Pirateria ilire
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Pirateria ilire

~Pierre Cabanes

Pirateria ilire është një subjekt i pashtershëm ku çdo historian kërkon të shtojë mendimin e tij; kësaj çështjeje nuk duket t'i jetë shtuar ndonjë gjë e re qëkur e trajtova për herë të parë më 1974 dhe unë thjesht do të përmbledh këtu aspektet e saj të ndryshme: M.Holleaux ka paraqitur dy mendime që nuk përputhen me njëri-tjetrin: më 1920 ai mendonte se " pirateria ilire ose më mirë të themi ardiane duket se merr hov të madh në një kohë me rënien e dinastisë epirote... Nga të dhënat e Polibit (11,5. 1-2) del se sulmet e përsëritura nga ilirët në brigjet e Peloponezit, në Elide dhe në Meseni, kanë ndodhur shumë më parë se viti 230, datë e sulmit të tyre kundër Foinikes"; kurse më 1928 ky autor i çon shumë më herët në kohë fillimet e piraterisë ilire në Adriatik: duke përmendur ndërhyrjen e Dionisit të Sirakuzës, më 385, e cila pati vetëm një efekt të përkohshëm, ai shton : "Adriatiku vazhdoi të jetë, si më parë, në duart e ilirëve, dhe pirateria mbeti një e keqe endemike". Pas tij, R.L.Beaumont (15) duke iu referuar Polibit, ia atribuonte Agronit orgariizimin, për herë të parë, të një flote të fuqishme tek ilirët dhe mendonte se pirateria nuk ishte bërë aspak pengesë për jetën e kolonive greke në brigjet dalmate.

Kjo çështje u rimor nga H.J.Dell, dhe në shumë pika konkluzionet e tij duken mjaft interesante dhe në përputhje me të dhënat e burimeve të lashta; ai nënvizon, së pari, përmasat e piraterisë së japigëve, të peuketëve dhe sidomos të etruskëve në detin Adriatik: ai tregon, gjithashtu, se tekstet letrare që flasin për sulme të piratëve ilirë ka shumë mundësi t'u përkasin ngjarjeve që kanë ndodhur diku rreth viteve 231-230. Ai arrin, me sa duket me të drejtë, në përfundimin se "shumë para vitit 231, ilirët nuk angazhohen në ndonjë pirateri të theksuar në det të hapur, në Adriatik.

Megjithatë, natyra e këtyre burimeve është e tillë saqë është e pamundur të thuhet se nuk kishte kurrfarë piraterie përgjatë bregdetit ilir. Elementi i cili duket vërtetë i ri në vitin 231 është lehtësia e fitores mbi etolët para mureve të Medionit; sigurisht ky sukses ua hapi më shumë oreksin ilirëve të mbretit Agron të cilët, një vit më vonë sulmojnë qytete të fortifikuara si Foinike, ndërkohë që më parë ata synonin vetëm fshatra, siç e tregon tabela që Polibi paraqet për sulmet në Elide dhe në Meseni: "Ishin vende që ilirët plaçkisnin në mënyrë të vazhdueshme; gjatësia e brigjeve dhe pozicioni kontinental i qyteteve kryesore vononin ndihmat  për të zmprapsur zbarkimet e ilirëve dhe këta përfitonin nga kjo për të sulmuar pa frikë dhe për t'i plaçkitur pa pushim këto troje". Ata kërkonin për furnizime, plaçkisnin arat, shtëpitë e izoluara dhe fshatrat e pafortifikuar dhe sillnin në lemboi-tt e tyre trofenë, kafshët dhe njerëzit që kishin marrë si skllevër.

Në realitet, duket se një formë piraterie mund të ketë qenë praktikuar qysh prej një farë kohe në brigjet e Peloponezit, siç e thotë Polibi: bëhej fjalë për sulme të befasishme në këtë apo atë breg për të bërë plaçkë dhe për t'u rikthyer me shpejtësi para se të mbërrinin përforcimet nga brendësia e territorit ; por nuk është fjala për një kohë shumë më të hershme: Mesenia spartane, para betejës së Leuktrës, nuk ishte objekt i sulmeve të tilla. Përsa u përket brigjeve të Adriatukut, duhet nënvizuar se mbishkrimet nuk flasin pothuajse fare për veprimtarinë detare të ilirëve deri në një datë të afërt me pushtimin e Foinikes: sigurisht nuk të habit fakti që një mbishkrim konfirmon tekstin e Diodorit i cili raporton për luftime të ashpra që farëve u është dashur të bëjnë kundër banorëve autoktonë të mbetur në ishull dhe kundër ilirëve të kontinentit: kur u sulmuan nga një flotë prej anijesh të vogla ilire, farëve u erdhën në ndihmë anijet trirremëshe sirakuzase të Dionisit; konfirmimi i këtyre luftimeve na jepet nga mbishkrimi i Farit, i cili I dedikohet trofesë që u është marrë jadasinoive, të cilët janë identifikuar si ilirët e krajiinës së Jaderës (Zara) apo më mire ilirët që banojnë pranë lumit Lader afër Splitit, dhe aleatët e tyre: J.Brunsmid e datonte këtë mbishkrim në shek. IV para J.-K., siç e rikujton L.Robert (21), dhe D.Rendic-Miocevic ka saktësuar se ai u takonte dhjetëvjeçarëve të pare të shek.IV (22). Kjo fitore e farëve, në një datë me sa duket të afërt me themelimin e qytetit, dëshmon për konflikte lokale midis kolonistëve grekë dhe popullsive autoktone, por nuk flet fare për një pirateri në det të hapur. Ajo thjesht na tregon ekzistencën, qysh në atë kohë, të një flotilje të madhe lemboi-sh. ilirë, dhe pasionin e këtyre popullsive të bregdetit për lundrimin, gjë që nuk është për t'u habitur.

Mund të interpretohet në të njëjtën mënyrë mbishkrimi kushtuar Kalias, i cili ra në betejë kundër ilirëve; siç e theksojnë J dhe L Robert teksti është i paqartë lidhur me rrethanat e luftimit: mund të jetë fjala për një luftim në det ose për një zbarkim në breg; për këtë interpretim të dytë janë J. dhe L Robert, R.Egger dhe W.Peek.

Ky tekst i Isas, dhe jo i Farit, që përmend për herë të parë në një mbishkrim grek popullsinë autoktone me emrin e saj, ilirët, datohet nga D.Rendic-Miocevic në fillimin e shek.IV para J.-K.; J dhe L. Robert  mendojnë se ai mund t'i takojë shek.IV, por edhe pjesës së parë të shek. III; fillimit të shek.III i përmbahet edhe R.Egger i cili me të drejtë rikujton se luftimet midis banorëve të qyteteve greke dhe ilirëve të territorit të brendshëm kanë qenë të shpeshta para pushtimit romak.

Ky mbishkrim i Isas është i përafërt sipas L.Robert me e Korkyrës të shek.III kushtuar disa ushtarëve: në njërën bëhet fjalë për një amfilohas të vrarë nga kalorës ilirë dhe ajo i takon shek.III para J.-K.; një mbishkrim i dytë  përshkruan një harkëtar që ka luftuar në det kundër piratëve pranë ishujve Strofades, në ujrat e brigjeve të Mesenisë ; këta piratë që korkyrasit i ndjekin deri larg në jug mund të jenë ilirë; sidoqoftë, ëdhe ky mbishkrim i harkëtarit të ri Aleksandër daton nga shek.III dhe ka shumë mundësi që të përkojë me një prej sulmeve mbi brigjet e Mesenisë të përmendura nga Polibi (II, 5,1). Një tekst i tretë i Korkyrës, në prozë, I kushtohet një kapiteni anijeje të Korkyrës, të vrarë në luftim; ky tekst është, gjithashtu, i shek.III dhe ka të ngjarë t'i takojë gjysmës së dytë të këtij shekulli. L.Robert po ashtu ka nënvizuar se faji nuk mund t'u hidhej piratëve ilirë për shkatërrimin që pësoi Fari, dhe se mbishkrimi që përshkruan këtë situatë i takon më shumë shek.II para J.-K, në një moment krize të rëndë në Far, kur qyteti ka dalë nga aleanca romake, ndoshta gjatë sundimit të mbretit Gent, aleat fatkeq  i Perseut, në luftën e tretë të Maqedonisë.

Në realitet, epigrafia nuk jep mundësi të provohet pirateria detare e ilirëve para shek.III, ndofta as para gjysmës së dytë të këtij shekulli, në Isa apo në Korkyrë. Që të ketë pasur luftime midis kolonistëve grekë të Farit apo të Isas, dhe popullsive autoktone të këtyre ishujve dhe të kontinentit, në tokë dhe në det, meqë këto qytete të ishujve, kjo nuk vihet në dyshim; por kjo është krejt gjë tjetër nga pirateria në det të hapur.

Në mungesë të provave të sigurta, duhet rikujtuar, së fundi, se gjatë kësaj periudhe të shek.III, pirateria është një e keqe endemike që prek gjithë Mesdheun lindor, vepër herë e kretasve, herë e etolëve; këtyre u shtohen etruskët dhe në një masë të vogël edhe ilirët, duke nisur nga një datë që ne nuk e dimë. Por kësaj veprimtarie nuk duhet t'i jepet një ngarkesë përçmuese, sikur të ishte fjala për një veprimtari të padenjë: Tukididi, e paraqiste këtë pirateri si një veprimtari normale për atë kohë : "Grekët e dikurshëm, ashtu si barbarët e vendosur në brigjet e kontinentit apo në ishuj, ishin dhënë pas piraterisë, qysh kur marrëdhëniet detare midis vendeve kishin filluar të zhvilloheshin. Ata kishin në krye të tyre burra të cilët, edhe pse jo në nevojë, kërkonin të nxirrnin ndonjë fitim për veten e tyre dhe të siguronin ushqim për ata që nuk kishin mundësi. Duke sulmuar popuj që jetonin në fshatra të pafortifikuara, ata plaçkisnin duke siguruar kështu çfarë ishte më e domosdoshme për të jetuar: ky aktivitet nuk shihej ende si diçka e padenjë por sillte më shumë një element lavdie".

Ajo që bëjnë ilirët në kohën e Agronit, ndoshta dhe më parë, përputhet plotësisht me këtë përshkrim, vetëm se ilirët nuk presin që me plaçkitje të sigurojnë gjithçka që u nevojitet për jetësën ë tyre.

info@balkancultureheritage.com