Në viset ilire nuk është zbuluar deri tani as gjurma më e vogël e prodhimit të qelqit derisa erdhën romakët, mirëpo objektet e shpeshta të qelqit që gjendeshin nëpër vendbanime dhe varreza imponojnë përfundimin se ilirët, megjithatë, kanë njohur procesin e prodhimit të qelqit. Në dobi të kësaj shkojnë edhe rezultatet e analizës mikroskopike që iu bënë kokrrave të qelqit, të cilat u gjetën në nekropolin japod në Kompole të Otoçacit, e cila tregoi se kokrrat janë të bëra prej materiali që ka mundur të jetë aty. Për të fituar këtë lloj qelqi mjafton temperatura 650°C, e cila mund të arrihet me lehtësi në vatër të hapur. Prandaj mund të supozojmë se ilirët prodhonin vetë masën e qelqit nga e cila prodhonin mandej kokrra për stolisjen e harqeve nëpër fibula ose për të prodhuar gjerdanë, madje qysh në epokën e vjetër të hekurit. Me ardhjen e keltëve në varrezat ilire shfaqen byzylykët dhe stoli të tjera të ndryshme prej qelqi të tejdukshëm, të ngjyrosur me shije dhe teknikisht të punuar shumë bukur. Ndonëse as nga kjo periudhë nuk kemi fakte arkeologjike të ndonjë punishteje të qelqit, është larg çdo dyshimi se objektet e gjetura janë prodhuar në vendbanimet të cilat keltët i ngritën pas ardhjes së tyre në viset ilire.
Megjithatë, për shumë objekte qelqi nga lokalitetet ilire mund të themi me siguri se kanë origjinë të huaj. Kanë ardhur nga Egjipti, ku qelqi prodhohej që nga mesi i mijëvjeçarit III para e.re. prej nga importohej qelqi në të gjitha vendet e Mesdheut dhe nga Greqia.