Parqet Arkeologjike në Shqipëri
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Kaonia

Kjo krahinë e Shqipërisë jugore shtrihet gjerësisht në bregdetin jonian, nga grykëderdhja e lumit Thiamis (ose Kalamas) deri në malet Akrokeraune (ose Karaburun). Në drejtim të pjesës së brendshme, nga ana veriore, lumi Aoos (ose Vjosa) shënon kufirin midis kaonëve dhe popullsive ilire, ndërsa, në drejtim të lindjes, kaonët janë fqinjë me parauejt që banojnë në pellgun e Përmetit, domethënë në luginën e mesme të lumit Aoos midis degës së Sarandaporos, që shënon kufirin aktual midis Greqisë dhe Shqipërisë, dhe grykave të Aoos-it mbi Tepelenë; më në juglindje, kaonët janë fqinjë me molosët; në jug, janë tesprotët që ndajnë me kaonët krahinën e Kestrinës, e përfshirë midis luginës së Thiamisit dhe asaj të Pavlës, ngaqë Gitani, qyteti i madh tesprot, është ndërtuar në bregun e djathtë të Thiamisit. Në të vërtetë, me hollësi, kufijtë e Kaonisë antike është e vështirë të përcaktohen. Në fakt, amantët që janë të vendosur në jug të luginës së Aoos-it, midis Shushicës dhe Aoos-it, përreth qendrës së tyre, Amantia, e lokalizuar në fshatin Ploçë, nuk i përkasin bashkësisë së kaonëve, as edhe Olympes (në fshatin e sotëm të Mavrovës); po kështu, qytetet e zhvilluara të bregut të detit Jon, veçanërisht Himara, duket se nuk përfshihen as ato te Kaonët, por kanë qenë njohur si shtete të pavarura. Një rast të tillë përbën edhe Oriku, i vendosur në brendësi të gjirit të Vlorës. Po të pranojmë se territori i Amantëve është i mbrojtur në drejtim të jugut nga kalaja e Matohasanajt, mund të themi se Kaonia shtrihet deri në Tepelenë, duke u lënë amantëve krahinat malore të jugperëndimit. Kaonët jetojnë kryesisht përreth dy pellgjeve lumore: lugina e Drinosit në lindje, e quajtur gjithashtu Dropull, që përkon sot me me pellgun me qendër qytetin e Gjirokastrës, dhe lugina e Bistricës që mbaron në jug me liqenin e Butrintit; secili nga këto pellgje kishte, në antikitet, një qendër të ndryshme nga ajo që është sot: Antigonea, 5 km në lindje të Gjirokastrës, ishte qendra e pellgut të Drinos, ndërsa Foinike ishte qendër e pellgut të Bistricës; këtë rol e ka luajtur më vonë Delvina ndërsa tani qyteti port, Saranda. Ky organizim i Kaonisë të kujton polisin grek, me qendrën e vet qytetare, territorin e vet fshatar (hora) dhe kalatë e veta që mbyllnin kalimet në territorin e qytetit. Por kaonët nuk hoqën dorë asnjëherë, deri në pushtimin romak, nga organizimi i tyre më i gjerë dhe më i lashtë, ai i etnosit, i cilësuar shpesh si Koinon, domethënë një kuadër më i gjerë dhe sigurisht më mirë i përshtatur ndaj jetës baritore që bënte një pjesë e rëndësishme e popullsisë, karakteristike kjo edhe për molosët fqinjë. Në rrethanat kur koinoni po shkonte drejt shpërbëijes, kuadri që u ruajt ishte ai i një koinoni më të ngushtë, sikurse ai i Prasaibëve të vendosur përreth Butrotit.

Asnjëherë, në historinë e kaonëve, qyteti i Foinikes nuk është përpjekur të bëhet një polis autonom, po kështu as Antigonea, të cilat mbeten në gjirin e bashkësisë së kaonëve deri në pushtimin romak.

Bregdeti Jonian

Zona që zënë monumentet arkeologjike,shtrihet prej maleve Akrokeraune (Qafa e Llogarasë), maleve të Labërisë e deri në kufirin shtetëror të Shqipërisë në Jug. Kufirin lindor të kësaj zone e formojnë Mali i Gjerë, Qafa e Muzinës dhe vargu i maleve në jug të saj, deri në Stugare. Pjesë përbërëse të saj janë krahina bregdetare (bregdeti shqiptar i Jonit), pellgu i Delvinës dhe lugina e lumit Pavël.

E gjithë kjo zonë bën pjesë në Shqipërinë e lartë bregdetare. Ajo përbëhet prej një sërë vargmalesh gëlqerorë me drejtim dinarik, të veçuara prej luginash fushore dhe aluviale, që ndjekin të njejtin drejtim. Kjo ndryshon nga pjesa tjetër e Shqipërisë bregdetare dhe është e ngjashme me zonën e Shqipërisë së brendshme. Këtu zotërojnë malet, kurse luginat gjenden gjatë disa rrjedhjeve të lumenjve të rrethuara prej maleve. Malet e Shqipërisë së lartë bregdetare janë malet më të zhveshura të vendit tonë. Pyjet e larta janë shumë të pakta, kurse kullotat verore, me bar të bollshëm e të shumëllojshëm, gjenden kudo.

Ndërmjet lumit të vogël të Dukatit dhe detit Jon ngrihen madhështorë vargmali i Llogarasë (Akrokeraunet) me majën më të lartë, atë të Çikës (2050 m.). Pastaj vjen lugina e ngushtë e Shën Vasilit, që ndan në pjesën verilindore vargun malor të Sarandës nga vargu malor i Fterrës. Vargu malor i Sarandës shtrihet në pjesën perëndimore, gjatë bregut të detit Jon, i cili fillon prej fshatit të Hundecovës dhe vazhdon në drejtim të juglindjes, me majën e Shëndëllisë (801,6 m.), ku mbas një uljeje që bën në qafën e Gjashtës (150 m) vazhdon me një varg kodrash të gadishullit të Kasimilit (300-400 m. lartësi), që mbarojnë në kufi me Butrintin. Në krahun tjetër të luginës shtrihet vargu malor i Fterrës, i cili vazhdon në drejtim Jug-Lindje, me majën e Picohes (766 m) dhe pastaj vjen duke u ulur deri në fushën e Vurgut. Në anën lindore të vargut të Fterrës shtrihet pellgu i Delvinës me malet për rreth tij. Në veri dhe verilindje të saj ngrihet vargu i Malit të Gjerë - Stugarë; në jug të Delvinës ndodhet mali Kartaur, mali Kazanje - Karitje, afër lumit të Leshnicës, kurse përkundrejt ngrihet mali i Shëndenikut (1600 m). Në pjesën jugore të këtij pellgu lartësohet mali i Milesë, i rrethuar nga Jug-Lindje dhe Jug prej lumit Pavël; në vazhdim të malit Mile gjendet vargu Saraqin - Mile që pritet prej lumit Pavel. Si vazhdim i këtij vargu më në Veri gjendet vargu i Sarandës, që është përmendur më lart.

Në verilindje ngrihet vargu i Malit të Gjerë dhe i Sopotit, i cili ndan luginën e Drinosit nga Pellgu i Delvinës, pas majës së Nakriginës (1601,9 m) bën një ulje në qafën e Muzinës (rreth 500 m), pastaj ngrihet përsëri dhe kurorëzohet me majën e Muzinës (rreth 1555,4 m), që vazhdon në drejtim të juglindjes. Mbas luginës së ngushtë të Bistricës vjen Hilina-Shën Demio, që ndodhet në jug të hidrocentralit të Bistricës, pastaj vjen vargu malor i Dhëvirit që është mjaft i thepisur dhe më tutje shtrihen malet e Shën-dëllisë, mali Lemo dhe vargjet e maleve të Këlcyrës, me shpate shumë të thepisura, nga ana e lumit Pavël.

Përveç vargmaleve këtu shtrihen edhe një sërë fushash dhe luginash të ngushta. Më të përmendura janë: fusha e Vurgut, që ndodhet në rrjedhjen e poshtme të lumit të Kalasë dhe Bistricës, fusha e Mursisë, dhe një sërë luginash të tjera të ngushta që ndodhen përreth lumenjve dhe përrenjve të ndryshëm, si ajo e Lukovës - Shën-Vasilit, lugina e ngushtë e Navaricës dhe ajo e Bistricë-Vrisit etj.

Këtë krahinë e përshkojnë dhe një numër lumenjsh dhe përrenjsh. Më të përmendurit janë: Lumi i Kalasë, Bistrica dhe Pavlli me degët e tyre. Në verilindje të Butrintit shtrihet liqeni i Butrintit (Pelodes), i cili lidhet me detin Jon me anë të një kanali natyral.

Kjo zonë ka një klimë mesdhetare atlantike jugore, klimë që karakterizohet me verë të nxehtë, e të thatë, të qëndrueshme, rallëherë shumë të nxehtë e të thatë, dhe me dimër jo shumë të ftohtë. Rreshjet janë të paqendrueshme, sasia mesatare vjetore arrin 1.700 mm. Maksimumi i rreshjeve është në muajt Nëntor-Dhjetor, kur mesatarja e rreshjeve arrinë 300-350 mm., kurse minimale më pak se 50 mm u përket muajve Korrik-Gusht.

Bimësia nuk është e njëjtë dhe në përgjithësi e rallë, sidomos në vendet malore. Kurse në bregdetin e detit bimësia është më e dendur; kodrat janë veshur kryesisht me agrume, pemë dhe ullishta. Vendi është i mbushur me kullota të mira dimërore, dhe ka sasi të madhe bari të nevojshëm për bagëtinë.

Burimet e autorëve antikë na flasin për një bujqësi e blegtori shumë të zhvilluar. Fusha e Kestrinës (sot fusha e Vrinës) në kohën e lashtë gëzonte një emër të mirë për bujqësi e blegtori. Përveç kultivimit të tokës, këtu lulëzonte sidomos rritja e gjesë së gjallë, në radhë të parë e dhenve, dhive, kuajve dhe kafshëve të tjera shtëpiake; të përmendura ishin lopët e Kestrinës për qumështin e mishin e tyre të bollshëm. Të begatshme ishin edhe tokat e tjera të Kaonisë, si fusha e Dropullit, e Vurgut dhe ajo e Delvinës.

Qyteti i Beratit (Antipateria)

Berati (Antipatreia) gjendet buzë fushës pjellore të Myzeqesë (Gylakion Pedhion), në skajin perëndimor të luginës së Osumit (Apsi-t) ku lumi pasi çan pengesën e fundit të zonës malore krijon një grykë të ngushtë. Në këtë pikë përqendrohej një rrjet i fuqishëm rrugor: Rruga përgjatë luginës së Apsi-t për në Maqedoni, rrugët nga Dimali, Bylisi dhe Aulona dhe rruga që nëpërmjet Klisurës (Këlcyrës) lidhej me qytetet e Epirit.

Qyteti antik shtrihej në pjesën e sipërme të kodrës që lartësohet përmbi qytetin e Beratit, nga ana e djathtë e Osumit. Kodra 187 m e lartë ka formën e një maje shigjete të drejtuar nga veriu. Shpati jugor bie me shkëmbinj të thiktë, ndërsa perëndimori dhe lindori zbresin me pjerrësi 45° drejt fushës. Vetëm në veri krijohet një qafë e sheshtë e cila lidhet me rrugët që të çonin për në qytet. Lart shpatet e kodrës lakohen duke krijuar një kupolë të përshtatshme për banim.

Gjurmë të zbehta të një muri me blloqe të palatuara dëshmojnë fortifikimin protourban të qytetit. Në periudhën antike kodra rrethohet me mure të fuqishme. Traktet “ in situ” dhe blloqet e ripërdorur në fortifikimin mesjetar, tregojnë se linja e rrethimit u përcaktua nga fortifikimi antik. Muret rrethuese ndjekin të njëjtën vijë rrushkulluese duke i dhënë qytetit trajtën e një trekëndëshi brinjëlakuar 9,60 hektarësh. Hyrja kryesore ndodhet në veri, ku rruga e jashtme lidhet natyrshëm me boshtin rrugor të qytetit të fortifikuar. Hyrja ndodhet në skajin e qafës e mbrojtur prej një kulle të fuqishme.

Balli i portës tërhiqet brenda një gjiri të krijuar nga thyerja e linjës së kurtinave duke i siguruar asaj fshehjen nga goditjet e drejtpërdrejta të makinave gurhedhëse. Hyrja me planimetri katrore (9,8 x 9,8 m) dhe ballë rrafsh me kurtinën zhvillohet në brendësi të rrethimit. Korridori i hyrjes (3,4 x 9,8 m) vijon përgjatë boshtit gjatësor të kullë. Në ballë të kullës ndodhej porta-kullës pas së cilës ndodhej korridori i hapur, i cili mbulohej me zjarr nga dy blloqet muralë anash tij dhe balli ku zhvillohej një kullë e brendshme (9,8 x 5 m). Hyrja e dytë, një çarje e thjeshtë e kurtinës, ndodhet rrëzë një kulle katrore, vetëm 25 m larg hyrjes kryesore. Si e tillë ajo shërbente për daljen e shpejtë dhe goditjen në befasi të sulmuesve të hyrjes kryesore. Një arkitra (2,1 m) në afërsi të hyrjes mesjetare lindore tregon se këtu gjendej hyrja e tretë.

Kulla e ruajtur (7.5 x 4,15 m) pararendet nga një bazament i shkallëzuar. Në katin e saj të parë kalonte hyrja e mbuluar me arkitra guri dhe prej këtej një shkallë e brendshme të çonte në katin e dytë, Nëpërmjet zgjerimit të katit të dytë të kullës mbi kurtinën, kulla fitonte një planimetri të rregullt katrore (7,5 x 7,5 m). Si i tillë kalimi nga njëri shteg i kurtinës tek tjetri kryhej i kontrolluar nëpërmjet portave anësore të katit të dytë të kullës. Kurtinat (3,15- 3,50 m) përbëhen nga dy faqet e lidhura tërthor çdo 2,15 - 2,80 m me njëra-tjetrën dhe emplecton-i me dhe e mbeturina të gdhendjes së blloqeve. Blloqet prej gëlqerori (rreth 1-1,1 x 0,4- 0,75 m), me ballë të mysët të punuar me vare, janë latuar në trajtë kryesisht drejtkëndëshe dhe rrallë trapezore.

Lartësia e blloqeve është e barabartë brenda një kurtine ose kulle, por ajo ndërron nga kurtina në kurtinë (0,4 - 0,75 ni) në funksion të shtresave të gurit në afërsi. Si e tillë muratura klasifikohet midis izodomikes dhe pseudoizodomikes. Kullat dhe hyrja janë pajisur në skajet me vija peshimi. Antipatrea dhe Kështjella në Goricë krijonin një binom i cili komandonte hyrjen dhe daljen nga lugina e Osumit dhe rrugën për Këlcyrë e Përmet. Si i tillë ky binom ishte dryni i luginës së Osumit dhe rrugës për në pellgun e Korçës dhe në Maqedoni.

Pavarësisht mbishkrimit ndërtimor i cili pretendon “zotërimin e Fushës së Gylakut (Myzeqesë) nga ana e Antipatreas”, në antikitet kjo zonë kufi-zohej nga fuqia e fqinjëve të mëdhenj: Apolonisë, Bylisit, Dimalit. Monedhat e kësaj kohe, kryesisht të Apolonisë (Apollon - Obelisk), tregojnë se tregtia e Beratit ishte e orientuar ndaj Apolonisë. Pas pushtimit romak qeramika tregon një farë zbehjeje të jetës, por duke nisur nga antikiteti i vonë qyteti fuqizohet gjithnjë e më tepër duke u kthyer në “Kreun e Myzeqesë”. Në të kundërt jeta në Goricë zbehet dora-dorës dhe në shek. II- III fiket përfundimisht.

Apollonia

Rrënojat e Apolonisë gjenden pranë fshatit Pojan të Fierit, mbi një kodër të ulët, e cila kontrollonte dikur rrjedhën e poshtme të lumit Aoos, para se të derdhej në detin Adriatik.

Pseudo Skylaksi (26) e vendos në distancën 50 milje nga deti dhe fare pranë lumit Aias (Aoos). Straboni(VII,5,8 C 316) jep distancën 10 stade nga lumi Aoos dhe 60 stade nga deti. Porti lumor i qytetit përmendet në disa ngjarje historike dhe që nga gjysma I e shek. II p.e. sonë shënonte fillimin e rrugës Egnatia (Polyb. XXXIV, 12,3). Më pas qyteti bëhet një stacion i rëndësishëm në rrugët romake që vinin përgjatë bregdetit nga Dyrrhachion dhe Aulona, apo që nisej nga Apolonia për t’u bashkuar në Scampa me via Egnatia, apo nëpër luginën e Aoos për në Epir ose Maqedoni.

Bylis

Bylisi është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike lë Shqipërisë dhe renditet për nga vlerat monumentale krahas Apolonisë dhe Butrintit. Qyteti antik ka qenë vendosur mbi rrafshet e kodrës së quajtur Gradishtë (514 m), pranë fshatit Hekal të rrethit të Mallakastrës, rreth 40 km në lindje të Apolonisë.

Bylisi u zhvillua mbi rrugën natyrore nga Apolonia drejt Epirit dhe Maqedonisë dhe zotëronte mbi luginën e mesme të Vjosës, përballë Amantias. Gjatë shek. IV- I p. Kr. Bylisi ishte qendër e Koinonit të Bylinëve, ku bënin pjesë edhe qytetet antike të Klosit, Gurëzezës dhe Margëlliçit.

Amantia

Qyteti i Amanties ngrihet mbi lartësinë shkëmbore, që shkëputet nga mali i Tartarit në drejtim të perëndimit.

Ky pozicion i jepte qytetit përparësinë për të kontrolluar rrugën natyrore që vinte nga gjiri i Vlorës, për të vazhduar në drejtim të Epirit nëpër qafën e Sevasterit Po në të njejtën qafë kalonte edhe rruga që vinte nga Bylisi, për të vazhduar nëpër luginën e sipërme të Shushicës për në Kaoni. Vetë qyteti zinte pllajën e kodrës shkëmbore në një sipërfaqe 13 ha, duke pasur një shtrirje të kufizuar të lagjeve të jashtme në anën lindore, ku gjendet dhe stadiumi.

Amantia lidhet me Bylisin jo vetëm nga pikëpamja vizuale, përballë, mbi bregun e majtë të Vjosës, por edhe nga një rol i ngjashëm politik e kulturor në botën antike ilire. Qyteti ishte qendër e një koinoni, i cili shtrihej në luginën e mesme dhe të sipërme të Shushicës, ku bënin pjesë edhe qyteti i Olympes dhe kështjellat e Cerejes e të Matohasanajt.

Klosi (Nikaia)

Qyteti Antik i Klosit shtrihet në rrafshet e kodrës me kuotë 355 m, buzë rrugës natyrore që lidhte bregdetin e Apolonisë me Epirin dhe Maqedoninë, duke kaluar nëpër Bylis. Fillimet e një vendbanimi protourban janë dëshmuar në gjysmën II të shek. VI, ndërsa në gjysmën e dytë të shek.V p.Kr. Klosi u shndërrua në një qytet të fortifikuar. Qyteti kontrollonte nga afër luginën e mesme të Aosit, vetëm 1 km nga Bylisi dhe përballë Amantias.

Antigonea

Antigoneia ndodhet në mes të Luginës së Drinos, në anën e djathtë të rrjedhjes së lumit, përballë Gjirokastrës. Para saj lugina zgjerohet në fushën e gjerë, të njohur në antikitet me emrin Fusha e Antigonesë (Liv. XXIII 1.6). Para qytetit, po nga ana e djathtë e lumit, kalonte arteri kryesor Iliri- Epir (Liv 43.21.4, T.P.570-571).

Pozita në qendër të luginës, ndërmjet qafave e kalimeve për në të, dhe rajoneve kryesore bujqësore të trevës i jepnin Antigonesë mundësinë të kordinonte veprimet mbrojtëse ushtarake dhe të administronte ekonomikisht trevën duke shërbyer si qendër kryesore shkëmbimi për luginën. Këtë e dëshmon dhe sipërfaqja mjaft më e madhe se e qyteteve të tjera dhe potenciali i lartë ekonomi

Hadrianopoli

Qyteti i Hadrianopolit shtrihet në fushë të hapët, në pjesën më pjellore të Luginës së Drinos. 14 km larg qytetit të Gjirokastrës, 3 km në vijë ajrore nga qyteti antik në Bregun e Melanit (Omfalion?) dhe rreth 450 m larg rrjedhës së sotme të Lumit Drino.

Skampini

Skampin (Elbasan) Kulla freskore e skajit JP e parë nga brënda

Skampini gjendet në një nyje strategjike, në pikën ku para se Via Egnatia të penetrojë nga ultësira bregdetare në luginën e Shkumbinit, me të vinë e lidhen gonxhe një sërë rrugësh të tjera. Falë kësaj pozite, Skampini u shndërrua nga një lokalitet (vicus), në një qendër ushtarako-qytetare ku u stacionua legjioni i vetëm i Epirit të ri, Legio Pseudocomitatensis Scampensis. Pas braktisjes së përkohshme në shek. 5, kastroja rindërtohet nga fundi këtij shekulli. Vulat e repertorit paleokristian në tullat e rifortifikimit: kryqe, zogj, delfinë, etj. tregojnë se rindërtimi u krye nën përkujdesjen e peshkopit të qytetit.

Legjioni strehohej në Kastron me përmasa 308 x 348 m të rrethuar prej muresh të fuqishëm 1.3 km të gjatë, 3 m të gjerë, dhe 12 m të lartë. Muret qarkoheshin prej një hendeku 3 të thellë të mbushur me ujë dhe përforcoheshin prej 26 kullash trekatëshe, në formë U-je në meset dhe freskoreje në anët. Shkallët për në shtegun e kalimit, nuk kalonin brenda kullave, por jashtë tyre, mbi harqe të lartë.

Në Kastron e orientuar sipas pikave kardinale të horizontit, të fusnin katër hyrje, nga një në secilin mes të brinjëve. Ndërmjet hyrjeve lindore dhe perëndimore të mbrojtura me dy kulla dhe të pajisura me oborr të fortifikuar kalonte dekumana traseja e së cilës përputhej me rrugën Egnatia. Kardoja, rruga veri-jugë, kalonte përmes kullave kuadratike të hyrjeve veriore dhe jugore . Në këtë mënyrë syprina e kastros ndahej në katër çereke, kuartall-e, ku gjendeshin kazermat, banjat, tempujt dhe ndërtesat e tjera të legjionit. Në të kundërt nekropoli gjendej jashtë kastros, në të dy anët e rrugës Egnatia.

Via Egnatia

Kërkimet arkeologjike kanë përcaktuar në përgjithësi itinerarin e rrugës Egnatia në territorin e Shqipërisë. Dega kryesore e saj që nisej nga Dyrrahu, kalonte afërsisht në drejtimin e rrugës së sotme automobilistike. Stacioni i parë, Clodiana, përgjithësisht është identifikuar me Peqinin, por duhet të jetë më në lindje, pranë Bishqemit, ku mund të takohej me rrugën që vinte nga Apolonia. Stacioni i dytë, Ad Quintum, përkon me kompleksin e termeve dhe nymfeut romak në Bradashesh. Rruga vazhdonte drejt Scampis (Elbasani), pak më në veri se rruga automobilistike dhe pothuaj përputhej me trasenë moderne deri në stacionin Treiecto, apo Genesis fl., pranë fshatit Mirakë, ku fillojnë ngushticat e lumit Shkumbin. Pasi kalonte lurain, rruga ngjitej në kurrizet e kodrave në bregun e majtë të tij deri në lartësinë rreth 600 m në shpatin e malit të Polisit, për të dalë në qafen e Gajorit, pranë fshatit Babje, që përkon me stacionin Ad Dianam apo Grandavia. Pasi ndiqen për rreth 20 km në një tarracë të vjetër lumore. gjurmët e rrugës zbresin për të kaluar përsëri Shkumbinin në fshatin Qukës, ku gjendej stacioni Tres Tabemas, apo In Candabia. Këtu gjurmët e rrugës antike kryqëzojnë trasenë moderne dhe ngjiten drejt fshatit Pishkash dhe Rrajcë (stacioni Pons Servili), për të dalë në Qafën e Thanës, rreth 2 km në veri se rruga e sotme automobilistike, ku gjendej stacioni Clavdanon.

Dega më e hershme e rrugës Egnatia ishte ajo që fillonte nga Apolonia, për të vazhduar rrëzë kodrave deri në Fier e Marinëz, ku gjendej stacioni Stefanaphana. Më tej përshkonte fushën në perëndim të Roskovecit, për të kaluar lumin Apsos (Semani) në Kuç. Gjurmët e rrugës janë ndjekur përmes krahinës së Dumresë, në Kosovë, Murrizë, ku duhet të ndodhej stacioni Marusio, Qafeshkallë, për të dalë në luginën e Shkumbinit dhe për të kaluar lumin pranë Pajovës, ku duhet të bashkohej me rrugën që vinte nga Dyrrahu. Një drejtim më i hershëm, i cili kalonte pranë Gradishtës, për të dalë në Shalës, Murriqan dhe Topçias, është dëshmuar nga gjurmët e urave, si dhe nga vetë ura e madhe e Topçiasit mbi lumin Shkumbin, para se rruga të futej në Skampin.

Ka pasur edhe një rrugë direkte midis Dyrrahut dhe Apolonisë, të dëshmuar nga Tabula Peutingeriana, e cila shkëputej nga rruga Egnatia diku pranë Qerretit, për të ndjekur rrëzën e kodrave bregdetare dhe për të kaluar Shkumbinin(Genesis) raidis fshatrave Halilaj dhe Bishtçukës. Rruga vazhdonte përgjatë shpateve perëndimorë të kodrave deri në Babunjë, ku kalonte Apsin antik (Hapsum fl.). Më tej kalonte në Libofshë dhe Mbrostar, prej ku kthehej drejt jugut, për të takuar degën jugore të rrugës Egnatia diku pranë Fierit.

Ad Quintum

Ad Quintum

Kompleksi arkitektonik i përbërë nga termet dhe nymfeu u zbulua gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1968 të drejtuara nga N. Ceka dhe L. Papajani. Gjendet në fshatin Bradashesh, rreth 7 km në perëndim të Elbasanit, vetëm 40 m mbi gjurmët e trasesë së rrugës Egnatia, të mbuluara nga rruga e sotme Elbasan-Peqin. Për vendosjen e tij ka qenë zgjedhur rrëza e kodrës, në krah të përroit të Fikasit, që mbledh burime të vogla, por të pashterrshme gjatë verës.

Selca e Poshtme

Kodra ku gjendet qyteti antik mban toponimin Gradishta e Selcës, sipas emrit të fshatit Selca e Poshtme në rrethin e Pogradecit. Ngrihet në lartësi 1010 m mbi nivelin e detit, në bregun e djathtë të lumit Shkumbin(Genusus). Kontrollonte nga afër rrugën pararomake që lidhte Ilirinë bregdetare dhe Dyrrahun me Maqedoninë, duke kaluar në grykën e Çervenakës për në Pogradec (Enkelana?) dhe grykën e Cangonjit për në fushën e Korçës.

Epidamn-Dyrrahu

Qyteti i Epidamn-Dyrrahut ka qenë themeluar nga kolonët e ardhur nga Korkyra dhe Korinti në gadishullin që është zënë sot nga qyteti i Durrësit, midis detit Adriatik dhe një lagune të gjerë që ka qenë për një kohë të gjatë burim malaijeje për banorët e qytetit, sikurse vinte në dukje Victor Bërard në La Turquie et l ’hellënisme contemporain (Turqia dhe helenizmi bashkëkohës), Paris, 1892, f. 6-13 (mbi Durrazzon); « Uji, mushkonjat dhe ethet e Durrazzos përputhen me përshkrimin që na kishin bërë shqiptarët. Dy apo tre mijë banorë braktisin madje qytetin në korrik».

Tharja e lagunës bëri të mundur që qyteti modem të zhvillohej, aq sa sot banesat mbulojnë të gjithë qytetin antik e madje edhe zonat e nekropoleve në periferi. Kjo shtrirje e qytetit natyrisht që nuk është e favorshme për kërkimet arkeologjike. Për më tepër, shpati i pjerrët mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti antik pësoi një gërryerje të fortë, që çoi në grumbullimin e një shtrese të trashë aluvionesh në pjesët e ulëta, sikurse shihet madje edhe në amfiteatër. Për ketë arsye arkeologët e kanë të vështirë të arrijnë në shtresat më të hershme që lidhen me themelimin e kolonisë e madje edhe në ato të periudhave klasike dhe helenistike. Gjetjet u takojnë më shumë periudhave më të reja, sikurse tregu në afësi të spitalit të qytetit.

Porti i sotëm i Durrësit është më i madhi i Shqipërisë; ai ka një liman të mirë me ujë të thellë dhe ndodhet në qendër të vendit dhe pranë rragës transballkanike që ndjek luginën e Shkumbinit.

Shkodra

Kalaja e Shkodrës

Sipas Tit Livit “Scodra-n, Kryeqendrën e mbretërisë ilire të ardianëve... Genti e kishte zgjedhur si fortesë të gjithë mbretërisë duke qenë vendi më i fortë i Labeatëve, i vështirë për t’u afruar. Qyteti rrethohet prej dy lumenjsh: Klausalas (Kirit) që rrjedh nga ana lindore pranë qytetit dhe në pe-rëndim prej Barbanas (Bunës), lumë që buron nga liqenet Labeatide (Liqeni i Shkodrës). Qyteti ështe i fortë prej natyre” (44, 31; 45,26.

Sipas Livit, në shek. II p.e.sonë të dy lumenjtë derdheshin në Lumin Oriund (Drin), ndërsa sipas Polybit, në shek. 1 Scodra ndodhej mbi brigjet e këtij lumi.

Shkodra (Scodra) ishte kryeqendër e fisit të Labeatëve dhe më tej e Mbretërisë së Ardianëve. Bërthamën e kësaj njësie e përbënte liqeni i pasur me peshk dhe fushat e begatshme përreth ku lidheshin nyje një sërë rrugësh të rëndësishme ballkanike. Rruga gjatë bregdetit e bigëzuar në rrugën gjatë bregut lindor dhe perëndimor të Liqenit të Shkodrës (Lacus Labeatis) bashkohej me rrugën transversale për në Nais- Ratiaria-Danub (TP col 555-559). Përveç rrugëve tokësore lumi Buna (Barbana) e lidhte Shkodrën me detin ndërsa liqeni, prej ku i ka fillesat lumi, me tërë krahinën.

Lisi dhe Akrolisi

Muret rrethues

Lisi dhe Akrolisi shenjojnë cakun jugor të njësisë që oshilonte rreth Shkodrës dhe liqenit të saj: fisit të labeatëve, mbretërisë ardiane, tre Rex Publikae-ve që e shpërbënë atë në kohën romake dhe më tej Prevalit (297-306). Nga perëndimi atyre u harkohen fusha të gjëra, kurse pas shpine, nga lindja, nis terreni malor. Ndërsa Lumi Mat shënon kufirin natyral me jugun, veriu mbetet i hapur dhe përzihet me territorin e Shkodrës. Lisi dhe Akrolisi gjenden në pikën ku Mali i Velës shtyhet deri në Drin me një gjuhë shkëmbore. Në këtë gjuhë spikasin Maja e Shelbuemit, e Akrolisit (410 m) dhe ajo e Lisit (172 m), 1 km larg njëra-tjetrës.

Në Lis kalonin rrugët e Dalmacisë që pasi tufëzoheshin në Shkodër të nxirmin në Durrës (TP Miller IR 462-471) dhe po këtu niste rruga transversale për në Dardani (Polyb 38 8, TP Miller IR 555. 559). Poshtë kodrës së qytetit kalonte lumi Drin, në antikitet i lundrueshëm, çka e kthente Lisin në skelë lumore të lidhur me Adriatikun (Caes. B.civ. 40 5), ndërkohë që skelë e tija detare mbetej Nymfeumi/ Shën Gjini (Caes. B.civ.3 26 3). Simbolet e monedhave të prera në Lis tregojnë për drejtimet kryesore ekonomike të qytetit: Liburna qenien skelë dhe rëndësinë e lundrimit, ndërsa dhia rëndësinë e blegtorisë: Thënia e Cezarit se Lisi “ushqehet më tepër me drithë të ardhur nga jashtë”, tregon se bujqësia luante një rol të dorës së tretë.

Qyteti në Zgërdhesh

Kullë kuadratike e shekullit III p.e.s., e futur në murin e akropolit të shekullit VI p.e.s.
Kulla veriperëndimore në murin rrethues të Zgërdheshit.

Qyteti në Zgërdhesh ndodhet pranë qytetit të Krujës, në cakun e takimit të Ultësirës Perëndimore me Malin e Skënderbeut. Para qytetit, në perëndim të tij, shtrihet një fushë pjellore e ndarë nga hora e Dyrrahut prej një vargu të ulët kodrinor. Nga shpina, në lindje, nis valëzimi i lehtë i kodrave pararendëse të Malit të Skënderbeut me kullota mjaft të mira.

Në afërsi të qytetit kalonte rruga përgjatë bregut të Adriatikut dhe Jonit prej së cilës shkëputeshin dy degë për në hinterlandin Parthin. E para nëpërmjet fushës së Tiranës dhe Malësisë së Kërrabës lidhej me rrugën e Kandavisë (Egnatien), ndërsa tjetra vijonte për Mat dhe Dibër. Në perëndim të qytetit, 30 km larg tij, ndodhet Skela e Redonit. Qenia e qytetit në takim të zonës bujqësore me atë blegtorale dhe skela e afërt krijonin kushtet për zhvillimin e jetës qytetare.

info@balkancultureheritage.com