Vendbanimet buzë lumenjsh a liqenesh në platforma dërrase mbi pilota druri, dëshmohen që në fillesat e kësaj gjinie. Ndër ta palafiti i Neolitit të Mesëm (5500/5000 p.e.s.) në Dunavec (Korçë), është më i vjetri në Ballkan dhe një ndër më të vjetrit në Europë. Palafitet lindin dhe vazhdojnë të jetojnë edhe në Neolitin e vonë (Ripac: Bosnje Hercegovinë), Eneolit (2600-2100 p.e.s: Maliq, Sovjan, Strugë) dhe deri Bronzin e Vonë dhe Hekurin e Hershëm (Donja Dolina/Bosnje, Peshtan/ Maqedoni).
Vazhdimësia pa këputje në kapërcyellin eneolit/ bronz, i cili përkon me valën e të ardhurve të rinj dhe nisjen e procesit të fermentimit të etnosit Ilir, dëshmon përzierjen e butë midis parailirëve dhe të ardhurve të rinj.
Përshkrimin plastik të këtyre palafiteve, të fundit shek. VI p.e.s., e sjell Herodoti. Sipas tij “Paionët e rretheve të malit Pangaion edhe Doberët, Agrianët dhe Odomantët dhe vetë liqenit Prasiada nuk u nënshtruan asnjëherë nga Megabazi, ndonëse ai tentoi ti pushtonte banorët e liqenit. Shtëpitë e tyre janë ndërtuar në këtë mënyrë: Në mes të liqenit, majë pilotave të larta, është fiksuar një platformë dërrase që lidhet me tokën nëpërmjet një ure. Pilotat mbi të cilët qëndrojnë shtrojat, në kohët e shkuara i vendosën bashkërisht tërë banorët.
Më vonë i vendosnin kështu: Secili nga ata që martohej, sillte nga mali që quhet nga Orbel tre trarë për secilën nga tri gratë që merrte dhe i vendoste atje. Secili burrë mbi platformën kishte një kasolle që banonte dhe nga kasollja të çonte poshtë në liqen një qepen i lidhur mirë.
Fëmijët e vegjël i lidhnin për këmbe me litarë nga fidka se mos binin poshtë në liqen. Kuajt dhe bagëtitë i ushqenin me peshk. Ky peshk kapet me shumicë aq të madhe sa që nëse ndonjëri hap qepenin dhe lëshon me litar koshin e zbrazët, koshi mbushet plot me peshk. Kishte dy lloje peshku: njëri që quhet paoprakes dhe qetri tilones (Herod. 5. Terpsichore). Nisur nga toponomia e Herodotit (Dober/Dibër, Prasiada/Prespë, mali Orbel/ Mali Herbel), liqenin Prasia nuk do ta identifikonim me liqenin Doiran në afërsi të Selanikut, por me atë të Prespës.
Më mirë struktura e palafiteve dhe banesave në to njihet nga vendbanimet në Donia Dolina mbi lumin Sava dhe Ripac mbi lumin Una, afluent po i Savës. Palafiti në Ripac, minimalisht me sipërfaqe 4000 m2, është një nga palafitet e mëdhenj neolitikë. Platforma prej dërrase e palafitit mbështetej në rreth 2500 pilota të ngulura thellë në taban.
Platforma ndahej në 5 njësi drejtkëndëshe me sipërfaqe rreth 800m2 (14 x 60 m), mes të cilave kalonin kanale 3 m të gjerë dhe mbi to urat drunjta që i lidhnin me njëra tjetrën (fig. 20). Nisur nga sipërfaqja e kasolleve (rreth 30 m2) dhe rrugët, rruginat dhe sheshet mes tyre, rezulton se çdo platformë mund të mbart te rreth 15-17 kasolle dhe familje, përkatësisht 500- 600 banorë.
Palafiti i Donja Dolinës, i fundit të bronzit/fillimit të hekurit (shek. 13- 6 p.e.s.), ndodhet në një bërryl të lumit Sava. Nga lumi ai mbrohej prej një gardhi me trinë të thurur mes pilotave, ndërsa një gardh i dytë po me trinë, e qarkonte nga toka për ta mbrojtur nga sulmet e kafshëve të egra.
Banesat (40-55 m2) rreshtoheshin platformave paralele, perpendikulare me rrjedhën e lumit. Në ballin nga toka, rruginat mes banesave ishin të pajisura me shkallë që lejonin komunikimin me bregun. Krahas banesave, në platformat kishte një sërë tarracash dhe sheshesh për grumbullimin dhe kryerjen e aktiviteteve të ndryshme. Midis platformave kalonin kanale të gjerë të veshur me parete dërrase, të cilët shkarkonin ujërat e vërshimeve. Mbi kanalet kalonin urate e drunjta, të cilat lidhnin platformat me njëra tjetrën.
Përqëndrim të veçantë vendbanimet palafitet patën në pellgun e 4 liqeneve Ohrit, dy Prespave dhe Maliqit i cili në këtë kohë ende nuk kishte nisur të degjeneronte në kënetë. Prej tyre përreth liqenit të Ohrit janë zbuluar 6 palafite (Lin, Vrbnik, Strugë, Peshtan, Trpejca, Shën Naum), 3 të tjerë përreth liqenit të dikurshëm të Maliqit (Maliq, Sovjan, Dunavec) dhe nga një në brigjet e Prespës së Madhe (Nikolec) dhe në takimin e lumit Shumi me Drinin (Vrbnik).
Palafitet e zbuluar i qëndrojnë 2.5- 6 km larg njëri tjetrit, çka supozon se numri i tyre në këtë pellg ka qenë së paku dy herë më i madh. Shkak për këtë dendësi është begatia e liqeneve dhe lumenjve me peshk, fauna e pasur ujore dhe tokat e mira livadhore të kafenjta që siguronin prodhim të lartë bujqësor. Prej tyre më i lexueshëm është ai i Peshtanit (1500-700 p.e.sonë, Platforma e tij prej 8500 m2 mbahej nga rreth 6000 pilota lisi a pishe me diametër kryesisht 30 cm dhe lartësi 3-5 m. Nisur nga dendësia e palafiteve të tjerë, rreth 3 banesa/100 m2 platforma e mësipërme duhet të mbante rreth 250 banesa.
Si i tillë Peshtani me rreth 1500 banorë, është një nga palafitet e mëdhenj Europianë. Shpërndarja e pilotave tregon se platforma lidhej me bregun nëpërmjet një ure druri ndoshta e lëvizshme.