Pushtimi britanik i Egjiptit 1882

Pushtimi britanik i Egjiptit 1882

Politika e papërgjegjshme financiare e Hedivit Ismail e çoi Egjptin drejt një situate tepër të vështirë. Ndërkohë që të gjitha të ardhurat e tij në vitin 1872 arritën në vlerën 9.5 milionë lira, borxhi i jashtëm i Egjiptit arrinte në vlerën 100 milionë lira, dhe interesi i tij vjetor ishte 7.5 milionë lira. Një komision përfaqësues i kreditorëve u krijua që të kontrollonte financat e vendit, dhe në vitin 1878, dy ministra britanikë dhe francezë u emëruan në kabinetin egjiptian. I ballafaquar me protestën publike, Hedivi u përpoq të krijonte një qeveri tërësisht egjiptiane, por kjo alarmoi Britaninë dhe Francën dhe Hedivi u detyrua të abdikonte nga froni më 26 korrik 1879, në favor të djalit të tij, Tevfik. Megjithatë, para se ai të abdikonte, Ismaili i kishte telegrafuar Sulltan Abdylhamidit për të kërkuar mbrojtjen e tij, por Sadrazami Osman i asaj kohe, Hajreddin Pasha i Tunizisë, kishte ngulur këmbë për abdikimin e tij dhe qëndrimi i Ismailit në post, do të kishte nxitur një kryengritje popullore, ose do të kishte nxitur ndërhyrjen nga jashtë në çështjet e Devletit.

E revoltuar nga ndërhyrjet e huaja në çështjet e vendit të tyre, popullsia e Egjiptit, në vitin 1881, u hodh në kryengritje nën drejtimin e Ahmed Urabi Pashait. Ata morën qeverinë, duke i dhënë fund përkohësisht udhëheqjes evropiane. Sulltan Abdylhamidi mblodhi në Stamboll Konferencën e Ambasadoreve për të diskutuar situatën e krijuar në Egjipt. Sadrazami Said Pasha dhe anëtarë të tjerë të qeverisë osmane, ishin të mendimit që të mermin pjesë në të, por sulltani nuk e pranoi pjesëmarrjen për arsye se një veprim i tillë do të ligjëronte ndërhyrjen e huaj në çështjet e Egjiptit. Ambasadorët vendosën që Devleti Osman duhet të përpiqej t'i zgjidhte vetë problemet e Egjiptit dhe mori vendimin që të mos kishte asnjë ndërhyrje të faktorit të huaj "me përjashtim të rrethanave të paparashikuara". Në këtë mënyrë, aftësitë politike të Sulltan Abdyl-hamidit kishin shpëtuar momentalisht Egjiptin nga ndërhyrja e shteteve të huaja. Ai thirri në Stamboll Urabi Pashanë dhe kolegët e tij për këshillim, dhe dërgoi Dervish Pashanë në Egjipt për të bërë një marrëveshje me Hedivin Ismail. Por, ndërkohë që këto bisedime po zhvilloheshin, anijet evropiane u shfaqën në brigjet e Aleksandrisë. Kjo solli shqetësim të madh dhe kryengritjen e popullsisë, ndërsa disa qytetarë të huaj, që u ndodhën në rrugët e qytetit, mbetën të vrarë gjatë revoltave. Për këtë arsye Admirali Britanik Sejmur bombardoi Aleksandrinë në 13 korrik 1882, edhe pse luftanijet franceze ishin larguar nga Gjiri i Aleksandrisë sipas një porosie të dhënë nga Dhoma e tyre e Deputetëve. E përballur më këtë përçarje në mesin e përpjekjeve të saj për paqe, qeveria osmane vendosi të dërgonte trupat e saj në Egjipt, por sulltani nuk pranoi. Ai mendonte se vendimi më i mirë që mund të mermin osmanët për Egjiptin, ishte të zgjidhte problemet financiare dhe të emëronte nacionalistë egjiptianë në postet e larta, dhe ata do të ndërmermin veprimet e nevojshme.

Ndërkohë që përfaqësuesit e sulltanit ishin nisur për në Kajro, ndërhyrësit në Britani, të drejtuar nga Ministri i Tregtisë, Xhozef Çemberlejn (Joseph Çamberlain), synonin të rrëzonin nacionalistët dhe të pushtonin Egjiptin, që të siguronin interesat e kreditorëve britanikë dhe në të njëjtën kohë të siguronin pambuk me çmim të ulët për industrinë tekstile të vendit të tyre, me qendër në Mançester. Nga ana tjetër, Franca e kundërshtonte një veprim të tillë ushtarak, pasi kjo do të bënte të mundur që Britania të vendosej në Mesdheun Lindor dhe do të rrezikonte seriozisht zotërimin ekonomik dhe kulturor francez në këtë zonë. Në atë kohë, Kryeministri liberal, Gledston (Gladstone), ishte gati të jepte dorëheqjen nga detyra, dhe për këtë arsye ndërhyrësit morën iniciativën në Londër. Trupat britanike zbarkuan në Aleksandri, shkatërruan egjiptianët në Tell el-Kebir, më 13 shtator 1882, dhe pushtuan Kajron 4 ditë më vonë. Devleti Osman protestoi kundër pushtimit britanik të Egjiptit, por pa dobi. Megjithatë, Britania deklaroi se pushtimi i Egjiptit ishte i përkohshëm dhe se do të tërhiqej pasi të zgjidhte problemet në këtë vend, që do të thoshte se do të ndiqte politikën e "shpëtimit dhe tërheqjes". Sulltani nuk kishte asnjë alternativë tjetër, përveçse të pranonte këtë "premtim". Më 24 tetor 1885, u nënshkrua një marrëveshje sipas të cilës sovraniteti Osman i Egjiptit u konfirmua në teori, dhe Egjipti pranoi ti paguante një taksë vjetore Devletit Osman. Gjithashtu, si osmanët, ashtu dhe britanikët, do të dërgonin në Egjipt komisionarët e tyre të lartë, për të asistuar Hedivin në çështjet e brendshme. Ushtria egjiptiane u shpërbë dhe oficerët e saj u burgosën ose dolën në pension. Oficerët britanikë në Egjipt mbanin kapelën fez (ose tarbush) dhe morën titullin turk Bej. "Nëse ata do të kishin pasur mundësinë të ndryshonin edhe ngjyrën e fytyrës së tyre nga biond në zeshkan, ata do ta kishin bërë."

Sulltan Abdylhamidi mbante kontakte të ngushta me inteligjencën dhe prijësit e politikës egjiptiane nëpërmjet komisionarit të tij të lartë, Ahmed Muhtar Pashait, dhe familjes së Hedivit. Dinjitarët fisnikë të Egjiptit, nga ana e tyre, kishin dëshirë të madhe të mbanin lidhjet me qendrën, Stambollin. Ata i dërgonin fëmijët e tyre atje për t'u arsimuar, blenin shtëpi verimi në brigjet e Bosforit dhe bënin lidhje martesore me familjet e fisnikëve osmanë, në atë nivel që osmanët "kishin më shumë ndikim në Egjipt nga ç'u dukej britanikëve, që mbetën kryesisht në sipërfaqe të jetës egjiptiane, përgjatë shumë viteve të kontrollit të tyre politik dhe ushtarak.

Nuk ka asnjë dyshim që e gjithë kjo u bë e mimdur për shkak të unitetit kulturor islam midis dy popujve; baza dhe prejardhja, përbënin sfondin e përshtatshëm për vazhdimësinë e kësaj lidhjeje. Zotërimi dhe pushtimi i huaj nuk arritën ti ashpërsonin këto marrëdhënie, dhe vetëm në një kohë më të vonë imperialistët evropianë do arrinin ti dobësonin këto lidhje vëllazërore, nëpërmjet programeve të njëanshme të edukimit dhe historisë së falsifikuar në librat e shkruara nga historianët e tyre, pa u bazuar në burimet lokale apo në burimet osmane, por duke "përdorur" librat e "tyre" me modelin e “nuqila 'an Nicola".

info@balkancultureheritage.com