Materiali që do të paraqesim më poshtë vjen kryesisht nga gërmimet tona te banesa no. 1 , e njohur me emrin "Pallati" dhe ajo no. 9, ose "Banesa në shkëmb". Shtresa kulturore që mbulonte këto dy banesa, siç kemi thënë, ishte prekur në pjesën më të madhe, nga gërmimet e Misionit Arkeologjik Italian. Në këto rrethana, ne trashëguam një sipërfaqe të kufizuar, që u kishte shpëtuar gërmimeve të mëparshme. Te "Pallati", këtë fat e kishte pësuar oborri i vogël para kësaj banese, ndërsa te "Banesa në shkëmb", pjesa lindore e saj në kthinat "B" e "D". Qeramika e depozituar në këto pjesë paraqitet shumë e fragmentuar dhe në asnjë rast nuk përfaqësohet nga objekte të plota. Megjithatë, ajo është në përgjithësi e lexueshme dhe jep mundësi për klasifikim tipologjik dhe kronologjik të saj. Ndërkaq, varfëria materiale mbetet një minus, që kufizon në mënyrë të ndjeshme përpjekjet për një vlerësim të plotë të jetës në këto banesa.