Qyteti i shpatit bigëzohet në nëntipin me vazhdimësi, më të shumtë në numër, dhe nëntipin e lindur rishmë, në numër të kufizuar.
Nëntipi i parë është vazhdimi fizik i qytezave paraurbane, të cilat (kryesisht në shek. IV p.e.s.) falë pozicioneve strategjike tërhiqen dhe integrohen në sistemet zinxhir të mbrojtjes së formacioneve shtetërore. Në rastet e tilla, fortifikimi i trashëguar nuk braktiset, por modifikohet duke u ngarkuar me detyrën e kështjellës së qytetit.
Kur shpati pati sipërfaqe të kufizuar (Zgërdhesh), ose qyteti synonte të lidhej me skelën e tij (Liss), rrethimi u shtri deti në rrëzë të kodrës, çka kërkonte një brez mbrojtës të aftë për të përballuar makinat e rrethimit. Nëse sipërfaqja e shpatit ishte e mjaftë dhe qyteti nuk kishte skelë, qarku i rrethimit mbyllej para se të arrinte terrenin e rrafshët (Foinike). Kjo dhe shmangte mundësinë e vendosjes nga armiku të makinave të shumta të rrethimit. Parë me optikë ushtarake, fortifikimet e fundit kishin cilësi mbrojtëse mjaft më të mira se të parat, faktor ky që fitoi peshë gjatë dhe pas luftës civile të Dyrrahut (436 p.e.s). Nëntipi i lindur ex novo, nga hiçi, është mjaft i rrallë. Shkak për këtë është mungesa e komoditetit dhe vështirësitë e shumta për ndërtimin e rrjetit urban. Shembulli më i qartë i nëntipit është qyteti në Çukën e Ajtoit (shek. V p.e.s.), ngulim i cili lidhet me kapjen e një pike kyçe kontrolli.