Marka e vjetër friulane, që i ishte caktuar patriarkut të Akuilesë nga perandori Konrad II me qëllim që të shmangeshin luftërat e përhershme mes zotërinjve, e kërkonte fatin e vet midis botëve italiane, gjermanike dhe sllave. Më 1221, mbas një arbitrazhi papnor, kufijtë perëndimorë të kësaj province u ngulitën te lumi Livenza ku ndodhet qyteti Sacile, post pararojë i rrugës së Alpeve, i lakmuar nga venedikasit. Duka i Austrisë mbetej zot i Pordenones, Kordenonit dhe Ragonjës, porse lufta midis kontit të Tirolit, trashëgimtar i një numri zotërimesh, dhe Henrit, kont i Goricies, që futi në dorë kështjella të shumta, shkaktoi një krizë të rëndë politike në fund të shekullit XIII.
Atëherë Venediku filloi të diktojë pak nga pak, duke përdorur Gardën e gjiut, ligjin e tij mbi hapësirën detare që përfshihet midis grykëderdhjes së Posë dhe Grados, ku e kish selinë deri më 1451, patriarku i dukatit të Venedikut. Ky ishull i vogël, i vendosur në mënyrë ideale përballë Piranit, kontrollon gjiun e Triestes.
Mbas paqes së Torinos Venedikut i duhet ta lëshojë Triesten që bëhet port austriak, ndërkohë që mbreti i Hungarisë, zot i vërtetë i këtyre vendeve, heq dorë, kundrejt pagimit të një gjobe të rëndë, nga qarkullimi i anijeve të tij përtej vijës bashkuese të Riminit me Polën.
Friuli është gjithë kohën i tollovitur nga luftërat private feudale që kundërvënë komunat qytetare ndaj zotërinjve laikë dhe kishëtarë: njëri prej tyre, Bertrand de Saint-Genies, një profesor i së drejtës nga Kahorsi, i emëruar patriark prej papës më 1334» luftonte energjikisht për ringritjen e zotërimit kishëtar të copëtuar nga manjatët lokalë. Ky patriark, që u vra në fushë të betejës më 1350 përpara mureve të Spilimbergut, nuk la pasardhës të aftë e kështu ndikimi i Austrisë erdhi duke u forcuar falë mbështetjes së feudalëve të veshur me pushtet nga perandori. Duke përfituar nga pakënaqësia, Venediku priste orën e vet e dalëngadalë arriti të mbysë potencialet ekonomike të provincës. Në këto kushte, disa bashkësi i kthyen sytë nga Venediku dhe kërkuan mbrojtjen e tij: kështu bënë p.sh. banorët e Portogruaros.
Më 1440 ipeshkvi i Udines u akordoi venedikasve një filiale tregtare: Portogniaron të venduar aty ku takohen lumenjtë dhe rrugët që përshkojnë Friulin. Ky qytet i begatë e i populluar mirë, kërkoi më 1333 bashkangjitje me zotërimet venedikase, por Senati, i matur, refuzoi dhe vetëm mbas disfatës që pësoi patriarku i Akuileas më 1420 kjo orvatje ia arriti qëllimit. Feudalët që nuk kanë trashëgimtarë u vunë nën trysni e kur konti Bernard i Goricies, që kish zgjedhur të vendosej në Gjermani, i propozoi një shkëmbim fshatrash dhe kështjellash perandorit, Venedikut iu desh të ndërhyjë.
Këshilli i të dhjetëve arrin me shkathtësi që ta bindë këtë friulian t’ia lërë zotërimet e veta Serenissimas. Në këmbim konti, si iu betua për besnikëri komunës së venedikasve, ruan privilegjet e tij dhe ia merr pushtetet patriarkut të Akuileas i cili do të ketë prej aty e tutje vetëm një pozicion shpirtëror. Duke iu shmangur ndërhyrjes së dhunshme, Venediku e lë në fuqi parlamentin ekzistues por përfshin në gji të vet abatët, feudalët dhe disa përfaqësues të bashkësive qytetare.
Juristët padovanë e pranojnë këtë mënyrë të sjelluri që respekton statutet lokale e kështu asimilimi i territorit kryhet me qetësi dhe në respektim të së drejtës. Mëkëmbësi i Friulit ngarkohet me mbrojtjen ushtarake të provincës, rekrutimin e milicëve dhe organizimin e vijave mbrojtëse. Qeveria e vë theksin në vendosjen e një popullate besnike në qytetet e vogla që bëhen simbole të rrënjosjes venedikase në këtë trevë.
Për ta konkretizuar në vetëdijen popullore madhështinë e këtij sundimi, mitografia e Dominantes sillet rreth tri kremtimeve që lartojnë mbizotërimin e Venedikut në domenin Adriatik. I pari ka një karakter tepër simbolik: është fjala për ritin e “dasmës së detit” që kremtohet ditën e Ngjitjes së Krishtit në qiell (la Sensa), ceremoni qytetase me pamje të larmishme dhe synime të shumëfishta.
Në pranverë, pas hyrjes së vitit të ri në Venedik më 1 mars, dogja shfaq publikisht synimin e pushtimit të hapësirave detare duke hedhur në valët e detit një unazë të artë. Rit i moçëm me frymëzim bizantin, ai ruan edhe domethënie fetare, pasi gjatë kremtimit shqiptohen formula liturgjike. Ky bekim zanafillor i detit që mëton zbutjen e forcave të së keqes do të zëvendësohet shpejt nga dasmat (desponsatio).
Në Venedik ideologjia dëshiron që të përkujtojë paqen e Venedikut, të nënshkruar aty midis papës dhe perandorit më 1177. Papa Aleksandri III, sipas gojëdhanës që ruhet në kujtesë, i paskësh lënë Venedikut juridiksionin ipeshkvnor mbi Dalmacinë dhe i paskësh kërkuar dogjës që të garantojë sigurinë e lundrimit në gji. Forca politike e këtij rituali, që bashkon gjestet pagane me ato të krishtera, ndikimet orientale dhe perëndimore, shto këtu vetëfestimin e fuqisë së madhe, i përqendron efektet e veta propagandistike mbi masën e vizitorëve të huaj që vijnë në lagunë me rastin e panairit të madh të Ngjitjes së Krishtit në qiell, i cili dikur ishte mjaft i rëndësishëm në marrëveshjet financiare dhe tregtare.
Mbas marrjes së Konstandinopojës, shkarja ideologjike përforcon idenë e sundimit universal, duke imituar modelin perandorak, me rrezik acarimin e marrëdhënieve me papatin dhe perandorin e Perëndimit. Nga fillimet e shekullit XIV, letrarët e kapin këtë temë për të pohuar karakterin politik të ceremonisë së dasmës të detit. Më 1317, Bonincontro de Bovi dhe pak më vonë Castellano de Simone shkruajnë tekstet bazë të këtij arsyetimi të ri. Tablotë gjigande që kremtojnë ngjarjen zbukurojnë kapelën e Shën Nikollës e pastaj sallën e Këshillit të Madh të pallatit të Dogjëve më 1365.
Kështu, një publik i gjerë u bë bashkëpunëtor në këtë uzurpim të autoritetit mbi gji, duke bartur në vendet e tyre përkatëse shembëlltyrat dhe kujtimet e mahnitshme nga madhështia venedikase. Mbas kremtimit të Ngjitjes së Krishtit në qiell linjat e lundrimit në drejtim të Tokës së Shenjtë e rifillojnë aktivitetin e tyre, ndërsa pelegrinët ftohen të festojnë së bashku me venedikasit: të gjithë, nga Pedro Kafur Katalani te polaku Ocieski dhe gjermani von Harff, që vijnë në Venedik përgjatë shekujve janë dëshmitarë të ndikimit të madh që ka ky kremtim ritual.
Një etapë tjetër festive shënon vullnetin e synimshëm për të ngritur lart shtrirjen e Dominantes në brendësinë e tokës. Duhet folur për festën popullore të së Enjtes së Majme, që është përfshirë në ciklin e karnavaleve. Festa e famshme e së Enjtes së Majme i kujton turmës së ngazëllyer fitoren mbi patariarkun e Akuilesë në shekullin X. Në këtë ditë, mjeshtrit artizanë të korporatës të kasapëve e kovaçëve u presin ritualisht kokat dymbëdhjetë derrave, në kujtim të dymbëdhjetë kanonikëve, ndërkohë që turma masakron në sheshin e Shën Markut një dem që simbolizon patriarkun.
Ceremonia e ndërlikuar e therjes së derrave, që kryhet brenda pallatit dukal, dhe blatimi i kokave gjyqtarëve përshkruan si fitoren me anë të forcës ashtu dhe nënshtrimin e forcës ndaj ligjit. Shpesh e pavarësisht nga rreziku i zjarrit, në sheshet e qytetit digjen kështjella të mëdha prej druri nga turma e harbuar që shpreh në këtë mënyrë urrejtjen e vet ndaj atyre tradhtarëve të pabesë friulanë. Teprimet janë të shpeshta, e në fillim të shekullit XVI, Luca Troni dhe krerët e Këshillit të të dhjetëve propozojnë që të mos zhvillohen më masakra në pallat e që vetëm të bëhet kurban një dem në sheshin e pushtuar nga turma. Mbas vitit 1525, shfaqja lejohet duke mënjanuar djegien e kështjellave prej druri.
Kremtimi i fundit që i kushtohet fuqisë sovrane të Venedikut është ai i Marive. Qysh prej vitit 1143, në Venedik festohet fitorja mbi triestinët, fajtorë për rrëmbimin e vajzave të reja që u çliruan nga detarët e komanduar prej dogjës Pietro Candiano III më 943. Një vargan lundrash përshkon kanalet për katër ditë që përfshijnë Shën Markun, festën e shenjtit mbrojtës, dhe Zonjën e Qirinjve, të kremten e Shën Mërisë së Dritës, duke e përqëndruar vëmendjen tek Kanali i Madh dhe duke mobilizuar popullatën e famullive përkatëse, sidomos të grave që nderohen veçanërisht atë ditë.
Në të vërtetë, kjo festë përkujton një fitore ushtarake vendimtare që pati siguruar lirinë e banorëve të lagunës. Ndërpreija e kremtimit gjatë luftës së Kioxhës më 1379 i jep fund kësaj cereinonie të shenjtë dhe profane për t’ia lënë vendin lindjes së kultit të Shën Mërisë, shumë kanonik e konvencional. Por të gjitha këto festime zor se mund ta fshehin atë goditje të tmerrshme që u dha mbas autonomisë së Raguzës, që u fitua më 1358.