Qyteti i kupolës
Qyteti antik
~Foustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Roma Mbretërore
~Shaban Dervishi
Republika e hershme
~Shaban Dervishi
Zgjerimet e para të Romës (753 – 350 para Jezu Krishtit)
~Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë
V
XV
XX
Shqipëria Arkeologjike
~Muzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Në pranverë të vitit 1396
~Oliver Jans Schmitt
Republika detare e Venedikut
~Oliver Jens Schmitt
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Bylisi
~Neritan Ceka, Skënder Muçaj

Qyteti i kupolës

Nëntipi Radiocentrik Nëntipi Kurrizor Nëntipi me vazhdimësi Nëntipi fushor Nëntipi i përzier (kodrinor/fushor) Modelet sui generis Modeli monocentrik Modeli Policentrik (Dimali)

Qyteti i kupolës shtrihet në kodra shkëmbore me shpate të pjerrëta dhe rrëzime të forta, të rrumbullakosura lart në kupola të buta, ose në kësula sferike të rrethuara nga uji. Korniza mbrojtëse e qytetit kodrinor, i përmbahet cakut ku kupola e butë përthyhet në shpat të pjerrët. Në gadishujt mbrojtja nga terreni i thepisur, zëvendësohet me mbrojtjen nga barriera ujore. Kjo i rreshton qendrat e fundit në periudhën e thalasokratias ilire, para çerekut të dytë të shek. IV p.e.s. kur Sirakuza e zbehu këtë dominim.

Struktura urbane e qytetit të kupolës është më e formuluar dhe superiore ndaj qytetit të shpatit, por inferiore ndaj strukturës së rregullt ortogonale të qytetit të rrafshit. Ky tip bigëzohet në nëntipin radiocentrik, me brezare unazore të ndërprera nga rrugë rrezore, të tufezuara në qendër të kupolës, dhe nëntipin kurrizor, ku kupola përshkohet së gjati nga një bosht rrugor, në të cilin rrugët sekondare kapen si vertebrat në kolonën vertebrale. Qyteti i kupolës mund të jetë vazhdim i qendrave të mëdha paraurbane, ose rezultat i synecism-it, amalgamimit të disa fshatrave në një qytet. Funksion kryesor i tiji nuk është mbrojtja, por ai i kryeqendrës administrative dhe ekonomike të njësive etnike fisnore, përbërëse të koinoneve. E thjeshtuar në logjikë ushtarake, detyrë e tyre nuk ishte kapja e pikave nevralgjike, por mbrojtja e vetvetes. Si e tillë mundësia e përzgjedhjes është më e madhe se e qyteteve me detyrë ushtarake dhe komoditeti i jetës së përditshme (orientimi, terreni i butë, lartësia optimale ndaj fushës) nuk sakrifikohet për hir të pozitës strategjike. Dëshmi se kategorizimi i mësipërm nuk mund të pritet me thikë, është qyteti në Persqop, i cili shtjellohet rreth një maje qendrore si qytetet e kupolës dhe shtrihet në një terren shpati si Çuka e Ajtoit.

Nëntipi Radiocentrik

Përfaqësues më i hershëm i nëntipit në stere është Nikaia e kapërcyellit shek VI/V p.e.s. dhe i atij me pozitë detare Oriku, po i shek. VI/V p.e.s.

Nëntipi Kurrizor

Nëntipin kurrizor në stere e ilustron Antipatrea (Berati), ndërsa nga ishujt dhe gadishujt qyteti i Epedonit (Stobrec).

Nëntipi me vazhdimësi

Modeli me qark të shtrirë deri në takimin me fushën, për qytetin e thjeshtë ilustrohet me shembullin e qytetit në Zgërdhesh dhe për qytetin me skelë me Lissi-n. Modeli me qark të mbyllur para takimit me fushën përfaqësohet me Foiniken.

Zgërdheshi ndodhet 33 km në lindje-verilindje të Dyrrahut dhe 15 km në veri të Tiranës. Qyteti shtrihet në një shpat shkëmbor trekëndësh, i cili zbret me pjerrësi 15° drejt fushës. Në periudhën e parë të hekurit, pjesa e sipërme e trekëndëshit zihej prej një qyteze të fordfikuar 1.40 hektarëshe. Me lindjen e qytetit në shek. IV p.e.s. , fortifikimi paraurban nuk u braktis, por u kthye në kështjellën e qytetit. Qyteti i mirëfilltë ( 8.20 ha), lindi në shek. IV p.e.s., kur muret mbrojtës qarkuan tërë shpatin trekëndësh të kodrës. Baza e këtij trekëndëshi vijon në fushë, paralel me vijat rrushkulluese, ndërsa kulmi ndodhet në majë, 84 m më lart, ku një qafe e ulët e lidh me kodrat përreth. Muret mbrojtës vijojnë edhe përgjatë brinjëve anësore të trekëndëshit, buzë damarëve shkëmborë.

Kjo dhe është korniza e strukturës urbane. Vetë struktura krijohej nga rrugët gjatësore që ngjiteshin nga poshtë drejt akropolit dhe rrugët e tërthorta, paralel me vijat rrushkulluese. Parcelat e krijuara nga ndërprerja e rrugëve me njëra-tjetrën kanë një formë lehtësisht trapeze. Për shkak të pjerrësisë së terrenit, rrugët gjatësore u gdhendën në shkëmb, por pa ndonjë kualitet të veçantë. Rrugët e tërthorta mbështeteshin në një sistem muresh tarracimi, të cilët nivelonin terrenin dhe krijonin bazamentin e duhur për to dhe platformat e banesave. Elementët arkitektonikë tregojnë se nga fillimet e shek. III p.e.s. tempujt kishin dalë jashtë rrethimit, duke shënjuar lindjen e qytetit të hapur.

Lissi (Lezha) dhe Akrolisi prej nga lindi ai, ndodhen në pikën ku Mali i Velës shtyhet drejt Drinit me një gjuhë shkëmbore. Në këtë pikë, sipas përshkrimit plastik të Anna Komnenas (shek. XI), “ kalon lumi Drymon (Drin), i cili para derdhjes në Adriatik ia lan këmbët Elisus-it (Alex. 12. 9. 321)”. Akrolisi, Lissi i lartë (373 m) lindi si qytezë e hekurit të parë, në shek. VIII p.e.s. Me krijimin e Lisit (144 m) ai nuk u braktis, po u kthye në një fortifikim mbrojtës të tijin. Vetë qyteti Lis u themelua në v. 385 p.e.s. nga tirani i Sirakuzës Dionisi., mbi një vendbanim të fortifikuar të fundit të periudhës së hekurit të parë (Diod. 15. 13. 4).

Nuk dihet për sa kohë ai funksionoi si ngulim Sirakuzian, por në vitet 213/168 p.e.s. Lissi shfaqet si rezidencë e mbretërve ardianë dhe bazë ushtarake ku “u dislokuan pesëmbëdhjetëmijë ushtarë (Liv. 44.30)”.

Muret mbrojtëse të qytetit, të cilat qarkojnë një sipërfaqe prej 22.3 ha, krijojnë një fortifikim të klasës së parë.

Sipas Filipit të 5. (213 p.e.s.) “Mbrojtja e Lisit ish e admirueshme si për nga natyra ashtu dhe nga dora e njeriut, si nga toka ashtu dhe deti. Akrolisi qe ishte ngjitur me të, ishte aq i lartë dhe aq i fortë, saqë edhe një sy të vetëm t’i hidhte njeriu, do ta kuptonte menjëherë se nuk kishte asnjë fije shprese për pushtimin e tij (Polyb. 8.13)”.

Struktura ushtarake e tregon Lisin një qytet tipik shpati me një sistem mbrojtjeje prej katër muresh të tërthorta (diateihisma), të cilat krijojnë 4 breza mbrojtjeje; Akropolin që përkon me qytezën e hekurit të parë (2.3 ha), qytetin e sipërm (11 ha), qytetin e poshtëm (9 ha) dhe skelën breglumore e cila shërbente si port ushtarak dhe civil dhe si treg i jashtëm (1.5 ha). Për këtë të fundit na bën të ditur edhe Cezari, sipas të cilit “Mark Antoni la këtu anijet pontone... Por i biri i Pompeut erdhi vetë në Lis, ku sulmoi dhe dogji të 30 anijet tregtare që Antoni kishte lënë brenda skelës (Caes. B.C. 3. 29, 40).” Krahas skelës lumore, qyteti kishte në dispozicion edhe skelën e tij detare: Nimfeun (Shën Gjinin).

Skema urbane e Lisit është e përzier, ndërsa qyteti i poshtëm vijon me rrugë gjatësore nga poshtë-lart dhe rrugë tërthore paralel me vijat rrushkulluese, hyrjet e shumta të qytetit të sipërm, mbi shtatë të tilla, tregojnë se ky brez i përmbahej sistemit radiocentrik. Strukturë të përafërt me Lisin ka edhe Isa, e ndërtuar po nga Dionisi i Sirakuzës.

Nëntipi i përzier (kodrinor/fushor)

Apollonia, fillimisht e quajtur Gylakeia, u themelua në v. 588 p.e.s. nga kolonë Korinthas dhe Korkyras (Hdt. 9. 92-94, Thuc. 1.26; Scymn, 439, 440; Paus. 5.21, 22; Steph. s.v.) mbi një vendbanim autokton. Qyteti shtrihet në një kodër masive, të përzgjatur për 3 km nga jug-jugperëndimi drejt veri-verilindjes, fillimisht në çerekun verilindor më të pjerrët dhe të lartë (91 m). Matjet dhe harta magnetometrike, tregojnë se struktura urbanistike e kësaj kohe i përmbahej orientimit kardinal Veri-Jug/Lindje-Perëndim. Nga fundi shek. V fillimi shek. IV p.e.s, Apollonia u zgjerua nga 20 ha në 96 ha.

Ndonëse të dy strukturat i përmbahen sistemit urbanistik ortogonal, si rrjedhojë e përshtatjes ndaj guaskës së re mbrojtëse, orientimi i rrjetit urban të shek. V/IV p.e.s. devijoi me 45° nga rrjeti arkaik. Boshtet ordinative të sistemit të ri ishin dy rrugët kryesore të qytetit. Prej tyre e para që niste në fushë, nga hyrja kryesore qytetit, vijonte nga Veri-Perëndimi në Jug-Lidnje për të përfunduar saktësisht në mes të sheshit qendror të qytetit, agorasë. Rruga 600 m e gjatë dhe 6.20 m e gjerë, vijonte ndeshas vijave rrushkulluese me pjerrësi 11°, për çka trajtohej me pragje. Rruga tjetër niste tek hyrja jugore, 500 m larg skelës lumore, kodra e së cilës kurorëzohej nga një tempull të madh, të stilit dorik. Rruga 800 m e gjatë, vijonte e dystë majë kreshtës së kodrës, po drejt agorasë.

Të dy rrugët bashkoheshin me kënd të drejtë në agora dhe po me kënd të drejtë ndërpriteshin me to edhe rrugët dytësore. Kjo ndërprerje krijonte ishujt drejtkëndësh të banimit (insula), 120 m të gjatë dhe 60 m të gjerë, në raportin 2:1. Si të tillë ata ndryshojnë nga ishujt e qyteteve autoktone, të cilat parapëlqejnë modelin e përzgjatur (per striea).

Aulona (Treporti) ndodhet në veriperëndim të gjirit të Vlorës. Çuditërisht, ndonëse qyteti më i madh ilir dhe një nga qytetet e mëdhenj mesdhetarë antikë, asaj i është kushtuar një vëmendje e dorës së tretë.

Aulona përbëhet nga tri njësi: qyteti i sipërm, qyteti i poshtëm dhe skela. Qyteti i sipërm shtrihet në një kodër 1 km të gjatë, e cila i përzgjatet nga jugu në veri buzës së detit.

Kodra nga perëndimi rrëzohet drejt e në ujë, ndërsa nga lindja zbret pjerrët drejt fushës së Nartës. Fillesat e jetës në të i përkasin periudhës së bronzit, ndërsa në shek. VI p.e.s. aty lind dhe zgjerohet qyteza protourbane (2 ha). Në kapërcyellin shek. IV/III p.e.s., qytetit shtrihet dhe zgjerohet në fushë, ku rrethohet me mure të fuqishme.

Gjurmët e tyre, të lexueshme fare qartë nën pasqyrën e ujit, dëshmojnë se Aulona shtrihej ndërmjet kodrës bregdetare në perëndim, detit në jug, një vargu të ulët kodrinor në lindje dhe protuberancave të lagunës së Nartës në veri. Si e tillë ajo rezulton 900 m e gjerë dhe 965 m e gjatë, përkatësisht me një sipërfaqe prej 90 ha. Në skajin e saj jugperëndimor niste skela, një ndër të mëdhatë e Mesdheut.

Evlija Çelebiu i cili e pa atë dhe qytetin në v. 1667 shkruan: “Në perëndim të fshatit Zvërnec, në një shkëmb 1000 hapa të gjatë buzë detit, ndodhet kalaja e Jekgjeçit. Tashti kalaja është një rrënojë e braktisur me një liman të madh... Gjatë mbretërimit të Sulltan Sulejmanit, me gurët e saj u ndërtua kalaja e Vlorës. Zhvillimi i rrjetit urban është i palexueshëm për shkak të mbulimit nga një shtresë e fuqishme dheu, por pamjet satelitore tregojnë se muret në det vijojnë drejtvizore në drejtim të steresë dhe se struktura urbane parcelizohet në ishuj të përzgjatur, rreth 50 m të gjerë. Qendra shoqërore duket se ndodhej në fillesat e brinjës perëndimore të kodrës, atje ku ajo zhytet në fushë dhe ku u gjetën gjurmët e një ndërtese me karakter publik, gjasisht të një tempulli.

Epidamn/Dyrrahu (Durrësi) u themelua në v. 627 p.e.s. nga kolonistë nga Kerkyra dhe Korinthi, në afiri të një vendbanimi të hershëm Taulant (Thucyd. 1. 24, 2), të bronzit/hekurit të parë, në simbiozë me autoktonët.

Sipas Apianit “Mbreti Epidamn i barbarëve të këtij vendi, ndërtoi pranë detit një qytet të cilin e quajti me emrin e tij. I biri Dyrrah i së bijës së tij, i shtoi qytetit një port dhe e quajti Dyrrhahion” (Appian. BC, 2. 99). Këtë dyqendërzim e përmend dhe Pausania, sipas të cilit “Epidamnasit zënë të njëjtin territor si në fillim, por qyteti i sotëm nuk është ai i vjetri i cili ndodhet jo larg prej tij” (Pausan. 6. 10, 8).

Trualli i qytetit, ripërsërit copyfit në makrostrukturën e Aulonës: Një varg-kodër buzëdetare (7 km) që rrëzohet mbi Adriatik dhe një fushë në lindje të saj (700 ha), e kufizuar nga jugu po nga deti dhe në lindje po nga një lagunë e lundrueshme në antikitet dhe e degjeneruar në kënetë nga fundi shek. XV.

Nekropolet e shoqëruara me tempuj mortorë shtrihen kryesisht kodrave (70 ha) dhe pak në fushë (20 ha). Ndërsa pjesën veriore të fushës (500 ha) e zinte hora, toka bujqësore e qytetit, jeta qytetare u përqendrua në jug, në një syprinë rreth 200 hektarëshe. Brenda kësaj syprine veçohen dy njësi: e para brenda mureve të rrethimit të Anastasit. (shek. V) dhe e dyta buzë lagunës, në Veri-Lindje të qytetit. Në brendi të njësisë së parë (qytetit shek. V), në thellësinë 1.5-6 m janë gjetur materiale prehistorike ilire,  banesa të fillimit të shek. IV p.e.s. dhe ndërtime monumentale. Gjatë periudhës arkaike jeta dëshmohet edhe në veri, në lindje të nekropolit fushor, ku janë zbuluar tempuj, banesa dhe materiale arkeologjike.

Nga fortifikimi që përmend Thukididi në shek. V p.e.s. (Thucyd. 1. 24- 26) nuk ruhet asnjë gjurmë, por vargjet e Lukanit “Mbi thepat e tmerrshëm për anijet mbështeten muret dhe kur fryn era e vrullshme e jugut Liva ngrihen dallgët e Jonit, lëkunden tempujt dhe shtëpitë” (Lucan. Phars. 6. 26), tregojnë se muret rrethuese vijonin gjatë bregut Jug-Lindore ku janë gjetur blloqe të shkapërderdhura. Nëse do të pranonim e qyteti romak ndoqi konfigurimin e qytetit helenistik, elemente që lejojnë një përfytyrim të vagët urbanistik janë banesat e kompleksit urban të periudhës romake në lulishten 1 Maj (të shkatërruara barbarisht pak vite më parë, si dhe kanalet e shkarkimit të ujërave të zeza. Harta e këtyre të fundit, tregon për një sistem urban jo strikt ortogonal me rrugë të drejta, por me rrugë të kthyera me kënd të gjerë, në funksion të vijave të bregut. Zhvillim të njëjtë me Dyrrahun, pati edhe Ambrakia e themeluar në shek. VII p.e.s. nga kolonistë korinthas dhe e kthyer në v. 294 p.e.s. në kryeqytetin e Pirros.

Modelet sui generis

Modelet sui generis, pa paralele me modelet e njohura, ilustrohen me qytetet Daors dhe Buthrot (Butrint). Daorsi, kryeqendra enigmatike e federatës Daorse (Darsii), sipas Apianit njerës nga federatat e lashta dhe më kryesore ilire (App. Ulyr 2), gjendet në Osanjici, në Bosnjën qendrore. Jeta në të dëshmohet që në periudhën e bronzit, por fortifikimi dhe ndërttmet urbane i përkasin shek. IV p.e.s.

Qyteti shtrihet në veri-perëndim të një platoje 500 hektarëshe, 220 m të lartë nga fusha, mes për mes së cilës kalon kufiri mes Bosnje Hercegovinës dhe Republika Srpskas. Qyteti përbëhej nga qyteti i hapur i pllajës (25 ha), një lagje në tarracën poshtë buzës jugore të pllajës (16 ha), brinja e ngushtë nën akropol (1.5 ha) dhe vetë akropoli me sipërfaqe 0.60 ha. Si i tillë ai ishte një qytet i madh dhe i hapur 43 hektarësh, i pajisur me një akropol tejet të fuqishëm por krejt të padobishëm, pasi në rast lufte në të nuk mund të strehohej as 1/10 e rreth 7000 banorëve të qytetit.

Ndonëse gjurmët ndërtimore në pllajë janë të zbehta dhe të mbivëna, ndihet se struktura urbane e antikitetit i përmbahej strikt rregullave të urbanistikës ortogonale: ndërprerjes me kënd të drejtë të rrugëve dhe formës drejtkëndore të ishujve të banesave. Kjo kapet fare qartë në tarracën jugore, ku një sistem muresh paralele me vijat rrushkulluese nivelonte dhe shkallëzonte terrenin.

Qyteti gjendet në një gadishull brenda gadishullit të Ksamilit. Në perëndim ai laget prej ujërave të Jonit, në lindje nga liqeni Pelodes (Butrintit) dhe në jug nga kanali i Vivarit, i cili e lidh detin me liqenin, duke e kthyer në një strehim të sigurt për anijet. Në veri terreni lartësohet me një shkëmb të rrëpirët ndërsa në jugë shtrihet një terren i rrafshët 10 ha. Jeta në rrafshin e sipërm të shkëmbit dëshmohet që në periudhën e bronzit, ndërsa në shek. VIII/VII p.e.s. lindi një qytezë 2.7 hektarëshe. Në shek. VI/IV p.e.s. qyteti zgjerohet në Jug-Lindje duke arritur një shtrirje prej 6.5 ha.

Modeli monocentrik

Për agoran klasike, ky model ilustrohet me qendrën drejtkëndëshe të Apollonisë, të gjysmës parë. shek. IV p.e.s. Qendra me sipërfaqe 0.75 ha, konturohet nga i vetmi element arkitektonik i tij, nga shëtitorja në formë L-je. Shëtitorja me arkitekturë ritmike dhe të parënduar, ia mbyllte shikimit veriun dhe juglindjen, por i linte të hapur perëndimin: detin e kaltër dhe fushën e gjelbër mes qytetit dhe detit, çka krijonte një raport të privilegjuar me natyrën.

Në të kundërt me agoran gjeometrike të Apollonisë, agora 0.15 hektarëshe e Buthrotit është e çregullt, e ndrydhur mes shkëmbit të lartë të akropolit dhe murit rrethues të qytetit të poshtëm. Ndërtimet që e përbëjnë atë: stoa kurative (enkoimiterion), thesaurosi për depozitimin e të ardhurave dhe teatri i ndërtuar “me të ardhurat e hyut (Asklep)” lidhen me kryezotin Asklep të Butrintit.

Agora helenistike, e projektuar që në fillim si e tillë, ilustrohet nga agora e Bylisit, e ndërtuar njëdorazi me qytetin në fund të shek. IV p.e.s. Formulimi dhe perceptimi i saj, ndryshe nga Apollonia, nuk u bazua në një element të vetëm, tek shëtitorja, por në disa elemente: Në korpuset e dy shëtitoreve të veçanta, jugores dhe asaj në formë L-je, tek kompleksi i teatrit, dhe shkallarja e stadiumit. Ky formulim dhe bashkërendim i tyri u krye në respekt të plotë të mjedisit dhe shfrytëzim maksimal të mundësive që ofronte mjedisi. Në këtë raport agora u mbyll ndaj veriut dhe lindjes që nuk ofronin ndonjë peizazh dhe mbeti e hapur drejt jugut dhe perëndimit, ku vështrimit i shpalosej peizazhi më ekselent i mundshëm: meandrat e argjendta të Aoos/ Vjosës të nervozuara dhe shpeshtuara gjithnjë e më tepër para derdhjes në det dhe fjolla e kaltër e Adriatikut me siluetat e Karaburunit dhe Sazanit mbi vete. Evolucionin e modelit parahelenistik drejt modelit helenistik e ilustron po Apollonia: Nëse shëtitorja e shek. IV p.e.s. ishte e njëtrajtshme në rritëm dhe hapësirë, shëtitorja e re, e fillimit të shek. III p.e.s., u formulua nga dy njësi: prej krahut të trashëguar jugor dhe korpusit të ri Veri-Lindor.

Të dyja këto njësi nuk u bashkuan më me kënd të drejtë si në shëtitoren e mëparshme, por me kënd të gjerë (110°), çka solli kalimin nga forma e ngurtë gjeometrike drejtkëndëshe e sheshit në një formë të lirë trapeze. Nëpërmjet këtij ritrajtimi, perceptimi volumor i sheshit ndryshonte sipas rakursit të vështrimit të objektit, përkatësisht pozicionit të vizitorit në shesh. Kjo e shprishi monotoninë e mëparshme dhe i solli sheshit lehtësim dhe puls. Në ndryshim nga qytetet klasike greke, ku tempulli është pjesëtar dhe bashkëformulues i agoras, tempulli mungon në sheshet e qyteteve ilire. Këtë rregull duket sikur e thyen agora/temenosi i Buthrotit, në të cilën gjendet edhe tempulli i Asklepit. Por edhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një tempull të mirëfilltë, por me një thesauros vocërrak që shërbente për ruajtjen e të ardhurave nga sanatoriumi i Asklepit.

Në të kundërt me tempujt, teatri është i pranishëm në formulimin urbanistik, në një raport evolutiv në kohë: Nëse teatri në Gitana (shek. V p.e.s.), ndodhet jashtë qytetit, në Kasopea ai hyn në qytet, por në skaj ku i kthen me indiferencë shpinën e zhveshur ishujve të fundit të banimit. Kjo mospërfillje vjen e zbutet në shek. IV p.e.s.: Ndonëse teatri i Apollonisë (gjysma e parë e. shek IV p.e.s.) nuk merr pjesë direkt në formulimin e sheshit, ai nuk është më gjysmë kilometri larg tij si në Kasopea, por 100 m pranë agorasë. Ndërfutja e teatrit në agora dhe kthimi i tij në një element formulues të saj, ndodhi nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.s. Shembullin e parë për këtë e jep teatri në Buthrot, i cili i hapi vend vetes duke ngrënë dy seksione të stoas kurative. Teatri u bë përfundimisht pjesë integrale e shesheve në fillim të shek. III p.e.s: në Bylis ku u ndërtua me një frymë me sheshin dhe shëtitoret dhe në Kasopea, ku teatri i fillimit shek. III p.e.s. nuk u ndërtua më periferive si teatri i parë i shek. V p.e.s., por drejt e në agora, duke e konturuar atë.

Modeli Policentrik (Dimali)

Dimal i gjendet 20 km në lindje të Apollonisë dhe po aq në perëndim të Antipatreas (Beratit), në një nga kodrat promontore të Shpiragut ku kontrollonte kalimet drejt luginës së lumit Aps (Osum) që lidhte Adriatikun me pellgun e Korçës dhe Maqedoninë. Brenda këtij trualli lartësohen 5 kupola, rreth të cilave izoipset rrjedhin si lumi mes shkëmbinjve. Si i tillë trualli është i valëzuar, i papërshtatur për urbanistikën ortogonale dhe rrugët dhe ndërtesat luhaten në ndjekje të vijave rrushkulluese. Dy kupolat lindore, ku dhe dëshmohen gjurmët e para të jetës, të bronzit të vonë, bashkohen mes tyre nëpërmjet murit të akropolit, të gjysmës së parë. të shek. IV p.e.s.

Qyteti me sipërfaqe 25 ha ka një planimetri të çuditshme, të krahasueshme vetëm me një postiqe dashi të shtrirë nga perëndim-veriperëndimi drejt lindje-juglindjes. Fillimisht akropoli 2.5 hektarësh ishte qyteza e mirëfilltë. Por në fillim të shek. III p.e.s., shëtitorja e ndërtuar poshtë mureve ia prishi aftësitë mbrojtëse dhe e nxori nga lista e fortifikimeve, çka tregon se në shek. IV p.e.s. mbrojtja i kishte kaluar rrethimit të tërë qytetit. Kjo ia humbi akropolit funksionin ushtarak, duke i lënë vetëm atë të agoras së njësuar me temenosin e perëndeshës Hera.

Në këtë agora/temenos përveç tempullit të perëndeshës, bënin pjesë një sallë publike, shëtitorja veriore dhe ndërtime të tjera të paidentifikuara. Njësia e mësipërme, teatri (shek. IV/III p.e.s.), shëtitorja jugore (shek. III p.e.s.) dhe shëtitorja perëndimore (gjysma së dytë. Shek. IV p.e.s.), krijonin 4 qendra graviteti 50-170 m larg njëra-tjetrës, çka tregon se Dimali i përmbahej modelit policentrik, qoftë

edhe haphazard, më afër kuturusë se planizimit të qartë. Mungesa e dorës së urbanistit vërehet edhe në vendosjen hapësinore të elementeve arkitektonike: Dy nga tre shëtitoret dhe teatri i kthejnë me indiferencë shpinën shesheve për ta drejtuar vështrimin thjesht nga natyra, veçori kjo e pa hasur kund tjetër.