Qyteti në Zgërdhesh ndodhet pranë qytetit të Krujës, në cakun e takimit të Ultësirës Perëndimore me Malin e Skënderbeut. Para qytetit, në perëndim të tij, shtrihet një fushë pjellore e ndarë nga hora e Dyrrahut prej një vargu të ulët kodrinor. Nga shpina, në lindje, nis valëzimi i lehtë i kodrave pararendëse të Malit të Skënderbeut me kullota mjaft të mira.
Në afërsi të qytetit kalonte rruga përgjatë bregut të Adriatikut dhe Jonit prej së cilës shkëputeshin dy degë për në hinterlandin Parthin. E para nëpërmjet fushës së Tiranës dhe Malësisë së Kërrabës lidhej me rrugën e Kandavisë (Egnatien), ndërsa tjetra vijonte për Mat dhe Dibër. Në perëndim të qytetit, 30 km larg tij, ndodhet Skela e Redonit. Qenia e qytetit në takim të zonës bujqësore me atë blegtorale dhe skela e afërt krijonin kushtet për zhvillimin e jetës qytetare.
Qyteti shtrihet mbi një pllajë trekëndëshe shkëmbore e cila zbret drejt fushës me pjerrësi të vogël. Baza e trekëndëshit ndodhet në lindje, në terren të rrafshët, ndërsa kulmi 100 m më lart, në një qafë të ngushtë në anën perëndimore brinjët anësore, veriorja dhe jugorja, bien me pjerrësi mbi dy përrenj stinorë.
Rreth shek. Vl- V p.e.sonë në pjesën e sipërme të kodrës lindi vendbanimi i fortifikuar paraurban me sipërfaqe 1,36 ha, muret e të cilit i përshtaten terrenit me vija të drejta dhe dhëmbëzime të cektë. Muret janë punuar me blloqe të mëdhenj guri të pa latuar (0,3 - 0,5 x 0,75 m) me fuga të mëdha. Kësaj periudhe i përket hyrja në skajin Jug-Perëndimor të akropolit në trajtën e një korridori të harkuar 1.80 m të gjerë.
Qyteti në Zgërdhesh paraqet rastin e pastër të qytetit të Shpatit me akropol të trashëguar nga periudha protourbane. Qyteti i mirëfilltë lindi në fund të shek. IV - fillim të shek III p.e.sonë. Në këtë periudhë i tërë shpati 8,20 hektarësh rrethohet me një mur 2.70 m të gjerë. Me lindjen e qytetit fortifikimi protourban nuk braktiset por kthehet në akropolin e qytetit. Muri i fortifikimit protourban nga ana e qafës përforcohet me dy kulla, njëra prej të cilave rrethore.
Në anën e përkundrejtë muri përforcohet nga 3 kulla, dy kuadratike dhe një rrethore. Hyrja krijohet nga kthimi i kurtinës me kënd të drejtë nga njëra anë dhe kthimi me kënd të ngushtë nga ana tjetër. Në këtë mënyrë krijohej një paraoborr trekëndësh i flankuar prej kullës rrethore.
Qyteti i poshtëm i kundërvihet fushës me kurtina 29,5 m të gjata të përforcuara me kulla drejtkëndëshe. Muret vijojnë buzë rënieve shkëmbore deri në qafën lindore. Dy kulla nga jugu dhe një në veri tregojnë se edhe brinjët e thepisura anësore, në vendet e dobëta, përforcoheshin me kulla.
Kullat drejtkëndëshe të akropolit kanë përmasa më të vogla se ato të qytetit të poshtëm (8,5-9,3 x 6,5-7 m ndaj 9,7 x 8,5 - 10,6 m) dhe janë vendosur më shpesh (20 ndaj 29,5 m). Muratura pseudoizodomike me blloqe kuadratike prej guri gëlqeror (0.45- 2.20 x 0.55- 0.65) përbëhet prej dy pareteve me blloqe të latuara të lidhura tërthor me njëra-tjetrën dhe emplectoni paretet mbështeten mbi shkëmbin e rrafshuar, ndërsa në tokë të butë mbi një themel prej blloqesh të punuar përciptas. Për largimin e ujërave të reshjeve muret përshkohen prej kanalesh të tërthorta. Për nga punimi i blloqeve dallohen dy faza: E para me faqe të rrafshëta, tjetra me ballë të mysët, e qarkuar nga një shirit i sheshtë.
Sistemi urbanistik nuk ka qenë i rregullt: rrugët gjatësore të gdhendura në shkëmb, të cilat nuk shquajnë për punim cilësor, vijojnë të çrregullta. Fragmentet arkitektonikë (shtatore e Artemisit, tjegulla dhe një geizon), gjasisht të një tempulli, të gjetura në rrafshin para qytetit dhe gjurmë banesash në kodrat përreth, tregojnë se në shek. 3 p.e.sonë, qyteti u zgjerua jashtë mureve rrethues. Jashtë mureve gjendet dhe nekropoli i cili ruan traditën e varrimit me tuma. Mbas një periudhe lulëzimi në shekullin III-II p.e.sonë., pas pushtimit romak, qyteti nis rënien dhe fortifikimi e humbet funksionin. Në shek 4 buzë mureve vendoset varreza dhe jeta shuhet po në këtë shekull.
Qeramika protourbane përfaqësohet nga kupa dhe tasa me vegje veshore, në formë gjuhe dhe brinake, me brumë të hirtë të shek VI-V p.e.sonë. Përveç qeramikës kësaj periudhe i përkasin fragmente zgjyre metali. Periudha urbane përfaqësohet nga solenë dhe kalypterë me vula epigrafike, pytosa dhe amfora dhe qeramikë tryeze me vemik të zi. Në këtë të fundit mbizotëron qeramika apule dhe ajo e Megarës e fundit shek. lV-ll p.e.sonë. e prodhuar në Epidamn. Zgjyra e shumtë vërteton praninë e punishteve të punimit të metalit.
Monedhat janë kryesisht të Epidamnit (Herakli- armë (90) para gjysmës ll të shek lV p.e.sonë., Zeustrekëmbësh (100), Helios- anije (20) të shek lll-l p.e.sonë., nga një ekzemplar i Demetrit II të Maqedonisë, Antigon Dosonit, Isës dhe Kerkyra Nigra-s. Gjetjet e periudhës romake përfaqësohen nga qeramika me vernik të kuq të dobët dhe një kallëp terrakote i periudhës së Antoninëve (fundi shek. l fillimi shek ll).
J. G. von Hahn kërkon në Zgërdhesh Albanopolisi-n e përmendur nga Ptolemeu si qytet i Albanëve (3 12 20), mendim ky i pranuar tradicionalisht. Fakti që në tokat e Albanëve ndodhet Qyteti në Përsqop me sipërfaqe dy herë më të madhe dhe pozitë më qendrore dhe më të mbrojtur se Zgërdheshi, përjashton mundësinë e identifikimit të Zgërdheshit me Albanopolin.