Kishën e Manastirit "Shën Mëria e Apollonisë" e kemi vizituar për herë të parë në qershor të vitit 1953. Atëherë, përveç skenës së pikturuar me familjen e Mihail Paleologut, perandorit të Kostandinopojës, që gjendet në pjesën veriore të ekzonarteksit të kishës, nuk panë ndonjë pikturë tjetër.
Nga vepra e Anthim Aleksudhit mbi peshkopatën e Beratit mësuam se që nga mesi i shekullit të kaluar disa mjeshtër, duke dashur të riparonin me suva disa vende në kishën qendrore të këtij manastiri kanë mbushur me gëlqere gjithë pikturën e vjetër të saj.
Pilo Terziu, kujdestari i gërmadhave të Apollonisë, na tregonte se një klerik i vjetër i këtij manastiri, atë Anastasi, që kishte shërbyer aty 52 vjet, vdekur më 1942, kishte thënë se dhe pjesa jugore e fasadës së ekzonarteksit të kishës në fjalë ka pas qenë e veshur me pikturë murore me madhësi të figurave deri në gju. Sot, në pjesën jugore të kësaj fasade nuk duket asnjë shenjë pikture.
Më vonë, brenda kishës dhe pikërisht në anën jugore të murit perëndimor, sipër, u zbulua një portret plaku, shenjt i paidentifikuar. Pak më vonë, në faqen e murit verior jashtë kishës që është nën strehën e koridorit të ngushtë, i cili lidh kishën kryesore me paraklisin e Shën Mitrit u zbuluan fragmente pikture të parëndësishme. Në faqen e murit të koridorit kemi zbuluar fragmente ornamentesh, fragmente pikture dhe pjesë të një mbishkrimi që duhet t'i përkiste pikturave, i cili flet për një Kalia dhe një sebastokrator Gjoni, ku jepet viti 6800 (1292). Data e mbishkrimit ruan vetëm shifrën e mijësheve dhe të qindësheve. Pra ajo datë, sipas vlerës së dy shifrave të para, mund të shkojë nga viti 1292 deri më 1391.
Në vitin 1975, punonjës të Institutit të Monumenteve kanë pastruar sipërfaqen e nikës së prothesit në kungë nga një shtresë gëlqerore, duke zbuluar aty pikturën e prothesit, vende-vende të dëmtuar shumë. Piktura të tjera në këtë godinë ende nuk janë zbuluar.
Rreth skenës perandorake të Manastirit të Apollonisë për herë të parë ka shkruar Viktori Puzanova dhe, së dyti, po kjo autore në një artikull tjetër së bashku me Dhorka Dhamon. Këto autore skenën perandorake të ekzonarteksit të kishës së Apollonisë e kanë identifikuar gabim, duke e konsideruar atë si të Andronikut II Paleolog, perandorit të Kostandinopojës, dhe kohën e datimit të skenës si të kohës kur perandor Androniku ka sunduar vetëm, pa të jatin prej vitit 1282-1328. Këto pikëpamje, pa bazë dokumentare dhe të gabuara, janë korrektuar prej dokumentesh të pakundërshtueshme në një artikull të autorit.
V.Puzanova, ndonëse ka gabuar identifikimin e figurave të kësaj skene perandorake si dhe kohën e datimit të saj, ka dhënë disa tipare artistike nga ato figura shumë të zbehta të skenës, aq sa ka qenë e mundur nga dëmtimet që ajo ka pësuar. Skena në fjalë tani ka pësuar edhe më shumë dëmtime. Gjithsesi, përsa u përket tipareve artistike të saj, mbeten si dokumente ato të Puzanovës.
Në skenën e ekzonarteksit të kishës me përmasa 1,32 x 3,30 m përfytyrohet perandori i Kostandinopojës, Mihail VIII Paleologu me familjen e tij. Figura kryesore e skenës është ajo e perandor Mihailit, me pamje të një burri në moshë pak të thyer, por me një pozicion dhe vështrim mbizotërues. Në skajin e majtë të skenës ruhet një figurë gruaje, (me siguri e shoqja e perandorit në fjalë) dhe, midis tyre, figura e birit të tyre Androniku II Paleolog, siç na e tregon mbishkrimi mbi krye të tij. Në këtë përfytyrim, figura e Andronikut, si djalosh, vjen nën supet e figurave më të mëdha të prindërve. Mihaili dhe Androniku duken Veshur me stoli dhe kurora perandorake mbi kokë, që tregon bashkësundimin e Mihailit VIII me të birin e tij Andronikun II prej viteve 1272-1282 si dhe kohën e rindërtimit të kishës së Shën Mërisë së Apollonisë dhe atë të pikturës së kësaj skene perandorake.
Në anën e djathtë të Mihailit përfytyrohet Shën Mëria me maketin e kishës në duar dhe me faqe kthyer nga ai, që tregon se perandori i ka dhuruar asaj tempullin.
Kjo mënyrë kompozimi, perandor Mihailin e tregon si ktitor të rindërtimit të kësaj kishe të Apollonisë. Pas figurës së Shën Mërisë, nga e djathta, në skenë përfytyrohet një figure jerarku e cila, ndonëse shumë e dëmtuar, na duket si e Shën Kollit. Pra, në këtë skenë të madhe ruhen vetëm pesë figura, nga të cilat më pak të dëmtuara duken ato të perandor Mihailit dhe e birit të tij, Andronlkut.
Figura kryesore e kësaj skene, si në trup dhe në portret, duket më e bëshme nga të tjerat. Mihali Paleologu, si çlirimtar i Kostandinopojës (1261) dhe si sovran i Perandorisë, është dhënë me stoli perandorake ceremonlale të rëndë. Veshja e tij e sipërme prej një cohe të kuqe në vishnje të errët, me jakën e madhe të rrumbullakët, që i mbulon supet dhe gjoksin, jep përshtypjen sikur është mbuluar prej petash ari të shkrirë dhe prej gurësh të çmueshëm ngjyrash të ndryshme, si dhe kurora mbi kokë prej dekoresh ari dhe vargje perlash që i varen anash faqeve. Qëndrimi serioz i kësaj figure me vetulla të larta e sy të mëdhenj depërtues, si dhe stolia e rëndë perandorake i ka dhënë figurës së perandorit një pamje madhështore.
Ndonëse për ngjyrat e kësaj skene është vështirë të flitet me saktësi, sepse ato janë mjaft të fshira, mund të thuhet se në portretet mbi sankirin ngjyrë ulliri është përdorur okri, që deri te ne ka arritur shumë i zbehtë. Megjithatë, në këtë skenë, në përgjithësi, vërehet një përdorim i harmonishëm i ngjyrave të mirëkultivuara me tone të qeta, me pak theksime në format më të ngritura, pa konstraste. Këto figura, dhënë në një sfond të gjelbër të errët, që vjen pak në të kaltër, vihen mjaft mirë në dukje.
Piktura, që u zbulua në dy faqet e rrafshta të nikës së prothesit, ruan skenën "Apokathilosis" ("Zbritja nga kryqi") prej tri figurave pak si të fshira: atë të Krishtit, të Shën Mërisë dhe të një engjëlli. Krishti, I zbritur nga kryqi lakuriq, qëndron brenda në varr deri në brez, i mbështetur tek e ëma.
Kompozimin e këtij ansambli të vogël figurash e plotëson një engjëll i pikturuar në faqen veriore të prothesit në tërë figurën e tij, me qëndrim në këmbë, me fletë të gjata e të hapura nga poshtë, i kthyer nga Krishti e Shën Mëria me krye të përkulur drejt tyre.
Trajtimi i këtyre figurave është realizuar me linjë të saktë, elegante dhe me kombinim të harmonishëm të ngjyrave të portreteve me konture të holla e të mprehta. Ngjyrat në to, ndonëse dolën mjaft të dëmtuara pas heqjes së shtresës gëlqerore, duken të ngjeshura, intensive e të fuqishme, siç bie në sy e kuqja tingëlluese e hitonit të engjëllit ose e kuqja në vishnje te mafori i Shën Mërisë, me pala të gjera, me kontraste të ndjeshme dhe me tone të errta gati të zeza. Te figura e Krishtit lakuriq, për të arritur një farë ngjyre okri, për të vënë në dukje brinjët si dhe krehjen e rrallë grafike të flokëve piktori anonim ka përdorur ngjyrën kafe të errët. Me përdorimin e saktë të ngjyrave këto evidencohen mirë mbi sfondin e gjelbër të errët, duke krijuar një game unike me tone të ngrohta; veçse, fatkeqësisht, në pamjen e përgjithshme, nga dëmtimi që kanë pësuar ngjyrat, skena duket pak si e rrjepur. Këtu nuk mund të flitet me hollësi për modelimin e portreteve sepse dëmtimi, në një farë mase, ka bërë që të zhduket shtresa më e sipërme me nuancat e saj.
Ndonëse ngjyrat duken mjaft të fshira, nuk është zhdukur shprehja psikologjike, me të cilën ato i ka pajisur piktori i talentuar, si ajo e dhimbjes së madhe nga pësimet e kryqit, që lexohet mirë në fytyrën e Krishtit, apo pikëllimi i thellë prej nëne në vështrimin e Shën Mërisë. Kjo psikozë e krijuar pasqyrohet në sytë e padëmtuar të engjëllit me vështrim të shtangur e të tronditur. Realizimi i këtyre tipareve artistike psikologjike tregojnë se skena në fjalë ende ruan mjaft vlera të një niveli të lartë artistik.
Në protheset e parakliseve të shpellave eremite të vendit tonë si dhe në ato të kishave që datohen deri në shek.XIII gjejmë të pikturuar figurën e protomartir Stefanit. Për herë të parë në Shën Mëri të Apollonisë hasim të pikturuar në prothes skenën apokathilosis, madje, të kompozuar prej tri figurash që tregon se te ne, në prothes, kjo skenë është shfaqur më vonë, ka të ngjarë, edhe në viset e tjera të Perandorisë Bizantine.
Portreti i plakut që përmendëm në fillim të këtij studimi, pikturuar brenda kësaj kishe të Apollonisë, është dhënë me konture të theksuara dhe me ngjyra të kultivuara, i realizuar me një vështrim të gjallë e të fuqishëm, i modeluar prej një penell elegant dhe me plastikë të mirë, që tregon mjeshtërinë e tij të talentuar. Meqë është ruajtur në gjendje fare të mirë, ky portret nuk mund të krahasohet me pikturën e skenës "Familja e perandor Mlhail Paleologut", sepse kjo e fundit ruhet shumë e zbehtë dhe e dëmtuar. Kjo figurë ka më tepër ngjashmëri me pikturën e protezis si më pak të dëmtuar në ngjyrat dhe, në përgjithësi, në modelimin e portreteve, ndonëse figurat e prothesit përfytyrojnë persona të rinj.
Dy skena të ruajtura në këtë monument, sidoqë mjaft të dëmtuara, përveç portretit të paidentiflkuar të plakut, trajtimi me ngjyra të ngjeshura, intensive si dhe me pala të gjera të theksuara, evidencuar mbi sfondin e gjelbër të errët, krijojnë bindjen se të dyja, duke përfshirë dhe portretin e plakut, duhet t'i atribuohen kohës prej vitit 1272-1282, kur Mihail Paleologu bashkësundonte me të birin e tij, Andronikun II Paleolog, siç rezulton dhe nga të dhënat epigrafike të këtij monumenti.
Pra, perandor Mlhaili VIII Paleolog rezulton, përveç si ktitor i rindërtimit të këtij monumenti madhështor të kohës së Shën Mërisë së Apollonisë, njëkohëslsht edhe si kritor i pikturës monumentale të këtij monumenti, nga e clla, fatkeqësisht, deri më sot njihen vetëm këto dy piktura të dëmtuara, si dhe portreti i padëmtuar i plakut të paidentifikuar.
Manastiri i Shën Mërisë së Apollonisë pranë fshatit Pojan të Fierit, që ishte dikur rezidenca e peshkopatës së lashtë paleokristiane të Apollonisë, njihet si një ndër manastiret më të dëgjuara mesjetare të vendit tonë.
Përveç kishës së Shën Mërisë, në mes të oborrit, dhe paraklisit të Shën Mitrit, në anën veriore, pranë saj në anën perëndimore të kishës lidhur me godinat e banesave që rrethojnë oborrin, shtrihet një godinë e vjetër me stil dhe strukturë ndërtimi bizantin. Nga gojëdhëna e vendit, ajo njihet si trapezaria e vjetër e këtij manastiri. Godina në fjalë paraqitet e tipit bazilikor triapsidal në formë kryqi. Struktura e ndërtimit të mureve të Trapezarisë është me gurë, rrethuar secili prej kornize tullash nga të katër anët. Kjo strukturë ndërtimi duhet të jetë përdorur, afërsisht, që nga shek.XIII dhe ka vazhduar gjatë shekujve XIV e XV.
Në një gur të murosur jashtë apsidës lindore, poshtë, ruhet i gdhendur një mbishkrim që sot paraqitet shumë i dëmtuar dhe nga i cili mund të lexohet vetëm data 6758 (1250), por me shifrën e parafundit jo shumë të qartë.
Brendia e Trapezarisë në tri faqet e mureve stoliset me pikturë monumentale e cila, fatkeqësisht, ruhet shumë e dëmtuar e pjesërisht e zhdukur fare.
Për herë të parë, rreth kësaj pikture ka shkruar Viktori Puzanova, e cila ka meritën e saj të vërë e para në dukje tiparet kryesore stilistike dhe artistike të pikturës së Trapezarisë në fjalë. Që kjo godinë duhet të ketë qenë Trapezaria e manastirit dhe jo kishë, ndonëse paraqitet në formë kishe, përveç gojëdhanës, e tregon ndërtimi i saj me drejtimin gjatësor nga jugu dhe jo na lindja, siç janë kishat bizantine. Këtë e tregon edhe piktura e saj. Piktura në të, ndonëse është sistemuar me breza sipas traditës bizantine në ksiha, seknat aty nuk nisin me ciklin kryesor të festave të mëdha. Ato nuk radhiten sipas kronologjisë siç shohim në kisha, por janë dhënë disa skena nga “Dhiata e re”, disa nga rradhët e murgjëve si dhe nga martirët, siç i ka kërkuar porositësi, ose siç i ka zgjedhur piktori dhe që mund të ketë qenë edhe murg i këtij manastiri.