Qytetari
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Qytetari

Qytetari njihej prej faktit që ai merrte pjesë në kultin e qytezës dhe nga kjo pjesëmarrje buronin edhe të gjitha të drejtat civile dhe politike të tij. Në rast se ai hiqte dorë nga ky kult, ai kishte hequr automatikisht dorë edhe prej të drejtave. Më lart kemi folur për vaktet publike, të cilat përbënin ceremoninë kryesore të kultitkombëtar. Kështu në Spartë, ai që nuk merrte pjesë në to, edhe në rastet kur kjo nuk ishte për faj të tij, pushonte menjëherë së përllogarituri midis qytetarëve.

1 Në Athinë, ai që nuk merrte pjesë në kremtimin e festës së perëndive kombëtare, humbiste të drejtën e qytetarisë

2. Në Romë, të përfitoje nga të drejtat politike, duhej të kishe marrë pjesë në ceremoninë e shenjtë të lustracionit

3. Njeriu që nuk kishte marrë pjesë në të, domethënë, që nuk kishte marrë pjesë në lutjen dhe në flijimin e përbashkët, humbiste të drejtën e qytetarit deri në lustrin pasardhës.

Nëse duam të përkufizojmë qytetarin e kohëve antike përmes cilësisë së tij më thelbësore, duhet të themi që ai është njeriu që zotëron fenë e qytezës. Qytetar është ai që nderon të njëjtat perëndi me qytezën. Vetëm ai, për të cilin arhonti ose pritani ofrojnë flijimin e përditshëm, ka të drejtë t'u afrohet altarëve, të hyjë brenda rrethimit të shenjtë ku mbahen kuvendet, të marrë pjesë në festime, të ndjekë procesionet dhe të përzihet me panegjeritë, të ulet në vaktet e shenjta dhe të marrë pjesën që i takon nga viktimat. Ditën që ky njeri është shkruar në regjistrin e qytetarëve, ai është betuar se do të praktikojë kultin e perëndive të qytezës dhe se do të luftojë për to. Shihni fjalët e gjuhës: të pranohesh në gjirin e qytetarëve, të ndash sendet e shenjta.

Përkundrazi, i huaji është ai që nuk ka të drejtë të hyjë në kult, ai që perënditë e qytezës nuk e mbrojnë dhe që nuk ka të drejtë t'u drejtojë lutje atyre. Perënditë kombëtare pranojnë vetëm lutjet dhe flijimet e qytetarit; ato nuk e pranojnë të huajin; atij i ndalohet hyrja në tempujt e tyre dhe prania e tij në ceremonitë e ndryshme është sakrilegj. Një dëshmi e kësaj ndjenje mospranimi na vjen përmes një prej riteve kryesore të kultit romak; kryeprifti, gjatë kohës që ai përmbushte ritin e flijimit në fushë të hapët, duhet ta kishte kokën e mbuluar, "sepse nuk duhej që përpara zjarreve të shenjta, gjatë aktit fetar që u ofrohej perëndive kombëtare, shikimi i tij të binte mbi fytyrën e ndonjë të huaji; një gjë e tillë shqetësonte auspicët." Një send i shenjtë, i rënë qoftë edhe përkohësisht në duart e një të huaji, përdhosej menjëherë; ai mund ta rifitonte karakterin e tij fetar vetëm pasi të ishte kryer një ceremoni e shlyerjes së fajit. Nëse një qytezë binte në duart e armikut dhe qytetarët e saj mund ta rimermin përsëri atë, ata duhej, para së gjithash, të spastronin tempujt e qytezës, të shuanin dhe të rindërtonin sërish të gjitha vatrat e saj: vështrimi i të huajit i kishte ndyrë ato.

Kësisoj, feja vendoste midis qytetarit dhe të huajit një dallim të thellë dhe të pashlyeshëm. Kjo fe, për sa kohë ushtronte pushtet mbi shpirtrat, ndalonte që të huajve t'u jepej e drejta e qytetarisë. Deri në kohën e Herodotit, Sparta nuk ia kishte dhënë të drejtën e qytetarisë askujt, me përjashtim të një fallxhori; e për këtë ishte dashur urdhri formal i orakullit. Athina e jepte ndonjëherë, por me çfarë kujdesi! Pikësëpari, duhej që populli, i mbledhur në kuvend, të votonte pranimin e të huajit; e megjithatë kjo nuk mjaftonte; duhej që nëntë ditë më vonë, një kuvend i dytë të votonte njëlloj, me votim të fshehtë, ku në favor të këtij vendimi të shkonin të paktën 6000 vota: shifër e madhe kjo, nëse mbajmë parasysh se ndodhte fort rrallë që një kuvend athinas të mblidhte këtë numër qytetarësh. Së fundmi, edhe një qytetar i vetëm mes athinasve mund t'i kundërvihej këtij veprimi përmes një lloj vetoje, të godiste dekretin përpara gjykatës, si diçka që binte ndesh me ligjet e lashta dhe ta anulonte atë. Nuk kishte asnjë akt publik tjetër, ku ligjvënësi ndihej aq shumë në vështirësi e ku duhej të bënte kujdes më shumë, sesa akti që i jepte të huajit titullin e qytetarisë, madje një gjë e tillë kërkonte më shumë formalitete sesa të shpallje një luftë apo të bëje një ligj të ri. Vallë, nga buronte fakti që të huajit i vendoseshin kaq shumë pengesa për t'u bërë qytetar i një qyteze të dhënë? Sigurisht, ai nuk buronte nga frika se mos vota e tij mund të shpinte në ndryshimin e peshores në marrjen e vendimeve në kuvendet politike. Demosteni na jep shkakun e vërtetë dhe atë çka athinasit mendonin për këtë çështje: "Të mendohej për perënditë dhe të mbaheshin pastër flijimet që u kushtoheshin atyre." Të përjashtoje të huajin, do të thoshte "të vigjiloje mbi ceremonitë e shenjta." Të pranoje një të huaj mes qytetarëve, do të thoshte "t'i jepje atij të drejtën të merrte pjesë në fe dhe në flijime." Mirëpo, përpara një veprimi të tillë, populli nuk ndihej krejtësisht i lirë, pasi i pushtuar prej skrupullit të besimit, ai e dinte se perënditë kombëtare ishin të prira ta refuzonin të huajin dhe se flijimet, ndoshta, do ndyheshin nga prania e rishtarit. Dhënia e së drejtës së qytetarisë një të huaji, përbënte një shkelje të vërtetë të parimeve themeluese të kultit kombëtar dhe kjo është arsyeja se përse në fillesat e veta, qyteti ishte kaq dorështrënguar në këtë drejtim. Njëkohësisht, duhet nënvizuar se ky njeri që kishte përftuar kaq me vështirësi të drejtën e qytetarisë, nuk mund të ishte as arhont e as prift. Qyteza mund t'i lejonte atij të merrte pjesë në kultin e saj, por e konsideronte të tepërt që ai të kishte mundësinë për ta drejtuar atë.

Askush nuk mund të bëhej qytetar i Athinës, në rast se ai ishte qytetar i një qyteze tjetër. Në pikëpamje fetare, ishte e pamundur që një njeri të ishte njëherazi anëtar i dy qytezave, sikundër kemi parë se ishte e pamundur që edhe i njëjti person të ishte anëtar i dy familjeve. Njeriu nuk mund të kishte dy fe.

Pjesëmarrja në kult mbartte me vete zotërimin e të drejtave.

Meqenëse qytetari mund të merrte pjesë në flijimin që pararendte kuvendin, ai gjithashtu mund të votonte. Ashtu sikurse mund të ofronte flijimin në emër të qytetit, ai mund të ishte edhe pritan apo arhont. Të kishe fenë e qytezës do të thoshte se mund t'i luteshe ligjit dhe të përmbushje gjithë ritet e procedurës.

Përkimdrazi, i huaji, duke mos pasur pjesëmarrje në fe, nuk kishte kurrfarë të drejte. Në rast se ai depërtonte përtej gardhimit të shenjtë, që prifti kishte vendosur rreth vendit ku mbahej kuvendi, ai ndëshkohej me vdekje. Për të, ligjet e qytezës nuk ekzistonin. Në rast se ai kishte kryer një krim, ai trajtohej si skllav dhe ndëshkohej pa kurrfarë procesi, pasi qyteza nuk i detyrohej atij kurrfarë drejtësie. Kur më në fund, do të arrihej që edhe për të huajin të ndihej nevoja për të pasur një drejtësi, u desh të krijohej një gjykatë e jashtëzakonshme. Në Romë ekzistonte një pretor për të gjykuar të huajin (praetor peregrinus). Në Athinë, gjykatësi i të huajve ishte polemarku, domethënë i njëjti gjykatës që qe ngarkuar edhe me çështjet e luftës dhe marrëdhëniet me armikun.

I huaji nuk mund të ishte pronar as në Romë e as në Athinë. Ai nuk mund të martohej; së paku, martesa e tij nuk njihej; fëmijët e lindur nga bashkimi i një qytetari me një të huaj konsideroheshin bastardë. I huaji nuk mund të përfundonte asnjë kontratë me një qytetar; kjo kontratë, në sytë e ligjit nuk kishte kurrfarë vlere. Fillimisht, i huaji nuk gëzonte as të drejtën për të bërë tregti. Ligji romak i ndalonte atij të drejtën për të trashëguar nga një qytetar, madje edhe qytetarit i ndalohej të trashëgonte prej tij. Rreptësia e këtij parimi shkonte aq larg saqë, në rast se një i huaj fitonte të drejtën e qytetarisë romake dhe kishte një djalë të lindur para kësaj periudhe, ky i fundit nuk mund të përfitonte nga një favor i tillë dhe i huaji që tashmë kishte marrë qytetarinë, kthehej kësisoj në atin e një të huaji dhe i biri nuk mund të trashëgonte prej tij. Dallimi midis qytetarit dhe të huajit ishte më i fortë se lidhja natyrore mes atit dhe të birit.

Në pamje të parë mund të duket sikur ndaj të huajve kërkohej të ngrihej një sistem i tërë ngacmimi dhe mërzitjeje. Por, në të vërtetë, nuk ishte kështu. Përkundrazi, Athina dhe Roma, i bënin atij një pritje të mirë dhe e mbronin, për shkaqe që lidheshin me tregtinë ose politikën. Por mirësia e tyre e madje vetë interesimi që ato tregonin, nuk mund të abrogonin ligjet e lashta që feja kishte vendosur. Kjo fe nuk lejonte që i huaji të bëhej pronar, sepse ai nuk mund të ishte pjesëmarrës në fenë e tokës, që ushtrohej në qytezë. Ajo nuk i lejonte të huajit të trashëgonte nga qytetari dhe as qytetarit të trashëgonte nga i huaji, pasi çdo përçim pasurie’ sillte me vete edhe përçimin e kultit dhe për qytetarin ishte e pamundur të përmbushte kultin, sikurse edhe për të huajin ishte e pamundur të përmbushte kultin e qytetarit.

I huaji mund të mirëpritej, ndaj tij mund të tregohej kujdes, madje edhe vlerësim, nëse ai ishte i pasur dhe i nderuar; megjithatë ai nuk mund të bëhej pjesëmarrës në fenë e qytezës e as në të drejtën e saj. Në disa drejtime, skllavi trajtohej më mirë se ai; skllavi, si pjesëtar i një familjeje, ku ai ndante kultin, i bashkëngjitej qytezës nëpërmjet padronit të tij; perënditë e mbronin. Kështu, feja romake thoshte se varri i skllavit ishte i shenjtë, por ai i të huajit nuk ishte i tillë.

Në mënyrë që i huaji të kishte një lloj entiteti para ligjit, në mënyrë që ai të bënte tregti, të kontraktonte, të gëzonte i sigurt pasuritë e tij, në mënyrë që drejtësia e qytezës ta mbronte atë në mënyrë efikase, ai duhej të bëhej klient i një qytetari. Roma dhe Athina kërkonin që çdo i huaj të adoptonte një padron. Duke hyrë në regjimin e klientelës dhe në varësinë e një qytetari, i huaji vendosej përmes këtij ndërmjetësuesi në marrëdhënie me qytetin. Atëherë ai kishte të drejtë të merrte pjesë në disa prej përfitimeve që e drejta civile i njihte atij në këtë rast, duke pasur kësisoj edhe mbrojtjen e ligjit.

Qytetet e lashtësisë ndëshkonin pjesën më të madhe të gabimeve të kryera ndaj tyre, duke i hequr fajtorit cilësinë e qytetarit. Ky dënim quhej dup.ia. Njeriu që goditej nga ky ndëshkim, nuk mimd të ushtronte më kurrë asnjë lloj magjistrature, as të bënte pjesë në gjykata dhe as të merrte fjalën në kuvend. Njëkohësisht, atij i ndalohej edhe e drejta e besimit; dënimi thoshte se "ai nuk do të hynte më në asnjë prej vendeve të shenjta të qytetit, nuk do të gëzonte më të drejtën për të vendosur mbi kokë kurorën e luleve ditën kur qytetarët e tjerë kurorëzoheshin, ai nuk do të shkelte më brenda rrethimit që uji lustral dhe gjaku i viktimave vendosnin si sinor në agora". Për të, perënditë e qytetit nuk ekzistonin më. Ai humbiste njëkohësisht edhe të gjitha të drejtat civile; ai nuk shfaqej më para gjykatave, madje as edhe si dëshmitar; edhe kur dëmtohej, atij nuk i lejohej të ngrinte padi; "ai mund të goditej pa u ndëshkuar"; ligjet e qytetit nuk e mbronin më. Për të nuk kishte më as blerje, as shitje, as kontratë të çfarëdo lloji. Për qytetin ai ishte bërë i huaj. Të drejtat politike, feja, të drejtat civile, gjithçka tjetër i hiqeshin krejtësisht e menjëherë. Të gjitha këto gjendeshin të ngërthyera në titullin e qytetarisë dhe humbitnin bashkë me të.

info@balkancultureheritage.com