Qytet - shteti
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Qytet - shteti

Ajo çka kemi parë deri tani rreth institucioneve të lashtësisë e sidomos rreth besimeve të lashta ka mundur të na japë një ide mbi dallimin e thellë që ekzistonte gjithnjë mes dy qytezave të ndiyshme. Sado pranë njëra-tjetrës të ndodheshin ato, qytezat formonin kurdoherë dy shoqëri krejtësisht të ndara. Mes tyre ekzistonte diçka më shumë sesa një kufi ndarës; perënditë nuk ishin të njëjtat, e po kështu as ceremonitë dhe as lutjet. Kulti i një qyteze ishte i ndaluar për njeriun e qytezës fqinje. Besohej se perënditë e një qyteze të caktuar nuk i pranonin nderimet dhe lutjet e gjithkujt tjetër, që nuk ishte bashkëqytetar i tyre.

Është e vërtetë se këto besime të vjetra, me kohë, janë modifikuar dhe zbutur; por ato kanë qenë në kulmin e forcës së tyre në epokën kur shoqëritë sapo ishin formuar dhe këto shoqëri i kanë ruajtur gjithnjë gjurmët e tyre.

Këtu dallojmë lehtë dy elemente: së pari, feja e veçantë për çdo qytezë, me shumë gjasa, ka kontribuar në ndërtimin e fortë e thuajse të palëkundshëm të saj; në fakt, është për t'u habitur se, pavarësisht prej të metave dhe rrënimit të tyre, ndërtimi i organizimit shoqëror të qytezave garantoi ekzistencën e tyre të gjatë; së dyti, kjo fe pati për rrjedhojë, që për shekuj të tërë të bëhej e pamimdur ngritja e ndonjë forme tjetër shoqërore, veç asaj të qytezës.

Çdo qytezë, bazuar mbi vetë kërkesën e fesë, duhej të ishte krejtësisht e pavarur. Feja kërkonte që secila prej tyre të kishte kodin e saj të veçantë, pasi secila prej tyre kishte fenë e vet dhe ligji buronte nga feja. Secila prej tyre duhej të kishte drejtësinë e saj sovrane dhe veç drejtësisë së qytezës nuk kishte kurrfarë drejtësie tjetër më të lartë; çdo qytezë kishte festat fetare dhe kalendarin e saj; muajt dhe vitet nuk mund të ishin të njëjtat në të dyja qytezat, pasi seria e akteve fetare ishte e ndryshme. Secila kishte monedhën e saj të veçantë, që, në fillimet e veta, zakonisht, pritej me emblemën e vet mbretërore.

Secila kishte peshat dhe masat e saj. Ishte e papranueshme që dy qyteza të kishin gjëra të përbashkëta. Vija ndarëse ishte aq e thellë, saqë ishte thuajse e pamundur të mendohej se mes banorëve të dy qytezave të ndryshme të kishte martesa të përbashkëta. Një bashkim i tillë quhej gjithnjë si një gjë e çuditshme dhe për një kohë shumë të gjatë ai do të konsiderohej ilegjitim. Legjislacioni i Romës dhe ai i Athinës e përbuznin dukshëm një veprim të tillë. Thuajse kudo, fëmijët e lindur nga një martesë e kësaj natyre konsideroheshin njëlloj si fëmijë të jashtëligjshëm dhe privoheshin nga të drejtat e qytetarisë. Që martesa mes banorëve të dy qytezave të konsiderohej legjitime, duhej që mes tyre të kishte marrëveshje të veçantë.

Çdo qytezë kishte rreth territorit të vet një vijë sinorësh të shenjtë. Kjo vijë përbënte horizontin e fesë kombëtare dhe perëndive të saj. Përtej këtyre sinorëve mbretëronin perëndi të tjera dhe praktikohej një kult tjetër.

Tipari më spikatës i historisë së Greqisë dhe Italisë së lashtë, para pushtimit romak, ishte copëzimi i jashtëzakonshëm i qytezave dhe fryma e izolimit mes tyre. Greqia nuk mundi kurrë të formonte një shtet të vetëm; as qytezat latine, as qytezat etruske e as fiset samite, nuk mundën kurrë të formonin një trup kompakt. Shpesh, ndarja e pashërueshme e qytezave greke i është atribuuar natyrës së vendit dhe është pretenduar se malet që e përshkonin atë kishin vendosur mes njerëzve vija ndarëse natyrore. Por midis Tebës dhe Platesë, mes Argosit dhe Spartës, mes Sibarisit dhe Krotonës nuk kishte male. Po kështu male nuk kishte as midis qyteteve të Latium-it, e po kështu as midis dymbëdhjetë qytezave të Etrurisë. Pa dyshim, natyra fizike ushtron një lloj ndikimi mbi historinë e popujve, por besimet e njerëzve kanë pasur mbi ta një ndikim akoma më të madh. Mes dy qytezave fqinje ekzistonte diçka më e pakapërcyeshme sesa një mal: ky ishte vargu i sinorëve të shenjtë, ishin kultet e ndryshme, ishte pengesa që çdo qytezë ngrinte mes të huajit dhe perëndive të tij. Ajo i ndalonte të huajit të hynte në tempujt e hyjnive të tij poliade; ajo kërkonte prej hyjnive të saj poliade të urrenin dhe të luftonin të huajin.

Për këtë arsye, njerëzit e lashtësisë nuk mundën të vendosnin kurrë e as të konceptonin tjetër organizim shoqëror veç atij të qytezës. As grekët, as italianët, as romakët, madje këta të fundit për një kohë tepër të gjatë, nuk kanë pasur idenë që disa qyteza mund të bashkoheshin dhe të jetonin së bashku në barazi, nën një qeverisje të vetme. Mes dy qytezave mund të kishte aleancë, një shoqërim të përkohshëm me synimin e një përfitimi apo të largimit të një rreziku, por kurrsesi një bashkim të plotë. Kjo për arsyen se feja e konsideronte çdo qytezë një trup të veçantë, icili nuk mund t'i bashkëngjitej asnjë trupi tjetër. Izolimi ishte ligj i qytezës.

Por me besimet dhe doket fetare që kemi parë, si është e mundur që disa qytete arritën të shkriheshin në një shtet të vetëm? Shoqërizimi njerëzor kuptohej dhe dukej i rregullt vetëm për sa kohë ai ngrihej mbi fenë. Simbol i këtij shoqërizimi duhej të ishte një vakt i shenjtë i përbashkët. Në analizë të fundit, disa mijëra qytetarë mimd të bashkoheshin rreth së njëjtës pritane, të recitonin të njëjta lutje dhe të ndanin mes tyre ushqimet e shenjta. Por, nga ana tjetër, përpiquni, që në prani të këtyre dokeve, të ndërtoni një shtet të vetëm në krejt Greqinë! Si do të organizohej vakti publik dhe të gjitha ceremonitë e shenjta, ku mendohej të merrnin pjesë të gjithë qytetarët? Ku do të ishte pritaneja? Si do të bëhej lustracioni i përvitshëm i qytetarëve? Ç'do të bëhej me kufijtë e padhunueshëm, që fillimisht kishin përcaktuar territorin e qytetit e më pas e kishin ndarë atë përgjithmonë nga pjesa tjetër e dheut? Ç'do të ngjiste me kultet lokale, hyjnitë poliade, heronjtë që banonin në çdo qytezë? Athina kishte në territorin e saj heroin Edip, armikun e Tebës: si mund të bashkohej Athina dhe Teba në të njëjtin kult dhe nën të njëjtën qeverisje?

Kur këto paragjykime do të dobësoheshin (dhe në mendjen e popullit ato do të dobësoheshin shumë vonë), koha nuk punonte për vendosjen e një forme të re shtetërore. Ndarja ishte shenjtëruar përmes zakonit, përmes interesit, përmes urrejtjes së ngulitur, përmes kujtimit të luftërave dhe armiqësive të vjetra. Në të kaluarën, nuk kishte rikthim.

Çdo qytezë e ruante fort autonominë e saj; ajo përbënte një bashkësi që përfshinte kultin, të drejtën, qeverisjen dhe gjithë pavarësinë fetare dhe politike të vet.

Për një qytezë ishte më e pranueshme të nënshtronte një qytezë tjetër sesa t'ia bashkëngjiste atë vetes. Fitorja mund ?i kthente të gjithë banorët e një qyteze të pushtuar tërësisht në skllevër; ajo nuk mund t'i bënte ata bashkëqytetarë të fitimtarit. Të shkrije dy qyteza në një shtet të vetëm, të bashkoje popullsinë e mposhtur me popullsinë ngadhënjyese dhe t'i bashkoje ato nën një qeverisje të vetme, ishte diçka që te njerëzit e lashtësisë nuk haset kurrë, me një përjashtim të vetëm për të dlin do të flasim më vonë. Nëse Sparta ngadhënjeu mbi Mikenën, kjo nuk u bë për t'i bërë spartanët dhe mikenasit një popull të vetëm; ajo dëbon apo robëron të mundurit dhe merr tokat e tyre. Athina vepron në të njëjtën mënyrë ndaj Salaminës, Eginës, Melosit.

Të pranoje të mundurit në qytezën e ngadhënjimtarëve ishte një mendim që askujt nuk i shkonte ndër mend. Qyteza kishte perënditë e veta, himnet, festat, ligjet e veta, të cilat përbënin pasurinë e saj të çmuar; ajo tregohej e kujdesshme, që në të të mos bënin pjesë të mposhturit. Ajo nuk kishte të drejtë të bënte një gjë të tillë: vallë, a pranonte Athina, që banori i Eginës të hynte në tempujt e Athinës poliade? Që ai të ushtronte kultin për nderimin e Tezeut? Që ai të merrte pjesë në vaktet e shenjta? Që ai të përkujdesej si pritan, për vatrën publike? Feja e ndalonte. Pra, popullsia e mundur e ishullit të Eginës nuk mimd të formonte shtet të vetëm me popullsinë e Athinës. Duke mos pasur të njëjtat perëndi, eginasit dhe athinasit nuk mimd të kishin të njëjtat ligje, as të njëjtët magjistratë.

Por, a nuk mundej, të paktën, që Athina, duke lënë në këmbë qytezën e mundur, të dërgonte brenda mureve të saj disa magjistratë për ta qeverisur? Një gjë e tillë ishte absolutisht kundër parimeve të njerëzve të lashtësisë, sipas të cilave, një qytezë nuk mund të qeverisej prej askujt që nuk ishte qytetar i saj. Në fakt, magjistrati duhej të ishte prijës fetar dhe funksioni i tij kryesor ishte të përmbushte ceremoninë e flijimit në emër të qytetit. Për rrjedhojë, i huaji, i cili nuk kishte të drejtë të bënte flijim, nuk mimd të ishte magjistrat. Duke mos pasur kurrfarë funksioni fetar, ai nuk gëzonte në sytë e njerëzve kurrfarë autoriteti të rregullt. Sparta provoi të vendoste në krye të qytezave të mundura harmostët e vet; por këta njerëz nuk ishin magjistratë, nuk gjykonin, nuk shfaqeshin nëpër kuvende. Duke mos pasur marrëdhënie të rregullta me popullsinë e qytezave, ata nuk mund të mbaheshin gjatë në këmbë.

Prej këtu rridhte se çdo fitimtar gjendej gjithnjë para alternativës, ose të shkatërronte krejtësisht qytezën e mundur dhe të pushtonte territorin e saj, ose ti linte asaj gjithë pavarësinë e vet. Rrugë të mesme nuk kishte. Ose qyteti pushonte së qeni, ose ai vazhdonte të ishte shtet sovran. Duke pasur kultin e vet, ai duhet të kishte edhe qeverisjen e tij; ai humbiste njërin vetëm kur humbiste tjetrin dhe në këtë rast, ai nuk ekzistonte më.

Kjo pavarësi absolute e qy tezës antike do të humbiste vetëm kur besimet mbi të cilat ajo ishte ngritur, do të zhdukeshin plotësisht. Vetëm kur idetë do të pësonin ndryshime të mëdha dhe shoqëritë e lashta do të përfshiheshin nga revolucionet, do të arrihej të konceptohej dhe të krijohej një shtet më i madh, i drejtuar prej rregullash të tjera. Por për këtë u desh që njerëzit të zbulonin parime të tjera si dhe një lidhje tjetër shoqërore, të ndryshme nga ajo e periudhave më të vjetra.

Marrëdhëniet mes qytezave. Lufta dhe paqja. Aleanca e perëndive

Feja, e cila ushtronte një pushtet kaq të madh mbi jetën e brendshme të qytezave, ndërhynte me të njëjtin autoritet edhe mbi të gjitha marrëdhëniet që ato kishin mes tyre. Kjo shihet qartë nëse vëzhgojmë se si njerëzit e periudhave të lashtësisë zhvillonin mes tyre luftën, si përfundonin paqen dhe si formonin mes tyre aleancat.

Dy qyteza përbënin dy shoqërime fetare, që nuk kishin të njëjtat perëndi. Kur ato ishin në luftë me njëra-tjetrën, në luftë nuk ishin vetëm njerëzit, por edhe perënditë e tyre. Të mos mendohet se këtu jemi thjesht në prani të një fiction-i poetik. Te njerëzit e lashtësisë ishte ngulitur një besim tejet i thellë e njëkohësisht tejet i gjallë mbi bazën e të cilit, çdo ushtri merrte me vete, në fushën e betejës, edhe perënditë e veta. Njerëzit ishin të bindur se ato merrnin pjesë në fushëbetejë; luftëtarët i mbronin dhe ato nga ana e tyre, mbronin luftëtarët. Duke luftuar kundër armikut, gjithkush mendonte se luftonte njëkohësisht edhe kundër perëndive të qytezës tjetër; perënditë e huaja, njerëzit kishin të drejtë t'i përbuznin, t'i shanin, t'i godisnin; ato mimd të ziheshin edhe rob.

Lufta kishte kësisoj një aspekt të çuditshëm. Duhet të dimë të përfytyrojmë dy ushtri të vogla të vendosura përballë njëra-tjetrës; secila ka në mes të saj, statujat, altarin dhe flamujt e vet, të cilat janë emblema të shenjta; secila ka orakujt e vet, të cilët i kanë premtuar sukses, ogurët dhe fallxhorët e vet, të cilët i garantojnë asaj fitoren. Përpara betejës, çdo ushtar i secilës prej ushtrive mendon dhe flet si greku i Euripidit: "Perënditë që luftojnë përkrah nesh janë më të forta se ato të armiqve tanë." Çdo ushtri shqipton kundër ushtrisë armike një mallkim të llojit që Makrobi ka ruajtur në formulën: "O perëndi! Mbillni frikën, llahtarin, të keqen, mes armiqve tanë. Bëni që këta njerëz dhe gjithkush tjetër, që banon në fushat dhe qytezat e tyre, të humbasin, falë jush, dritën e diellit. Bëni që kjo qytezë dhe arat e saj, kokat dhe qeniet e tyre, të flijohen për ju". Me shqiptimin e kësaj lutjeje, të dyja palët hidheshin në sulm me egërsi të paparë, të shkaktuar nga mendimi se gjithkush i ka perënditë në anën e vet dhe se po lufton perënditë e huaja. Për armikun nuk ka mëshirë; lufta është mizore; feja drejton luftën dhe ngjall te luftëtarët ndjenjat më mizore. Kurrfarë rregulli i epërm, nuk arrin të zbusë dëshirën për të vrarë; madje lejohet që robërit të theren e të plagosurit të vriten.

Edhe jashtë fushës së betejës, ideja e detyrës ndaj armikut nuk ekziston aspak, cilado qoftë ajo. I huaji nuk ka kurrë të drejtë; aq më pak ka të drejtë ai, kur me të janë në luftë. Në radhët e tij, nuk bëhet kurrfarë dallimi mes të drejtit dhe të padrejtit. Mucius Scaevola dhe të gjithë romakët besonin se të vrisje një armik ishte diçka e bukur. Konsulli Marcius mburrej publikisht se kishte mashtruar mbretin e Maqedonisë. Paul Emili shiti si skllevër njëqind mijë Epirotë, të cilët iu dorëzuan vullnetarisht atij.

Spartani Febidas, në mes të paqes, kishte pushtuar fortifikimin e tebanëve. Kur Agesilasin e pyetën nëse ky veprim kishte qenë ose jo i drejtë, mbreti u përgjigj: "Shihni vetëm nëse një veprim i tillë ka qenë ose jo i dobishëm; sepse, kur një veprim është i dobishëm për atdheun, kryerja e tij është e bukur." Ja pra se cila ishte e drejta e qytezave të lashta. Një tjetër mbret spartan, Kleomeni, thoshte se për perënditë dhe për njerëzit, çdo e keqe që mimd t'u bëhej armiqve ishte gjithmonë e drejtë.

Ngadhënjyesi mund ta përdorte fitoren si t'i pëlqente. Asnjë ligj, hyjnor apo njerëzor, nuk e ndalte hakmarrjen apo lakminë e tij. Ditën që Athina dekretoi se të gjithë Mitilenasit, pa dallim seksi ose moshe, do të shfaroseshin, ajo ishte e bindur se nuk po e tejkalonte të drejtën e saj; kur, të nesërmen, ajo do t'i rikthehej përsëri dekretit dhe do të mjaftohej vetëm me dënimin me vdekje të një mijë qytetarëve dhe konfiskimin e krejt tokave të tyre, asaj iu duk sikur ishte treguar e butë dhe njerëzore. Pas pushtimit të Platesë, burrat u therën, gratë u shitën dhe askush nuk i akuzoi fitimtarët se kishin shkelur të drejtën.

Lufta nuk bëhej vetëm kundër luftëtarëve të kundërshtarit: ajo bëhej kundër gjithë popullatës, burrave, grave, fëmijëve, skllevërve. Ajo nuk bëhej vetëm kundër qenieve njerëzore; ajo bëhej kundër arave dhe të korrave. Shtëpitë digjeshin, pemët priteshin; të korrat e armikut thuajse gjithnjë u kushtoheshin perëndive të tartarit dhe për rrjedhojë digjeshin. Kafshët shtëpiake vriteshin; shkatërrimi nuk ndalej as përpara farës që shërbente për mbjelljet e vitit të ardhshëm. Një luftë mund të shuante, krejt befas, nën një goditje të vetme, emrin dhe racën e një populli të tërë, duke shndërruar një vend pjellor në shkretëtirë. Mbështetur mbi këtë të drejtë, lufta mund të mbillte shkretim dhe mjerim kudo rreth e rrotull saj; në territorin, ku dikur Volskët kishin njëzet e tre qyteza, vendin e tyre e zunë kënetat pontine; pesëdhjetë e tre qytetet e Latiumit u rrafshuan; në Samnium, gjithkush mund të dallonte vendet ku kishte shkelur ushtria romake, nisur, jo nga mbeturinat e kampeve, por nga vetmia dhe heshtja që mbretëronte mbi krejt rrethinat.

Kur fitimtari nuk shfaroste të mundurit, ai kishte të drejtë të zhdukte qytezat e tyre, domethënë të thyente përfundimisht shoqërinë fetare dhe politike. Atëherë kultet pushonin së ekzistuari dhe perënditë e tyre harroheshin. Me shkatërrimin e fesë së qytezës, shkatërrohej njëherazi edhe feja e çdo familjeje. Vatrat shuheshin. Bashkë me kultin, binin ligjet, e drejta civile, familja, prona, gjithçka që ishte ngritur dhe ushqehej mbi fenë. Le të dëgjojmë të mundurin, të cilit i është falur jeta; ai urdhërohet të shqiptojë formulën e mëposhtme: "I jap popullit romak veten, qytetin tim, tokën time, ujin që rrjedh në të, perënditë e mia terme, tempujt e mi, pasuritë e luajtshme e të gjitha sendet që u përkasin perëndive të mia." Nisur nga ky çast, perënditë, tempujt, shtëpitë, tokat, njerëzit, i përkisnin fitimtarit. Më tej do të tregojmë se, cilat ishin pasojat ku do të shpinin këto veprime nën sundimin e Romës.

Për të përfunduar një traktat paqeje, kërkohej kryerja e një akti fetar. Tashmë tek Iliada, shohim "lajmësit e shenjtë tek sjellin flijimet që i kushtohen betimit ndaj perëndive, domethënë qengjat dhe verën; prijësi ushtarak, me dorën e tij mbi kokën e viktimave, u drejtohet perëndive dhe u ofron atyre premtimet e tij; pastaj ai ther qengjat dhe derdh mbi to libacionin, ndërkohë që ushtria shqipton formulën e lutjes: O perëndi të pavdekshme! Bëni që njëlloj si kjo viktimë e goditur nga hekuri, të thyhet edhe koka e të parit njeri që do të shkelë betimin e tij." Të njëjtat rite, të pandryshuara, hasen gjatë gjithë historisë greke. Akoma në kohën e Tuqididit, çdo traktat përfundohej mbi bazën e një flijimi ofruar perëndive. Prijësit e popullit, me dorën e vendosur mbi viktimën e flijuar, shqiptojnë një formulë lutjeje dhe angazhohen përpara perëndive. Çdo popull i drejtohet dhe u lutet perëndive të veçanta të tij, duke shqiptuar formulën e betimit që u përket. Pikërisht kjo lutje dhe ky betim, drejtuar perëndive, përbëjnë edhe elementet që angazhojnë palët në një kontratë. Kur historiani kërkon të emërtojë ata që, në gjuhë modeme, ne do t'i quanim nënshkruesit e traktatit, ai thotë: Ja emrat e atyre që kanë bërë libacionin.

Virgjili, i cili përshkruan me saktësi skrupuloze zakonet dhe ritet e romakëve, nuk largohet shumë nga Homeri, kur rrëfen se si bëhet një traktat: "Mes dy ushtrive vendoset një vatër, për hyjnitë e përbashkëta ngrihet një altar. Një prift, i veshur në të bardha, sjell viktimën; të dy prijësit bëjnë libacionin, thërrasin perënditë, shqiptojnë premtimin e tyre; më pas viktima theret dhe mishi i saj hidhet në flakën e altarit." Rreth kësaj pike të së drejtës publike të Romës, Tit-Livi është shumë i qartë: "Një traktat nuk mund të përfundohet pafecialët dhe pa përmbushjen e riteve të shenjta; sepse një traktat nuk është një marrëveshje, një sponsio mes njerëzve: traktati përfundohet nëpërmjet shqiptimit të një lutjeje, precatio, ku thuhet se populli që nuk do t'u përmbahet kushteve të saposhqiptuara, të goditet nga perënditë ashtu sikurse viktima goditet nga feciali.

Vetëm ceremonia fetare kishte aftësinë t'u jepte marrëveshjeve ndërkombëtare një karakter të shenjtë e të pacenueshëm. Të gjithë e njohin historinë ejurkave kaudine, ku romakët u mundën nga samnitët. Një ushtri e tërë, nëpërmjet organit të konsujve të vet, kuestorëve, tribunëve dhe centurionëve, kishte përfunduar një marrëveshje me samnitët. Por gjatë përfundimit të kësaj marrëveshjeje, romakët nuk kishin ofruar as flijime, as lutje e as nuk ishin angazhuar ndaj perëndive. Kështu, Senati gjykoi se ishte në të drejtën e tij të thoshte se marrëveshja nuk kishte kurrfarë vlere. Me anulimin e saj, asnjë kryeprifti apo patrici nuk i shkoi ndër mend se duke vepruar kësisoj, ai po kryente një veprim të keq.

Te njerëzit e lashtësisë ekzistonte mendimi i përhershëm se individët kishin detyrime vetëm ndaj perëndive të veçanta. Le të përmendim fjalët e atij greku, qyteti i të cilit adhuronte heroin Alabandos; ai i thotë këto fjalë dikujt të një qyteze tjetër, e cila adhuronte Herkulin: "Alabandosi është perëndi, kurse Herkuli nuk është i tillë." Me ide të tilla, ishte e domosdoshme që, në një traktat paqeje, çdo qytet të merrte dëshmitarë për betimet e veta. "Ne kemi bërë një traktat dhe kemi bërë spërkatjen e libacionit, u thonë plateasit spartanëve, betimi është kryer, ju përpara perëndive të etërve tuaj, ne përpara perëndive tona." Kjo ishte mënyra se si u drejtohej lutja, nëse ishte e mundur, hyjnive që ishin të përbashkëta për të dyja qytetet Betimi bëhej kryesisht për ato perëndi që ishin të dukshme për njerëzit, Diellin që ndriçonte gjithçka, Tokën që ushqente. Por ato që preknin më shumë njerëzit ishin perënditë e çdo qyteze dhe heronjtë e tyre mbrojtës, ndaj duhej që palët në marrëveshje të merrnin si dëshmitare kryesisht ato, nëse dëshironin që marrëveshjet të konsideroheshin të lidhura realisht nga feja.

Ashtu sikurse perënditë përfshiheshin së bashku me luftëtarët në fushëbetejë, po kështu ato duhej të përfshiheshin edhe në marrëveshje. Pra, ishte kusht që aleanca të realizohej si nëpërmjet njerëzve ashtu edhe nëpërmjet perëndive të dy qytezave. Për të kremtuar aleancën mes perëndive, ngandonjëherë, ndodhte që dy popuj të lejonin njëri-tjetrin për të marrë pjesë në festat e shenjta përkatëse. Madje ndodhte që ata të hapnin në mënyrë të ndërsjellë tempujt e tyre, duke mundësuar kështu një këmbim të riteve fetare. Një herë, Roma shpalli se që nga ai moment, hyjnia e qytetit Lanuvium do të merrte në mbrojtje edhe romakët, të cilët do të kishin të drejtën të luteshin dhe të hynin në tempullin e saj. Shpesh, secila prej palëve kontraktuese angazhohej të ofronte një kult për hyjnitë e tjetrit. Kështu Eleasit, duke përfunduar një traktat me Etolasit, ofruan në vijim, një flijim të përvitshëm për heronjtë e aleatëve të tyre. Madje ndodhte që dy qyteza të binin në ujdi me njëra-tjetrën, që secila prej tyre të përfshinte edhe emrin e tjetrës në lutjet e veta.

Jo rrallë, në vijim të një aleance, hyjnitë e qytezave të ndryshme mishëroheshin në statuja apo medalje, duke i dhënë dorën njëra-tjetrës. Kemi kështu medalje ku shohim të bashkuar Apolonin e Miletit me Xhinin e Smimës, Pallasin e Sidenjve'me Artemisin e Pergas, Apolonin e Hierapolisit me Artemisën d Efezës. Virgjili, duke folur rreth një aleance midis thrakëve dhe trojanëve, tregon perënditë penate të të dy popujve, të bashkuara dhe të shoqëruara me njëra-tjetrën.

Këto zakone të çuditshme i përgjigjeshin përsosmërisht idesë që njerëzit e lashtësisë kishin rreth perëndive. Meqenëse çdo qytezë kishte perënditë e veta, ishte e natyrshme që këto perëndi të figuronin në luftime dhe traktate. Lufta dhe paqja mes dy qytezave ishte gjithashtu luftë dhe paqe mes dy feve. E drejta publike e njerëzve të lashtësisë u bazua, për një kohë të gjatë, pikërisht mbi këtë parim. Kur perënditë ishin armike, lufta që zhvillohej mes tyre ishte e pamëshirshme dhe pa rregulla; sapo ato miqësoheshin, njerëzit lidheshin mes tyre dhe kishin ndjenjëri e detyrimit të ndërsjellë. Kur hamendësohej se hyjnitë poliade të dy qytezave kishin ndonjë arsye për të qenë aleate, kjo mjaftonte për të përcaktuar edhe miqësinë mes dy qytezave. Qyteza e parë me të cilin Roma lidhi traktat miqësie ishte Caere në Etruri dhe Tit-Livi na jep arsyen: në shkatërrimin që pasoi pushtimin e Galisë, perënditë romake kishin gjetur strehë në Caere; ato kishin banuar në këtë qytezë dhe atje i kishin adhuruar"; ishte krijuar, kësisoj, një lidhje e shenjtë mikpritjeje midis perëndive romakë dhe qytezës etruske; që nga çasti që feja nuk lejonte që dy qyteza të ishin armike, ato bëheshin përgjithnjë aleate.

info@balkancultureheritage.com