Qyteti
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Qyteti

Te njerëzit e lashtësisë, fjalë t qytezë dhe qytet nuk ishin sinonime. Qyteza ishte shoqërimi fetar dhe politik i familjeve dhe i fiseve; qyteti ishte vendi i mbledhjeve, i banimit dhe mbi të gjitha, vendi i shenjtë i këtij shoqërimi.

Rreth qyteteve të lashtësisë nuk duhet të krijojmë idenë që na japin qytetet që shohim të ngrihen gjatë ditëve tona. Ndërtohen disa shtëpi, krijohet një fshat; pa u ndjerë numri i shtëpive rritet, krijohet një qytet; në fund të gjitha këto ndërtime mund të rrethoheshin nga një hendek apo nga ndonjë mur rrethues. Te njerëzit e lashtësisë, qyteti nuk formohej gradualisht, nëpërmjet shtimit të ngadaltë të numrit të njerëzve dhe të ndërtimeve. Një qytet krijohej me një goditje, brenda një dite.

Por më parë duhej të ndërtohej qy teza dhe kjo ishte vepra më e vështirë dhe zakonisht më e gjata. Kur familjet, fratritë dhe fiset binin në ujdi për t'u bashkuar dhe për të pasur një kult të vetëm, qyteti themelohej menjëherë, për të qenë vendi i shenjtë i këtij kulti të përbashkët. Kështu pra, themelimi i një qyteti përbënte gjithnjë një akt fetar.

Si shembull të parë do të marrim vetë Romën, pavarësisht nga moda mosbesuese që ekziston rreth historisë së lashtë të saj. Shpesh, është thënë se Romuli ishte një prijës cubash, se ai kishte krijuar një popull, duke mbledhur rreth vetes endacakë dhe kusarë e se të gjithë këta njerëz, të grumbulluar pa kurrfarë kriteri, kishin ndërtuar sipas rastit disa kasolle për të fshehur aty trofetë e vjedhur. Mirëpo, autorët e lashtësisë na i paraqesin faktet në një mënyrë krejt tjetër; na duket se, në rast se dëshirojmë të njohim lashtësinë, rregulli i parë do të ishte të dinim të mbështeteshim mbi dëshmitë e ardhura prej saj. Autorët e lashtë bëjnë fjalë rreth krijimit të një azili, domethënë të një gardhimi të shenjtë, ku Romuli pranoi të gjithë ata që u paraqitën; në këtë drejtim, ai ndoqi shembullin që ofronin shumë themelues qytetesh të tjera. Por ky azil nuk ishte qyteti; ai u hap vetëm pasi qyteti ishte themeluar dhe ndërtuar plotësisht. Ai ishte një shtojcë që iu shtua Romës; ai nuk ishte Roma. Madje ai nuk bënte pjesë as në qytetin e Romulit, sepse ai ishte ngritur mbi shpatin e malit Kapitolin, ndërkohë që qyteti shtrihej mbi pllajën e Palatinit. Këtu duhet bërë mirë dallimi lidhur me elementin e dyfishtë të popullsisë romake. Në azil, qëndrojnë aventurierët pa plëng e pa katandi; në Palatin, janë njerëzit e ardhur nga Alba, domethënë njerëzit tashmë të organizuar në shoqëri, të shpëmdarë në gente dhe në kuri, të cilët praktikojnë kultet e shtëpisë dhe njohin ligjet. Azili nuk është veçse një lloj fshati ose lagjeje e vockël, ku kasollet ndërtoheshin kuturu dhe pa rregull; ndërkohë që në Palatin ngrihej një qytet fetar dhe i shenjtë.

Rreth mënyrës se si u themelua ky qytet, lashtësia ofron të dhëna të bollshme; ato gjenden te Denisi i Halikarnasit, i cili nga ana e tij, i nxjerr ato nga autorë më të lashtë se vetja; ato gjenden te Plutarku, tek Orgjitë e Ovidit, te Taciti, te Katoni i vjetër, i cili kishte shfrytëzuar analet e lashta si edhe te shkrimtarë të tjerë të besueshëm, Varroni i ditur dhe Verrius Flaccusi, të ruajtur pjesërisht nga Festus-i, që të dy njohës të mirë të lashtësisë romake, miq të së vërtetës, njerëz me mendje dyshuese, të dlët njihnin më së miri rregullat e kritikës historike. Të gjithë këta shkrimtarë kanë sjellë deri te ne kujtimin e ceremonisë fetare, që pat shënuar themelimin e Romës, ndaj për ne është e pamundur të hedhim poshtë një numër të tillë dëshmish.

Ndodh jo rrallë që njerëzit e lashtësisë na habisin me faktet e sjella; vallë, a është kjo një arsye për të thënë se këto janë përralla, sidomos kur këto fakte, edhe pse largohen së tepërmi nga idetë e sotme, pajtohen përsosmërisht me idetë e njerëzve të lashtësisë? Në jetën private të njerëzve të kësaj lashtësie, kemi parë një fe që rregullonte të gjitha veprimet e tyre; më pas kemi parë se si kjo fe kishte ndërtuar me to një shoqëri; atëherë përse duhet të na habisë fakti që edhe themelimi i këtij qyteti ka qenë, gjithashtu, një akt i shenjtë dhe që vetë Romuli duhet të ketë përmbushur rite, që do të ruheshin kudo?

Përkujdesja e parë e themeluesit është të gjejë një vend për ndërtimin e qytetit të ri. Por kjo zgjedhje, gjë e rëndësishme prej së cilës mendohej se varej edhe vetë fati i popullit, i lihej gjithnjë vendimit të perëndive. Nëse Romuli do të kish qenë grek, ai do ishte këshilluar me orakullin e Delfit; Samnit, ai do të kishte ndjekur kafshën e shenjtë, ujkun ose qukapikun e gjelbër. Latin, fqinj i afërt me etruskët, i shuguruar në njohjen e ogurëve, ai u kërkon perëndive të shfaqin vullnetin e tyre përmes fluturimit të zogjve. Perënditë i tregojnë Palatinin.

Ditën e themelimit, fillimisht, ai bën një flijim. Përreth, qëndrojnë shokët e tij; ata ndezin një zjarr me shkurre dhe secili kapërcen flakën e vogël. Shpjegimi i këtij riti është që, për aktin që do të përmbushej, populli duhej të ishte i pastër; dihet se njerëzit e lashtësisë besonin se kapërcimi i zjarrit të shenjtë i pastronte ata nga çdo lloj njolle fizike apo morale.

Kur kjo ceremoni paraprake e kishte përgatitur popullin për aktin e madh të themelimit, Romuli hapi një gropë të vogël në formë rrethore. Ai hodhi në të një plis dheu, që ai e pat sjellë nga qyteti i Albës. Pas tij, të gjithë shokët, duke u afruar njëri pas tjetrit, hodhën në të nga pak dhë të marrë nga vendi prej ku kishin ardhur. Ky rit është kuptimplotë dhe te këta njerëz flet për ekzistencën e një mendimi që vlen të përmendet. Përpara se të mbërrinin në Palatin, këta njerëz banonin në Albë apo në ndonjë qytet tjetër fqinj. Atje ishte vatra e tyre; atje kishin jetuar dhe ishin varrosur etërit e tyre. Por feja ndalonte braktisjen e tokës ose vendit, ku ishte vendosur vatra dhe ku preheshin të parët hyjnorë. Pra, për t'u spastruar nga çdo lloj përdhosjeje, kërkohej që secili nga këta njerëz, të vepronte në mënyrë simbolike, duke marrë me vete një plis dheu, dheun e shenjtë, ku ishin varrosur të parët e tyre e me të cilin ishin lidhur manët e tyre. Njeriu nuk mimd të zhvendosej pa marrë me vete dheun dhe stërgjyshërit e tij. Në mënyrë që ky rit të përmbushej, duhej që njeriu të kishte mundësi të thoshte, duke treguar vendin e ri që ai kishte zgjedhur: kjo është ende toka e etërve të mi, terra patrium, patria: këtu është atdheu im, pasi këtu janë manët e familjes sime.

Gropa, ku gjithkush kishte hedhur kësisoj pak dhë, quhej mundus: por në gjuhën e lashtë, kjo fjalë tregonte vendin ku qëndronin manët. Nga ky vend, sipas traditës, shpirtrat e të vdekurve shkëputeshin tri herë në vit, të etur për të parë, qoftë dhe për një çast, dritën. A nuk gjejmë ende në këtë traditë, mendimin e vërtetë të këtyre njerëzve të lashtë? Duke vendosur në gropë një plis dheu nga atdheu i tyre i dikurshëm, ata besonin se mbyllnin njëkohësisht në të shpirtrat e të parëve të tyre. Shpirtrat e mbledhur aty gëzonin një kult të përjetshëm dhe vigjilonin në mbrojtje të trashëgimtarëve të tyre. Pikërisht në këtë vend, Romuli vendosi një altar dhe aty ndezi zjarrin. Kjo ishte vatra e qytezës.

Rreth kësaj vatre duhej të ngrihej qyteti, ashtu sikurse shtëpia ngrihej rreth vatrës familjare; Romuli hapi një ugar, i cili shënonte muret rrethuese. Edhe këtu, hollësitë më të vogla janë të fiksuara nëpërmjet një rituali. Themeluesi duhej të përdorte një parmendë bakri; parmenda duhej të tërhiqej nga një dem i bardhë dhe nga një lopë e bardhë. Romuli, me kokën mbuluar, veshur në petka priftërore, mban vetë dorezën e parmendës dhe e drejton atë, duke kënduar lutje. Shokët i venë pas, të rrethuar nga një heshtje fetare. Gradualisht që parmenda ngre plisat e dheut, ata marrin plisat dhe i hedhin sërish me kujdes brenda zonës rrethuese, në mënyrë që asnjë prej copëzave të kësaj toke të shenjtë, të mos mbetet nga ana e të huajit.

Kjo vijë ndarëse, e vendosur nga feja, është e padhunueshme. Asnjë i huaj, asnjë qytetar nuk ka të drejtë ta kapërcejë. Të kapërcesh atë vijë të hollë është akt përdhosës; tradita romake thotë se vëllai i themeluesit e pat kryer këtë sakrilegj dhe e pagoi atë me jetën e tij.

Por për të krijuar mundësinë e hyrjes dhe të daljes nga qyteti, ky ugar ndërpritej në disa vende: për këtë Romuli, gjatë hapjes së tij, ngriti dhe mbajti lart, vende-vende, parmendën; këto intervale quhen portae; ato do të përbënin portat e qytetit.

Mbi ugarin e shenjtë apo pak më në brendësi të tij, ngrihen më pas muret rrethuese; edhe ato janë të shenjta. Ato askush nuk mimd t'i prekë, madje as për t'i ndrequr, pa lejen e priftërinjve të mëdhenj. Në të dyja anët e këtij muri, fesë i njihet një hapësirë prej disa hapash; kjo hapësirë quhetpomaeriuni; aty nuk lejohet të kalohet as parmenda dhe as të bëhet ndonjë ndërtim tjetër.

E tillë ka qenë, sipas një mori dëshmish të lashta, ceremonia e themelimit të Romës. Nëse ngrihet pyetja se si ky kujtim ka mundur të ruhet dhe të vijë tek autorët që e kanë përcjellë atë deri te ne, përgjigjja është se kjo ceremoni përkujtohej çdo vit, me qëllim që populli të mos e harronte kurrë atë, nëpërmjet një feste përkujtimore që njihej me emrin dita e lindjes së Romës. Kjo festë është kremtuar gjatë gjithë lashtësisë, nga viti në vit dhe populli i Romës e feston atë ende sot, në të njëjtën datë si edhe atëherë, më 21 prill; sa besnikë qëndrojnë njerëzit, pavarësisht nga shndërrimet e thella e të pareshtura, ndaj dokeve dhe zakoneve të vjetra!

Nuk do të ishte e arsyeshme të hamendësohej që rite të tilla janë përfytyruar për herë të parë nga Romuli. Përkundrazi, e sigurt është se shumë qytete përpara Romës, ishin themeluar sipas së njëjtës mënyrë. Varroni thotë se këto rite ishin të përbashkëta në Latium dhe në Etruri. Katoni i vjetër, i cili për të shkruar librin e tij Mbi Origjinën, kishte parë të gjitha analet e popujve italikë, na thotë se rite të ngjashme, praktikoheshin nga të gjithë themeluesit e qyteteve. Etruskët kishin libra liturgjikë, ku ruhej rituali i plotë i këtyre ceremonive.

Grekët, sikurse edhe italikët, besonin se vendvendosja e një qyteti duhej të zgjidhej dhe të zbulohej nga hyjnia. Kështu, sa herë që ata kërkonin të themelonin një qytet, ata këshilloheshin me orakullin e Delfit. Herodoti përmend si një rast përdhosjeje apo marrëzie, faktin që spartani Doria, guxoi të ndërtonte një qytet "pa u këshilluar me orakullin dhe pa praktikuar asnjë prej ceremonive të përcaktuara", dhe historiani hirplotë e besimtar nuk çuditet aspak që ky qytet nuk mundi të mbijetonte më shumë se tre vjet. Tuqididi, duke kujtuar ditën e themelimit të Spartës, përmend kantikat e dëlira dhe flijimet e asaj dite. I njëjti historian na thotë se, athinasit ndiqnin një ritual të veçantë dhe se ata nuk themelonin asnjë ngulim pa iu përmbajtur atij. Në një komedi të Aristofanit mund të shohim një tablo shumë të saktë të ceremonisë që kryhej në raste të tilla. Kur poeti flet rreth themelimit fatlum të qytetit të Zogjve, ai kishte, sigurisht, parasysh zakonet që respektoheshin dhe ruheshin edhe gjatë themelimit të qyteteve të njerëzve; kështu, ai vendos mbi skenë një prift që ndizte vatrën, duke iu lutur perëndive, një poet që këndon himne dhe një fallxhor që recitonte vargjet e orakujve.

Pauzanias e përshkoi Greqinë gjatë kohës së Adrianit. Kur ai mbërriti në Mikenë, priftërinjtë e qytetit i folën atij rreth themelimit të qytetit të Mikenës dhe ai na sjell rrëfimin e tyre. Ngjarja nuk ishte shumë e lashtë; ajo kishte ndodhur gjatë kohës së Epaminondas. Tre shekuj me parë, mikenasit ishin dëbuar nga vendi i ty re dhe qysh nga ajo kohë, ata kishin jetuar të shpërndarë midis popullsive të tjera greke, pa atdhe, por duke ruajtur me një kujdes dhe devotshmëri të madhe zakonet dhe fenë e tyre. Tebanët u përpoqën t'i sillnin në Peloponez, për të vendosur pas kurrizit të spartanëve një armik; por ishte shumë e vështirë që mikenasit të bindeshin. Epaminonda, i cili e dinte se kishte të bënte me njerëz me besëtytni, e pa të përshtatshme të nxirrte udhëve një orakull, i cili të parashikonte për këtë popull kthimin e tij në atdheun e mëparshëm. Disa shfaqje të magjishme dëshmuan se perënditë e popullit mikenas, të cilat i kishin tradhtuar ata në momentin e pushtimit, tani kishin kaluar në krah të tyre. Atëherë, ky popull deri atëherë i ndrojtur, vendosi të rikthehej në Peloponez, pas ushtrisë së Tebës. Por tani duhej vendosur se ku do të ndërtohej qyteti; ta rivendosje atë mbi qytetet e lashta të vendit, ishte diçka jashtë mendimit tashmë ato ishin ndyrë dhe mallkuar nga pushtimi. Për të zgjedhur vendndodhjen nuk ekzistonte as mundësia për t'u këshilluar me orakullin e Delfit; në atë kohë Pitia ishte aleate e Spartës.

Fatmirësisht, perënditë kishin edhe mënyra të tjera për shfaqjen e vullnetit të tyre; një prifti mikenas iu bë në ëndërr sikur një prej perëndive të kombit të tij i tha se ajo vetë do të vendosej në malin Itom, ndaj i lutej popullit ta ndiqte. Kësisoj, pasi ishte fiksuar vendndodhja e qytetit, mbetej të gjendeshin ritet e nevojshme për themelimin e qytetit; por mikenasit i kishin harruar ato; nga ana tjetër, ata nuk mund të përdomin ritet e tebanëve dhe as ato të ndonjë populli tjetër; po ashtu, ata nuk dinin as se si ndërtohej qyteti. Por një ëndërr tjetër do t'i fanitej një mikenasi tjetër: perënditë e urdhëronin atë të ngjitej mbi malin Itom, ku të kërkonte një qiparis që ndodhej pranë një boronice dhe pikërisht në atë vend të gërmonte dheun. Ai u bind; nisi të gërmonte dhe gjeti një umë, brenda së cilës gjendeshin disa fletë kallaji, mbi të cilat ishin gdhendur të gjitha ritet e ceremonisë së shenjtë. Priftërinjtë i kopjuan dhe i shkruan ato në librat e tyre. Të gjithë besuan se kjo urnë ishte vendosur aty nga një mbret i lashtë mikenas, përpara pushtimit të vendit.

Me gjetjen e ritit do të niste themelimi i qytetit. Fillimisht, priftërinjtë bënë flijime; ata iu lutën perëndive të lashta të Mikenës, Dioskurëve, Jupiterit të Itomës, heronjve të lashtë, të parëve të njohur dhe të nderuar. Sipas besimeve të të lashtëve, të gjithë këta mbrojtës të vendit, me sa duket e kishin braktisur atë ditën kur armiku ishte bërë zot i vendit; njerëzit iu lutën atyre të riktheheshin. Ata shqiptuan formulat, për ti bindur ata të vendosnin të jetonin në qytetin e ri, bashkë me qytetarët e tjerë.

Kjo ishte edhe më e rëndësishmja; kandisja e perëndive, për këta njerëz, ishte gjëja më e rëndësishme dhe është e besueshine se ceremonia fetare nuk kishte qëllim tjetër. Ashtu sikurse edhe shokët e Romulit, që duke gërmuar një gropë besonin se aty duheshin vendosur shpirtrat e të parëve të tyre, po kështu edhe bashkëkohësit e Epaminondas u drejtonin lutje heronjve, stërgjyshërve hyjnorë dhe perëndive të vendit; përmes formulash dhe ritesh, ata besonin se mund ti lidhnin ato me dheun e tyre, i cili do ti mbulonte edhe ata vetë dhe duke i mbyllur brenda rrethimit që ata do të ngrinin thoshin: "O Qenie hyjnore, ejani dhe banoni bashkë me ne këtë qytet". Dita e parë, pas ngritjes së qytetit u kushtohej flijimeve për perënditë dhe lutjet ndaj tyre vazhdonin një ditë të tërë. Të nesërmen bëhej rrethimi, ndërkohë që populli këndonte himne fetare.

Fillimisht, kur tek autorët e lashtësisë shohim se, sado i lashtë të ishte një qytet, njerëzit e tij dinin të gjithë emrin e themeluesit dhe datën e themelimit të tij, habitemi. Arsyeja duhet kërkuar në faktin që qy teti nuk duhej të harronte kurrë kujtimin e ceremonisë së shenjtë, e cila kishte shënjuar lindjen e tij; çdo vit, ai kremtonte përvjetorin e tij me anë të një flijimi. Si Athina ashtu edhe Roma festonin ditën e lindjes së tyre.

Ndodhte shpesh që, në një qytet tashmë të ndërtuar, të vendoseshin kolonë apo pushtues. Këta të fundit mund të mos ndërtonin atje shtëpi të tjera, pasi asgjë nuk i ndalonte të vendoseshin në shtëpitë e të mundurve. E megjithatë, ata duhej të përmbushnin ceremoninë e themelimit, domethënë, të krijonin vatrën e tyre dhe të vendosnin në banesën e tyre të re, perënditë e tyre. Kjo është arsyeja se përse te Tuqididi dhe Herodoti lexojmë se Dorët themeluan Spartën dhe Jonët, Miletin, ndonëse këta dy popuj i gjetën këto qytete plotësisht të ndërtuara e madje qysh prej shumë kohësh.

Këto zakone tregojnë qartë se ç'përfaqësonte qyteti në mendjen e njerëzve të lashtësisë. I rrethuar nga një ledh i shenjtë dhe i shtrirë rreth një altari, ai ishte vendbanimi fetar, që priste perënditë dhe njerëzit e qytetit. Për Romën, Tit-Livi thoshte: "Në këtë qytet nuk ka vend që s'është mbrujtur nga besimi dhe që s'banohet nga ndonjë perëndi... Në këtë qytet banojnë perënditë." Atë çka Tit-Livi e thoshte për Romën, gjithkush mund ta thoshte për qytetin e vet; në rast se qyteti ishte themeluar dhe ndërtuar sipas riteve, ai ngërthente brenda mureve të tij rrethuese perënditë mbrojtëse, të cilat ishin si të mbjella në truallin e tij dhe nuk e braktisnin kurrë më. Çdo qytet ishte një sanktuar; çdo qytet mund të quhej i shenjtë.

Meqenëse perënditë ishin të lidhura përgjithnjë me qytetin, edhe populli nuk mund ta braktiste më kurrë vendin ku ishin vendosur ato. Në këtë drejtim, angazhimi ishte i ndërsjellët, ai ishte një lloj kontrate midis perëndive dhe njerëzve. Tribunët plebenj, një ditë do të thoshin se Roma, e shkatërruar nga galët, nuk ishte më veç një grumbull rrënojash dhe se vetëm pesë lega larg saj ngrihej një tjetër qytet, plotësisht i ndërtuar, i madh dhe i bukur, i mirëvendosur dhe krejtësisht i zbrazët nga banorët e vet, që nga koha e pushtimit romak, pra, për pasojë, romakët duhej të braktisnin Romën e shkatërruar dhe të zhvendoseshin drejt Veli-t. Por Kamili hirplotë do t'iu përgjigjej: "Qyteti ynë është themeluar mbi besimin; perënditë e tij e kanë vendin këtu dhe ato janë vendosur në të bashkë me etërit tanë. Sado e rrënuar qoftë, ajo vijon të jetë banesa e perëndive tona." Romakët qëndruan në Romë.

Diçka e shenjtë dhe hyjnore u bashkëngjitej natyrshëm këtyre qyteteve që perënditë kishin ndërtuar dhe vazhdonin t'i mbushnin me praninë e tyre. Dihet se traditat romake i premtonin Romës amshimin. Çdo qytet kishte tradita të ngjashme. Qytetet ndërtoheshin për të qenë të përjetshme.

info@balkancultureheritage.com