Kështu quhet kjo fortesë mali në gjuhën shqipe, e cila përmendet edhe në historinë e Skënderbeut (Petrella). Udhëtari që zbret nga Qafa c Krrabës dhe shkon në Tiranë, e shef atë për disa orë në krahun e majtë, sepse ajo gjendet nja 2 orë në jugperëndim të Tiranës, mbi një kodër të veçueme të atij vargu, i cili vazhdon deri te Kepi i Rodonit. Kjo kodër asht nja 1000 kambë e naltë, nga veriu dhe jugperëndimi asht shumë e pjerrët, prandaj vetëm nga ana lindore ka nevojë për forcime artificiale. Në veri të saj Erzeni përçan vargun e saj në fjalë dhe ecën në nji drejtim lindje-perëndim. Prandaj kjo kodër asht çelësi i fushës së sipërme të tij.
Fortesa në fjalë ka fillue me u rrënue. Ajo ban përshtypjen e nji kalaje nga Koha e Mesme. Muret nuk duken të jenë nga Koha e Vjetër dhe janë prej gëlqereje, por që vendi ka qenë banue edhe në kohna të vjetra e dëshmojnë mbeturinat e mureve ciklopike që gjinden afer lokalitetit të sotëm, mbi të cilat do të flasim ma vonë. Lokaliteti vetë përbahet prej disa grupe shtëpish të shpërndame nëpër ullishta, sepse fshati ka shumë vneshta ullini edhe pse ka nji naltësi të madhe. Lagja kryesore gjindet në qafe të Bargit, pak ma poshtë majës së kodrës. Atje asht edhe nji park i vogël me nji kafehane dhe pranë tij varri i Ballabanit. Ky nuk ka qenë vetëm trim, por bante edhe mrekullina, se kur e rrethuen turqit Durrësin, anmiqtë sulmuen nga fortesa dhe ia prenë kryet.Por ai e muer kryet e vet në dorë, i hypi kalit dhe erdhi deri në Petrelë; atje e la kryet aty ku sot gjindet vorri i tij. Kështu ma treguan çashtjen në Petrelë, por Barleti dhe Hameri thonë ndryshe. Simbas tyne, ky hero i ushtrisë turke, që ishte nga origjina shqiptare dhe po nga fshatrat e këtij qarku, po luftonte kundër Skanderbeut dhe u vra kur po rrethonte Krujën. Në këtë rast lexuesit do t’i kujtohet legjenda e Shën Gjon Vladimirit, e cila, si duket, ka kalue malet dhe asht përhapë këtu ndër muhamedanët.
Përsa i përket radhës ushtarake të bajraqeve të lokaliteteve të ndryshme të kësaj province, asht kjo: vendin e parë e zen Petrela, të dytin Durrsi, të tretin Dërrënja, mbi të cilën do të flasim ma vonë; në fund fare vijnë Kruja, Tirana etj.