesh e imagjinonin këtë vend si madhështor dhe të shkëlqyer, një qytet klasik të përfunduar. Kjo është gjithashtu një skenë e riimagjinuar në shumë mënyra të ndryshme, dhe në media të ndryshme përgjatë të gjithë historisë. Filmi muzikor i vitit 1954, Shtatë Nusepër Shtatë Vellezër e parodizon atë (në këtë rast, gratë rrëmbehen në një hambar amerikan). Më 1962-shin, si përgjigje direkte ndaj terrorit të Krizës Kubane të Raketave, Pablo Picasso ripunoi versionin e Poussin në një nga një seri pikturash me këtë temë, por me përmbajtje shumë më të ashpër dhe të dhunshme.

Shkrimtarët romakë e debatuan këtë pjesë të historisë përgjatë të gjithë kohës. Një dramaturg shkroi një tragjedi të tërë mbi këtë temë, e cila, për fat të keq nuk ka mbijetuar dhe gjendet vetëm në një citim. Ata vranë mendjen për detajet, duke pyetur, për shembull, se sa shumë vajza u rrëmbyen në atë rast. Livi nuk u angazhua për këtë pyetje, por vlerësimet varionin nga vetëm tridhjetë në shifrën jashtëzakonisht të saktë dhe të pagjasë të 683 - gjë që duket se ka qenë mendimi i princit afrikan Juba, i cili u soll në Romë nga Jul Cezari dhe kaloi shumë nga vitet e tij të rinisë duke studiuar gjithfarëlloj lëndësh, nga historia e Romës te gramatika e latinishtes. Gjithsesi, ata i shqetësonte më snumë se çdo gjë tjetër kriminaliteti dhe dhuna e ashpër e incidentit. Ky rast, në fund të fundit ishte, martesa e parë romake dhe ky ishte episodi të cilin studiuesit romakë ktheheshin kur dëshironin të shpjegonin tiparet çuditëse apo shprehjet popullore në ceremonitë tradicionale të martesave; britma festuese ‘O Talasio', për shembull, thuhet se vinte nga emri i një prej romakëve të rinj që morën pjesë në këtë ngjarje. A e bëri kjo rrjedhojë të pashmangshme që instituti i tyre i martesës ta kishte origjinën te përdhunimi? Ku bie vija e ndarjes mes rrëmbimit dhe përdhunimit? Çfarë na thotë kjo ngjarje, në përgjithësi, mbi tiparin luftarak të Romës?

  1. Kjo monedhë argjendi e vitit 89 p.e.s., tregon një nga qytetarët e parë të Romës duke rrëmbyer dy gra sabine. Emri i personit përgjegjës për shtypjen e monedhës, vështirësish i lexueshëm poshtë skenës, ishte Lucius Titurius Sabinus - dhe supozohet se është personi që zgjodhi këtë dizajn. Në anën tjetër është koka e mbretit Sabin Titus Tatius.

Livi i mbron romakët e hershëm. Ai këmbëngul se ata rrëmbyen vetëm vajza të pamartuara; kjo ishte origjina e martesës, jo e shkeljes së kurorës. Dhe duke theksuar idenë se romakët nuk i zgjodhën gratë, por i rrëmbyen ato sipas rastësisë, ai argumenton se ata po përdomin një mjet të nevojshëm për të ardhmen e bashkësisë së tyre, gjë që u pasua nga të folurat me dashuri dhe premtimet për afeksion nga burrat për gratë e tyre të reja. Ai e paraqet gjithashtu veprimin e romakëve si një përgjigje ndaj sjelljes së paarsyeshme të fqinjëve të qytetit. Romakët, shpjegon ai, fillimisht kishin vepruar në mënyrë korrekte, duke u kërkuar popujve përreth arritjen e një traktati që do t’u jepte të drejtën të martoheshin me vajzat e tyre. Livi, në mënyrë eksplicite dhe jashtëzakonisht anakronike i referohet këtu të drejtës së konubiumit ose ndërmartesave’, e cila shumë më vonë u bë pjesë e zakonshme e aleancës së Romës me shtete të tjera. Romakët përdorën dhunën vetëm kur kërkesa e tyre u refuzua në mënyrë të paarsyeshme. Këtu kemi të bëjmë thjesht me një rast tjetër të ‘luftës së drejtë’.

Të tjerët e analizuan skenën shumë ndryshe. Disa dalluan aty, pikërisht tek origjina e qytetit, shenjat paralajmëruese të tiparit luftarak romak të mëvonë. Konflikti, argumentuan ata, ishte i paprovokuar, dhe fakti që romakët morën vetëm tridhjetë gra (nëse qenë tridhjetë) demonstron se lufta, jo martesa ishte kryesore në mendjet e tyre. Salusti jep një sinjal për mendimin e tij. Në një pikë në Historinë e Romës (një trajtesë më e përgjithshme sesa vepra e tij Lufta kundër Katilinës, e cila mbijeton vetëm në citime të shpërndara të gjendura në autorë të tjerë), ai imagjinon një letër - dhe është thjesht imagjinatë - e cila supozohet se është shkruar nga armiqtë më të ashpër të Romës. Aty autori ankohet mbi sjelljen grabitqare të romakëve përgjatë të gjithë historisë së tyre: ‘Nga vetë fillesat ata kanë poseduar asgjë përveç asaj që kanë vjedhur: shtëpitë gratë, tokat dhe perandorinë.’ Ndoshta e vetmja mënyrë për t’u justifikuar ishte t’ua hidhje fajin zotave. E çfarë mund të prisje tjetër, sugjeroi një shkrimtar tjetër romak, kur babai i Romulit ishte Marsi, zoti i luftës?

Një qëndrim tjetër pati poeti ‘Ovid’ - Publius Ovidius Naso, për t’i dhënë emrin e tij romak. Afërsisht bashkëkohës i Livit, ai ishte subversiv po aq sa Livi ishte konvencional - derisa përfundoi i përzënë në vitin 8 të e.s., pjesërisht për shkaktë fyerjes së shkaktuar nga poema e tij e mprehtë, Leksione Dashurie, mbi atë se si duhet të zgjedhësh një partnere. Këtu ai e përmbys historinë e Livit mbi rrëmbimin dhe e paraqet atë incident si model primitiv të flirtimit: erotik dhe jo të moralshëm. Romakët, sipas Ovidit, fillojnë duke u përpjekur ‘të gjejnë vajzën që secili pëlqen më shumë’ dhe u sulen atyre me ‘duart plot epsh’ sapo u dha sinjali. Menjëherë pas kësaj, ata i pëshpëritnin ëmbël në vesh presë së tyre, terrori i dukshëm i të cilave thjesht sa e shton urinë e tyre për seks. Festivalet dhe dëfrimet, siç reflekton poeti, kanë qenë gjithmonë vende të mira për të gjetur një vajzë, nga ditët më të hershme të Romës. Ose që ta themi në një mënyrë tjetër, çfarë ideje madhështore kapasur Romuli për shpërblimin e ushtarëve të tij besnikë. ‘Unë hyj menjëherë në shërbim’, bën shaka Ovidi, ‘nëse ti më jep atë lloj pagese’.

Prindërit e vajzave, së paku kështu vijon rrëfimi i zakonshëm, natyrisht nuk e panë rrëmbimin as si qejf dhe as si flirt. Ata hynë në luftë me romakët për rikthimin e vajzave. Romakët i mposhtën me lehtësi latinët, por jo sabinët dhe konflikti vijoi gjatë. Kjo ishte koha kur njerëzit e Romulit u vunë nën sulm të rëndë në qytetin e tyre dhe ai u detyrua të thërrasë Jupiterin Stator për të ndaluar romakët që thjesht t’ia mermin vrapit për të shpëtuar kokën, siç ua rikujtoi Cicero dëgjuesve të tyre - pa përmendur se e gjithë lufta ishte për gra të rrëmbyera. Luftimet u ndalën vetëm falë ndërhyrjes së vetë grave, të cilat tashmë qenë të lumtura me fatin e tyre si gra romake dhe nëna. Ato me trimëri hynë në fushën e betejës dhe iu lutën bashkëshortëve në njërën anë dhe baballarëve në anën tjetër të ndalonin luftën. ‘Më mirë të vdesim, i thanë ato, sesa të jetojmë pa njërin nga ju, si vejusha apo si jetime.’

Ndërhyrja funksionoi. Jo vetëm që u vendos paqja, por Roma thuhet se u bë një qytezë e përbashkët romako-sabine, një bashkësi e vetme, nën sundimin e përbashkët të Romulit dhe mbretit Sabin Titus Tatius. I përbashkët, do të thotë, deri pak vite më vonë, kur në atë lloj vdekjeje të dhunshme që u bë një nga markat simbol të politikës romake për pushtet, Tatius u vra në një qytezë aty pranë gjatë një përleshjeje që ishte pjesërisht e shkaktuar prej atij vetë. Romuli u bë sërish sundimtari i vetëm, mbreti i parë i Romës, dhe qeverisi për më shumë se tridhjetë vjet.

info@balkancultureheritage.com