Në fillim të shek. XV, Paramithia, e quajtur ndryshe Ajdonat e më herët Euroia, ndante zotërimin e despotit Carlo Tocco (Janinë) me atë të Shpatajve. Me pushtimin osman të asaj ane, krahina e Ajdonatit (Paramithisë), bashkë me atë të Mazrekut u përfshinë nën juridiksionin e Sanxhakut të Janinës. Me krijimin e Sanxhakut të ri të Delvinës, regjistrimi i ri osman i vitit 1551 i përfshin kazanë e Ajdonatit dhe nahijen e Mazrekut, të varur prej saj, në kuadrin e atij Sanxhaku. Regjistrimi tjetër, ai i vitit 1583, i shënon këto dy krahina si nahije të pavarura nga njëra tjetra. Atë kohë, nahija e Ajdonatit kishte 91 fshatra, qytetin e Ajdonatit (Paramithisë) dhe qytezën e Uzdinës. Vetë qyteti i Paramithisë numuronte rreth 600 shtëpi me rreth 4500 banorë, të ndara në shtatë lagje. Qyteti kishte një kështjellë (fortezza di Paramithia). Banorët e qytetit paraqiten të gjithë të krishterë. Përjashtim bëjnë, në Defterin e vitit 1583, tre kryefamiljarë që mbajnë mbiemrin Abdullahu, njeri prej të cilëve vazhdon të ruajë emrin e krishterë Jani, gjë që flet për një proces në fazën e vet embrionale. E megjithatë, më 1537, Paramithia konsiderohej nga Venecianët si "vend i rëndësishëm i Turqve" (Paramitia terra grossa de Turc/ii). Kjo lë të kuptohet se, të paktën në dhjetëvjeçarët e parë të pushtimit osman, ashtu si në Sopot apo Agia, midis popullsisë vendase të krishterë të Paramithisë dhe pushtetit osman ishte vendosur një klimë bashkëpunimi dhe paramithiotët ishin shtetas osmanë luajalë. Nga Paramithia e kishin origjinën shumë nga Sanxhakbejlerët, që drejtuan sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës në shek. XVI-XVII.
Treva e Paramithisë ishte ndër më të pasurat e steresë në prodhimin e drithit, i cili eksportohej me shumicë në drejtim të Korfuzit. Në tregtinë e drithit me Venecianët e Korfuzit, krerët e Margëlliçit, si në rastin e Mustafa Agës në vitin 1638, refuzonin të përdornin si njësi matëse modin venecian dhe insistonin të përdornin njësinë matëse të Paramithisë, më të vogël, nga e cila tregtia veneciane dilte me humbje. Në fillim të shek. XVII, krerët e Paramithisë kishin fituar një peshë të madhe në administratën osmane të Sanxhakut të Delvinës. Në vitin 1620, Mustafa Çaushi i Paramithisë e kishte shtrirë pushtetin e tij deri poshtë në Fanar, ku kërkonte të hapte disa peshkore, gjë që e konfliktoi atë me autoritetet veneciane të Korfuzit të cilat pretendonin të kishin juridiksion në atë segment të bregdetit Jon. Vite më vonë, një tjetër dinjitar me autoritet i Paramithisë, Hysen Isak Beu (Cusem Sac Bei di Paramitia ministro Turckesco principale di autorita. grande), e kishte shtrirë pushtetin e tij deri në kufijtë e Sanxhakut të Santa Maurës (Leukadës).