ategoritë ndërtimore qytetbanesë, kohësisht shfaqen me fillesa të ndryshme. Banesa, si strehë ndërtimore familjare është tejet më e hershme se qyteti. Ky i fundit është bashkësi e banesave, ndërtimeve të kultit dhe atyre shoqërore. Të dy këto kategori, të bashkëlidhura vijueshëm dhe përherë pasqyruese të shkallës së zhvillimit ekonomiko-shoqëror të shoqërisë përkatëse, kanë zhvillim në kohë. Termi zhvillim, në kontekstin e temës në shqyrtim, gjithë duke qenë dukuria parësore, për arsye të ndryshme, bart edhe hapësira të ndryshme kohore, gjatë të cilave shfaqen procese braktisjesh pjesore, deri në ato tërësore të qendrave qytetare. Banesa dhe qyteti shqiptar, ndërtuar prej shqiptarëve për shqiptarët, që prej antikitetit dhe deri më sot, shtrihej në një hapësirë tejet më të gjerë se ajo e hapësirave të sotme të shteteve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu, trojet historike iliro-arbëresho-shqiptare, kanë qenë shumë më të mëdha se trojet aktualë. Ende sot e kësaj dite, të dy kategoritë ndërtimore shqiptare në trajtim, ndeshen në shkallë të ndryshme edhe në shtetet fqinjë ballkanikë. Ashtu si dhe në hapësirat e tjera ballkanike dhe evropiane më gjerë, banesa dhe qyteti shqiptar, kanë pasur në vazhdimësi arritje të reja, përkatësisht banesa në rrafshet kompozicionalë dhe të trajtimit tekniko-arkitekturor, ndërsa qyteti në zgjerimin hapësinor dhe shkallërisht në përcaktimin e zonave të banimit dhe asaj zejtaro-tregtare. Më tej, në bashkëmarrëdhëniet me fortifikimin, dëndur fortifikimet janë fillesat e qendrave qytetare, si dhe ndërtimi i rrjetit rrugor dhe veprave fetare e atyre shoqërore.
Realitetet ndërtimorë banesë-qytet, kanë filluar të jenë objekt i mirëfilltë studimor rreth viteve 1960, ashtu si fushat e tjera të ndërtimeve mbrojtëse, të kultit dhe atyre shoqërore. Kjo veprimtari, sa e gjerë, aq edhe metodikisht bashkëkohore, e shoqëruar me formimin e brezave të parë të studiuesve, sipas fushave të lartpërmendura, qe njëherazi e shoqëruar me ndërhyrje sistematike restauruese në veprat e cilësuara monument. Do të pohonim natyrshëm se studiuesit e formuar në punë dhe nëpërmjet saj, qenë paralelisht dhe restauratorët e parë të vlerave historiko kulturore të monumenteve në Shqipëri. Vijmë kështu në problemin thelbësor të çdo studimi, atë të të dhënave në këtë fushë, pra të trashëgimisë në fushat bashkëplotësuese banesë-qendër e banuar qytetare. Brezit të parë të studiuesve shqiptarë të vlerave ndërtimore historiko-kulturore, i ra detyra, sa e gjerë, aq edhe e rëndësishme e gjurmimit dhe identifikimit të tyre. Veçanërisht fusha e banesës shfaqej problematike për shkak të mungesës së përvojës, madje edhe në vende të zhvilluara, për shkak të mendësisë së gabuar se, cilësinë monument mund ta bartin vetëm veprat e shquara ndërtimore. Ky këndshikim, në thelb, i heq veprimtarisë ndërtimore në gjininë e banesës thuajse paralele me jetën njerëzore, vlera shumëshekullore të pjesës më vitale të saj. Këto vlera, së pari bartin cilësinë e monumentit historik, veçanërisht për periudha të gjera kohore, për të cilat mungojnë dëshmi të tjera. Mbështetur në këtë këndshikim, gjurmimi i banesës popullore shqiptare, pra dhe asaj qytetare, gjithë duke vlerësuar veprat madhore, barazisht përfshin edhe vlerat unikale dokumentare të banesave të thjeshta. Kuptueshëm, këto banesa të thjeshta, së pari në kompozimin e tyre vëllimor, janë fillesat e mbarë tipologjisë së banesës tradicionale shqiptare, mbisunduese deri rreth kapërcyllit të shek. XIX-XX. Prapambetja relative ekonomike e Shqipërisë shfaqej edhe në ruajtjen e tipologjisë tradicionale të banesës, e cila krijonte hapësira të gjera hulumtuese. Shpallja e qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit “Pasuri botërore”, është tregues i prekshëm i vlerave të arkitekturës tradicionale shqiptare. Hulumtimet për të identifikuar dhe vlerësuar qytetet shqiptare të periudhës mesjetare, kuptueshëm nuk kanë qenë problematikë për arsye se ata tashmë njiheshin, duke qenë përgjithësisht të ngritur që në antikitet, dhe një numër i tyre, për arsye të ndryshme, kanë qenë braktisur. Përkundrazi gjurmët e banesave qytetare mesjetare, kryesisht për shkak të brishtësisë së tyre dhe faktorëve të tjerë, nuk i kanë qëndruar kohës. Shembujt e gjysmës së dytë të shek. XVIII, sipas mbishkrimeve, apo treguesve të tjerë, nuk i kalojnë disa dhjetëra. Kështu, burimet e vetme të besueshme për banesat e hershme janë gjurmët e këtyre ndërtimeve, dalë prej gërmimesh arkeologjike, apo atyre rastësore. Krahas, edhe të dhënat shkrimore që cektas përmendin këto vepra ndërtimore, kanë vlera për specialistët e fushës. Gërmimet arkeologjike që kanë ndeshur në gjurmë rrënoja banesash, ende janë të pakta. Megjithatë, banesat e shtresave të gjera të popullsisë, që jetonte në qytetet mesjetare shqiptare, përgjithësisht të thjeshta dhe të ngjashme në kompozim, materiale ndërtimore dhe teknikën e ndërtimit, janë dëshmi të rëndësishme. Kushtet thuajse të njëjta ekonomiko-shoqërore dhe shkalla krahasimisht e vogël e zhvillimit, pasqyrohej dhe në afrinë dhe njësinë e treguesve thelbësorë të tipologjisë së banesës. Kështu, megjithëse gjurmët e banesave të lashta qytetare, ende janë të pakta, ato janë tregues të përfillshëm të karakterit dhe tipareve të tyre ndërtimore. Krahas, shembujt e shumtë të varianteve të thjeshtë të tipologjisë së kësaj banese në shekullin XVIII-XIX, janë vazhdimësi e atyre pararendës. Kështu, lehtësohet njohja me tipologjinë e banesës qytetare shqiptare të periudhës mesjetare. E ardhmja, me zgjerimin e kërkimeve arkeologjike, do të rrisë të dhënat mbi banesën dhe qytetin mesjetar shqiptar.
Një burim tjetër, thuajse barazisht autentik, për karakterin dhe tiparet e banesës dhe qytetit mesjetar shqiptar, janë statutet e këtyre qendrave. Qenia e statuteve në vetvete, është një tregues i rëndësishëm i shkallës së zhvillimit të këtyre qendrave dhe në rrafsh të gjerë evropian. Gjatë shekullit XIII-XIV, disa qytete shqiptare kanë pasur statute si Shkodra, Durrësi, Danja, Drishti etj. E rëndësishme është e vërteta se kanunet, shprehje e së drejtës pronësore, janë dy tri shekuj më të vonë. Ata, gjithashtu, janë tregues të prekshëm të shkallës së zhvillimit të shoqërive shqiptare, të cilat ndjenin nevojën e kodifikimit të bashkëmarrëdhënieve, kryesisht në rrafshin pronësor, pra atë të trojeve. Ndër statutet shqiptarë të shekujve të fundit të mesjetës ruhet dhe është botuar i plotë ai i Shkodrës me emërtimin “Statuti di Scutari” (Statutet e Shkodrës). Ata përmbajnë 279 kapituj dhe janë shkruar në dialektin venecian të shekullit XIV. Edhe statutet e tjerë të qyteteve shqiptare të kohës, ishin të ngjashëm me statutet e qyteteve italo-dalmatinë të kohës. Statutet e Shkodrës janë të gjysmës së parë të shek. XIV, me shtesa deri në vitin 1469. Në këtë dokument trajtohen problematikat urbanistiko-ndërtimore, gjithë duke qenë kjo veprimtari në thelb e improvizuar. Aty përmenden mjeshtëritë e ushtruara, pra edhe shtresa e zejtarëve, faktorët kryesorë karakterizues të një qendre qytetare, në mesjetë dhe më lashtë. Krahas, në këtë dëshmi, jepen tregues të shumtë mbi pronat e qytetit përreth tij, tokat bujqësore, vreshta e kullota, duke konfirmuar edhe mbajtjen e bagëtive. Kjo dukuri, e cila megjithëse në zvogëlim, ndeshet deri vonë në shekullin XIX në qytetet shqiptarë dhe lidhet, ashtu si përgjithësisht, me rendimentet e ulëta të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të hapësirave fshatare. Të tilla, këto të fundit, ende nuk kishin krijuar mbiprodhime bujqësore e blegtorale, për të mbajtur qendrat qytetare në rritje. Në tiparet e qytetit mesjetar shqiptar, kanë ndikuar faktorë gjeografikë dhe më ndjeshëm në karakterin dhe tiparet e tyre ata ekonomiko-shoqërorë. Deri rreth shekullit XIV, këto qendra, tipologjikisht, pra në tiparet kryesore, përqaseshin dukshëm me ata të perëndimit të Shqipërisë. Në fillesat e qendrave qytetare, kryesisht të tillë që në krye, si qendra ushtarako-administrative, duke qenë ato mesjetaret dendur me fillesa të hershme antike, pozicioni gjeografik i trojeve shqiptare ka ndikuar dukshëm. Kjo vërehet së pari në bashkëmarrëdhëniet e këtyre trojeve me hapësirat e detit Adriatik dhe Jon, duke qenë këta troje bregdetarë, apo të prapatokës. Kuptueshëm, hapësirat bregdetare janë më të vogla. Hapësirat gjeografike shqiptare, veçanërisht ato perëndimore, shfaqeshin natyrshëm si hapësira ndërlidhëse ndërmjet lindjes dhe perëndimit dhe reciprokisht. Krahas, deti ishte një burim i përfillshëm ekonomik. Kjo dukuri, qe shkaku i parapëlqimit të bregdetit shqiptar të Adriatikut, si fillesë për të përshkuar Ballkanin dhe më tej vijuar drejt Lindjes, për pasojë ndërtimi i qendrave qytetare bregdetare. Ndër to përmendim Shkodrën, Durrësin dhe Vlorën, krahas qyteteve më të vegjël bregdetarë me funksionin kryesor, atë të porteve. Durrësi qe fillesa e rrugës Egnatia, e cila përshkonte Shqipërinë, e më tej, hapësira të Ballkanit deri në gadishullin e Azisë së Vogël. Qytetet bregdetare shqiptare kanë pasur lidhje me bregdetin e përtejmë italik dhe veçanërisht me Venedikun, i përfshirë ndjeshëm në jetën ekonomike dhe politike të hapësirave të bregdetit shqiptar.
Trojet shqiptare, edhe për shkak të pozitës së tyre gjeografike, kanë qenë vijueshëm pre e pushtuesve, gjithë duke qenë pjesë e Perandorive Romake dhe asaj Romake të Lindjes, apo Bizantine, pas ndarjes në vitin 395. Veçanërisht gjatë periudhës bizantine, trojet dhe kryesisht qytetet shqiptare u përfshinë, thuajse vijueshëm prej pushtuesish lindorë dhe herë pas here prej atyre perëndimorë. Dyndjet e popujve në shek. IV-VII prunë shkatërrime dhe rrënime të thella vendbanimesh dhe popullsish shqiptare. Në fillim të shekullit VI shfaqen sllavët, me prirje shkatërruese dhe vrasëse, dhe më tej me synimin e përhershëm për përvetësim e zgjerim trojesh, kryesisht iliro-shqiptare. Këto rrethana, me dendësi dhe tipare të veçanta, ndoqën realitetin, hapësira iliro-shqiptare gjatë mesjetës, duke qenë të shfaqura më ndjeshëm në qendrat qytetare, për vetë funksionin e tyre.
Fisnikëria shqiptare filloi të shfaqet që në fillim të shek. XI, duke synuar krijimin e njësive administrativo-ekonomike nën sundimin e tyre, siç dëshmon edhe Principata e Arbrit, krijuar në fillim të shek. XII, ndërsa në shek. XIV-XV shfaqen formacione të tjera shtetërore shqiptare. Këto principata, patën në krye familjet e Aranitëve, Skurajve, Jonimët, Blinishtët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët, Buat etj. Qendrat e këtyre formacioneve, përgjithësisht ngriheshin larg qyteteve-kështjella, qendra administrativo-ushtarake të pushtuesve të huaj.
Siç kemi përmendur, qytetet, ashtu si mbarë vendbanimet në rrjedhë të kohës, nën ndikimin e ndryshimeve përparuese të mënyrës së jetesës, pësojnë ndryshime në funksionet, pra edhe në trajtimin urbanistiko-arkitekturor. Gjatë periudhës mesjetare, ashtu si përgjithësisht në antikitet, duke qenë fillesat e qendrave qytetare shqiptare, të kësaj periudhe, ato përgjithësisht vazhdojnë të jenë thuajse barazisht, qendra strategjiko-ushtarake dhe administrative. Funksioni i rëndësishëm, më vonë edhe përcaktues i një vendbanimi qytetar, si qendër zejtaro-tregtare, në rastin shqiptar theksohet ndjeshëm gjatë periudhës së mesjetës së vonë. Mesjeta e turbullt shqiptare dhe ballkanike më gjerë, e mbisunduar me luftëra pushtuese dhe fillesa njësish administrative të rajonizuara, ishte larg cilësimit të qendrave qytetare zejtaro-tregtare. Situatat e turbullta politike, nuk lejonin zhvillimet e këtyre qendrave, por theksonin funksionimin e tyre ushtarakoadministrativ. Kjo rrethanë kushtëzonte mbijetesën e qendrave antike qytetare, si Shkodra, Durrësi, Berati etj., krahas lindjes së qendrave të reja mesjetare si Gjirokastra, Korça etj., me fillesa fortifikimet e llojit kala. Për arsyet e rëndësishme të vetëmbrojtjes natyrore të fortifikimeve dhe kushteve të përshtatshme për zhvillimin ekonomik, bërthamat e qyteteve ngriheshin përgjithësisht përbri rrugësh tradicionale, rrjedhave të përfillshme ujore dhe lartësive, vështirë të arritshme. Rreth fundit të periudhës mesjetare, qytetet kryesore të Shqipërisë rrisin praninë e zejtarëve, të cilët, nën ndikimin perëndimor, fillojnë organizimin e korporatave sipas profesioneve, të cilat emërtoheshin “shkollë” ose “vëllazëri”. Për t’u përmendur është edhe qarkullimi i monedhave, veçanërisht gjatë fundit të mesjetës. Disa qytete kishin monedhat e tyre.
Qytetet shqiptarë të shekujve të fundit të mesjetës, duke qenë të zhvilluara brenda hapësirash krahasimisht të kufizuara prej mureve rrethues të fortifikimit dhe duke përfshirë, krahas hapësirave për njësitë ushtarake dhe atyre për sunduesit, sipas hapësirave kishin edhe zona të vogla të banuara. Kalatë e mëdha kishin edhe akropolin, një ndërtim i fortifikuar brenda kalasë, në të cilën jetonte feudali i zonës. Shembulli i Beratit është tipik. Kompozimi i hapësirave të banimit brenda kalave nuk ishte i paraprirë prej planifikimit. Në përcaktimin e tyre, rëndësi parësore, ashtu si në qytetet e kohës, kishte trasimi i rrjetit të improvizuar rrugor.
Megjithëse i tillë, ai i kishte fillesat qartësisht të lidhura me hyrjet e vogla në numër për moscënimin e mbrojtjes. Konfiguracioni i këtij rrjeti rrugor kushtëzohej edhe prej formës së truallit, përgjithësisht të aksidentuar dhe shkëmbor, mbi të cilin ngrihej. Rreth shekullit XIII, në qytetet shqiptare, për shkak të rritjes numerike të tij dhe hapësirës së kufizuar, brenda mureve rrethues, u shfaqën daljet e para të familjeve prej rrethimit, por përherë pranë tij, madje pranë hyrjes kryesore. Kjo dukuri lidhej me pasigurinë dhe domosdoshmërinë për strehim të përkohshëm në hapësirat e fortifikimit. Banesat e thjeshta, pranë njëra-tjetrës, formonin shkallërisht njësi banesore, madje shpesh të rrethuara prej muresh krahasimisht të dobët, siç ka të dhëna për një nënqytet (suburb) në Berat, i cili pas shekullit XVI emërtohet varosh. Lindja e njësive banesore, përgjithësisht të hapura, ishin fillesa të qyteteve të mirëfilltë. Ato me funksionet shoqërore përherë dhe në rritje, nisën rrugën e zmadhimit dhe shumëfunksionalizmit të shoqërisë përherë dhe në rritje. Ashtu siç kemi përmendur, shumica e qyteteve mesjetarë shqiptarë janë vazhdimësi e atyre antikë ilirë, duke qenë njëherazi qendra të fortifikuara ushtarako-administrative. Krahas edhe gjatë mesjetës lindnin qendra të reja qytetare. Qytetet e Shkodrës, Lezhës dhe Beratit, ende ruajnë konturet e hapësirave të fortifikuara, krahas gjurmëve të hapësirave të banuara përtej mureve rrethues. Këto të fundit, gjithashtu, të ruajtura me rrethime, ose të hapura me fillesa në shekujt e fundit të mesjetës. Rasti i qytetit të Gjirokastrës lidhet me periudhën e vonë mesjetare, gjithë duke qenë fortifikimi themelvënësi i tij. Shkodra (fig. 2) është nga qytetet e pakët të fortifikuar, i cili që në periudhën antike ilire shtrihej përtej mureve rrethues, duke qenë së pari kjo zonë në pjesën jugore dhe atë perëndimore. Në periudhën mesjetare, për t’iu shmangur vërshimeve të lumenjve rrethues, fillon ngritja e lagjeve të nënqytetit në pjesën lindore, gjithë duke qëndruar pjesa perëndimore, madje edhe përtej Bunës. Edhe pazari i vjetër i Shkodrës i ka fillesat në mesjetë, duke treguar rolin e rëndësishëm ekonomik të kësaj qendre. Shkodra është një shembull i spikatur i qyteteve shqiptare antiko-mesjetarë e më vonë, e cila i qëndroi vijueshëm rrjedhave historike të ngarkuara me ngjarje të vrazhda. Shkodra, për vlerat e saj, tërhoqi synimet, shpesh të realizuara, për pushtimin dhe përfshirjen e saj në suazat e perandorive të mëdha të kohës, si ato Romake dhe Romake të Lindjes (Bizantine). Sundimi i shkurtër sllav, i mesit të shek. XIV, pasohet me zotërimin e kësaj qendre prej feudalëve arbëreshë Balshaj, në vitin 1355. Në prag të pushtimit Osman, Shkodra si disa qytete bregdetarë shqiptarë, më 1395 kalon nën juridiksionin e Republikës së Venedikut.
Qyteti i Lezhës, zë një vend të rëndësishëm në bashkësinë e qyteteve antiko-mesjetarë shqiptarë. Ashtu si Shkodra, edhe Lezha, ngritur mbi një hapësirë strategjike, pranë bregdetit të Adriatikut, me burime jetësore, i qëndroi rrebesheve historike, duke u rritur e duke zvogëluar dhe duke u mbrojtur, kryesisht me rrethime sipas teknikave të kohës. Lisi ka pararendësin e tij Akrolisin (Lisin mbi majë, apo të epërm). Ai është fortifikim i periudhës së parë të hekurit. Qyteti i Lisit, në perëndim të Akrolisit, ngrihet në shek. IV-III p.e.s, duke u rrethuar me mure guri pa lidhës, të cilët zbrisnin deri pranë rrjedhës së lumit Drin. Rreziku i dyndjeve barbaro-sllave në shek. VI kërcënonte edhe Lezhën, e cila iu nënshtrua ndërhyrjeve për forcimin e fortifikimit. Në shek. VI-VII, Lisi pëson zvogëlim. Që prej vitit 1281, Lezha administrohej prej familjes feudale shqiptare të Dukagjinëve, ndërsa në vitin 1393, bie në administrimin e Republikës së Venedikut. Gjurmët e ndërtimeve antikomesjetare, brenda mureve rrethues të Lisit, nuk ruhen, por gërmimet arkeologjike do t’i zbulojnë dëshmitë e tyre.
Berati, ashtu si dy qendrat qytetare pararendëse, shquhet si për fillesat e hershme që në shek. IV p.e.s dhe në vazhdimësi të pandërprerë deri më sot. Qyteti i Beratit zinte lartësinë në të djathtë të rrjedhës së Osumit, në një ngushticë e cila simetrikisht ka të ndërtuar një kala tjetër, atë të Goricës, në të njëjtin shekull. Këto qendra, dhe kryesisht Berati, ishin shteg i rëndësishëm dhe i mbikëqyrur që lidhte hapësirat perëndimore, pra edhe ato bregdetare, me trojet lindore dhe anasjelltas. Kalaja e Beratit, e cila mbron një hapësirë, krahasimisht të madhe, i përshtatet shtrirjes dhe konturimit të kodrës mbi të cilën ngrihet. Në vijim të kërkesave të kohës, muret rrethues të Kalasë së Beratit rindërtohen në shek. IV-VI. Edhe më vonë, gjatë fillimit të mesjetës, kalaja ka pësuar rindërtime. Në shek. XIII, ndërtohet oborri i fortifikuar, përbri hyrjes, dhe kulla pesëkëndëshe në veri të kalasë. Në të njëjtën kohë ndërtohet dhe kështjella në brendësi të kalasë. Kjo kështjellë i shërbente kryesisht garnizonit mbrojtës dhe familjes feudale. Më vonë, në hapësirën e kështjellës, në juglindje të saj, duke u ndarë me mure, veçohet selia e parisë së qytetit. Për t’u përmendur është ndërtimi në këtë hapësirë i një stere me vëllim të madh, mbuluar prej dy qemerësh, mbi të cilët ruhen gjurmët e një ndërtimi. Edhe muret anësorë, të cilët prej pjesës jugore të kalasë, zbresin deri në brigjet e Osumit, janë të së njëjtës kohë. Ata sigurojnë marrjen e ujit prej Osumit edhe në periudha luftimi. Qyteti-kështjellë i Beratit përmendet edhe për daljen, krahasimisht të hershme të vendbanimit jashtë mureve rrethues. Kjo pjesë e qytetit, duhet t’i përkasë fillimit të shek. XIII. Ajo më pas shoqërohet me fillesat e lagjes Mangalem, e cila në raste rreziqesh ndërlidhej me hapësirat e Kalasë në veri të saj. Qendra historike e Beratit me bërthamën e saj kalanë 25 shekullore, tashmë “Pasuri Botërore”, është një prej qendrave qytetare të fortifikuara, e cila sot e kësaj dite i qëndron kohës. Rrjeti rrugor i saj, gjithë duke qenë i improvizuar, është kushtëzuar ndjeshëm me fillimin prej hyrjes kryesore, prej së cilës zënë fill tre arterieve edhe këto kryesore, duke qenë arteri qendror fillesa e rrugëve të tjera gjatësore veri-jug dhe atyre tërthoreve. Gjurmë ndërtimesh mesjetare ruhen kryesisht në fushën e ndërtimeve të kultit dhe atyre të përbashkëta, si stera etj. Gjurmët e banesave mesjetare, kuptueshëm, nuk janë ndeshur.
Ndërsa tri qendrat qytetare të përshkruara i kanë fillesat në antikitet, duke mbijetuar vijueshëm deri më sot. Qyteti i Gjirokastrës i ka fillesat rreth gjysmës së dytë të shek. XIII, gjithë duke i mbijetuar vijueshëm kohës. Ashtu si thuajse mbarë qytete të lashtë shqiptarë, edhe Gjirokastra e ka fillimin si fortifikim i llojit kala. Ai shtrihet mbi lartësitë e një kodre, duke konturuar muret rrethues, sipas konfiguracionit vëllimor të kësaj hapësire shkëmbore. Kalaja mesjetare nuk përfshinte shtesën jugperëndimore, e cila së bashku me ujësjellësin e kalasë, u ngrit pas përfshirjes së qytetit në pashallëkun e Ali pashë Tepelenës. Hyrja kryesore e Kalasë është në pjesën e saj veriore, prej së cilës, rruga e vetme kryesore, përshkon mbarë shtrirjen e saj në aksin qendror. Gjurmët e ruajtura deri më sot dëshmojnë se, ndërtimet strehuese dhe të funksioneve të tjera ushtarake ngriheshin në hapësirën e Kalasë. Dëshmi të pakta mund të lidhen dhe me ngrehina për feudalin zotërues të kështjellës. Gjurmë banesash të thjeshta, vështirë të gjurmohen. Rritja e funksioneve administrativo-ushtarake të kësaj qendre, natyrshëm krijonin kushtet që ajo të merrte edhe funksione ekonomike, të lidhura këto me zejtarinë dhe tregtinë. Kështu, lindi nevoja për ngritjen e banesave të këtyre shtresave, të cilat për rrethanat e njohura, duhet të ishin pranë kalasë. Kështu, rreth fillimit të shek. XV, filloi të lindë lagjja e parë, pranë hyrjes kryesore të Kalasë. Madje, njëherazi, pranë saj zuri vend edhe një hapësirë në funksionin e pazarit. Edhe sot kjo hapësirë e banuar mban emrin domethënës “Pazar i vjetër”, i cili rreth fillimit të shek. XVII, zhvendoset atje ku ruhet sot e kësaj dite. Gjirokastra, në gjysmën e dytë të shek. XIV, qe qendra e familjes feudale shqiptare të Zenevisë. Historia e veprave ndërtimore, për vetë natyrën e tyre, së pari dhe mbi të gjitha mbështetet në dëshmitë e prekshme të së kaluarës, të cilat ruhen në shkallë të ndryshme, apo pjesë të rrënojave të tyre, dalë prej gërmimesh arkeologjike. Brishtësia e teknikave mesjetare për ndërtimin e banesave dhe zhvillimi i shoqërisë, me kërkesa në rritje për kushte më të mira jetese, janë shkaqet kryesore të mungesave të shembujve të banesave mesjetare. Megjithëkëtë, rrugë të tërthorta, por të konfirmuara metodologjikisht prej studimeve të derisotme, dhe njohja e thellë e banesës shqiptare të shek. XVIII-XIX, mundësojnë që të hidhen teza të shëndosha mbi banesën qytetare mesjetare shqiptare. Besojmë se është e rëndësishme të pohojmë se gjatë mesjetës, për shtresat e mesme dhe të varfra të popullsisë, dallimet banesë fshatare - banesë qytetare ishin të papërfillshme. Kjo sepse këto shtresa në qytete shfaqen përfillshëm krahasimisht vonë, në shek. XIII-XVI, me lindjen e varosheve. Kuptueshëm, banorët e rinj të ardhur prej fshatit do të jetonin, në kuptimin e ngushtë dhe më gjerë si në vendbanimin paraardhës. Ata do të kultivonin trojet bujqësore qytetare dhe blegtorinë, pra do të parapëlqenin banesën tradicionale, kryesisht përdhese dhe në trojet e pjerrëta me gjysmëkat. Varianti më i përhapur ka qenë ai me një, apo dy kthina banimi, ndërsa në atë me gjysmëkat, pjesa përdhese strehonte kafshët, ndërsa e sipërmja, pjesërisht përdhe dhe pjesërisht në kat, shërbente për banim. Prej gërmimesh arkeologjike në rrënojat e qytetit të fortifikuar mesjetar të Sardës, janë zbuluar një numër rrënoja banesash të shek. X-XI, të cilat deri më sot janë dëshmi me vlera (fig. 3). Prej gjurmëve të muraturës së tyre prej guri, lidhur me llaç gëlqereje, banesat dallohen se janë njëkthinëshe, me dy dhe tri të tilla. Ndërtimet janë ngritur pa përkujdesje në bashkëvendosjen hapësirore, duke qenë veças, apo pranë njëra-tjetrës. Ndeshen dhe gjurmët e hapësirave të dyerve dhe kamareve. Shtresa e feudalëve shqiptarë, e cila shfaqet në shekujt e fundit të mesjetës, duke i pasur fillimisht ngrehinat e banimit, në hapësirat e zotërimeve të veta. Ato, për rrethanat e kohës ishin banesa të fortifikuara (fortis domus). Rreth shek. XIII, feudalët vendas, përherë e në rritje, tërhiqen prej qendrave qytetare, në të cilat qëndrojnë përkohësisht. Rreth shek. XIV, fillon procesi i zhvendosjes prej banesave në hapësirat e pronave të tyre në qytetet e fortifikuara të kohës, përgjithësisht brenda hapësirave të kalave.
Me sulmet sllave të fundit shek. VI fillimit shek. VII përfundon një etapë në zhvillimin ekonomikoshoqëror të Ilirisë, me pasoja dhe në fushën e ndërtimeve dhe arkitekturës. Gjurmët e shkatërrimeve dhe djegieve janë gjetur në mjaft ndërtime të kësaj kohe. Iliria, pra dhe territori i vendit tonë erdhi në këtë periudhë mbas një lulëzimi që me sa kuptohet filloi prej kohës së Anastasit të I e vijon me Justinianin e I e të tjerët, të gjithë këta perandorë me origjinë Ilire. Shekujt që vijojnë janë shekuj në mjaft drejtime akoma të errët, janë shekuj në të cilët në Ballkan ndodhin transformime të mëdha etnike, gjatë të cilëve formohet kombësia arbëreshe, shqiptarët e sotëm, që siç dëshmojnë studimet arkeologjike e gjuhësore janë vijuesit e Ilirëve. Për këto shekuj mungojnë edhe të dhënat burimore, çka e vështirëson akoma më tepër krijimin e një kuadri të plotë mbi ndërtimet e kësaj periudhe. Të dhënat e zbulimeve arkeologjike të shumta, sidomos me zbulimet e reja të dhjetëvjeçarit të fundit, për kulturën mesjetare të hershme tregojnë qartë vijueshmërinë e banimit në mjaft qendra të lashtësisë të cilat vazhdojnë të jetojnë edhe në këto shekuj, pavarësisht nga madhësia e roli i tyre në jetën ekonomike e shoqërore. Për ndërtimet e kësaj periudhe në gjendjen e sotme të zbulimeve flasin monumente të shumta, që hedhin dritë në problemet përkatëse. Këto ndryshime të mëdha u pasqyruan dhe në organizimin kishtar të territoreve të banuara nga shqiptarët. Të dhënat janë të pakta për shekujt e errët të mesjetës së hershme dhe i kemi nga pjesëmarrjet në Koncilet kishtare. Me rrënimin e jetës ekonomike e shoqërore dhe varfërimin e vendit me sa duket ndërtimet e reja të kultit janë të pakta dhe me materiale të tilla që nuk i kanë qëndruar kohës. Kështu njihet një kapele mbi rrënojat e bazilikës së varrezës së Skampinit, e ndërtuar me material të vjetër të lidhur me llaç balte. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë monumente që u përdorën gjatë gjithë Mesjetës. Ka ndër to ndërtime që gjenden deri vonë në këmbë për shkak të përdorimit të pandërprerë të tyre. Të tilla janë bazilika e madhe e Butrintit me rindërtime të gjysmës së dytë të shek. IX, kisha e 40 shenjtorëve në Sarandë me rindërtime të shek. XIV, bazilika rrënojë në breg të Drinit dhe kisha e Shën Kollit në Lezhë, si dhe bazilika në qendër të Durrësit. Ndër këto kisha, vijueshmërinë e të cilave e njohim nga rezultatet e gërmimeve arkeologjike, janë edhe bazilika e Ballshit me rindërtime të vazhdueshme, bazilika e Shën Mëhillit në Arapaj që rindërtohet e që përdoret së paku deri në shek. XV. Nga burimet historike të fundit të shek. XI njohim edhe dy monumente të tjera, për të cilat, gjetjet arkeologjike të rastit flasin qartë se janë ndërtime të periudhës paleokristiane, të cilat funksionuan edhe gjatë Mesjetës. Këto përmenden nga Ana Komnena në historinë e saj kur flitet për luftërat normano - bizantine të viteve 1081-1088. Kisha e Shën Theodhorit mendohet të jetë në afërsi të fshatit Qerret të Kavajës, në të cilin, krahas objekteve të shek. V-VI janë gjetur monedha të shek XI-XIV, ndërsa kisha e Shën Kollit duhet të ketë qenë te Shkëmbi i Kavajës (Petra e burimeve historike), ku gjithashtu janë gjetur fragmente arkitektonike të shek. VI.
Për ndjekjen e ndërtimeve të kultit gjatë shek. IX-XI një ndihmesë të mirë jep edhe studimi i skulpturës arkitektonike, që, pavarësisht se vjen nga gjetje të rastit dhe të pakta, paraqet dëshmi me mjaft vlerë. Ato vijnë nga një territor, i cili që nga gjysma e parë e shek. IX i takon Temës së Dyrrahut e që shtrihet deri në Shqipëri të Jugut. Për një periudhë kohe deri në “aneksimin” e kishave të perëndimit bizantin në mesin e shek. VIII-të, Durrësi e jo vetëm ai, por gjithë territoret jo sllave të Ballkanit perëndimor vareshin nga Roma. Me këtë aneksim që pasohet me një “rivendosje” të sundimit bizantin dhe në territoret prapa qyteteve të bregdetit, me krijimin Temës së Durrësit (fillimi i shek. IX) dhe asaj të Naupaktit-Nikopojës (mesi i shek. IX), pra nda bregdeti i Dalmacisë deri në gjirin e Artës, ndodh dhe riorganizimi i kishës ndër shqiptarët. Kështu, në shekullin e X-të Dyrrahu ka në vartësi peshkopatat e Stefaniakës, Krujës, Kunavisë dhe Lezhës, ndërsa Naupakti ka Butrintin dhe Adianopojën. Më vonë, fundi i shek. X-të, Dyrrahu ka Antivarin, Ulqinin, Shkodrën, Drivastin, Polatin, Elisonin, Stefaniakën, Kunavinë, Aulonën, Gllavinicën, Cernikun, Pulheropolisin dhe Gradicion, duke përfshirë në këtë mënyrë dhe peshkopatat në territore të pushtuara deri në atë kohë nga bullgarët. Një riorganizim tjetër bëhet në fillim të shek. XI-të kur disa prej tyre, në Shqipërinë e Jugut, i rikthehen Kryepeshkopatë së Ohrit. Gjatë fundit të shekullit të XI-të peshkopatat e Shqipërisë së Veriut kalojnë në vartësi të Raguzës e më vonë Antivarit e të lidhura me Romën.
Këto struktura, sipas vartësisë së tyre nga dy qendrat e krishterimit patën dhe ndikimet e veta në lidhjet arkitekturore që vërehen qartë në kisha të ndryshme të vendit. Numri jo i vogël i kishave mesjetare që ruhen në Shqipëri, që u shqyrtuan në këtë punim dhe që shtrihen në të gjithë territorin e vendit, flet qartë për larminë tipologjike dhe të formave. Studimi i tyre ka bërë të mundur njohjen jo vetëm të monumentit të veçantë, por edhe të tërësisë. Në përputhje me rrethanat historike, nëpër të cilat ka ecur vendi ynë, dhe zhvillimi i përgjithshëm ekonomik e shoqëror i tij, në arkitekturën mesjetare të Shqipërisë dalluam dy periudha: e para që fillon në Mesjetë deri në fund të shek. XII, dhe e dyta që përfshin shekujt XIII-XV deri në pushtimin e plotë të vendit nga turqit osmanë.
Në periudhën e parë, në të cilën ndodh procesi i formimit të kombësisë shqiptaro-arbëreshe, dëshmitë arkitekturore janë më të pakta për arsye të kuptueshme. Siç e pamë, sidomos për shekujt e parë (VII-VIII), të dhënat janë fare të pakta dhe ky “hiatus fiktiv” shpjegohet si nga rrethanat e veçanta të krizës së rëndë që përfshiu gadishullin ballkanik në shekujt e dyndjeve të mëdha të popujve dhe të krizës ekonomikosociale të perandorisë bizantine, edhe nga të dhënat deri më tani të pakta të arkeologjisë. Duke e vështruar në tërësi këtë periudhë edhe nëpërmjet monumenteve, vërejmë ngritje në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e shoqëror të vendit që arrin në fundin e saj nivele mjaft të mira dhe përbën bazën mbi të cilën, pa prapambetje kohore në krahasim me atë të qendrave kryesore të Ballkanit, zhvillohet arkitektura shqiptare e shekujve XI-XV. Tipat arkitekturorë të përhapur në këtë periudhë të parë janë kryesisht dy: kishat njënefëshe dhe bazilikat. Të parat, si rezultat i përmasave të tyre dhe lehtësisë së ndërtimit, takohen gjatë gjithë kohës duke dëshmuar në mjaft aspekte për nivelin ekonomik të shoqërisë dhe zhvillimin e ndërtimeve në këta shekuj. Të dytat, bazilikat, përbëjnë dokumente arkitekturore me vlerë të madhe historike për vazhdimësinë e traditave ndërtimore të së njëjtës popullsi, si dhe të qendrave të banuara kryesore, për nivelin e ndërtimeve dhe për kërkesat arkitekturore, për lidhjet e pakta të vendit me qendrat e Perandorisë. Në fund të kësaj periudhe, në shek. XI-XII, fillon të futet në forma primitive dhe ende pa u shkëputur nga traditat bazilikale, tipi i kishave në formë kryqi i brendashkruar me kupolë. Kjo ndodh në Shqipërinë e Jugut, në Peshkëpi të Sipërme, në Kosinë e Zervat, ndërkohë që në Shqipërinë e Veriut (Rubik) dhe në Durrës shihen ndikimet e para të arkitekturës romanike. Në periudhën e dytë (shek. XIII-XV), në të cilën realizohet uniteti i popullsisë shqiptare dhe shtrirja e saj përkon përgjithësisht me trojet e banuara sot prej tyre, kemi dallime në ndërtimet e Shqipërisë Jugore nga ajo Veriore dhe Shqipëria e Mesme. Siç rezulton nga studimi i monumenteve të veçantë, kjo ndodhi për shkak të ndikimeve më të forta të arkitekturës perëndimore, nga ndërhyrja e shteteve perëndimore dhe nga kisha katolike. Krahas bazilikave, më të pakta në numër, të cilat i hasim njëlloj në të dyja zonat, ruajmë sot një numër relativisht të madh kishash njënefëshe. Me elementë të arkitekturës romaniko-gotike janë kishat e Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Në Shqipërinë e Jugut, në këtë periudhë gjejnë përdorimin e gjerë me tipologji të qartë provinciale kishat e tipit kryq i brendashkruar me kupolë mbi tambur, që kanë një fizionomi të qartë karakteristike për vendin tonë.
Tipologjikisht kishat klasifikohen sipas skemave tradicionale, duke pasur parasysh brenda çdo grupi renditjen kronologjike:
Kishat njënefëshe
Bazilikat
Tipat në formë kryqi me kupolë
Tipa të veçantë me kupolë
duke futur në grupin e fundit disa monumente, në mjaft raste të rëndësishëm, që nuk mund të përfshihen në grupet e tjera për shkak të veçantive që paraqesin dhe që në ndonjë rast arrijnë deri në unikale.