Është kishë me naos drejtkëndësh, narteks dhe kolonadë në anën jugore. Nga ndërtimi i vjetër ruan muret kryesore të naosit, ndërsa i takojnë një rindërtimi narteksi, hajati dhe pilastrat në brendësi për të mbajtur mbulesën e re me qemer (fig. 1). Me interes në këtë monument është teknika e ndërtimit të mureve që mund të ndiqet kryesisht në muret verior dhe lindor. Ato janë ndërtuar kryesisht me gurë, duke pasur vende-vende tulla të vendosura horizontalisht në rreshta e njëra mbi tjetrën, si dhe tulla vertikale e tulla të pjerrta pranë tyre, më tepër në njërën anë. Teknika dhe dekori i mureve përbën një rast të ndërmjetëm të kishave të Perondisë, Kosinës dhe Labovës së Kryqit, që i takojmë më poshtë. Kemi të shpërbërë teknikën me tulla horizontale dhe futjen e dekorit me tulla të pjerrtë, por që këtu si dhe në Kosinë nuk ka marrë forma të qarta. Nga këto të dhëna kisha datohet nga fundi i shek. XI deri në gjysmën e parë të shek. XII.