Politika e Jashtme e Gentit
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Politika e Jashtme e Gentit

Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Romën, Genti u kujdes të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në fillim të sundimit të tij ai ia arriti të lidhë marrëdhënie miqësore me fqinjën lindore, mbretërinë dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi me një martesë dinastike dhe, sado e ndërlikuar që u bë më vonë gjendja politike në Ballkan, burimet nuk na thonë që ato të jenë prishur.

Por bazën e politikës së jashtme të Shtetit Ilir në këtë kohë e bënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës kishin diktuar një politikë të tillë qysh në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit. Tani, në kohën e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej edhe më i nevojshëm, sepse, në fund të viteve '80 dhe sidomos gjatë dekadës së re, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe mbretërinë ilire. Për vitet e para të sundimit të Gentit, burimet letrare nuk i ndriçojnë marrëdhëniet e tij me sundimtarin e Maqedonisë, Perseun, por në këto burime mund të vihet re qartë një paralelizëm në qëndrimin armiqësor të Republikës ndaj tyre. Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon, siç pamë, për lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike midis mbretërisë ilire dhe Maqedonisë.

Duke zbritur më poshtë, në prag të luftës së fundit maqedone marrëdhëniet e Gentit me Perseun na dokumentohen më mirë. Dy lajme të Livit, që lidhen me fundin e vitit 173 p.Kr. dhe fillimin e vitit pasues, hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël që përkrahte politikën romake diku në Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët, dhe që në burimet na paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin që zhvillon Perseu për të përmirësuar pozitat e tij në jug dhe në lindje. Këto ngjarje që shkaktojnë shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të tyre, janë pasqyruar te Livi, i cili na thotë se, krahas delegatëve që vijnë nga lindja, me ankesa kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin se "ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe se të d\j së bashku po përgatisnin luftën kundër romakëve"17'. Gjendja ishte e tillë që u impononte të dy sovranëve nevojën e veprimeve të bashkërenduara për të përballuar rrezikun romak, që sa vinte e bëhej më kërcënues. Megjithatë, është fakt se, duke u përgatitur për t'i bërë ballë këtij rreziku, të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur. Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua të dërgonte delegatë në Romë "për ta larë nga fajet që e ngarkonin isasit"'. Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarit e mbretit dhe në rrugë të vet i bëri të ditur atij pakënaqësinë të shoqëruar me kërcënim. Duke dashur nga ana tjetër që ta izolonte plotësisht Perseun, senati provoi ta bindë Gentin që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte armët e tij me ato të romakëve. Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit ilir. Këtu përpjekjet romake për të tërhequr Gentin nga ana e tyre ndërpriten.

Kështu, në pragun e luftës kundër Maqedonisë, kur Roma zhvillonte një veprimtari të ethshme diplomatike dhe presion të madh politik, për të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën e Republikës. Livi e paraqet Gentin me një qëndrim të lëkundshëm, por faktet tregojnë se as këtë radhë, as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje në qëndrimin e tij ndaj Romës. Është vetëm përgatitja e pamjaftueshme që do të vazhdojë ta pengojë për të dalë në fushën e betejës kundër saj.

info@balkancultureheritage.com