Romaku, Athinasi
Mitologjia Helene
~Jim Tierney
Qyteti antik
~Fustel De Coulanges
Origjina e Mendimit
~Jean Pierre Vernant
Struktura e simbolizmit ilir
~Aleksandër Stipçevic
Pirateria ilire
~Pierre Cabanes
Mbretërimi i Gentit
~Pierre Cabanes
Mesapët dhe gjuha e tyre
~Myzafer Korkuti
Arkitektura Sepulkrale
~Apollon Baçe
Vlora në mesjetë
~Konstantin Jereçek
Klementi i Ohrit dhe Shqipëria
~Dimitri Obolenski
Ajkuna kján Omerin
~Curraj – Epér (Mirash Gjoni)
Orët e Mujit
~Visaret e Kombit
Shqipëria e Lashtë
~Luigi M. Ugolini
Ballkani Qëndror
~Guillaume Lejean
Udhëtimet e para 1897 - 1905
~Franc Baron Nopça
Fiset Shqiptare
~Robert Elsie
Gegët dhe toskët
~Robert Elsie
Fisi i Kelmendit
~Robert Elsie
Në anijen "Danubio"
~Marcin Czerminski
Shebeniku (Sibenik)
~Marcin Czerminski
Skardona dhe Ujvara e Kërkës
~Marcin Czerminski
Nga Shqipnia e jugut
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Mesme
~Johann Georg von Hahn
Shqipnia e Veriut
~Johann Georg von Hahn
Gryka e Kotorrit
~Marcin Czerminski

Romaku, Athinasi

I njëjti besim, i cili pat themeluar shoqëritë dhe qeverisur ato për një kohë të gjatë, do ti jepte formë dhe karakter edhe shpirtit njerëzor dhe njeriut. Përmes këtyre dogmave dhe praktikave, ai do t'u jepte romakut dhe grekut një mënyrë të menduari dhe të vepruari të caktuar, si edhe disa zakone, prej të cilave ai nuk mundi të zhbëhej për një kohë të gjatë. Ky besim i tregonte njeriut gjithkund perënditë, perëndi të vogla, perëndi idhnake, perëndi keqbërëse. Ai i shtypte njerëzit me frikën se kundër tyre kishte gjithnjë perëndi, duke mos u lënë atyre, kësisoj, kurrfarë lirie në veprimet e tyre.

Le të shohim se ç'vend zinte feja në jetën e romakut. Banesa e tij ishte për të ajo që për ne sot është tempulli; ai gjente në të kultin dhe perënditë e veta; vatra e tij ishte zot; muret, dyert, pragu, ishin perëndi; sinorët që rrethojnë fushën e tij janë ende perëndi. Varri ishte altar dhe të parët e tij ishin qenie hyjnore.

Çdo veprim i përditshëm i tij është një rit; dita e tij, i përket besimit që ai ka. Mëngjes e mbrëmje, ai i lutet vatrës, penatëve, të parëve të tij; sa herë që del nga shtëpia ose kthehet në të, ai i lutet asaj. Çdo vakt ngrënieje përbën një akt fetar, të cilin ai e ndan me hyjnitë e shtëpisë së tij. Lindja, inicimi, marrja e togës, martesa dhe përvjetorët e ndryshëm që lidhen me të gjitha këto ngjarje, janë akte solemne të kultit të tij.

Ai del nga banesa dhe nuk mund të hedhë asnjë hap, pa ndeshur në një objekt të shenjtë; një vend i vogël lutjeje, një vend i goditur dikur nga rrufeja apo një varr; herë-herë atij i duhet të hyjë në soditje shpirtërore, të shqiptojë një lutje; herë-herë atij i duhet të largojë shikimin dhe të mbulojë fy tyrën me duar, për të shmangur pamjen e një sendi ogurzi.

Çdo ditë, në shtëpinë e tij ai flijon viktima, gjë që e kryen edhe çdo muaj dhe disa herë në vit, përkatësisht në kurinë dhe gent-in e vet. Mbi të gjitha këto perëndi, ai vijon ende t'u përkushtojë kult perëndive të qytezës. Në Romë ka më shumë perëndi se qytetarë.

Për të falënderuar perënditë, nevojiten flijime; ai nuk resht së ofruari përherë e më shumë flijime, të cilat synojnë të qetësojnë zemërimin e tyre. Sot ai figuron në një procesion, ku kërcehet sipas një ritmi të lashtë nën tingullin e një fyelli të shenjtë. Të nesërmen, ai lëviz me karro, mbi të cilën janë shtrirë statujat e hyjnive. Më pas, ai shfaqet para një lectistemium-i; një tryezë e ngritur në mes të rrugës, e mbushur me ushqime; statujat e perëndive janë vendosur mbi shtretër dhe çdo romak kalon para tyre, i përkulur, mbi kokë një kurorë lulesh dhe në dorë, një degë dafine.

Një festë është për të mbjellat, një tjetër për të korrat, një e tretë për krasitjen e vreshtave. Përpara se gruri të krijojë kallëz, për të janë bërë me dhjetëra flijime dhe perëndive u janë drejtuar lutje të veçanta e të pafund për mbarëvajtjen e korrjeve. Numri i kremtimeve është tejet i madh, sidomos për të vdekurit, pasi edhe frika prej tyre është e madhe.

Ai nuk del kurrë nga shtëpia e vet, pa u siguruar paraprakisht që të mos hasë në ndonjë zog keqndjellës. Disa fjalë të caktuara, ai nuk mund t'i përdorë kurrë gjatë gjithë jetës. Edhe nëse në këtë drejtim, ai ka ndonjë dëshirë, ai e shkruan fjalën mbi një tabelëz, të cilën e vendos në këmbët e statujës së një perëndie.

Në çdo çast ai këshillohet me perënditë e veta dhe dëshiron të njohë vullnetin e tyre. Vendimet që ai merr, i gjen në zorrët e viktimave të flijuara, në fluturimin e zogjve, në paralajmërimet e rrufeve. Paralajmërimi i një shiu gjaku apo i një kau që ka folur, e shqetëson dhe i fut mornica në trup; ai gjen prehje vetëm kur një ceremoni shpaguese e vendos atë në paqe me perënditë e tij.

Ai del nga shtëpia vetëm me këmbën e djathtë. Flokët i pret vetëm kur hëna është e plotë. Mbi trup mban nuska. Kundër zjarrit, ai i mbush muret e shtëpisë me mbishkrime magjike. Ai di formula për të shmangur sëmundjet dhe të tjera akoma për shërimin e tyre; por duhet që ato fi përsërisë njëzet e shtatë herë dhe sa herë që i përsërit, ai duhet të pështyjë sipas një forme të caktuar.

Ai mblidhet për të diskutuar dhe për të marrë vendime në Senat, vetëm kur flijimet kanë dhënë shenjat e favorshme. Ai largohet nga kuvendi i popullit, sa herë që dëgjon klithmën e një lakuriqi nate. Ai heq dorë edhe nga qëllimet më të mira, nëse ka parë një shenjë ogurzezë ose veshin ia ka goditur një fjalë e keqe. Ai është trim në luftë, me kusht që ogurët t'i shprehin se do të fitojë.

Romaku që vizatojmë këtu, nuk është njeri i popullit, njeri me mendje të drobitur, të cilin mjerimi dhe padija e përkundin në besëtytninë e tij. Këtu bëhet fjalë për një patric, për një njeri fisnik, të fuqishëm dhe të pasur. Ky patric është hera-herës luftëtar, hera-herës magjistrat, konsull, bujk, tregtar, por kudo dhe gjithnjë ai është prift dhe mendimi i tij është i ngulitur te perënditë. Patriotizmi, dashuria për lavdi, kërkimi për ar, sado të fuqishme që këto ndjenja mund të jenë në shpirtin e tij, frika që ai ka nga perënditë i mby t gjithçka. Rreth romakut, Horaci ka thënë fjalët më të vërteta: ai është bërë zot i dheut, nën drojën e perëndive.

Dis te minorem quod geris, imperas.

Pretendohet se, kjo fe ka qenë funksion i politikës. Por a mund të hamendësohet që një senat prej treqind anëtarësh, një trupë prej tre mijë patricësh, të jetë marrë vesh në një mënyrë kaq të plotë e të njëzëshme, për të mashtruar popullin e paditur? Dhe këtë ta ketë bërë për shekuj me radhë, pa mundur që, përmes aq shumë rivalitetesh, luftërash, urrejtjesh personale, të mos ngrihej qoftë edhe një zë i vetëm e të thoshte: kjo është gënjeshtër! Që të mos dilte qoftë edhe një patric i vetëm që, duke tradhtuar të fshehtat e kastës së tij, dhe duke ua bërë ato të njohura plebenjve që vuanin deri në palcë zgjedhën e kësaj feje, të hiqte qafe e të flakte tej të gjithë auspicët dhe titujt priftërorë, duke fituar kësisoj një pushtet aq të madh në popull, do të bëhej menjëherë zot i padiskutueshëm i shtetit! Si mund të besohet se, patricët, pa besuar edhe ata vetë fenë e praktikuar, nuk do të tundoheshin nga një tërheqje e tillë e fortë dhe për këtë arsye askush prej tyre nuk do të zbulonte këtë të fshehtë të madhe? Do të ishte gabim i rëndë për natyrën njerëzore, në rast se hamendësohet dhe thuhet se një fe e caktuar mund të ngrihet me marrëveshje dhe imponohet përmes detyrimit. Le të numërojmë më parë te Tit-Livi se sa të shumta janë rastet që kjo fe ka bezdisur senatin dhe sa herë i pat penguar ajo veprimet e tij, e pastaj të shprehemi nëse kjo fe ka qenë shpikur ose jo për komoditetin e politikanëve! Mendimi se feja ishte e dobishme për qeverisjen ka nisur të besohet vetëm në kohën e Ciceronit; por në atë kohë, feja, në shpirtin e vet, kishte vdekur.

Le të marrim një romak të shekujve të parë; le të zgjedhim një prej luftëtarëve më të mëdhenj, Kamilin, i cili kishte qenë pesë herë diktator dhe kishte dalë fitimtar në më shumë se dhjetë luftëra. Për të qenë të vërtetë, atë duhet ta përfytyrojmë edhe si prift edhe si luftëtar. Ai i përket gens-it Furia; nofka e tij është një fjalë që emërton një funksion priftëror. Që në fëmijëri, ai kishte mbajtur mantelin që tregonte kastën e vet dhe skeptrin që largonte syrin e keq. Ai ishte rritur, duke marrë pjesë çdo ditë në ceremonitë e kultit; rininë e kishte kaluar, me mësimin e fesë. Me shpërthimin e një lufte, prifti u kthye në ushtarak; e shohim të plagosur në një kofshë, duke luftuar mbi kalë, tek shkul ushtën e ngulur në kofshë dhe vazhdon të luftojë. Pas shumë fushatash ushtarake ai ngrihet në rangun e magjistratit; në këtë funksion ai ofron flijime publike, gjykon, udhëheq ushtrinë. Vjen një ditë dhe njerëzit mendojnë t'i japin atij postin e diktatorit. Atë ditë, magjistrati përkatës, i cili merrej me parashikimin e fatit, pasi hyri në soditje shpirtërore, përgjatë një nate të kthjellët, u këshillua me perënditë: mendimi i tij ishte i lidhur pas Kamilit, emrin e të cilit ai e shqiptonte me zë krejt të ulët, ndërkohë që sytë ia kishte ngulur qiellit, në kërkim të shenjave ogurndjellëse. Perënditë nuk reshtnin së dërguari vetëm shenja të mira; kjo donte të thoshte se për to, Kamili ishte i pëlqyeshëm; ai u emërua diktator.

Ja tek është në krye të ushtrisë; ai nuk del kurrë nga qyteti pa u këshilluar paraprakisht me auspicët dhe pa ofruar më parë flijime të shumta. Ai ka nën urdhrat e tij oficerë të shumtë e po kështu edhe priftërinj, një kryeprift, ogurë, auspicë, prishës të syrit të keq, ekzekutorë viktimash dhe një mbartës vatre.

Ai ngarkohet me detyrën për t'i dhënë fund luftës me qytetin e Veii-t, i cili mbahet i rrethuar qysh prej nëntë vjetësh dhe fatkeqësisht, pa sukses. Veii është qytet etrusk, domethënë, një qytet gati i shenjtë; kundër tij duhet luftuar më shumë përmes besimit fetar sesa me trimëri. Fakti që qysh prej nëntë vjetësh romakët nuk kishin pasur sukses në këtë ndërmarrje, i detyrohej asaj që etruskët i njihnin më mirë ritet që u pëlqenin perëndive si edhe formulat magjike që nevojiteshin për të fituar përkrahjen e tyre. Nga ana e saj, Roma u këshillua me librat e saj Sibiline dhe u përpoq të gjente në to vullnetin e perëndive. Ajo vuri re se feritë e saj latine ishin ndotur prej disa të metash në formë, ndaj ajo ripërsëriti flijimet. E megjithatë etruskët vazhdonin të ruanin epërsinë e tyre; mbetej vetëm një mundësi, të zihej rob ndonjë prift etrusk dhe prej tij të mësohej sekreti i perëndive. Më në fund u arrit të zihej rob një prift veiiean dhe ai u nxor përpara Senatit: "Që Roma të dalë fitimtare, tha ai, duhet që ajo të ulë nivelin e liqenit Alban dhe të mos lejojë ujin e tij të rrjedhë drejt detit." Roma u bind, ajo gërmoi një pafundësi kanalesh dhe pritash dhe uji i liqenit humbi në fushë.

Kamili u zgjodh diktator pikërisht në këtë moment. Ai shkon pranë ushtrisë romake që mbante të rrethuar Veii-n, ai është i sigurt për suksesin; të gjithë orakujt kishin folur, të gjithë urdhrat e perëndive ishin përmbushur; ndër të tjera, përpara se të largohej nga Roma, ai u kishte premtuar perëndive mbrojtëse kremtime dhe flijime. Për të ngadhënjyer, ai nuk lë pas dore as mjetet njerëzore; ai rrit numrin e ushtrisë, forcon disiplinën, hap një galeri të nëndheshme për të depërtuar në kala. Dita e sulmit ka ardhur; Kamili del nga shatorja e tij; këshillohet me shenjat e qiellit dhe flijon viktimat. Priftërinjtë, ogurët qëndrojnë rreth tij; i mbështjellë në paludamentum-in e tij, ai u lutet perëndive: "Nën udhëheqjen tënde, o Apolon, dhe me vullnetin tënd që më frymëzon, po marshoj për të marrë dhe shkatërruar qytetin e Veii-t; ty, nëse dal fitimtar, të premtoj dhe të kushtoj një të dhjetën e plaçkës." Por të kesh perënditë me vete, nuk mjafton; edhe armiku ka një hyjni të fuqishme mbrojtëse. Kamili e përmend përmes kësaj formule: "Junonë mbretëreshë, që për momentin banon në Veii, të përgjërohem, eja te ne, fitimtarët; na ndiq në qytezën tonë, prano kultin tonë, qyteti ynë le të bëhet yti." Pasi flijimet janë kryer, lutjet janë thënë, formulat janë recituar dhe romakët janë siguruar që perënditë janë në anën e tyre dhe armikun nuk e mbron më asnjë perëndi, sulmi nis dhe qyteza bie.

I tillë është Kamili. Gjenerali romak është një burrë që di të luftojë në mënyrë të admirueshme, që njeh mbi të gjitha artin për t'i bërë luftëtarët e vet t'i nënshtrohen, por që, njëherazi, beson me vendosmëri ogurët, që përmbush çdo ditë ritet fetare, i bindur se ajo që ka më shumë rëndësi nuk është guximi, madje as disiplina, por të shqiptuarit saktë të disa formulave sipas riteve. Këto formula, të drejtuara perëndive, u shtojnë luftëtarëve vendosmërinë dhe i nxjerrin ata gjithnjë fitimtarë. Për këtë gjeneral, shpërblimi më i lartë është kur Senati i jep atij mundësinë të përmbushë flijimin e triumfit. Atëherë, ai ngjitet në karron e shenjtë të mbrehur pas katër kuajsh të bardhë, të njëjtët kuaj që tërheqin edhe statujën e Jupiterit ditën e procesionit të madh; ai ka hedhur krahëve rrobën e shenjtë, të njëjtën rrobë me të cilën veshin, ditën e kremtimeve, perëndinë; në kokë mban një kurorë, në dorën e djathtë një degë dafine, ndërsa në të majtën skeptrin e fildishtë; këto janë saktësisht atributet dhe kostumi ceremonial me të cilin vishet edhe statuja e Jupiterit3. Ai u paraqitet bashkëqytetarëve të tij në një qëndrim thuajse hyjnor dhe ngjit shkallët për t'i bërë homazhet e tij, më të madhërishmes mes perëndive romake. Ngjit pjerrësirën e Kapitolit dhe në majë të tempullit të Jupiterit, flijon viktimat.

Frika nga perënditë ishte një ndjenjë që nuk ekzistonte vetëm te romakët; ajo sundonte gjithashtu edhe zemrën e grekut. Këta popuj, të ndërtuar në themel mbi bazën e fesë, të ushqyer dhe të rritur prej saj, ruajtën për një kohë shumë të gjatë shenjëii e edukimit të tyre fillestar. Janë të njohur skrupujt e spartanit, i cili nuk niset kurrë në fushatë ushtarake, nëse nuk është hënë e plotë, që nuk resht së flijuari viktima, për të mësuar nëse duhet ose jo të nisë betejën dhe që heq dorë edhe nga planet më të mira e më të domosdoshme, pasi një ogur i keq e tremb. Athinasi dallon prej romakut dhe spartanit në një mijë e një tipare të karakterit dhe të mendjes; por ai ngjan me ta në frikën që ai ka ndaj perëndive. Një ushtri athinase nuk e nis kurrë fushatën para ditës së shtatë të muajit, dhe, kur një flotë përgatitet të dalë në det të hapët, bëhet gjithnjë kujdes që statuja e Pallasit të jetë e zbukuruar.

Ksenofoni rrëfen se athinasit kanë më shumë festa fetare sesa çdo popull tjetër grek. "Sa viktima flijohen për perënditë, thotë Aristofani, sa tempuj! Sa statuja u ofrohen atyre! Sa procesione të shenjta! Në çdo moment të vitit asistohet në kremtime fetare dhe në viktima të kurorëzuara." "Jemi ne, thotë Platoni, ata që ofrojnë më shumë flijime dhe që u kushtojmë perëndive procesionet më të shkëlqyera e më të shenjta." Qyteza e Athinës dhe territori i saj janë mbushur me tempuj e faltore; për kultin e qytezës, për kultin e fiseve dhe të dëmeve, për kultin e familjeve. Çdo shtëpi është në vetvete një tempull dhe thuajse çdo fushë fsheh një varr të shenjtë.

Athinasi, i cili përfytyrohet kaq i paqëndrueshëm, kaq tekanjoz, kaq mendimtar i lirë, përkundrazi, ka një respekt të veçantë për traditat e lashta dhe ritet e vjetra. Besimi i tij kryesor, ai të cilit i kushtohet devotshmëria më e ethshme, është besimi ndaj të parëve dhe heronjve. Ky popull ka kultin e të vdekurve dhe u ndruhet atyre. Një prej ligjeve të veta e detyron atë çdo vit t'u ofrojë perëndive të korrat e para; një tjetër i ndalon atij të shqiptojë qoftë edhe një fjalë, që mund të shkaktonte zemërimin e tyre. Për athinasin, gjithçka që lidhet me lashtësinë është e shenjtë. Ai ka shkrime të vjetra ku janë hedhur ritet e tij dhe prej tyre ai nuk ndahet kurrë. Nëse ndodhte që një prift fuste në to qoftë edhe ndryshimin më të vogël, ai dënohej me vdekje. Nga shekulli në shekull, shoqëria greke do të njihte rite nga më të çuditshmet. Në një ditë të caktuar të vitit, athinasi ofron një flijim për nder të Arianës dhe meqenëse thuhej se e dashura e Tezeut kishte vdekur në lindje e sipër, duhej që për këtë të imitoheshin klithmat dhe lëvizjet e një gruaje gjatë lindjes. Ai kremton gjithashtu një festë tjetër, të njohur me emrin Oskoforia, e cila është një lloj pantomime e kthimit të Tezeut në Atikë; skeptri i lajmësit zbukurohet me një kurorë, sepse lajmësi i Tezeut e kishte zbukuruar skeptrin e tij me një të tillë; lëshohej një britmë e caktuar, sepse hamendësohej se një britmë të tillë e pat lëshuar edhe lajmësi në fjalë dhe mbahej edhe një procesion, ku gjithkush është veshur me petkat që përdoreshin në kohën e Tezeut. Një ditë tjetër, athinasi nuk mënon të ziejë zarzavate në një enë me formë të caktuar; ky është një rit, origjina e të cilit humbet në antikitetin më të lashtë, kuptimin e të cilit nuk e dimë, por që çdo vit përsëritet me nderimin më të madh.

Athinasi, ashtu si edhe romaku ka ditë të errëta; në ato ditë, ai nuk martohet, nuk nis asnjë punë, nuk mblidhet në kuvend, nuk gjykon. Dita e tetëmbëdhjetë dhe e nëntëmbëdhjetë e çdo muaji përdoren për spastrimin e vetes. Ditën e Plinterias, dita më ters mes gjithë ditëve të tjera, hyjnia e madhe poliade mbulohej me një vello, për ta fshehur. Përkundrazi, ditën e Panatenesë, velloja e perëndisë mbahet në dorë gjatë një procesioni të madh dhe të gjithë qytetarët, pa dallim moshe apo rangu shoqëror, duhet ta ndjekin nga pas. Athinasi bën flijime për të korrat; ai flijon për kthimin e shiut dhe të kohës së bukur; ai i bën ato edhe për të shëruar sëmundjet dhe për të larguar urinë apo murtajën.

Athina ka librat e orakujve të lashtë, ashtu sikurse Roma ka librat Sibilinë dhe në pritanë ajo ushqen njerëz që parashikojnë të ardhmen. Në rrugët e saj, në çdo hap ndeshesh me fallxhorë, priftërinj, interpretues ëndrrash. Athinasi u beson ogurëve; një teshtimë apo buçitje veshësh bën që ai të ndalë punën. Ai nuk fillon kurrë një punë pa iu drejtuar më parë auspicëve. Përpara se të martohet, ai nuk mungon kurrë së këshilluari me fluturimin e zogjve. Ai u beson fjalëve magjike, dhe, nëse është i sëmurë, ai vendos nuska rreth qafës. Kuvendi i popullit shpërndahet menjëherë sapo dikush thotë, i sigurt, se në qiell ka parë një shenjë ogurzezë. Nëse një blatim trazohet, si rrjedhojë e marrjes së një lajmi të keq, ai duhet të rinisë nga e para.

Athinasi nuk nis kurrë të shqiptojë një frazë, pa iu lutur më parë fatit të mirë. Në tribunë, oratori e fillon gjifhnjë fjalën e tij, duke iu lutur perëndive dhe heronjve që mbushin vendin. Populli qeveriset, duke i përmendur atij vazhdimisht orakujt. Për të imponuar mendimin e tyre, oratorët përsërisin pas çdo çasti: kështu ka urdhëruar perëndia.

Nicias-i i përket një familjeje të madhe e të pasur. Ende në moshë të re, ai ka dërguar në santuarin e Delosit një theori, domefhënë viktima dhe një kor për të kënduar lëvdatat drejtuar perëndisë gjatë flijimit. Pasi rikfhehet në Athinë, ai u kushton perëndive një pjesë të pasurisë së vet, duke i kushtuar një statujë Athinasë, një faltore Dionisit. Dora-dorës, ai bëhet hestiator dhe heq shpenzimet e vakteve të shenjta për fisin e tij; ai është korreg dhe mban me shpenzimet e tij, një kor për kremtime fetare. Nuk ka ditë që ai të mos ofrojë sakrifica për një perëndi të caktuar. Në shtëpi, ai ka një fafixhor, që nuk ndahet kurrë prej tij e me të cilin ai këshillohet për të gjitha çështjet publike dhe për interesat personalë; i emëruar gjeneral, ai ndërmerr një fushatë kundër Korintit; kur kthehet fitimtar në Athinë, atij i bie në sy se dy prej ushtarëve të tij të vrarë, kanë mbetur pa varr në territorin armik; atë e kaplon skrupulli fetar; urdhëron ndaljen e flotës dhe dërgon një lajmës, me anë të të cilit u kërkon korintasve leje për të varrosur dy viktimat. Pak më vonë, populli athinas mblidhet në kuvend për të vendosur rreth fushatës së Siqelisë. Niciasi ngjitet në tribunë dhe deklaron se priftërinjtë dhe fallxhori i tij kanë parë ogure të këqija lidhur me këtë fushate. Nga ana e tij, Alcibiadi ka të tjerë fallxhorë, të cilëve, orakujt u japin shenja të kundërta. Populli është i pavendosur. Ndërkohë, mbërrijnë disa njerëz të ardhur nga Egjipti; ata janë këshilluar me perëndinë Ammon, e cila në Greqi kishte filluar të dëgjohej mjaft, të cilët rrëfejnë se ç'ka thënë orakulli i saj: athinasit do tfi robërojnë të gjithë sirakuzasit. Populli vendosi menjëherë të niste luftën.

Ndonëse kundër dëshirës së tij, Niciasi udhëhoqi ekspeditën. Përpara nisjes, sipas zakonit, ai përmbushi një flijim. Ai ka marrë me vete, sikurse bën çdo gjeneral, një mori fallxhorësh, flijuesish, auspicësh dhe lajmësish. Flota merr me vete edhe vatrën e tij; çdo anije ka një emblemë, që përfaqëson një perëndi të caktuar.

Por shpresat e Niciasit janë të pakta. A nuk janë të shumta shenjat që parandiejnë fatkeqësi? Korbat kanë përmbysur një statujë të Pallasit; një burrë ishte gjymtuar në një altar; nisja është bërë gjatë ditëve të këqija të Plinterive! Niciasi e di më së miri se kjo luftë do të rezultojë fatale për të dhe atdheun e tij. Kështu, gjatë krejt fushatës, ai shihet gjithnjë i ndrojtur dhe i matur; ai nuk guxon thuajse kurrë të japë kushtrimin për suhn, ai që njihet si një ushtarak aq trim dhe i aftë.

Athinasit nuk arrijnë ta pushtojnë Sirakuzën dhe pas humbjesh të mëdha në radhët e ushtrisë, duhet të merret vendimi për kthimin e saj në Athinë. Niciasi përgatit flotën për t'u kthyer; deti është ende i lirë. Por befas ndodh një eklips hënor. Ai këshillohet me fallxhorin e vet; fallxhori përgjigjet se kjo është shenjë e keqe dhe se duhet pritur tri herë nga nëntë ditë. Niciasi nënshtrohet; ai e kalon gjithë këtë kohë në mosveprim, duke ofruar flijime të shumta, për të shuar zemërimin e perëndive. Gjatë kësaj kohe, armiqtë rrethojnë limanin dhe shkatërrojnë flotën e tij. E vetmja rrugëdalje mbetet kthimi nëpërmjet tokës; gjë e pamundur; as ai dhe asnjë prej ushtarëve të tij nuk do t'u shpëtonte sirakuzanëve.

Ç'thanë athinasittek mësuan lajmin e katastrofës? Ata njihnin trimërinë personale të Niciasit dhe besnikërinë e admirueshme të tij. Ata nuk menduan për asnjë çast ta qortonin se përse ai kishte ndjekur vendimet e fesë. I vetmi qortim që ata bënë rreth tij, ishte se përse ai kishte zgjedhur një fallxhor hajvan. Sepse fallxhori ishte gabuar rreth shenjës së dhënë nga eklipsi i hënës; ai duhej ta dinte se, për një ushtri që kërkon të tërhiqet, hëna që fsheh dritën e saj, është shenjë e favorshme.

info@balkancultureheritage.com