Qyteti i Beratit (Antipateria)
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Qyteti i Beratit (Antipateria)

Berati (Antipatreia) gjendet buzë fushës pjellore të Myzeqesë (Gylakion Pedhion), në skajin perëndimor të luginës së Osumit (Apsi-t) ku lumi pasi çan pengesën e fundit të zonës malore krijon një grykë të ngushtë. Në këtë pikë përqendrohej një rrjet i fuqishëm rrugor: Rruga përgjatë luginës së Apsi-t për në Maqedoni, rrugët nga Dimali, Bylisi dhe Aulona dhe rruga që nëpërmjet Klisurës (Këlcyrës) lidhej me qytetet e Epirit.

Qyteti antik shtrihej në pjesën e sipërme të kodrës që lartësohet përmbi qytetin e Beratit, nga ana e djathtë e Osumit. Kodra 187 m e lartë ka formën e një maje shigjete të drejtuar nga veriu. Shpati jugor bie me shkëmbinj të thiktë, ndërsa perëndimori dhe lindori zbresin me pjerrësi 45° drejt fushës. Vetëm në veri krijohet një qafë e sheshtë e cila lidhet me rrugët që të çonin për në qytet. Lart shpatet e kodrës lakohen duke krijuar një kupolë të përshtatshme për banim.

Gjurmë të zbehta të një muri me blloqe të palatuara dëshmojnë fortifikimin protourban të qytetit. Në periudhën antike kodra rrethohet me mure të fuqishme. Traktet “ in situ” dhe blloqet e ripërdorur në fortifikimin mesjetar, tregojnë se linja e rrethimit u përcaktua nga fortifikimi antik. Muret rrethuese ndjekin të njëjtën vijë rrushkulluese duke i dhënë qytetit trajtën e një trekëndëshi brinjëlakuar 9,60 hektarësh. Hyrja kryesore ndodhet në veri, ku rruga e jashtme lidhet natyrshëm me boshtin rrugor të qytetit të fortifikuar. Hyrja ndodhet në skajin e qafës e mbrojtur prej një kulle të fuqishme.

Balli i portës tërhiqet brenda një gjiri të krijuar nga thyerja e linjës së kurtinave duke i siguruar asaj fshehjen nga goditjet e drejtpërdrejta të makinave gurhedhëse. Hyrja me planimetri katrore (9,8 x 9,8 m) dhe ballë rrafsh me kurtinën zhvillohet në brendësi të rrethimit. Korridori i hyrjes (3,4 x 9,8 m) vijon përgjatë boshtit gjatësor të kullë. Në ballë të kullës ndodhej porta-kullës pas së cilës ndodhej korridori i hapur, i cili mbulohej me zjarr nga dy blloqet muralë anash tij dhe balli ku zhvillohej një kullë e brendshme (9,8 x 5 m). Hyrja e dytë, një çarje e thjeshtë e kurtinës, ndodhet rrëzë një kulle katrore, vetëm 25 m larg hyrjes kryesore. Si e tillë ajo shërbente për daljen e shpejtë dhe goditjen në befasi të sulmuesve të hyrjes kryesore. Një arkitra (2,1 m) në afërsi të hyrjes mesjetare lindore tregon se këtu gjendej hyrja e tretë.

Kulla e ruajtur (7.5 x 4,15 m) pararendet nga një bazament i shkallëzuar. Në katin e saj të parë kalonte hyrja e mbuluar me arkitra guri dhe prej këtej një shkallë e brendshme të çonte në katin e dytë, Nëpërmjet zgjerimit të katit të dytë të kullës mbi kurtinën, kulla fitonte një planimetri të rregullt katrore (7,5 x 7,5 m). Si i tillë kalimi nga njëri shteg i kurtinës tek tjetri kryhej i kontrolluar nëpërmjet portave anësore të katit të dytë të kullës. Kurtinat (3,15- 3,50 m) përbëhen nga dy faqet e lidhura tërthor çdo 2,15 - 2,80 m me njëra-tjetrën dhe emplecton-i me dhe e mbeturina të gdhendjes së blloqeve. Blloqet prej gëlqerori (rreth 1-1,1 x 0,4- 0,75 m), me ballë të mysët të punuar me vare, janë latuar në trajtë kryesisht drejtkëndëshe dhe rrallë trapezore.

Lartësia e blloqeve është e barabartë brenda një kurtine ose kulle, por ajo ndërron nga kurtina në kurtinë (0,4 - 0,75 ni) në funksion të shtresave të gurit në afërsi. Si e tillë muratura klasifikohet midis izodomikes dhe pseudoizodomikes. Kullat dhe hyrja janë pajisur në skajet me vija peshimi. Antipatrea dhe Kështjella në Goricë krijonin një binom i cili komandonte hyrjen dhe daljen nga lugina e Osumit dhe rrugën për Këlcyrë e Përmet. Si i tillë ky binom ishte dryni i luginës së Osumit dhe rrugës për në pellgun e Korçës dhe në Maqedoni.

Pavarësisht mbishkrimit ndërtimor i cili pretendon “zotërimin e Fushës së Gylakut (Myzeqesë) nga ana e Antipatreas”, në antikitet kjo zonë kufi-zohej nga fuqia e fqinjëve të mëdhenj: Apolonisë, Bylisit, Dimalit. Monedhat e kësaj kohe, kryesisht të Apolonisë (Apollon - Obelisk), tregojnë se tregtia e Beratit ishte e orientuar ndaj Apolonisë. Pas pushtimit romak qeramika tregon një farë zbehjeje të jetës, por duke nisur nga antikiteti i vonë qyteti fuqizohet gjithnjë e më tepër duke u kthyer në “Kreun e Myzeqesë”. Në të kundërt jeta në Goricë zbehet dora-dorës dhe në shek. II- III fiket përfundimisht.

Fortifikimi i Goricës

Fortifikimi i Goricës

Fortifikimi në kodrën e Goricës (193 m) ka planimetri katërkëndëshe dhe sipërfaqe 0,8 ha. Në veri kodra rrëzohet thikë drejt Osumit dhe ruajtja e kështjellës nga kjo anë i është besuar humnerës. Në lindje vijon një mur i drejtë 110 metërsh, i përforcuar prej një dhëmbëzimi të pajisur me një hyrje lë vogël dhe dy kulla (43 dhe 38 m larg njëra-tjetrës).

Në anën jugore kodra ulet butë drejt një pllaje. Traseja e murit të kësaj ane lëviz e shqetësuar. Pas 17 m nga kulla e skajit linja dhëmbëzohet, pas 17 m të tjera kthehet me kënd dhe pas 14 m të tjerë mbrohet nga një kullë. Kulla e fundit mbron njëkohësisht hyrjen kryesore. Për të arritur në hyrjen kryesore, lë tipit tangencial, duhej kaluar rrëzë kurtinave nën goditjen e tyre dhe të kullës së skajit. Vetë hyrja 3,05 m e gjerë krijohej nga këputja e linjës së murit dhe vazhdimi i dy krahëve të kurtinës paralel me njëra-tjetrën për 6 m. Në skajin e krahut të jashtëm hyrjes i bashkëngjitet një kullë drejtkëndëshe (7,50 x 5,60 m).

Balli i kullave është 6 m ndërsa projektimi nga kurtina 3- 4,3 m. Duke shtuar gjerësinë e kurtinës, forma e tyre rezulton po kuadratike. Por ndryshe nga fortifikimi i qytetit, kati i parë i tyre është i mbushur me emplecton të përshkuar kryqas nga lidhja tërthore e faqeve. Muret (3 m) përbëhen prej dy faqeve anësore me blloqe të mëdha gëlqerore (0,7 - 2 x 0,3 x 0,9 m, më shpesh 1,5 x 0,7 m) kryesisht drejtkëndësh, me faqe të mysëta të punuara ashpër me vare dhe emplecton-it me dhe e gurë të vegjël. Faqet lidhen tërthor me njëra-tjetrën çdo 2,7 - 3,5 m. Faqet anësore të kurtinave dhe kullave mbështeten mbi shkëmb ose mbi rrasa të mëdha guri, ose e kërkoj-në shkëmbin e fortë nëpërmjet themelit. Në brendi të rrethimit, veçanërisht në faqen perëndimore, shihen rrënoja të shumta banesash me planimetri tërthor terrenit, me brinjën e gjerë përgjatë izoipseve. Rrugët tërthore vijojnë me kënd të drejtë ndaj migës kryesore duke dëshmuar për një sistem urbanistik ortogonal.

Gjetjet arkeologjike

Lamtumirë burrit të ndjerë në prani të Hermes, stelë varri prej guri të prodhimit vendas, gjetur në Lapardha shekulli III p.e.sonë
Epheb, shtyllë mermeri e prodhimit atik, gjetur në Perhondi, afër Beratit, fundi i shekullit V p.e.sonë

Dy çekanë guri, qeramika korintike dhe ajo “devollite” dëshmojnë fillimin e jetës në periudhën e bakrit dhe vazhdimin e saj në periudhën e hekurit.

Monedhat e periudhës antike janë kryesisht të Apolonisë. Qeramika e luksit me vemik të zi të shkëlqyer, karakteristike për shek. IV p.e.sonë, tregon për lindjen e qytetit në këtë shekull.

Skarcitetet e qeramikës së ndërtimit dhe përdorimit të përditshëm dhe copat e zgjyrës tregojnë se Berati ishte qendër prodhimi zejtar. Gjetjet arkeologjike të periudhave në vijim, pa hiatus kohor, tregojnë për një vazhdim të jetës deri në ditët tona.

Identifikimi

Mbishkrimi në greqishte dorike “Më zbukuroi një mik i atdheut tim ndërsa atdheu Patrai më dhuroi, por unë zotëroj fushën e Gylakut” i shkon për shtat binomit Patrai/ Antipatrai (Berat/Kështjella e Goricës).

Antipatrea, e lokalizuar tradicionalisht në Berat, përmendet nga Polybi në vitin 216 p.e.sonë., si qytet dasaret (Polyb. 5 108 2). Sipas Livit në vitin 200 p.e.sonë. Legati Luc Apusti arriti në Antipatrea, “qytet që ndodhet në një grykë të ngushtë i cili nuk iu dorëzua romakëve, por luftoi me ta pasi qytetarët kishin besim tek madhësia e qytetit, muret dhe pozita e tij” dhe që pas pushtimit u dogj dhe u shkatërrua nga romakët.

Përcaktimi kohor i qytetit antik në Berat nuk mund të mbështetet thjesht në materialin arkeologjik, për shkak të vazhdimit të jetës pa ndërprerje. Nisur nga tiparet e arkitekturës së fortifikimit (hyrja ballore, kati i parë i zbrazët i kullave) Berati i përgjigjet gjysmës 2 të shek. IV p.e.sonë, ndërsa tiparet e fortifikimit në Goricë (kulla me katin e I të mbushur, me lidhje tërthore, hyrja tangenciale e mbrojtur me kullë të jashtme) përkojnë me fundin e shek. 4 - fillimin e shek. 3 p.e.sonë. Datimi i Antipatreas në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, përputhet me supozimin se këtë emër qyteti e mori për hir të Antipatrit, mëkëmbësit të Aleksandrit të Maqedonisë.

info@balkancultureheritage.com