Polina
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Polina

Emri i qytetit të lashtë të Apollonisë shfaqet në mesjetë në formën Polina, nga ku vjen dhe emri modern Pojani. Por në atë zonë, me emrin Polina na rezulton që të quhej gjithashtu një lumë, të paktën rrjedha e poshtme e tij. Në fakt, më 1554 mësojmë se një barkë pirate e ndjekur nga anije veneciane, u mbyt për shkak të furtunës ndërsa tentonte të futej, siç thuhet, në grykën e lumit të Polinës (volendo andarsid salvar in la Polina... nell'entrar in essafiumara sië rotta). Dhjetë vjet më vonë, në një moment marrëdhëniesh miqësore midis Bajliut të Korfuzit e Sanxhakbeut të Vlorës, ky i fundit e ftonte të parin të dërgonte një galerë në Polona për të tërhequr disa varka korfiote, të sekuestruara nga shtetas të tij. Me emrin Polina quhet edhe skela e rëndësishme për eksportin e drithërave që ndodhej në derdhjen e lumit, nga ku niseshin sidomos drejt Raguzës, Venedikut e Korfuzit ngarkesa të rëndësishme me drith. Për rëndësinë e veprimtarisë tregtare në skelën e Polinës flet edhe fakti që aty ekzistonte në shek. XVI edhe një shërbim i rregullt doganor (le dogane della Pollina).

Kujtojmë, se vendin dhe rolin që kishte Polina pas shek. XV në lëvizjen e mallrave, e kishte pasur deri në fund të shek. XIV një vend që burimet e quajnë me emrin Spinarica. Jemi gjithnjë në të njëjtën zonë, diku midis Nartës dhe derdhjes së lumit Seman. Me emrin Spinaricë quhej mes shek. XII-XIV porti tregtar buzë një lumi, të cilin burimet e quajnë me të njëjtin emër, Spinaricë. Në fakt, më 1277 apo më 1298, në dokumentet raguzane flitet për grykëderdhjen e Spinaricës ("foça Spinariçe"). Por, Spinarica përmendet edhe si qendra e dytë e rëndësishme administrative bizantine, pas qytetit të Beratit. Qeveritari bizantin, në fakt, quhej atë kohë "kapiten i Beratit dhe i Spinaricës" (capitaneo Belgradi et Spinarice). Pas gjysmës së dytë të shek. XIV, Spinarica tretet nga burimet historike. Për herë të fundit e gjejmë të shënuar në Defterin osman të vitit 1431, ku Spinarica përshkruhet si fshat i braktisur me 3 shtëpi.

Këto histori "paralele" të Spinaricës e të Polinës, na shtyjnë të mendojmë se bëhet fjalë për të njëjtin vend, ose më saktë bëhet fjalë për dy porte lumore, të ngritura në kohë të ndryshme buzë të njëjtit lum dhe që në themel kishin të njëjtin funksion ekonomik: të evadonin para së gjithash drithërat që prodhoheshin në fushat e luginat e përshkuara nga lumi në fjalë. Ndërrimi i emrit për qendra të tilla portuale të vendosura në derdhjen e lumenjve, ishte një fakt i zakonshëm. Kështu, ne dimë se qendra portuale tregtare në derdhje të Semanit (Devollit), e quajtur fillimisht Devolli, për analogji me emrin e lumit, pas shek. XIV fillon e quhet Pirgu. Po ashtu, porti tregtar në derdhje të lumit Glyki, në jug të Pargës, në kohë e në gojë të ndryshme është quajtur me emrat Gliki (=Vilichi), Fanar (=Frar), Baltë, Splance. Ndërrimi i emrit mund të lidhej me ndërrimin e shtratit të lumit në deltën e tij apo me përmbytjet, që shkaktonin rënien funksionale të këtyre qendrave apo edhe zhdukjen e tyre si të tilla. Kuptohet, që në këso rastesh, portet e reja lumore që pashmangërisht lindnin buzë të njëjtit lum si qendra evadimi mallrash e sidomos drithërash, shfaqeshin me emra të rinj. Ky mendojmë të jetë rasti i Spinaricë-Polinës, porti lumor që shfaqet e rishfaqet midis shek. XII-XVII nën emra të ndryshëm e buzë të njëjtit lum, që për ne nuk mund të jetë tjetër veçse lumi i Vjosës. Burimet e përmendin këtë lumë me emrin që ka edhe sot (viti 1690: "fiume Viossa"). Por, ka shumë të ngjarë, që rrjedha e poshtme e Vjosës, deri në derdhjen e saj në detin Adriatik, të jetë quajtur me tjetër emër, në kohët bizantine me emrin Spinaricë kurse në periudhën osmane me emrin Polinë. Ne e pamë pak më sipër se emri Spinaricë dhe ai Polinë përdoret edhe për të shënuar derdhjen e poshtme të një lumi, i cili deri aty vinte sigurisht me emrin historik "Vjosë" (Aoos, Viossa). Gjithçka, pra, na shtyn të shohim në skelën e Spinaricës, të përmendur midis shek. XIII-XIV, atë të përmendur pas shek. XIV me emrin tjetër Polina, e cila kryente të njëjtin funksion ekonomik si e para në grykëderdhjen e lumit, që burimet e kohës e quajnë përkatësisht lumi i Spinaricës apo lumi i Polinës, por që në fakt s'është gjë tjetër veç lumi Vjosë.

info@balkancultureheritage.com