Porto Palermo
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Porto Palermo

Në të gjithë vijën bregdetare nga Vlora deri në Borsh, vargëzoheshin një sërë skelash të vogla që përdoreshin sipas rastit nga anije tregtare, nga kontrabandistë e piratë dhe, në momente konfrontimi ushtarak, edhe nga skuadra të vogla të flotës osmane dhe asaj veneciane. Kështu, në shkurt 1557, në një kohë kur Sulltani kishte shpallur ndalimin e eksporteve të drithit nga portet shqiptare, vojvoda i Vlorës, Messiti, bashkë me pronarin e një anijeje, Vasil Valin, e kishte kthyer Radhimën në një bazë për eksportin klandestin të drithit, ndoshta duke vepruar në padijeni të kreut të tij, Sanxhakbeut të Vlorës. Pak më tej, në bregdetin e Karaburunit që shihte nga ana e Vlorës, porti i lashtë i Orikumit merrte rëndësi në kohën e fushatave të mëdha ushtarake osmane kundër popullsive kryengritëse të Labërisë e Himarës. Përndryshe, i ekspozuar ndaj anijeve osmane me bazë në Vlorë, ndaj popullsive luftarake të Dukatit në shpinë të tij si dhe ndaj sulmeve të flotës veneciane apo të anijeve pirate, porti i Orikumit konsiderohej një port i pasigurt. Në këtë krah vazhdonte të përdorej nga anijet tregtare Porto Raguseo, ndërsa gjatë luftimeve të vitit 1690-1691 del në skenë për herë të parë limani i vogël i quajtur Vroglia, 16 milje larg Vlorës, në të cilin nuk mund të ankoroheshin më shumë se 4 anije. Në fakt, ky liman i vogël, përmendet që në vitin 1277 në librin e statuteve doganore të Raguzës, ku flitet për një udhëtim nga Brollia deri në lumin e Lezhës (a Brollia usque ad flumen Lesii). Sot, në krahun e Dhërmiut ekziston një gji i vogël, që vendasit e quajnë Dhrolë. Por këtu jemi shumë larg largësisë prej 16 miljeve, që Venecianët i jepnin Vroljes nga Vlora, ndodhemi gjithashtu në faqen tjetër të Karaburunit, ndërkohë që Vrolja për të cilën bëhet fjalë shihte nga ana e Gjirit të Vlorës.

Limani më i rëndësishëm i Porto Palermos, në Himarë, i kaloi Turqve bashkë me Himarën, me Sopotin e Strobilin me paqen e vitit 1479 dhe iu dorëzua të dërguarve të Sulltan Mehmetit II nga bajliu venecian i Korfuzit, Lorenzo da Lecce, në vitin 1480. Por, duke qenë se Himara qëndroi vazhdimisht si një zonë e lirë, Porto Palermo përdorej më së shumti nga vetë lundërtarët Himarjotë, nga Venecianët dhe, në momentet e lidhjeve më të ngushta me Mbretërinë e Napolit, gjatë gjithë shek. XVI, në Porto Palermo zbarkonin anijet spanjolle, të cilat përgjatë atij shekulli sollën në ato brigje emisarë të ndryshëm, fumizime me armë e në ndonjë rast edhe ushtarë. Siç u theksua më sipër, pas kryengritjes së dështuar antiosmane të vitit 1596, të udhëhequr nga patriku Athanas i Ohrit, në vitin 1602, një përfaqësi e pleqve të Himarës u paraqit tek Kedir Beu, kreu i Sanxhakut të Delvinës, të cilit i deklaroi se Himarjotët ishin gati të njihnin autoritetin e Portës. Kedir Beu ishte i biri i Piri Beut, një personazh i mirënjohur i kohës. Në shënjë të nënshtrimit të tyre, Himarjotët pranonin t'i dërgonin Portës 40 djem të tyre për t'u bërë myslimanë e për t'i shërbyer asaj. Në këmbim, përfaqësuesit e Himarjotëve kërkuan nga Sanxhakbeu që të angazhohej për fortifikimin e Himarës.

Marrëveshja, siç thuhet në raportet e Venecianëve që i ndiqnin me kujdes këto zhvillime, u arrit. Himarjotët i ishin përmbajtur angazhimit të tyre duke dërguar në Konstandinopojë 40 djem, që ndërkohë ishin bërë myslimanë (essendosi fin'hora fatti Turchi 40 giovani della Cimara). Nga ana e vet, Sanxhakbeu kishte bërë rikonjicionin e vendit. Por, ndryshe nga ç'ishte dëshira e Himarjotëve, ai vendosi ta ngrejë fortesën në Porto Palermo, në mënyrë që porti i atyshëm të bëhej i aftë dhe i sigurt për të pritur anije e galera. Kështu, pra, Turqit e shfrytëzuan afrimin e Himarjotëve jo për të kënaqur kërkesën e tyre për të rindërtuar kështjellën mbi Himarë, por për të realizuar projektin osman, që parashikonte ngritjen e një baze të fortë e të fortifikuar detare në afërsi të Himarës, nga ku mund të mbanin nën kontroll atë fashë detare e tokësore problematike për pushtetin osman. Dimë, se në rastin konkret Sanxhakbeu i Delvinës nuk i shkoi deri në fund projektit të fortifikimit të Porto Palermos. Përpara Himarjotëve ai u justifikua se pavarësisht vullnetit të tij dhe të eprorëve në Konstandinopojë, projekti kishte ngelur në vend për shkak të ndërhyrjes së Bajliut venecian, i cili kishte arritur ta pezullonte zbatimin e tij. Megjithatë, në rast se Himarjotët do t'i jepnin Sanxhakbeut 2 mijë xekinë ari që do i përcilleshin si peshqesh Vezirit të Madh, ai do mund të nxirrte prej tij lejen për fillimin e punimeve. Më 1603 ende nuk kishte ndonjë lëvizje në këtë drejtim, dhe autoritetet e Korfuzit vazhdonin ta ndiqnin me vëmendje situatën.

Që ndërhyrja e Bajliut venecian tek autoritetet e larta osmane për ndalimin e punimeve në Porto Palermo pati sukses, kjo do të thoshte se Porta ose nuk e shihte të leverdisshme ndërtimin e fortesës në Porto Palermo, ose nuk e konsideronte të mundur mbrojtjen e saj, në kushtet kur ai territor i ngushtë ishte i rrethuar nga toka e nga deti nga Himarjotët, Spanjollët e nga Venecianët, armiq potencialë të Turqve. Por ka të ngjarë, që kundrejt planeve osmane për fortifikimin e Porto Palermos, Venecianët dhe Bajliu i tyre në Konstandinopojë të kenë shfrytëzuar ndonjë nen të traktateve të paqes mes Venedikut e Portës, që pas çdo gjase e shpallte Porto Palermon dhe pika të tjera të bregdetit jonian, si zonë e demilitarizuar. Kujtojmë këtu, se mirë apo keq, Porta e Lartë i respektoi traktatet me Republikën e Venedikut. Këtë e provon edhe një episod i njëqind vjetëve më parë, viti 1502, kur Mustafa Beu, atë kohë Sanxhakbej i Vlorës, mori urdhër nga Sulltani që të rimerrte ishullin e Leukadës, të pushtuar më 1479 nga Sanxhakbeu i atëhershëm i Vlorës, Ahmet Gedik Pasha dhe të rrëmbyer përsëri nga Venecianët gjatë Luftës Veneto-Turke të viteve 1499-1503. Gjatë marshimit për në sterenë përballë Leukadës, Mustafa Beu u ndal afër Butrintit venecian dhe për një çast vendosi ta sulmojë dhe ta pushtojë atë. Por, u detyrua të heqë dorë nga kjo ndërmarrje, për të cilën nuk kishte marrë autorizim nga qendra.

Gjithsesi, kështjella e Porto Palermos që shihet sot mbi gadishu- llin e vogël, që ndodhet vetëm 30 m. larg bregut të detit, me formën e një trekëndëshi dhe me muret e përforcuara në çdo kënd me kulla të fuqishme pesëkëndëshe, nuk ka lidhje me historinë e mësipërme. Ajo, siç e thotë edhe mbishkrimi që kohë më parë mund të shihej mbi portën e hyrjes, është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1804, me ndihmën e inxhinerëve ushtarakë francezë.

Por, mund të hamendësohet, se kësaj kështjelle i ka paraekzi- stuar, qoftë edhe në një formë embrionale, ndonjë konstruksion i ngjashëm. Siç dihet, kështjella fqinje e Sopotit, u rindërtua nga Turqit aty nga mesi i shek. XVI. Mund të mendohet se edhe porti i Porto Palermos u fortifikua në një moment kulmor pushteti të Turqve mbi Himarën, siç ishte periudha pas Luftës së Kandias (1669).

 

info@balkancultureheritage.com