Prisku
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Prisku

Prisku ishte nga Thrakia. Lindi në vitet e para të shek. V dhe u mor me retorikë e filozofi. Në vitin 448 mori pjesë në delegacionin, që u dërgua nga Theodosi II tek mbreti i hunëve Atila. Këtu me sa duket iu forcua mendimi për të shkruar një histori të hunëve në kuadrin e një historie më të gjerë të kohës së vet. Nga kjo vepër, që përbëhej nga 8 libra, na janë ruajtur vetëm fragmente që trajtojnë periudhën prej viteve 433-463. Historia e tij duhet të ketë përfshirë në origjinal një periudhë shumë më të gjatë, me sa duket kohën prej 411-472.

Të dhënat e tij, të mbështetura në vrojtime personale dhe pjesërisht edhe në dokumente të shkruara, për kohën që trajtojnë kanë një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, veçanërisht për historinë e hunëve dhe të Atilës; aty na flitet për jetën e zakonet e këtij populli dhe mbi organizimin e shtetit të hunëve. Prisku na jep disa të dhëna me vlerë edhe për historinë e Ilirikut, krahinat e ndryshme të të cilit, në kundërshtim me ndarjen administrative të kohës, ai na jep me emra të kohës antike.

Historia gothica

Skythët  rrethuan Naisin, qytet ilir që është i vendosur pranë lumit Danub.  Thonë se /ky qytet/ ka qenë ndërtuar nga Konstantini, i cili themeloi edhe qytetin e quajtur me emrin e tij, pranë Byzantit. Meqenëse qyteti /Nais/ ishte shumë i populluar dhe përveç kësaj i fortifikuar, barbarët deshën ta pushtonin dhe për këtë qëllim provuan të gjitha mënyrat. Mbrojtësit e qytetit nuk guxuan të dilnin për të luftuar dhe për këtë /barbarët/ ngritën nga ana e jugut një urë mbi lum, aty ku ai njedh pranë qytetit që të kalonte ushtria lehtësisht nëpër të. Ata sollën pranë mureve makina luftarake dhe në radhë të parë platforma prej trarësh, të vendosura mbi rrota që të lëviznin më lehtë. Mbi to qëndronin ushtarë dhe shigjetonin kundër atyre që mbroheshin nëpër bedenat e mureve. Në të njëjtën kohë burrat e tjerë që gjendeshin në dy anët e platformave i shtynin me këmbë rrotat dhe i lëviznin makinat atje ku duhej, që të mund të shigjetonin me saktësi nga frëngjitë e maskuara të tyre.

Që të luftonin pa u rrezikuar, burrat qëndronin mbi një platformë e cila mbulohesh /nga një çati/ prej thuprash dhe lëkurash të regjura e të paregjura. Kjo i mbronte si nga shigjetat e zakonshme, ashtu edhe nga ato me zjarr që lëshonin kundër tyre. Kështu para mureve të qytetit u sollën shumë makina të tilla, në mënyrë që nga shumica e shigjetave, ata që gjendeshin nëpër bedenat e mureve të detyroheshin të linin vendin dhe të tërhiqeshin. U sollën edhe të ashtuquajturit "kryedeshë". Këto lloj makinash janë shumë të mëdha dhe të ndërtuara në këtë mënyrë: Një tra qëndron i varur me veriga të lira ndër drunj të vendosur në formë kulmi; një skaj i tij është me majë dhe e gjithë makina është e mbuluar në mënyrën e përshkruar më sipër që të mos rrezikoheshin ata që përdomin këto mjete. Disa vetë, nga mbrapa, e tërheqin atë fort me litar në drejtimin e kundërt të murit që duhej goditur. Pastaj ata e lëshojnë në mënyrë që me vrullin e tij /trau/ të shkatërronte çdo pjesë të murit mbi të cilin binte. Kur këto makina u vendosën pranë fortifikimit, mbrojtësit hodhën nga muret gurë të mëdhenj, që i kishin sjellë që përpara për këtë qëllim dhe i shtypën disa nga këto makina bashkë me njerëzit që i përdomin. Por ata nuk mundën t'u bëjnë ballë shumicës së madhe të këtyre makinave. Barbarët sollën dhe shkallë në mënyrë që po të shkatërrohej muri nga "kryedeshtë" ose nga ana tjetër, në qoftë se mbrojtësit nëpër bedenat e mureve do të mposhteshin nga shumica e makinave, të hynin nëpër pjesën e kështjellës së shkatërruar nga goditja e "kryedashit" dhe kështu të pushtonin qytetin. Për këtë do të shërbenin dhe shkallët që qenë sjellë nga ajo anë e murit që nuk ishte prekur akoma.

Skythët sulmuan romakët në kohën e panairit dhe vranë shumicën /prej tyre/. Atëherë romakët dërguan te ata delegatë dhe i akuzuan se e kishin pushtuar kështjellën dhe se kishin shkelur marrëveshjen. Skythët u përgjigjën, se ata nuk i filluan të parët veprimet armiqësore dhe se i kishin kryer këto për vetmbrojtje, pasi peshkopi i Margut kaloi në tokën e tyre, hapi varret e mbretërve të tyre dhe grabiti thesaret e vendosura në to. Në qoftë se nuk do t'u dorëzohej peshkopi dhe nuk do t'u ktheheshin, sipas marrëveshjes, të ikurit - tek romakët kishte shumë të këtillë - ata do të fillonin luftën. Romakët deklaruan se kjo akuzë nuk i përgjigjej së vërtetës. Kurse barbarët, duke ngulur këmbë për drejtësinë e fjalëve të tyre, nuk e quajtën të nevojshme që të gjykonin çështjet e diskutueshme dhe filluan luftën. Ata kaluan Istrin dhe shkatërruan një numër të madh qytetesh dhe kështjellash gjatë lumit. Ndër qytetet e pushtuara qe edhe Viminaci, qytet i Myzisë, në Iliri. Kur po ngjanin këto, disa thanë se peshkopi i Margut duhej të dorëzohej. Kështu që për shkak të një njeriu mos të rrezikohej nga lufta gjithë popullsia romake. /Peshkopi/ duke dyshuar se do ta dorëzonin, fshehurazi nga banorët e qytetit /shkoij tek armiqtë dhe u premtoi se do t'ua dorëzonte qytetin në qoftë se mbretërit skythë do të silleshin mirë me të. Ata iu përgjigjën se do ta përkrahnin bujarisht në qoftë se me të vërtetë do të plotësonte premtimin e tij. Pasi u morën vesh dhe u betuan për sa u fjalosën, ai u kthye në tokën romake me një shumicë të madhe barbarësh dhe i vuri në pritë në bregun përballë. Natën ata u ngritën sipas një shenje të dhënë, dhe ai ia dorëzoi qytetin armiqve. Pasi u shkretua në këtë mënyrë Margu, fuqia e barbarëve u rrit akoma më tepër.

Përsëri arriti, si i deleguar, skythi Edekon, i cili pati kryer shumë heroizma dhe bashkë me të edhe Oresti që rridhte nga një fis romak dhe jetonte në tokën paione, pranë lumit Sao, e cila i qe nënshtruar barbarit, sipas marrëveshjes së përfunduar me komandantin e romakëve perëndimorë, Aetin. Pikërisht ky Edekoni erdhi në pallat dhe dorëzoi letrën e Atilës, në të cilën ai akuzonte romakët në lidhje me të ikurit, i frikësonte ata se do të vepronte me armë në qoftë se ata nuk do t'i dorëzoheshin, dhe nëqoftëse romakët nuk hiqnin dorë nga punimi i tokës së pushtuar prej tij. Kjo tokë /sipas tijj shtrihej gjatë Istrit nga Panonia deri në Nove, në Thraki, dhe ishte e gjerë pesë ditë rrugë. Ai kërkonte gjithashtu që tregu i ilirëve të mos bëhej si përpara në breg të Istrit, por në Nais i cili, pasi u shkatërrua nga ai, u caktua si kufi në mes skythëve dhe romakëve, dhe ishte larg nga Istri pesë ditë rrugë me ecje të shpejtë burri. Ai donte, gjithashtu, që të vinin tek ai delegatë, që të bisedonin për çështjet e diskutueshme dhe këta të mos ishin njerëz të rastit, por më të shquarit në mes të konsujve. Në qoftë se do kishin frikë t’i dërgonin, atëherë ai do të shkonte vetë në Serdikë për t'i pritur. Kur i qe lexuar kjo letër perandorit, Edekoni doli përpara dhe Bigila i përktheu kërkesat e Atilës të paraqitura me gojë prej tij. Pastaj /Edekoni/ shkoi në ndërtesat e tjera, që të paraqitej tek Hrysafi, roja personale e perandorit, njeri me influencë të madhe. Ai u çudit me shkëlqimin e ndërtesave perandorake. Kur barbari hyri në bisedë me Hrysafin, Bigila që përkthente i tha atij se Edekoni i lavdëronte pallatet dhe se ishte çuditur nga pasuria e tyre.

Hrysafi iu përgjigj se edhe ai mund të bëhe pronar i shtëpive të mbuluara me flori dhe i pasurive, në qoftë se do t’i linte skythët dhe do të kalonte në anën e romakëve...

Eunuku Hrysaf e bindi Edekonin që të vriste Atilën. Atëherë Teodosi dhe magister Martiali u këshilluan për këtë çështje dhe vendosën të çojnë si delegat tek Atila jo vetëm Bigilën, por edhe Maksimimin... Maksimini m'u lut dhe më mbushi mendjen që të udhëtoj me të në këtë delegacion, dhe kështu ne u nisëm bashkë me barbarët dhe arritëm në Serdikë, e cila gjendet larg qytetit të Konstantinit trembëdhjetë ditë rrugë me ecje të shpejtë.

Kur arritëm në Nais e gjetëm qytetin të braktisur nga popullsia, sepse qe krejtësisht i shkatërruar nga armiqtë dhe vetëm në gërmadhat e tempujve të shenjtë u gjetën disa të sëmurë. Ne u vendosëm pak më lart nga lumi, në një vend të pastër, pasi çdo gjë në breg ishte mbushur me kockat e të vrarëve në luftë. Të nesërmen arritëm tek komandanti i njësive ushtarake në Ilirik, Aginteu, që gjendej jo larg nga të ikurit, pasi ai duhej të na dorëzonte pesë nga të shtatëmbëdhjetët, për të cilët i qe shkruar Atilës. U morëm vesh dhe rregulluam që ai t'i dorëzonte hunëve pesë të ikurit. Ai u tha atyre disa fjalë dashamirëse dhe i dërgoi me ne.

Kaluam natën dhe u nisëm nga rrethet e Naisit, në drejtim të lumit Ister... Pas këtij vendi, të vështirë për t'u kaluar, arritëm në një fushë të pyllëzuar. Prej atje lundërtarët barbarë na morën në barkat e tyre prej një trungu, të punuara nga drunj të prerë dhe të thelluar, dhe na kaluan nëpër lum. Ata nuk qenë përgatitur për ne; me ta kaluan shumë barbarë që i ndeshëm rrugës, pasi Atila, gjoja, donte të kalonte në tokën e romakëve për të gjuajtur. Kjo, në të vërtetë, ishte përgatitje për luftë nga ana e mbretit skyth dhe kjo nën shkakun se nuk i ishin dorëzuar të gjithë të ikurit. Pasi kaluam Istrin dhe udhëtuam bashkë me barbarët rreth shtatëdhjetë stade, u detyruam të ndaleshim në një fushë, në mënyrë që njerëzit e Edekonit të mund të lajmëronin Atilën për arritjen tonë. Bashkë me ne qëndruan edhe barbarët që na kishin sjellë deri këtu. Në mbrëmje, ku hëngrëm darkën, u dëgjuan këmbë kuajsh që po vinin në drejtimin tone. Dhe me të vërtetë arritën dy skythë të cilët na dhanë urdhërin që të shkonim tek Atila...

Të nesërmen ata na shërbyen si udhëheqës. Në orën nëntë të ditës arritëm tek shatoret e Atilës që ishin me shumicë të madhe dhe kërkuam të ngrinim çadrën mbi një kodër. Por barbarët që ishin atje na ndaluan të bënim një gjë të tillë, pasi çadra e Atilës ishte ngritur në vend të ulët. U vendosëm në atë vend që na caktuan skythët... Bigila u nis dhe ne qëndruam po në atë vend edhe një ditë pas udhëtimit të tij. Të nesërmen, bashkë me Atilën u drejtuam për në krahinat më veriore të vendit. Deri në një farë vendi udhëtuam bashkë me barbarin, pastaj morëm rrugë tjetër, të cilën na e treguan skythët që na përcollën, pasi Atila do të shkonte në një fshat që të martohej me të bijën e Eskamit. Megjithëse kishte shumë gra, ai po e merrte edhe atë sipas ligjit skyth... Pasi kaluam një rrugë të gjatë, në mbrëmje u vendosëm pranë një liqeni me ujë të pijshëm që shfrytëzohej nga banorët e fshatit të afërm. Këtu ne ndeshëm romakët e perëndimit të cilët, gjithashtu, qenë dërguar si të deleguar tek Atila. Në mes tyre ishte Romuli me gradë komes, Promuti sundimtar i krahinës së Norikut dhe Romani, komandant njësie ushtarake. Bashkë me ta ishte edhe Konstanti, të cilin Aeti e kishte dërguar tek Atila si shkrues, gjithashtu edhe Tatuli.i ati i Orestit që ishte bashkë me Edekonin. Këta nuk ishin delegatë, por udhëtonin bashkë me ta meqenëse ishin të afërm; Konstanti, pasi ishte njohur me ta që në Itali, kurse Tatuli për shkak të krushqisë, se i biri i tij Oresti ishte martuar me të bijën e Romulit. Ata erdhën nga Patavia, qytet në Norik, si të deleguar që t'i kërkonin mëshirë Atilës. Ai kërkonte që t'i dorëzohesh Silvani, kryetari i punishtes së monedhave në Romë, pasi ai kishte marrë kupa floriri nga Konstanti... Në kohën kur Sirmi, që gjendet në tokën paione, u rrethua nga skythët, peshkopi i qytetit ia dorëzoi kupat Konstantit me kusht që ta blente atë /peshkopin/ në qoftë se qyteti do të pushtohej sa kohë që ai do të ishte gjallë, por nëqoftëse ai vdiste të bliheshin me to banorët e qytetit të zënë rob. Mbas pushtimit të qytetit Konstanti nuk e mbajti fjalën... Pasi kaluam disa lumenj, arritëm në një fshat shumë të madh. Thamë se atje gjendeshin pallatet më madhështore të Atilës, të ndërtuar me drunj dhe dërrasa të lëmuara mirë dhe të rrethuar me gardh druri, të vendosur për rreth jo për mbrojtje, por për zbukurim. Pas pallatit mbretëror, përsa i përket madhështisë, vinte shtëpia e Onegesit, e cila gjithashtu kishte gardh druri, por nuk ishte e zbukuruar me kulla si pallati i Atilës. Afër ndërtesës gjendej banja, e ndërtuar nga Onegesi, i cili pas Atilës, kishte influencën më të madhe tek skythët. Ai kishte sjellë gurë nga toka e paionëve, pasi në këtë krahinë, ku jetojnë barbarët, nuk ka as gurë, as dru, por shfrytëzojnë materialin e sjellë nga vendet e tjera. Ndërtuesi i banjës ishte rob, i sjellë nga Sirmi. Ai shpresonte se do të fitonte lirinë, si shpërblim të punës së tij, por papritur ra në një vuajtje akoma më të madhe, se sa kur ishte rob tek skythët, pasi Onegesi e la në banjë që t'i shërbente atij dhe të afërmve të tij, kur laheshin. Kur Atila hyri në fshat u prit nga vajza, të cilat vallëzonin në rreshta, nën mbulesa të holla dhe të bardha... ato këndonin këngë skythe.

Kur u gdhi, Maksimini më dërgoi tek Onegesi që t'i dorëzoja dhuratat e tij dhe ato që i dërgonte perandori, si dhe të njoftohesha në se ai donte të bisedonte me të dhe kur. Kur arrita bashkë me shërbyesit që mbanin dhuratat, dyert ishin akoma të mbyllura dhe më duhej të prisja deri sa të dilte ndonjë njeri që të lajmëronte për ardhjen tonë.

Në kohën kur unë po prisja dhe po shetisja para gardhit të shtëpisë u afrua një njeri, i cili duke gjykuar nga veshja skythe, m'u duk si barbar. Ai më përshëndeti në gjuhën greqishte, duke më thënë: "Shëndet". Unë u çudita, se si një skyth dinte greqisht, meqenëse skythët janë një përzieije popujsh të ndryshëm; ata përveç gjuhës së tyre barbare përdorin gjithashtu dhe gjuhën e hunëve, gotëve, ose të auzonëve, kur kanë të bëjnë me romakët. Nuk është lehtë të gjendet ndonjë në mes të tyre që të flasë greqisht, me pëijashtim të robërve që ata kanë sjellë nga Thrakia dhe Iliria bregdetare. Por, kur i ndesh njeriu mund t'i njohë ata nga rrobat e leckosura dhe koka e ndyrë, si njerëz që kanë rënë në fatkeqësi. Kurse ky dukej se ishte skyth, që rronte në luks, ishte i veshur mirë dhe koka e tij përreth ishte e qethur. Pasi iu përgjigja përshëndetjes, e pyeta se kush ishte, si kishte ardhur në tokën barbare dhe si e kishte pranuar mënyrën e jetës skythe. Ai më pyeti pse doja të dija këtë. Unë i thashë se kureshtja më lindi nga e folura e tij greqisht. Atëherë ai qeshi dhe tha se ishte me prejardhje grek dhe se kishte pas ardhur për tregti në qytetin e Myzisë, Viminac, i vendosur pranë Istrit; se kishte qëndruar për një kohë të gjatë në këtë /qytet/ dhe se ishte martuar me një grua shumë të pasur. Kur barbarët pushtuan qytetin, ai humbi pasurinë e fituar prej saj. Për shkak të pasurisë së tij, gjatë ndaijes së plaçkës, ai i takoi Onegesit, pasi robërit e pasur i jepeshin së pari Atilës, pastaj parisë skythe, meqenëse ata kishin pushtetin më të madh. Pasi u dallua më vonë në luftën kundër romakëve dhe kundër fisit të akatirëve, ai i dha sipas ligjit skyth, zotërisë së tij, barbarin e kapur në luftë dhe kështu fitoi lirinë. Ai u martua me një barbare dhe kishte fëmijë. Kishte marrë pjesë në trapezën e Onegesit dhe e vlerësonte jetën e tanishme më të mirë në krahasim me atë të përparshmen, sepse ata që jetojnë tek skythët, pas mbarimit të luftës, jetojnë pa punë, duke u kënaqur secili me atë që ka, dhe nuk shqetësojnë aspak ose shumë pak të tjerët dhe vetë nuk shqetësohen; kurse ata që jetojnë tek romakët në kohë lufte, vriten shumë lehtë, për derisa shpresën për shpëtim e kanë tek të tjerët; kjo ndodh pasi jo të gjithë kanë të drejtë të mbajnë armë nga frika e uzurpatorëve. Kurse ata që mbajnë armë, i dëmton akoma më tepër paaftësia e komandantëve, sepse ata nuk e drejtojnë si duhet luftën. Në kohë paqe jeta /për remaket/ është edhe më e vështirë në krahasim me të këqijat e kohës së luftës, dhe kjo për shkak të vjeljes së taksave jashtëzakonisht të rënda dhe të dëmeve të shkaktuara nga njerëzit e këqij, pasi ligjet nuk veprojnë mbi të gjithë njëlloj; në qoftë se ai që shkel ligjin është i pasur, ai mund të mos dënohet për fajin e kryer, por nëqoftëse është i varfër dhe nuk di se si t'i rregullojë punët, merr dënimin sipas ligjit, në rast se nuk vdes para dhënies së dënimit, pasi gjyqi vazhdon për një kohë shumë të gjatë dhe shpenzohen shumë para. Por më e vajtueshme nga të gjitha është se paguhet edhe vendimi i gjyqit. Pse as të fyerve nuk do t'u jepte askush të drejtë në qoftë se nuk do t'u paguanin para gjyqtarëve dhe ndihmësave të tyre. Ai tha këto dhe shumë gjëra të tjera. Atëherë unë u hodha dhe i thashë atij me të butë që të dëgjonte dhe fjalët e mia... Pasi dëgjoi duke qarë tha, se ligjet janë të mrekullueshme dhe rendi shtetëror i romakëve është i mirë, por drejtuesit nuk janë të ndërgjegjshëm si ata të dikurshmit dhe e prishin këtë rend...

info@balkancultureheritage.com