Paxo
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Paxo

Sipas përshkrimit të Proveditor-Kapitenit Benetto Erizzo (1585), ishulli i Paksos, përballë Pargës, ishte i vetmi ishull i banuar, me 530 banorë që nxirrnin 145 luftëtarë jashtëzakonisht të zotë, të cilët ishin në gjendje të përballonin çdo sulm të piratëve. Ky ishull, dikur quhej Ericusa. Siç thuhet qartë në një raport venecian të vitit 1657, banorët e ishullit Paksos (e Antipaksos) vinin kryesisht nga stereja shqiptare, nga ku largoheshin në momentet e luftërave shkatërrimtare që goditën ato treva, siç ndodhi më 1537, 1571 e 1657. I tillë ishte "Gjin Krisafi nga Pakso", i cili në shkurt të vitit 1621, bashkë me një Dhimo Kapodistria nga Korfuzi (Dimo Cavodistra da Corfu), shërbente si rremëtar (galeot) në flotën veneciane.

Më 12 prill 1639, gjatë një inspektimi, Proveditor-Kapiteni Domenico Vendramin gjeti në Paksos 1249 frymë, prej të cilëve 400 ishin të aftë për të mbajtur armët. Dhjetë vjet më vonë, më 3 tetor 1649, pas një vizite në Paksosin e goditur nga një epidemi e rëndë murtaje, Proveditor-Kapiteni i Korfuzit Marin Marcello, raportonte se popullsia që i kishte mbijetuar asaj përfaqësohej nga gjithsej 1754 frymë, ndër të cilët 84 pleq nga 50 vjeç e lart, 410 burra nga 16 vjeç deri 50, 352 djem nga 16 vjeç e poshtë dhe 908 gra të çdo moshe. Paksiotët përfaqësonin komunitete të ardhura nga vende e fshatra të ndryshme të steresë shqiptare e të drejtuara, sipas traditës, nga krerët e pleqtë e secilit komunitet. Siç mund të merret me mend, marrëdhëniet midis tyre nuk ishin gjithnjë të mira. Kështu, autoriteteve veneciane të Korfuzit u duhej ta vizitonin herë pas here ishullin për të shuar grindjet e sidomos për të rivendosur autoritetin e Venedikut, që shpeshherë lëkundej dhe zëvendësohej nga pushteti i krerëve lokalë (che del tutto dipendono dai loro Baroni).

Si një popullsi e ngulitur vetëm përkohësisht, banorët e Paksosit duhet të kenë qenë të prirur për t'u shpëmgulur gjetkë, siç ndodhi më 1620 me priftin shqiptar Jani Klosi, banor i ishullit Fand (Papa Hiani Colos Albanese habitante sopra il scoglio di Fand). Ky, bashkë me 7 banorë të tjerë të ishullit Fand ishte hedhur në Italinë e Jugut me qëllim që të merrej vesh me autoritetet napolitane për shpëmguljen aty të të gjithë banorëve të ishujve Fand, Miklere dhe Riaplo, gjithsej 200 familje.

Paksiotët kishin detyra të rëndësishme në kuadrin e politikave veneciane të mbojtjes. Ata duhet të vëzhgonin ditë e natë lëvizjen e anijeve nëpër Kanalin e Korfuzit, dhe sa herë që do të pikasnin lëvizjen e ndonjë skuadre me më shumë se 4 anije, duhet imedia- tisht të dërgonin korrierë në Korfuz për të informuar autoritetet veneciane të ishullit. Kështu, më 22 prill 1615, nga Paksos mbërriti në Korfuz informacioni se një skuadër anijesh turke ishte nisur nga porti i Prevezës për t'u hedhur në brigjet e Kalabrisë. Më 11 maj 1642, Kapiteni i Paksos informonte Korfuzin se rreth katërmbëdhjetë anije pirate nga Algjeri dhe nga Tunizi, po bëheshin gati të hynin në gjirin e Adriatikut. Përveç detyrave të zbulimit, burrat e ishullit Paksos kishin për detyrë që, nën komandën e kapitenit të tyre, të shkonin pa vonesë në ndihmë të kështjellës së Pargës kur kjo do sulmohej nga Turqit, sa herë që do merrnin sinjal nga të shtëna topi prej asaj kështjelle.

Banorët e Paksos-it ishin të organizuar në njësi të vetëmbrojtjes. Ishin të armatosur mirë dhe me të hyrë në betejë, menjëherë merrnin zjarr e guxim. Por, duke qenë se ishin të ardhur në atë ishull nga fshatra të ndryshme, midis tyre marrëdhëniet ishin shpesh konfliktuale. Në vitin 1624, një episod i hidhur kishte ndodhur në ishull, kur ky u sulmua dhe u plaçkit nga një flotë e vogël pirate. Paksiotët ishin të bindur se kreu i fshatit të tyre, me emrin Niko, kishte pasur dorë në këtë ngjarje. Thuhej se atij i kishte ardhur nga Parga e nga Santa Maura lajmi për sulmin e pritshëm, por nuk ua kishte komunikuar lajmin banorëve, duke i lënë ata të papërgatitur e të pambrojtur përballë sulmit të piratëve. Ç'është më e keqja, ditën kur priteshin t'ia befnin anijet pirate, Niko kishte shkuar të peshkonte me barkë, dhe nuk u dërgoi bashkëfshatarëve asnjë shenjë lajmërimi, kur i pa ato të afroheshin. Dhe më tej, ai nuk ua kishte shpërndarë ushtarëve barutin dhe municionin, që sapo ishte dërguar nga Korfuzi, "por e kishte përdorur atë për të gjuajtur zogj, për qejf të tij". Të gjitha këto arsye e bindën Proveditor-Kapitenin e Korfuzit që të fillonte, pa zhurmë e pa bujë, një procedim penal kundër fajtorit. Autoritetet veneciane të Korfuzit vendosën të dërgojnë në Paksos një kapiten dhe oficerë të tjerë për të vendosur rregullin e disiplinën në trupat e paksiotëve. Kjo ngjarje "i kishte plagosur në zemër" banorët e Paksos, të cilët kërkuan me këmbëngulje mosketa, barut, litar, plumb e municione të tjera, për të përballuar sulmet që do të rifillonin pranverën e ardhshme. Kërkesa të tilla e vinin në vështirësi Proveditor-Kapitenin e Korfuzit, i cili e paralajmëronte qendrën se edhe ato pak mosketa që zotëronte në magazinat e Korfuzit, sipas urdhrit të Senatit ia kishte kaluar Proveditorit të Flotës, për të armatosur me to repartet shqiptare (la militia Albanese) në bordin e anijeve. Për rrjedhojë, ishte i detyruar të blinte me të holla armë të tjera. Fatkeqësisht, arka e Korfuzit ishte bosh, dhe "për shkak të mungesës së të hollave, ai nuk mund t'i ngushëllonte veç me fjalë banorët e pambrojtur të Paksos". "Por", shtonte ai plot sarkazëm, "fjalët nuk vlejnë për asgjë, ato i merr era".

info@balkancultureheritage.com